Hamza Halabaku: Një vizitë e ministres së RSP të Shqipërisë, Tefta Cami
NJË VIZITË E MINISTRES SË RSP TË SHQIPËRISË, TEFTA CAMI 1)

Edhe më parë, në disa shkrime, kujtime të mia, kam shkruar se, nga maji i
vitit 1973 kam qenë i punësuar në Sekretariatin e atëhershëm krahinor për
Arsim, Shkencë e Kulturë të Kosovë, si dhe kam përmendur se, për mua, ato ishin
vitet më të mira, sepse aty, në atë organ të administratës, në nivel të
Kosovës, defilonin emrat më të njohur të arsimit, të kulturës e të shkencës
shqiptare në Kosovë dhe jashtë saj.
Kam përmendur emrat, si: Esad Mekuli, Rexhai Surroi, Mehmet Gjevori, Tajar
Hatipi, Lorenc Antoni, Prof. dr. Idriz Ajeti, Prof. dr. Ejup Statovci, Abdullah
Zajmi, Prof. dr. Ismet Dehiri, Mark Kaçinari, Prof. dr. Esat Stavileci, Shevqet
Veliu, Rexhep Hoxha etj.
Gëzohesha shumë, sa herë që këta vinin në zyrën ku punoja, bashkëpunëtor në
Pleqësinë e Arsimit të Kosovës. Ata vinin aty për punët e arsimit, të kulturës
po edhe të shkencës.
Aty, në Pleqësinë e Arsimit, bëhej lejimi i përdorimit të teksteve e
mjeteve mësimore për shkollat fillore dhe të mesme në Kosovë.
Po kur u
gëzova më së shumti?!
Pasi në
vitin 1979 kisha diplomuar, pa shkëputje nga puna, në Fakultetin e Drejtësisë
të Universitetit të Prishtinës, diku në fillim të vitit 1980, isha avancuar në
titullin bashkëpunëtor profesional në Sekretariatin Krahinor për Arsim, Shkencë
e Kulturë, një kohë për kulturë fizike e më vonë në titullin bashkëpunëtor
profesional për punët administrative - juridike dhe të veprimtarisë normative.
Në ditët e para të tetorit të vitit 1980 mora vesh se në organin më të
lartë administrativ të Kosovës për çështje të arsimit, shkencës e kulturës, do
të vinte një delegacion i Ministrisë së Arsimit e të Kulturës të Republikës
Popullore Socialiste të Shqipërisë.
Këtij
delegacioni do t’i printe ministrja Tefta Cami.
Më kujtohet kur atë ditë, dikush nga Shërbimi i Protokollit të Kosovës, e
hapi derën e paradhomës – kabinetit, si i thoshin atëherë, të sekretarit
krahinor për Arsim, Shkencë e Kulturë, Prof. dr. Ymer Jaka. Këtë e vërejta,
meqë aty, në paradhomë, në anën e djathtë, unë e kisha vendin e punës, ndërsa
në anën e majtë ishte Sllobodanka, sekretarja teknike e Prof. Jakës.
Delegacioni nga Republika Popullore
Socialiste e Shqipërisë, me ministren Tefta Cami, në krye, hyri në zyrë. Unë e Sllobodanka u ngritëm në këmbë,
ndërsa mua më kaploi një dridhërimë e lehtë
zemre! Ishte kjo ndjenjë gëzimi që në
atë kohë manifestohej për vizitat nga Shqipëria.
Edhe Prof. dr. Ymer Jaka, bashkë me njeriun e protokollit, kishte dalë në
paradhomë, për t’i dëshiruar mirëseardhje ministres Tefta Cami dhe delegacionit
nga Shqipëria. E para hyri ministrja Tefta Cami.

Kisha shumë dëshirë që edhe unë, sikurse sekretari Jaka, që ishte rang
ministri i sotëm, ta përshëndesja apo t’i dëshiroja mirëseardhje për dore
ministres Cami dhe pjesëtarëve të tjerë të delegacionit, por këtë nuk ma
lejonte protokolli!
Ministrja
Tefta Cami ishte veshur për mrekulli, për kohën e atëhershme. Kishte edhe një
kapotë, me që atë tetor bënte ftohtë edhe në Shqipëri, po edhe në Kosovë, të
cilën e vendosi në varësen që ishte pas derës së zyrës sonë.
Pos
dëshirës për t’i përshëndetur mysafirët, më kishte kapluar edhe kureshtja se
për çka po bisedohej aty brenda, në kabinetin e sekretarit të Arsimit,
Shkencës e të Kulturës. Mendoja me vete se, me gjasë, po bisedohej për nxitje
të bashkëpunimit dhe shkëmbimit të dyanshëm të përvojave në fushën e dijes e të
arsimit, edukimit dhe kulturës.
Po, mua më
shkonte mendja, e saktësisht nuk dija për asnjë fjalë që është biseduar brenda,
përveç atyre që ditën e nesërme ishin shkruar në Gazetën tonë “Rilindja”!
Ditën e
nesërme, datë 07 tetor 1980, në njërën nga faqet e para të “Rilindjes” shkruante:
“Tefta
Cami arriti në Kosovë. Ministren e Arsimit dhe të Kulturës të RPSSH e priti Dr.
Ymer Jaka”.

Ishte një kumtesë e shkurtër zyrtare, në të cilën, përveç të tjerash,
shkruante: “Dje në lokalet e Këshillit Ekzekutiv të Kuvendit të KSA të Kosovës
Dr Ymer Jaka dhe Tefta Cami zhvilluan bisedimet e para në një atmosferë të
përzemërt. Në bisedë mori pjesë edhe ambasadori i RPS të Shqipërisë në Beograd,
Sokrat Plaka”.
“Rilindja”
vazhdonte ta njoftonte opinionin për vizitën e Delegacionit të RPS të
Shqipërisë, i cili zgjati disa ditë në
Kosovë, përmes kumtesave zyrtare!
Njëra nga
kumtesat në vijim, ndër të tjerat, shkruante: “Sekretari krahinor i Arsimit i
Shkencës dhe i Kulturës të KSA të Kosovës,
duke veçuar bashkëpunimin e mirë
ndërmjet institucioneve arsimore-shkencore dhe kulturore të të dy
vendeve, tha se deri më tash është arritur një nivel i lakmueshëm i
bashkëpunimit dhe se po krijohen kushte që ai të jetë gjithnjë më i thellë,
meqë mundësitë janë të hapura. Kjo vizitë, siç tha ai, i kontribuon synimit për
një bashkëpunim më të gjithanshëm”!
Kur mbaroi
takimi, ata dolën nga kabineti i ministrit Jaka. Unë brofa në këmbë dhe shpejt
dola te varësja e kapotave. E mora kapotën e Tefta Camit, ministres së
Arsimit dhe Kulturës të Republikës Socialiste Popullore të Shqipërisë, që t’i
ndihmoja për ta veshur.
Kështu
isha mësuar unë! Kështu bënim në familjen tonë me gjyshin, po edhe me mysafirët
që na vinin.
Ministrja
Cami më refuzoi!
Insistova
për së dyti!
Sekretari
Jaka më ndiqte me një buzëqeshje të lehtë dhe sikur më thoshte se po bëja mirë.
Më dukej sikur po më thoshte: “Ti, si një djalë i ri, po do t’i ndihmosh një
gruaje fisnike, gruas së parë të arsimit dhe të kulturës të shtetit tonë amë!”
Më dukej
se sekretari Jaka e kishte “lexuar” gëzimin tim për atë vizitë historike, që
vinte nga e para e Shqipërisë për çështje të arsimit dhe të kulturës.
Insistova
edhe për së treti, por ministrja Tefta Cami nuk më lejoi t’ia mbaja kapotën për
ta veshur.
“Do ta bëj
vetë”, - më duket se më tha.
Kur erdha
në shtëpi, plot gëzim u shpjegova fëmijëve. Vajzave të mia e bashkëshortes u
thashë se sot ishte një ditë e gëzuar për mua, meqë e kisha parë për së afërmi
ministren e Arsimit dhe të Kulturës të Republikës Popullore Socialiste të
Shqipërisë, Tefta Cami.
1)
*Hamza
Halabaku: “RRJEDHË MOTESH”, Takime, kujtime ditar... fq. 64, Prishtinë, 2017






