Gjon Marku: Shpresa e shuar

Tregim
Nga
Gjon Marku
Nënë Mara e hapi kapakun e magjes dhe pa në hambar një gjysmë
grushti miell, që strukej në njërin cep të saj. Një drithërimë ia përshkoi
trupin, si t'i kishte prekur korrenti. E ktheu vështrimin nga fëmijët, të
mbuluar me postahen e kmesës, në anë të oxhakut. Flinin si të ishin rrëzuar në
gjumin letargjik të dimrit, të përqafuar njëri me tjetrin, edhe pse barkun e
kishin bosh. Ashtu, pa darkë, kishin rënë në gjumë të shtatë, i shtrënguar
njëri pas tjetrit, pa ua dëgjuar askush zërin. Po si do t'ua bënte nënë Mara,
kur të zgjoheshin e të rrethonin vatrën e oxhakut, në pritje të një cope buke
që t'ua shuante urinë?
I shoqi
kishte më se një javë që ishte nisur për në Shkodër, tek disa miq, e ende nuk
po kthehej. Jashtë bora kishte zbardhur gjithçka; qielli, gri e pareshtur,
vazhdonte të derdhte flokë e flokë, duke izoluar shtëpinë nga bota. E trazoi me
gishta atë grusht mielli, që s'dilte as për një kulaç të vetëm. Pastaj hapi
njërin nga raftet, ku pa se s'kishte asgjë tjetër që fëmijët mund ta hanin.
"Eh..."
- nuk dinte çfarë të bënte. A do të mundte ajo edhe njëherë t'u thoshte se
s'kishte asnjë copë bukë?
Brenda
vetes ndjeu një boshllëk të thellë e një trazim që s'e kishte njohur më parë.
Në cepin e
dhomës, në fundin e një thesi, kishin mbetur disa boçe misri, që ruheshin për
të ndezur zjarrin në mëngjeset kur drutë ishin të lagura. Pa e kuptuar as vetë,
iu drejtua thesit, hapi grykën e tij dhe pa atë tufë boçash, në fund të të
cilave s'kishte tjetër veçse mbeturina të shirjes së misrit. Njëri prej
fëmijëve, duke u kthyer nga ana tjetër, mërmëriti në gjumë: "Nënë, një
copë bukë" - po gjumi e mori përsëri të voglin, ndërsa asaj iu duk sikur i
ishte ndalur zemra kur i dëgjoi ato fjalë.
Vështrimi
i frikësuar iu ndal te mokra e vjetër, që i shoqi e kishte ndërtuar pak nga
pak, me shumë kujdes, e cila prehej pa pasur çfarë të bluante. Ajo mokër ishte
bërë pikërisht për ditë të tilla, kur edhe zogu në fluturim dridhej prej të
ftohtit, e uria kërcënonte gjithçka të gjallë. E rrotulloi dorezën, dhe gurët
filluan të hanin njëri-tjetrin.
Mori dy
boçe në dorë dhe i futi në atë mokër të vjetër, aq të ruajtur me dashuri, dhe
prej saj filloi të dilte një tallash i imët. Pastaj futi edhe dy të tjera, e
pas tyre edhe të tjera, derisa në hambar u mblodh një grumbull i tërë tallashi.
I mbushi
grushtat plot me tallash boçash dhe e derdhi në hambarin e magjes.
Eh, medet
- ai grusht mielli që i kishte mbetur ishte fare i pakët. E përzieu me
tallashin e boçave, vuri gjymin të valonte ujin dhe filloi ta brumoste bukën.
"Edhe në qoftë se s'kanë çfarë të hanë, të paktën t'u ngopet syri kur ta
shohin," mendoi me vete. Gjymi nxehej mbi zjarr, pranë oxhakut, ndërsa ajo
ndezi furrën për ta pjekur atë çka nuk gjendej emër t'i vihej - pak miell i
përzier me tallash boçash.
Shpejt e
shpejt e përzieu ujin me atë miell-tallash; edhe pse nuk bëhej masë e
njëtrajtshme, arriti të sajonte një farë brumi, të cilin e vendosi në një tepsi
dhe e futi në furrën e nxehtë.
I ngriti
ngadalë, njërin pas tjetrit, kalamajtë e vet. Të mëdhenjtë nuk bëzanin; të
vegjlit përsëritnin, njëri pas tjetrit, të njëjtin refren: "Bukë, moj
nanë, një copë bukë..."
"Pritni,
ju pastë nëna, sa të piqet buka - ja, tashti e kam futur në furrë."
Kalamajtë
u mblodhën të gjithë bashkë te furra, për ta parë bukën duke u pjekur. Sytë u
ndrisnin nga shpresa, ndërsa prisnin. Dhe teksa prisnin, nëpër borë, si e
trullosur, erdhi duke kakarisur një pulë - pula e fundit që u kishte mbetur në
shtëpi, e cila prej ditësh nuk bënte më asnjë vezë, se s'kishte çfarë të hante.
"Kapeni!"
- u tha dy djemve më të rritur, dhe ata u turrën drejt saj. Po djali i vogël
filloi të lutej: "Mos, nanë!"
E kapën
pulën dhe ia sollën së ëmës, e cila kërkoi thikën.
"Mos,
nanë," - tha djali i vogël, - "ajo është pula ime."
"Të
pastë nëna! Sapo të vijë vera, do të të blej një pulë të bukur, më të bukurën
pulë. Po tani do ta therim pulën tënde e do ta hamë bashkë me kulaçin që kemi
në furrë."
"Eja,"
- i tha djalit të madh, - "mbaje mirë, se do t'ia këpus kokën."
Ndërsa të tjerët prisnin para furrës, bukën.
Ia
mbështetën kokën mbi një dru dhe ia këputën, e pula filloi të spërkasë me gjak
borën e bardhë, duke u përpëlitur mbi të.
Papritur,
një flakë shpërtheu nga gryka e furrës, dhe të gjithë bërtitën me sa fuqi
kishin:
"Nënë,
nënë - buka! Buka po digjet!"
Ajo vrapoi
drejt furrës, hapi kapakun, dhe pa se një flakë dilte nga tepsia, thua se ishte
hedhur vaj mbi zjarr. E nxori tepsinë përpara furrës - flakëronte e tëra. Të
gjithë u afruan rreth saj dhe frynin drejt zjarrit, me shpresë ta shuanin, po
ai bëhej vetëm më i pamëshirshëm e më i madh. E vetmja që nuk i frynte flakëve
ishte nënë Mara, që i shihte, e tronditur, fëmijët e saj duke luftuar t'i
shuanin ato flakë që s'mund të shuheshin më. Filluan të merrnin borë e ta
hidhnin mbi tepsi, dhe kur më në fund flaka u shua, në fund të tepsisë s'mbetej
gjë tjetër veç një grumbull i zi.
"Eh,"
- mendoi me vete, - "ai pluhur i zi, pak minuta më parë, ishte i bardhë. I
bardhë si bora, e tani është thëngjill i zi." Medet - bocat s'janë për
bukë, ato janë vetëm për të ndezur zjarrin në mëngjeset kur drutë janë të thara
e marrin flakë menjëherë; tallashi i tyre, aq më tepër, do të digjej shpejt e
pa mëshirë.
E hodhi
vështrimin te fëmijët, të mbledhur pranë njëri-tjetrit, të trembur, pa nxjerrë
asnjë fjalë, me sytë e tyre të trishtuar ngulur mbi tepsi.
Bashkë me
bukën, ishte djegur edhe shpresa e tyre e fundit.
E gjithë
trupi i saj filloi të dridhej; këmbët nuk e mbanin më, dhe filloi të lëkundej
si mal i goditur nga një tërmet i fuqishëm.
"Po
ti, o Zot, a nuk sheh?" - mërmëriti me vete, por i kishte dalë fjala me
zë, dhe fëmijët, duke qarë, u vërsulën drejt saj, e rrethuan.
"Mos
qani, ju pastë nëna, mos qani!"
Po një
dënesë iu mblodh në fyt, s'mundi më ta mbante, dhe ia dha vajit - e me të
filluan të qajnë edhe fëmijët, rreth saj. Vetëm djali i vogël, herë duke rënë e
herë duke u ngritur nëpër borë, po ecte drejt pulës...
Po pa
mbërritur ende tek ajo, thirri me gjithë zërin që kishte:
"Baba!
Baba!"
Të gjithë
kthyen sytë nga livadhi përpara shtëpisë, prej nga një burrë, me thes në
shpinë, vinte drejt tyre.
Ajo
s'kishte më fuqi t'i ndiqte fëmijët.
Më në
fund, kishte ardhur një thes me miell - sa për t'i mbajtur gjallë edhe pak ditë.


