Gjon Marku: Mes drejtësisë dhe errësirës

Tregim nga Gjon
Marku
Tërë kohën e lume vishej, krihej dhe priste
pas perdes, që të dallonte siluetën e saj në tërthoren e kryerrugicës. E dinte
mirë orën kur ajo dilte. Në zemër i kishte hyrë gëzimi, si zogu në çerdhe.
Pastaj
dilte dhe e shoqëronte në kursin e violinës. E priste të dilte prej andej, në
gji të muzgut, dhe të dy, si dy pëllumba, vinin nëpër rrugicë. Ai e përcillte
deri në tërthoren e kryerrugicës, pranë së cilës gjendej shtëpia e saj. Ndiente
mall dhe, me gjithë shpirt, do të donte të ecte me të anembanë qytetit. E
kërkonte në klasë, mes shokëve, në oborrin e shkollës. Gjithsesi, i druhej
ndjenjës së vet dhe nuk guxonte t'i thoshte atë që i ziente në zemër.
Por
netët pa gjumë po shtoheshin.
Ashtu
kishte ndodhur edhe atë natë fundprilli. Ishte përpëlitur pafund në krevat,
derisa ia kishte behur një rreze hëne, sado e zbehtë. Ishte ngritur dhe kishte
hapur dritaren. Prej xhamave të saj kishte hyrë e vetmja rreze drite. Hëna
sikur ishte ulur në prehrin e një reje dhe fshihej, si një vajzë që me turp
mbulon gjoksin. Drita e saj i kishte spërkatur lëndinat me nur.
Nata
ishte në të sosur. Ndonjë yll, që shquhej mes reve të rralluara, sikur puthte
agimin. Shpirti i hënës pikonte ëmbëlsi në dhomën e tij, atje, në katin e dytë
të shtëpisë së vjetër shkodrane.
Ngadalë
u ngrit dhe u drejtua nga dushi. Pasi u la, ende krejt lakuriq, u ndal para
pasqyrës dhe për disa çaste nisi të merrej me flokët. Jashtë, mjegulla hollohej
e tërhiqej drejt shelgjeve, si një pëlhurë e shtrirë mbi liqen.
Kur
ishte pranë saj, zemra i rrihte fort. Dhe ajo, në heshtjen e saj, dukej sikur
priste prej tij një fjalë të ëmbël.
-
Në sytë e tu pi dritë
një ylber, kishte mundur t'i thoshte një ditë më parë, kur ktheheshin bashkë
nga shkolla.
Ajo
ishte ndalur për një çast, kishte zgjatur trupin drejt tij dhe e kishte puthur
në faqe. Pastaj ia kishte dhënë vrapit drejt portës së saj, ndërsa ai kishte
ndier një valë të nxehtë t'i pushtonte fytyrën.
Nga ajo
puthje, mendimet iu ndezën flakë. Puthja e saj e papritur i kishte shpërthyer
në shpirt si rrufe. Jashtë kishin çelur lulet e blirit. Atë natë kishte mbetur
krejt pa gjumë.
E kishte
harruar se ishte krejt i zhveshur. U kujtua vetëm kur dëgjoi zërin e të atit që
e thërriste. U ndje i turpëruar nga lakuriqësia e vet.
U vesh
shpejt dhe doli në dhomën e ndenjjes, ku i ati e priste.
-
Kam një lajm të
gëzuar për ty, - i tha.
Mikeli e
pa me kërshëri.
-
Në vjeshtë do të
shkosh student në Universitetin e Padovës, ku do të studiosh drejtësi.
Ishte
ëndrra e tij e kahershme.
Mikeli
iu hodh në qafë të atit dhe e përqafoi fort. Atë ditë nuk shkoi në shkollë,
sepse, bashkë me të atin, iu desh të merrej me dokumentet që duhej të
paraqiteshin në ambasadë. Po atë ditë, i ati dhe e ëma u nisën drejt Tiranës
për të takuar një të afërm të tyre, që punonte në Ministrinë e Jashtme.
-
Nuk kthehemi sonte
dhe ndoshta as nesër në darkë nuk do të mund të kthehemi, - i kishte thënë i
ati. - Prandaj, kujdesu për veten.
Ai
djalosh, i lumturuar si rrallëherë, mezi e kishte pritur këtë çast. Sapo makina
kishte marrë rrugën drejt daljes së Shkodrës, kishte vrapuar në oborrin e
shkollës. Priste të dilte ajo nga mësimi. E kishte dalluar mes shoqeve dhe e
kishte thirrur.
Dëshira
e pabindur i strukej në gjoks.
Tërë
kohën e lume kishte pritur këtë çast. Kishte ditë e muaj që e shoqëronte çdo
ditë në kursin e violinës. Donte t'i tregonte lajmin që sapo kishte marrë, por,
kur e pa përballë, u hutua krejt.
E kishte
thirrur dhe ajo kishte ardhur drejt tij.
Në vend
që t'i fliste për të drejtën e studimit, i kishte thënë se e donte shumë. Ajo
ishte skuqur, ndërsa ai kishte vijuar të fliste.
-
Në vjeshtë do të jem
student në Padovë.
Pastaj
të dy kishin marrë udhën drejt rrugicës së tyre.
-
Gjethëruan shelgjet
anës së lumit, - kishte thënë ai në një çast dhe e kishte ndalur për krahu.
Brigjeve
të atij lumi, ku pranvera bulonte mes shelgjeve, një ditë më parë kishte njohur
puthjen e saj të ëmbël. Por tani donte ta provonte sërish atë mrekulli. Fjalët
sikur e humbën fuqinë e tyre magjike. E afroi pranë trungut të shelgut lotues
dhe, në atë çast, ndjeu dy buzë të njoma që iu bashkuan të tijave. Një rrëmbim
i ëmbël, një flakë e papërmbajtur, i përshkoi gjithë qenien. Për të, ishte një
çast i vërtetë trimërie.
Zogjtë
shkulnin copa myshku dhe rendnin drejt ndonjë hatulle, për të thurur me të
çerdhet e veta.
Mbi
lumë, dhjetëra lejlekë të bardhë, si shenjtër të pranverës, i lumturoheshin
dritës. Më tej, në ujërat e liqenit, pulëbardhat hidhnin valle mbi valë.
U kthyen
nga e njëjta rrugicë prej së cilës kishin ardhur. As vetë nuk e kuptuan pse po
ecnin kaq shpejt, pothuajse duke vrapuar. Ai u ndal pranë portës së tij,
ndryshe nga herët e tjera.
-
Unë sonte jam vetëm,
- i tha.
I shkeli
syrin dhe u fut në oborr.
Ajo
rendi drejt portës së saj.
***
Po
afrohej ora kur ajo zakonisht shkonte në kursin e violinës. Ai ishte para
pasqyrës, duke rregulluar baluket, kur dëgjoi trokitjen në derë.
Ishte
ajo.
Hyri si
një drenushë, e lehtë dhe e trembur. Ai u ndez përnjëherësh prush.
Në
pellgun e shatërvanit, pas reve që lëviznin ngadalë, fshihej një cep i hënës.
Përkëdheljet nisën të kërkonin njëra-tjetrën. Loja u ndez, duart dhe buzët u
ngatërruan në një gjuhë që nuk kishte nevojë për fjalë. Nata sikur drithërohej
prej zjarrit të rinisë.
Ai e
ndjeu veten të pushtuar nga një tërbim i ëmbël, nga ajo dehje e çastit kur
njeriu harron gjithçka tjetër. Për pak çaste, bota e tij u ngushtua vetëm në
frymën e saj, në përqafimin e saj, në bardhësinë e trupit të saj.
Pas asaj
nate të papritur, kur rinia u dorëzohet ndjenjave dhe harron çdo kufi, ajo
ishte larguar e vetme.
Ai hapi
dritaren.
Natë mbi
qytet.
Nëpër
errësirë dëgjoi një tingull të ëmbël violine.
Ishte
mosha kur dashurohej me fuqinë e rrufeve.
Dhe
ishte edhe mosha e ndarjeve - sepse asaj vere, para se gjethet e para të
vjeshtës të bienin mbi kalldrëm, valixhja e tij priste tashmë gati pranë derës,
si një kujtesë e heshtur se çdo dashuri e parë ka datën e vet të largimit.
***
Natën
para nisjes, e kishte pritur për herë të fundit pranë shelgut lotues. Nuk i
kishin thënë shumë fjalë. Ajo i kishte dhënë një shall të thurur me duart e
veta, të mbështjellë me erën e saj, dhe i kishte kërkuar vetëm një gjë:
-
Mos harro rrugën për
në shtëpi.
-
Do të kthehem çdo
verë, - i kishte premtuar ai. - Dhe do të të shkruaj çdo javë, deri sa fjalët
të mos më mjaftojnë më.
E kishte
mbajtur fjalën. Letrat udhëtonin nga Padova në Shkodër dhe prapë, përtej detit,
si zogj shtegtarë që s'lodheshin kurrë. Kështu kaluan katër vjet — të gjata për
zemrën, të shpejta për kalendarin.
Ishte
nisur drejt Padovës, ku do të vijonte studimet. Ajo e kishte frymëzuar netëve
të gjata në universitet. I shkruante me mall dhe mundohej të zgjidhte për të
fjalët më të ëmbla e më të bukura.
Ndonjëherë
e përfytyronte portretin e saj në vend të njërit prej portreteve të grave të
përjetësuara nga Mikelanxhelo në Kapelën Sistine. Në mendjen e tij, arti,
dashuria dhe malli për të shpesh bëheshin një.
Dhjetëra
herë kujtonte ëmbëlsinë e çasteve të jetuara bashkë, magjinë e përqafimeve dhe
atë lumturi të papërsëritshme që i kishte falur dashuria e parë.
Ishte i
lumtur dhe i suksesshëm. Jeta e tij sikur po shkonte vaj. E përpjeta vazhdonte.
Por ndërkohë që ai zbardhte faqe mbi faqe të një teze doktorature, në atdhe
rrënjët e një bote po shkuleshin: lufta kishte marrë fund, dhe një tjetër, e
heshtur, sapo kishte nisur - lufta për të vendosur kush do të shkruante ligjet
e së nesërmes.
Në
letrat e fundit, i ati i shkruante gjithnjë e më rrallë për shtëpinë e për të
dashurën, dhe gjithnjë e më shpesh për "kohët e reja", për njerëz që
"duheshin vënë në krye". Mikeli i lexonte ato radhë me një shqetësim
që s'e kuptonte mirë as vetë - një paranjohje, ndoshta, e diçkaje që ende
s'kishte emër.
Kur, më
në fund, kishte dashur ta mbanin profesor në universitetin ku kishte studiuar,
ai kishte vendosur të kthehej në vendlindje.
Atje e
priste ajo.
E priste
gjithashtu një karrierë e shpejtë, siç i shkruante i ati. Por mbi të gjitha,
donte të bënte diçka për vendin e tij, i cili sapo kishte dalë nga lufta.
Besonte se njerëzit e shkolluar ishin ata që duhej të viheshin në krye, për të
ndërtuar një jetë të re mbi rrënojat e së shkuarës.
***
Kthehej
përmes Kanalit të Otrantos.
Dritat e
qytetit të Barit mbetën pas, duke u mbështjellë ngadalë prej territ të natës,
ndërsa anija mori udhën drejt lindjes, mbi fushën e zezë e të pafund të detit.
Koha i
kishte rrëshqitur nën duar si gjarpërinjtë mes gurëve, dhe tani ai po kthehej,
duke lënë pas vitet e bukura të studimeve.
Valët e
zemëruara nguteshin të përplaseshin me anijen. Pas saj mbetej një shteg shkume
e bardhë. Mbi ujëra, yjet regëtinin.
Ai
qëndronte në kuvertë dhe priste të shihte vendin e tij. Por nata ishte e gjatë
dhe mëngjesi dukej sikur nuk s'po vinte kurrë.
Nuk
kishte shtrirë asnjë çast trupin në krevatin e dhomës që kishte marrë me qira
që në Bari. Më në fund, u ul në njërën prej tavolinave në cep të kafenesë së
anijes dhe hodhi vështrimin jashtë.
-
Një konjak, - i tha
kamarierit.
Pastaj
mbështeti kokën pas ndenjëses.
Lodhja i
ishte ulur mbi vetulla. Gjumi iu përvodh syve dhe e mbajti në krahët e tij deri
në të dalë të dritës.
Mëngjesi
mori jetë me cingrimën e shkurtër dhe të fortë të një zogu. Ai brofi në këmbë.
Pulëbardhat
suleshin mbi valë.
Anija u
ndal në portin e vjetër të Durrësit. Prej andej, me një makinë të vjetër, mori
rrugën drejt Tiranës, ku tashmë ishte vendosur familja e tij.
Një tufë
e madhe sorrash kishte marrë udhën drejt pyjeve, në të djathtë të rrugës.
Plugjet e rënda kafshonin hamulloret e katundeve. Fshatrat që ai kujtonte të
mbjella e të qeta ndrynin tani me flamuj të kuq nëpër sheshe, dhe në ndonjë mur
porsagëlqeruar, shkruar ende me boje të lagësht, dukeshin parullat e para të
kohës që sapo kishte lindur.
Mikeli
mbërriti në Tiranë, ku tashmë ishte vendosur familja e tij. Por aty gjeti një
realitet tjetër, një botë që nuk e njihte dhe që as mund ta kishte përfytyruar.
Në pushtet kishin ardhur ata që kishin bërë luftën dhe tashmë kishin vënë
ligjet e tyre. Njëri prej atyre që kishin rënë për çlirimin e vendit ishte edhe
xhaxhai i tij.
Falë
shkollimit dhe rezultateve të tij, Mikeli ishte emëruar prokuror i shkallës së
lartë. Në fillim gjithçka dukej se po shkonte mrekullisht. Kishte ardhur nga
një universitet prestigjioz, kishte një të ardhme të sigurt dhe përpara tij
dukej sikur hapeshin dyert e një karriere të shpejtë.
Por jeta
e vështirë sapo kishte filluar.
***
Ministri
e kishte thirrur në zyrë një pasdite të zymtë nëntori.
Zyra
ishte e madhe, e ftohtë, me një portret të varur në mur dhe një tavolinë të
gjatë prej druri të errët. Ministri nuk u ngrit menjëherë. E la Mikelin të
priste në këmbë, para se, me një gjest të ngadaltë, t'i tregonte karrigen
përballë.
-
Ulu, shoku prokuror.
Mikeli u
ul. Duart i mbante të kryqëzuara mbi gjunjë.
-
E ke parë dosjen? -e
pyeti ministri, pa e ngritur shikimin nga letrat që kishte përpara.
-
E kam parë.
-
Dhe?
-
Nuk gjej prova që të
vërtetojnë akuzën e rëndë. Dëshmitë janë të kundërta njëra me tjetrën, dhe...
-
Nuk të pyeta për
procedurën, - e ndërpreu ministri me qetësi, gati me përkëdheli në zë. - Të
pyeta si e sheh ti çështjen.
Heshtje.
-
Njeriu që gjykohet, -
vazhdoi Mikeli, - nuk ka kryer krim që meriton njëzet e pesë vjet.
Ministri
më në fund ngriti sytë. E studioi Mikelin gjatë, si të ishte një send që po e
vlerësonte.
-
Ti je i ri, shoku
prokuror. Dhe unë e vlerësoj rininë. Por rinia ndonjëherë e ngatërron
drejtësinë me ndjenjën.
-
Nuk e ngatërroj,
shoku ministër. E njoh njeriun që gjykoj. Ka qenë shoku im i bankës, që kur
ishim fëmijë.
Fjala i
doli vetë, para se ta ndalonte. Ministri buzëqeshi lehtë, një buzëqeshje që s'i
arriti sytë.
-
E di, - tha. - E dimë
të gjitha, shoku prokuror. Për këtë pikërisht të thirra këtu - që ta dëgjosh
nga goja ime, jo nga dikush tjetër: çështja ka rëndësi të veçantë. Nuk ka të
bëjë me shokun tënd të bankës. Ka të bëjë me atë se çfarë përfaqëson ai.
-
Çfarë përfaqëson?
-
Familjen e tij. Emrin
e tij. Njerëz si ai, nëse i lëmë të lirë sot, nesër na presin në qoshe të
tjera. E kupton?
-
E kuptoj, - tha
Mikeli ngadalë, - por s'më duket drejtësi.
Ministri
u mbështet pas karriges dhe i shqoi sytë drejt tij, si t'i kërkonte diçka që
Mikeli s'e kuptonte plotësisht.
-
Drejtësia, shoku
prokuror, është ajo që i shërben popullit. E kupton këtë dallim?
-
I kuptoj fjalët, - u
përgjigj Mikeli. - Nuk e kuptoj se si njëzet e pesë vjet burg për një njeri të
pafajshëm qw i shërbente popullit.
Për një
çast, në fytyrën e ministrit kaloi diçka - jo zemërim, por një habi e ftohtë,
si e dikujt që s'kishte dëgjuar prej kohësh një përgjigje të tillë.
-
Ke guxim, - tha më në
fund. - Ose je i pamend. Ndonjëherë të dyja janë e njëjta gjë.
U ngrit
dhe shkoi te dritarja. Nuk e ktheu shpinën krejt nga Mikeli.
-Do të
të them diçka, dhe dua ta dëgjosh mirë, sepse s'do ta them dy herë. Çështja
jote nuk është e vetmja. Kanë ardhur në tryezën time edhe emri i ipeshkvit të
Shkodrës, edhe i françeskanëve. Të gjitha kanë të njëjtin fund - të shkruar
tashmë, para se ti apo unë të hapim gojën.
-
Atëherë përse më pyet mua?
Ministri
u kthye. Buzëqeshja e tij ishte zhdukur.
-
Sepse dua të di nëse
je njëri prej nesh, apo njëri prej tyre.
Mikeli
heshti. Në gjoks ndjeu një peshë që s'e kishte njohur më parë - jo frikë, por
diçka më e vjetër, si kur dikush kupton se po qëndron në buzë të një humnere
dhe se hapi tjetër, i çfarëdoshëm qoftë, do ta ndryshojë përgjithmonë.
-
Kam nevojë për kohë,
- tha më në fund.
-
Nuk kemi kohë, shoku
prokuror. As ti, as unë.
***
Atë
natë, Mikeli nuk fjeti. Mendimet i vinin e i iknin pa pushim: fytyra e shokut
të fëmijërisë, fjalët e ministrit, emri i ipeshkvit, i françeskanëve. Dhe, mes
tyre, si një zë i mbytur nën ujë, kujtimi i një kryerrugice në Shkodër, ku
prindërit e vajzës që donte tashmë prisnin gjyqin e tyre.
E si
mund ta dënonte shokun e tij të fëmijërisë?
E si
mund të dënonte njerëz që i besonte se ishin të pafajshëm?
A kështu
ngjiteshin shkallët e hierarkisë?
Pas
shumë netësh të mbushura me mendime, ishte gjendur sërish në zyrën e ministrit,
këtë herë për t'i dhënë dorëheqjen.
Ministri
e priti pa habi, gati sikur e kishte pritur atë vizitë.
-
E more vendimin, pra.
-
E mora.
-
Thuama arsyen.
Mikeli i
renditi arsyet që kishte përgatitur - shëndeti, lodhja, dëshira për t'u kthyer
mësues në krahinën ku kishte lindur i ati. Ministri e dëgjoi pa e ndërprerë, me
duart e kryqëzuara mbi tryezë.
Por ato
arsye, në të vërtetë, nuk kishin të bënin me të vërtetën që e përndiqte atë.
E ku
mund ta thoshte ai të vërtetën? Po ta thoshte, mund të zinte vendin e shokut të
tij. Mund të dënohej. Mund të burgosej.
Kur
mbaroi së foluri, ministri heshti gjatë. Pastaj tha, ngadalë, si të përzgjidhte
çdo fjalë me kujdes:
-
E di se përse po
ikën, shoku Mikel. Dhe e di se s'do ta pranosh kurrë me gojën tënde. Kjo është
mirë - për ty. Por mos harro: dera që mbyll sot, mund të mos hapet më kurrë.
Buzëqeshja
e ftohtë si brymë iu shfaq përsëri në buzë.
Mikeli
nuk u përgjigj. Mori letrën e nënshkruar dhe e vendosi mbi tryezë.
Në
fytyrën e ministrit u shfaq një rrymë urrejtjeje që nuk mund të fshihej.
Dhëmbët sikur i lëshonin xixa. Megjithatë, pas asaj vështrimi të egër, Mikeli
dalloi edhe një çast hutimi, një çarje të vogël në vetëpërmbajtjen e tij -
sikur, diku thellë, ministri vetë e kishte zili atë guxim që s'e kishte pasur
kurrë.
-
Ku do të shkosh? - e
pyeti, pothuajse pa dashje.
-
Atje ku atdheu ka
nevojë për mua, - tha Mikeli. - Do të shkoj të punoj mësues.
Ministri
nuk tha më asgjë. U ngrit, shkoi te dera dhe ia hapi vetë.
Mbrëmje
kishte qenë kur Mikeli kishte dorëzuar zyrën e prokurorisë. Aty, para godinës,
ishte ndarë me ministrin pa i shtrënguar dorën. Ai u largua në errësirë, i
mbështjellë me kostumin e tij, duke u zhdukur si një hije që e përpinte nata.
Gjatë
atyre ditëve që Mikeli kishte qenë prokuror, ishte dënuar edhe i ati i së
dashurës. Por atë çështje e kishte ndjekur një tjetër koleg. As kjo nuk e
kishte bërë të hiqte dorë prej dashurisë së tij.
Përkundrazi.
I kishin
kërkuar të rishihte marrëdhëniet me të. Por Mikeli nuk iu bind askujt. Iu bind
vetëm ndjenjave të tij.
Dhe për
të qenë i lirë, kishte zgjedhur dorëheqjen.
E dinte
se jeta e tij do të ishte si një lis vigan që matet me duhitë. Plot labirinte.
Një fill i këputur keq nga lëmshi i jetës. Por zogu i pendesës kishte marrë
arratinë.
Ai ishte
i bindur dhe i ndërgjegjshëm për vendimin që kishte marrë.
Nuk mund
ta dënonte shokun e fëmijërisë.
Nuk mund
të dënonte njerëz të pafajshëm.
Ishte
shkolluar për drejtësinë, jo për padrejtësinë.
Dhe tani
e kuptonte se jeta e tij do të ishte një udhë me muzgje të rrahura nga stuhitë.
Vendimi
për internim erdhi pak javë më vonë, i shkruar në një fletë të vetme, pa asnjë
emër nënshkrimi që Mikeli ta njihte. Nuk e habiti. E kishte pritur, në një farë
mënyre, që nga çasti kur kishte dalë nga zyra e ministrit pa i shtrënguar dorën.
***
Buzëmbrëmje
kishte qenë kur ishte gjendur në atë fshat të largët, mes arave dhe maleve të
egra. Muzgu e kishte zënë mbi kodër, përballë një kulle trekatëshe, ku i kishin
thënë se do të banonte.
Njerëzit
e asaj kulle i kishin internuar në Tepelenë.
Në atë fshat
të largët, në prehër të bjeshkëve, Mikeli do të punonte si mësues.
-
Eh... - kishte
ofsharë, kur iu kujtua dita e doktorimit në njërin prej universiteteve më
prestigjioze të Italisë.
Edhe ai
mund të kishte qenë njëri prej vendimmarrësve për burgosjen, madje për vdekjen,
e njerëzve të pafajshëm. Ndoshta edhe për fatin e zotit të asaj shtëpie.
Por ai
kishte zgjedhur një rrugë tjetër.
Mbi
derën e kullës, në një rrasë të gurtë, ishin gdhendur emrat e burrave të dheut.
Ah,
sikur të ishin aty të zotët e shtëpisë! Do ta kishin pritur siç dinin të
prisnin vetëm ata.
Mikeli
vështroi qoshet e kullës, të gdhendura me një kujdes të rrallë. Edhe gurët e
saj dukeshin sikur kishin kaluar nëpër duart e një mjeshtri. Kulla qëndronte e
heshtur përballë tij, e vjetër dhe krenare, duke mbajtur në gurët e saj
kujtesën e njerëzve që kishin jetuar, kishin ikur dhe nuk ishin kthyer më.
E kishte
hapur derën dhe kishte hyrë brenda. Në kullën e moçme zotëronin errësira dhe
heshtja e natës.
Muzgu
shtrinte krahët mbi male.
Hapi
dritaren e dhomës dhe vështrimin e hodhi majë maleve, ku retë kaptonin të
lodhura shtegun e erërave drejt veriut. Ishte koha e rrufeve kur ai kishte
mbërritur atje. Koha kur vjen duhia dhe natyra i dorëzohet furtunës. Pishat
gjethegjilpërë përkuleshin e i bindeshin erës.
Nxori
nga çanta një shkrepëse dhe ndezi një qiri. Pastaj kaloi në dhomën me oxhak, ku
disa dru prisnin që dikush t'u jepte zjarr. Ashtu bëri. Flaka u ndez dhe, pak
nga pak, kulla filloi të ndriçohej.
Rrasa e
oxhakut ishte gdhendur me kujdes. Në mur, pranë tij, gjendej një dollap i vogël
ku ishin vendosur takëmet e kafes.
Mikeli
kishte mbërritur i pari. Në ditët që vinin pritej të mbërrinin edhe mësuesit e
tjerë.
Zbriti
në katin e parë dhe nisi të vështronte, njëra pas tjetrës, dhomat e kullës. Në
atë çast dëgjoi një zë te dera.
E hapi.
Përballë
tij qëndronte një mesoburrë.
-
Mirë se erdhe,
mësues, - i tha ky, duke i zgjatur dorën. - E dimë që po vjen.
Pasi u
përshëndetën dhe u pyetën për njëri-tjetrin, burri e ftoi për darkë në shtëpinë
e tij. Por Mikeli i tha se ishte i lodhur dhe donte të pushonte.
-
Nuk bën të rrish
vetëm në kullë, - i kishte thënë tjetri. - Ti je i ri këtu. Nesër do të vijnë
edhe kolegët e tu, por sonte hajde tek unë.
Mikeli e
falënderoi, por këmbënguli të rrinte vetëm.
Mesoburri
u largua, jo pa e vështruar edhe një herë me sy të mbushur keqardhje e respekt
njëkohësisht.
Nuk
kishte kaluar shumë kohë kur në derën e kullës u shfaq një djalosh i ri.
-
Më ka dërguar baba të
ta sjell këtë porosi, - i tha dhe i zgjati një shami të lidhur në nyje.
Mikeli
nuk foli. E mori shaminë dhe djaloshi u largua.
U ngjit
përsëri në kullë dhe e hapi. Brenda saj gjeti një shishe raki, një top djathë
të bardhë dhe një pulë të pjekur, të përgatitur për merak. Të gjitha ishin
vendosur mbi një bukë misri, të pjekur me çerep.
-
Eh, ç'njerëz të
mrekullueshëm kishte në ato anë, - mendoi me vete.
Megjithatë,
nuk kishte prekur asgjë.
Ishte
shtrirë në krevat dhe mendjen e kishte hedhur larg, në qytetin përballë
Taraboshit. Atje kishte marrë jetë ëndrra më e bukur e jetës së tij, por
pikërisht atje ishte shuar edhe ëndrra e vetme që i kishte mbetur gjallë.
Dy lotë
i rrëshqitën ngadalë, si vesë nate. Qiriri digjej në dritaren e kullës. Ai
gjendej larg saj. U ngrit dhe hapi edhe një herë dritaren.
Jashtë,
nata kishte pushtuar gjithçka.
-Një
kaproll puthte qiellin në gjurmët e tua të harruara... - pëshpëriti me vete.
Një lot
tjetër i rrëshqiti në faqe dhe i la në shpirt një pellg dhimbjeje.
Dallgë-dallgë i vinin mendimet, të rënda e të turbullta.
Prej
Padovës, ku kishte doktoruar për drejtësi, tani ishte humbur mes bjeshkëve, ku
bishat e uritura gjezdisnin maleve dhe vetëtimat grisnin natën. Rreth tij
gjithçka ishte bërë gri.
Kështu
kishin kaluar dy a tri orë pas mesnate. Gjumi nuk e kishte zënë, edhe pse
jashtë furtuna kishte pushuar.
Bjeshkët
kishin rënë në gjumë.
Në
ballin e tij, të rrudhur nga dhimbja, kishte prekur një rreze e zbehtë hëne. U
ngrit dhe hapi përsëri dritaren. Prej xhamave të saj hyri një rreze e vetme
drite.
Hëna
sikur ishte ulur në prehrin e një reje dhe fshihej, si një vajzë që, me turp,
mbulon gjoksin.
Lëndinat
i kishte spërkatur me nur.
Tej,
pylli i fjetur sikur nuk merrte frymë.
Nata
ishte në të sosur. Ndonjë yll, që shquhej mes reve të rralluara, sikur puthte
agimin.
Kështu
kishte kaluar nata e parë e Mikelit në atë fshat që, herët në vjeshtë, fshihej
në rrëzë të malit me borë.
Në të
dalë të dritës, në kodrën përballë kullës së moçme, kishte parë një plak që
vinte ngadalë drejt saj.
Por
vëmendja e tij u përqendrua te disa pisha të vogla, nëpër degët e të cilave
shkiste një ketër i vetmuar.
Edhe
atij, mendoi Mikeli, dukej sikur nuk i kishte mbetur gjë tjetër veç vetmisë.
Shëtiste i vetëm ndër degë.
Në atë
fshat, edhe mjegulla pikonte trishtim.
***
Muajt e
parë u shndërruan në stinë, dhe stinët në një dimër të gjatë e të ftohtë, që
s'i ngjante asnjërit prej dimrave që Mikeli i kishte njohur më parë. Herët në
vjeshtë, por sidomos në dimër, ngrica e ashpër shtrëngonte dhëmbët. Mëngjeseve
të hershme, yjet regëtinin mbi ujëra si lulet që çelin dhe vdesin. Netëve të
kthjellta, mbi plisin e bardhë të Munellës, hëna hidhte peshqirin e saj të
argjendtë.
Në
pushimet e dimrit, Mikeli kishte marrë rrugën drejt Shkodrës. Kishte mbërritur
atje në zemër të dimrit.
Në
rrugët e qytetit verior binte borë, duke mbuluar gjithçka me bardhësi. Acari
kishte pushtuar shtigjet. Në skajin e qytetit rridhte lumi plak, dhe Mikeli e
treste shikimin në udhën e tij.
Uji i
kulluar gurgullonte, valëbardhë si lot vashe, ndërsa brigjet mbusheshin me
shkumë. Nga pema përballë dritares ulej ngadalë një gjethe e vonuar. Shelgjet
përskaj lumit, të zhveshur lakuriq, përgatiteshin t'i rezistonin dimrit vetëm
me skeletet e degëve.
Në
fushën e bardhë frynte një erë e rreptë. Në shtratin e lumit, era rridhte e
lirë, ndërsa pas xhamave ulërinte si një ujk i vetmuar. Zogjtë fshiheshin nën
hatulla. Njerëzit shpejtonin hapin nëpër rrugët me borë, duke u kthyer në
strehët e tyre të ngrohta.
Muzgu
zbriste mbi luginë.
Maja e
Taraboshit kishte humbur mes reve.
Jashtë,
terri.
Nata u
derdh mbi luginë. Qentë lehnin. Diku binte një këmborë. Plepat i vidheshin
errësirës.
Mikeli
rrinte vetëm, në një tryezë në qoshen e kafenesë. Vështronte përjashta
buzëmbrëmjen dhe shuante e ndizte herë pas here llullën e shqopës.
Përpara
kishte një teke konjak, që e priste ta pinte ngadalë.
E ndezi
sërish llullën dhe u përpoq të shuante inatin e zemrës që e kishte pushtuar.
Nata sikur rrudhi ballin mbi pezmin e tij.
Në
mjegullën e kujtesës i silleshin ngjitjet dhe zbritjet e jetës së tij.
Aty,
brigjeve të atij lumi, nën degët e varura të shelgut lotues, kishte njohur
ëndrrën më të bukur të jetës së tij.
Një
ndjenjë malli i pushtoi gjithë shpirtin.
Ishte
koha kur dashuronte me fuqinë e rrufeve.
Dhe
fjalët ende nuk e kishin humbur fuqinë e tyre magjike.
E mori
gotën dhe piu një gllënjkë nga konjaku.
Kishte
kaluar një orë nga nata, kur dëgjoi një zë të hollë violine që sikur vajtonte.
Ngriti
kokën.
Tingulli
vinte nga larg.
Dhe në
zemrën e tij diçka u drodh.
Pa
menduar gjatë, e zbrazi gotën e konjakut dhe mori udhën drejt kryerrugicës, ku
ndodhej shtëpia e saj.
Ajo
jetonte vetëm me të ëmën. I ati ndodhej në burg. Askush nuk e dinte se përse.
Kaloi
pranë portës së shtëpisë së tij të dikurshme, pranë vendit ku kishte kaluar
fëmijërinë.
Zëri i
violinës vijonte të vinte nga larg, i dhimbshëm, si vaji i një gruaje mirditore
pranë një kufome.
Eci edhe
më tej.
U ndal
pranë kangjellës dhe trokiti.
Violina
vazhdonte të qante.
Trokiti
përsëri, më fort.
Dera u
hap.
Në katin
e dytë, violina ende binte.
-
Po ti? - e pyeti e
ëma e saj, e shtangur te dera. Nuk ia hapi menjëherë rrugën për të hyrë. Sikur
donte ta pyeste pa fjalë nëse e dinte se çfarë kishte ndodhur.
-
Nuk po më fton
brenda? -i tha ai, duke zgjatur dorën drejt saj.
-
Si jo, të pastë
nëna... Por ti, a e di se ku po hyn? - tha ajo me një zë të rënduar nga dhimbja.
Mikeli
hyri.
Ndërsa
nënë Mara mbyllte portën, ai u ngjit me shpejtësi në katin e dytë.
Hyri në
dhomën e saj.
E
përqafoi fort.
-
Erdha të të marr.
Pas tij
kishte mbërritur edhe nënë Mara.
-
Ndoshta është e
pamundur... - tha ajo dhe filloi të qante.
-
Erdha të të marr, -
përsëriti ai prerazi, duke larguar çdo mëdyshje.
Pastaj e
pa drejt në sy.
-
Gjithçka tjetër nuk
më përket mua. Ti e di se unë punoj mësues mes bjeshkëve, ku qysh herët bie
borë e pastër. Më mirë një jetë mësues mes malesh, e pastër si bora, sesa një
jetë me ofiqe e të errët si nata.
***
Koha
kishte kaluar.
Mikeli
ishte në një orë historie. Duhej të fliste për luftën dhe për bandat, por nuk
dinte ç'të thoshte. U ndje i hutuar. Historia që kërkohej prej tij të mësohej
nuk ishte gjithmonë ajo që ndërgjegjja e tij pranonte.
U kthye
nga njëri prej nxënësve.
-
Si thua, Gjin, a e ke
kuptuar mësimin?
-
Mos e pyet, mësues, -
tha nxënësi që rrinte pranë tij. - Ai është djalë diversanti dhe nuk e do
pushtetin tonë.
Gjini
mori çantën dhe, duke qarë, ia dha vrapit përjashta.
Mikeli
mbeti i zënë ngushtë.
Pastaj
nxori gjithë klasën jashtë.
Ndezi
çibukun e shqopës dhe e zhyti kokën mes duarve.
-
Më mirë një jetë
mësues mes malesh, e pastër si bora mbi majat e tyre, sesa një jetë me ofiqe e
të errët si nata... - pëshpëriti.
U ngrit
dhe bëri të dilte.
Por një
shprehje e vjetër, që e kishte dëgjuar dikur, i erdhi përsëri në mendje:
"Shqipet
e maleve jetojnë mbi njëqind vjet, megjithatë vdekja u vjen prej rritjes së
sqepit të tyre."
Dhe kështu, për një çast, heshti.


