Gjon Keka: Heroinat e Shkëmbit të Vajës na flasin edhe sot

1h më parë


Gjaku e zëri i heroinave arbërore të Shkëmbit të Vajës, që treguan besnikëri ndaj nderit, atdheut dhe besimit, na flet edhe sot

Nga Gjon Keka

Shkëmbi i Vajës është vetëm një pjesë e gjithë asaj toke të përgjakur të Iliro-Arbërisë nga pushtuesi barbar otoman, sidomos pas vdekjes së engjëllit mbrojtës dhe udhëheqësit të bekuar, kryetrimit, vizionarit, strategut e patriotit arbëror Gjergj Kastrioti (Skënderbeut).

Se populli ynë ka vuajtur përgjatë historisë dhe e ka larë pemën e tij të lirisë me gjak, kjo dëshmohet nga historia, e cila është dëshmitarja më e mirë për ta parë një komb e një popull veten në pasqyrën e plotë të historisë së tij, që nga fillimi e deri në ditët tona.

Liria, mbrojtja e identitetit kombëtar iliro-arbëror, e gjuhës dhe e besimit në Jezu Krishtin, kishin një çmim tepër të lartë, sa që edhe sot flet me zë deri në qiell ai gjak i pafajshëm arbëror që u derdh nga Perandoria gjakatare otomane, renegatët, jeniçerët, bashibozukët dhe sulltanët e saj.

Sa masakra e gjenocid janë shkaktuar nga kjo perandori gjakatare ndaj popullit tonë dardan-arbëror, popullit të Gjergj Kastriotit, janë të regjistruara mjaft mirë si dëshmi në veprat (librat) e kohës dhe në dokumentet historike e arkivore.

Nisur nga kjo, pra nga ky akt heroik i këtyre arbëroreve, i këtyre heroinave besnike ndaj nderit dhe atdheut, i cili është i dëshmuar dhe na flet edhe sot, dëgjohet ende zëri i atyre nënave e vajzave arbërore që nuk donin të binin në duart e pushtuesit otoman, i cili donte t'i përdhunonte, t'i vriste apo t'i merrte dhe t'i bënte shërbëtore të haremit të sulltanit.

Vajzat dhe nënat që u hodhën nga Shkëmbi i Vajës janë martire, heroina dhe dëshmore të kombit tonë, të besimit dhe të nderit, si dhe një shembull i madh e i papërsëritshëm në historinë e kombit tonë dhe të Europës.

Edhe pse kanë kaluar 548 vjet (16 qershor 1478), ende sot dëgjohen gjëmat e tyre, zëri i tyre i pashuar. Sot flet gjaku i 90 grave e vajzave arbërore, gjak ky që na thërret të mbledhim mend, të hapim sytë, të bashkohemi, ta duam njëri-tjetrin dhe kombin mbi të gjitha, si dhe besimin që na lanë paraardhësit tanë, i cili sjell jo vetëm liri e paqe në zemrat e popullit tonë, por edhe rikthim në rrugën e jetës, të së vërtetës dhe të shpëtimit.

Vetëm në rrugën që na la Gjergj Kastrioti dhe që e përshkuan me besnikëri të njëjtën rrugë Pjetër Bogdani, Idriz Seferi dhe Ibrahim Rugova, ne mund të arrijmë të hyjmë në ombrellën e dritës, të civilizimit dhe të shpëtimit tonë e të brezave që do të vijnë.

Kjo rrugë është rruga jonë e vjetër e shpëtimit; kjo rrugë na lidh me familjen tonë, me të cilën dikur ishim të bashkuar, por prej së cilës u ndamë: me familjen e kombeve të civilizuara të Europës dhe të botës.


Imazh i gjeneruar me ChatGPT (OpenAI)