Gjekë Gjonaj: Murgeshë që nuk u përkul në kohë stuhish

Motra Smila (Palinë) Micakaj
Murgeshë
që nuk u përkul në kohë stuhish
Në
historinë e popullit shqiptar, figura të tilla shpesh nuk zënë vendin që
meritojnë në kujtesën kolektive. Motra Smila (Palinë) Micakaj, e cila i përngjanë Nënë
Trezës, është një nga ato personalitete
që veprojnë në heshtje, por ndikimi i tyre është i thellë dhe i qëndrueshëm. Ky
rrëfim biografik nuk është vetëm një përshkrim kronologjik i jetës së saj, por
një dëshmi e gjallë e një kohe, e një misioni dhe e një besimi të palëkundur.
Rrënjët familjare dhe fëmijëria në Malësi
Motra
Smila (Palinë) Micakaj u lind më 12 dhjetor 1939 në Poprat (Bëkaj) të Trieshit,
në famullinë e Tuzit, në Mal të Zi, nga prindër me tradita të forta fetare dhe
kombëtare: babai Zefi dhe nëna Lulë (Dedivanaj). Ajo u rrit në një mjedis tipik
të Malësisë.Familja e saj jetonte mes dy
hapësirave karakteristike të Malësisë: verën e kalonin në Grudë, ndërsa dimrat
në Tuz, duke ndjekur ritmin e jetës tradicionale malësore.
Që
në moshë të vogël u përball me përvoja që e kalitën shpirtërisht. Një dimër, në
moshën trivjeçare, e kaloi te axha në Bardhaj, pranë Shkodrës. Këto lëvizje dhe
përjetime ndikuan në formimin e saj të hershëm, duke e bërë më të ndjeshme ndaj
jetës dhe njerëzve.
Ajo
e kujton fëmijërinë si një periudhë të lumtur, të mbushur me dashuri familjare,
respekt dhe edukatë të shëndoshë. Pikërisht në këtë mjedis u mbollën farat e
thirrjes së saj shpirtërore.
Thirrja shpirtërore dhe hapat e parë në jetën
rregulltare
Thirrja
për jetën rregulltare nuk erdhi rastësisht, por si fryt i një edukimi të thellë
fetar dhe ndikimi të drejtpërdrejtë të mjedisit familjar dhe kishtar. Pas
bisedimeve me famullitarin e njohur Dom Simon Filipaj dhe me mbështetjen e
plotë të prindërve, ajo vendosi t’i përgjigjej këtij zëri të brendshëm.
U
drejtua te Motrat e Mëshirshme të Shën Kryqit në Gjakov0 (Kroaci), ku kërkesa e
saj u prit pozitivisht, por për shkak të mungesës së vendeve iu desh të priste
dy vite. Kjo periudhë pritjeje dëshmon për vendosmërinë dhe durimin e saj në
ndjekjen e thirrjes shpirtërore.
Më
12 mars 1960 u pranua zyrtarisht
kandidatura, në një grup prej 116 vajzash, çka tregon edhe për
interesimin e madh të kohës për jetën rregulltare.
Formimi rregulltar dhe kushtet shpirtërore
Pas
fazës fillestare, kandidatet u shpërndanë nëpër filiale për praktikën dyvjeçare.
Motra Smila u dërgua në Trnavë, një fshat pranë Gjakovës, ku motrat kishin
fermën e tyre. Aty ajo u përball me punën konkrete dhe jetën komunitare, duke
forcuar disiplinën dhe përkushtimin.
Pas
një viti u transferua në Zagreb, ku qëndroi nën drejtimin e Nënës Amadea Pavlloviq,
një figurë me përvojë të madhe, sidomos nga periudha e Luftës së Dytë Botërore.
Kjo përvojë ndikoi dukshëm në formimin e saj shpirtëror dhe si karakter.
Në
vitin 1962 u kthye në Gjakovë, në shtëpinë provinciale, ku filloi postulatura gjashtëmujore
- një periudhë intensive përgatitore për jetën rregulltare. Në vitin 1963 nisi
noviciatin, i cili zgjati një vit.
Më
28 prill 1964 bëri kushtet e para, duke iu përkushtuar përfundimisht jetës
rregulltare, ndërsa më 25 prill 1970 dha kushtet e përjetshme, duke vulosur
përgjithmonë thirrjen e saj shpirtërore.
Shërbimi në Kroaci , Mal të Zi dhe Kosovë
Pas
kushtimeve të para, ajo filloi menjëherë shërbimin aktiv. Fillimisht shërbeu në
Krapinë të Kroacisë për një periudhë të shkurtër, e më pas në Perast të Malit
të Zi, ku punoi në azilin e pleqve -një shërbim që kërkonte përkushtim, durim
dhe ndjeshmëri të veçantë.
Në
vitin shkollor 1964/65 ndoqi një shkollë njëvjeçare amvisërie, ku përfshiheshin
njohuri praktike si kuzhina, agronomia dhe fusha të tjera të dobishme për jetën
komunitare dhe shërbimin.
Në
vitin 1965 u transferua në Privllakë të Sllavonisë, ndërsa një vit më vonë në
ishullin Vis në Kroaci. Pikërisht në Vis ajo kaloi një nga periudhat më të
gjata dhe më domethënëse të jetës së saj – plot 12 vite në shërbim të të
moshuarve në azilin e pleqve.
Në
vitin 1978 u transferua në Gjakovë (Kosovë), ku shërbeu për tri vite. Në vitin
1981 u vendos në Prishtinë, ku punoi në Klinikën e Gjinekologjisë, duke ofruar
shërbim në një sektor të ndjeshëm dhe me rëndësi të veçantë për shëndetin e
grave. Në vitin 1990, për shkak të rrethanave politike të kohës, u detyrua të
pensionohej.
Përballja me regjimin gjenocidial
dhe qëndresa morale
Regjimi
i egër, i pamëshirshëm dhe gjenodicial serb
në Kosovë nuk kurseu askënd. Ai i tregoi dhëmbët e tij edhe ndaj atyre që ia
kishin kushtuar jetën Zotit dhe shërbimit ndaj njerëzve në nevojë -
rregulltarëve dhe rregulltareve. Politika diskriminuese ndaj shqiptarëve në
Kosovë depërtoi në çdo institucion, duke goditur drejtpërdrejt dinjitetin dhe
lirinë e individit.
Kjo
frymë shtypëse nuk e anashkaloi as Motrën Smila, e cila në atë kohë shërbente
me përkushtim në pesë reparte të Klinikës së Gjinekologjisë në Prishtinë, në
një pozitë me përgjegjësi të madhe si dietologe dhe kryeinfermiere.
Ultimatumi politik dhe refuzimi i nënshkrimit
Më
15 gusht 1990, në kulmin e presioneve politike, Motrës Smila iu paraqit një
kërkesë e qartë dhe kërcënuese: të nënshkruante një dokument që nënkuptonte
pajtimin me politikën diskriminuese të pushtetit serb, e cila synonte largimin
e shqiptarëve nga vendet e punës. Ajo e përshkruan atë moment me këto fjalë
dëshmuese:
“Atë
ditë më erdhi një lloj urdhri politik, si shumë shqiptarëve të tjerë, nga ana e
pushtetit serb: kush nuk do ta nënshkruante letrën dhe ishte në një vend
përgjegjës, do të shkarkohej nga puna. Unë, si dietiste dhe kryemotër, isha në
një pozitë shumë të rëndësishme. Kush e nënshkruante, pajtohej me politikën
serbe dhe detyrohej të zbatonte gjithçka që ata kërkonin…”
Kur
letra iu vu përpara për ta nënshkruar, ajo e refuzoi pa ngurim.
“Kërkova
që të më jepnin një kopje të letrës, por nuk ma dhanë. Më thanë se vetëm po ta
nënshkruaja do të merrja kopjen. U përgjigja: “Jo, nuk e nënshkruaj’. Ajo tha:
‘Unë e kam bërë timen’. Edhe unë i thashë: ‘E kam bërë timen’. Nuk dëshiroja më
ta shihja në dhomën time.”
Ky
refuzim nuk ishte thjesht një akt individual, por një qëndrim i fortë moral dhe
shpirtëror përballë padrejtësisë.
Presioni, kërcënimi dhe qëndresa
“Disa
më thanë: “Motër Smilë, çka bëre?” U thashë me shaka: “E nënshkrova”. Ata
menjëherë u përgjigjën: “Jo, ti atë nuk e ke bërë!” Qesha dhe u thashë: “Jo,
nuk e kam bërë”.
Refuzimi
i saj pati pasoja të menjëhershme. U detyrua të largohej nga puna dhe madje u
akuzua për “vepër penale” vetëm pse nuk pranoi të nënshtrohej.
“Për
Klinikën e Gjinekologjisë nuk kurseva as mund, as dije. Por aty ku ndërhyn
politika e tillë, pushon logjika e natyrshme, thotë ajo .”
Shmangia e ndëshkimit dhe ndërhyrja e Providencës
hyjnore
E
përballur me një situatë të rëndë dhe me rrezik real ndëshkimi, Motra Smila
kërkoi ndihmë mjekësore, pasi vuante edhe nga një sëmundje e rëndë. Ajo vendosi
të kërkonte pushim mjekësor pikërisht në momentin më kritik.
“Vendosa
të shkoj në pushim mjekësor pikërisht atë ditë kur më sollën letrën. Ishte një
mënyrë e çuditshme, por edhe e mrekullueshme për të shpëtuar nga ndëshkimi,”shprehet
ajo.
Kështu,
më 15 gusht 1990, në ditën e Zojës së
Madhe, ajo e përfundoi shërbimin e saj në klinikë. Për të, kjo nuk ishte rastësi,
por një ndërhyrje e dukshme e Providencës Hyjnore.
Provincialja
e saj e përkrahu fuqishëm në këtë periudhë të vështirë, duke e çliruar nga
ngarkesat e rënda dhe duke e ndihmuar të gjejë rrugëdalje.
Triumfi i ndërgjegjes mbi politikën
Në
atë kohë të errët, vlerat morale, puna, ndërgjegjja dhe përgjegjësia nuk kishin
më peshë. Gjithçka përcaktohej nga politika. Por Motra Smila zgjodhi të mos e
pranojë atë realitet.Ajo qëndroi në anën e së vërtetës dhe të atyre që vuanin,
duke dëshmuar se ndërgjegjja nuk mund të nënshtrohet.
Pas
largimit nga puna, eproret e saj i besuan një detyrë të re në famullinë e
Prishtinës, ku ajo filloi të udhëheqë amvisërinë. Kjo shënoi fillimin e një
etape të re në jetën e saj - një etapë që shumë shpejt do të shndërrohej në një
mision të madh humanitar në shërbim të popullit të Kosovës.
Veprimtaria humanitare dhe roli gjatë luftës
Pensionimi
i detyrueshëm nuk ishte fundi i angazhimit të saj -
përkundrazi, ishte fillimi i një kapitulli të ri në jetën e saj. Pas shkuarjes në pension, Motra Smila iu
përkushtua tërësisht veprimtarisë humanitare në famullinë e Prishtinës dhe në
gjithë Kosovën. Në vitin 1992 u emërua përgjegjëse e Karitasit të famullisë së
Prishtinës.
Në
këtë funksion, ajo luajti një rol kyç, sidomos gjatë periudhës së vështirë
para, gjatë dhe pas luftës së vitit 1999. Aktiviteti i Karitasit nën udhëheqjen
e saj u bë një shtyllë e rëndësishme e ndihmës për popullsinë e prekur, duke
ofruar ndihma ushqimore, veshmbathje dhe mbështetje morale.
Ajo
ishte nismëtare e shumë projekteve dhe iniciativave humanitare, si dhe e
themelimit të disa shoqatave që kontribuuan në përmirësimin e jetës sociale të
komunitetit.
Kontributi institucional dhe organizativ
Motra
Smila njihet për përkushtimin e saj të palodhshëm në fushën e humanizmit, duke
ndihmuar të varfrit, të sëmurët dhe të gjithë ata që kanë qenë në nevojë.
Përmes veprimtarisë së saj shumëvjeçare, ajo ka dhënë një shembull të rrallë të
dashurisë për tjetrin, sakrificës dhe përulësisë, duke u bërë një figurë
frymëzuese për mbarë shoqërinë.
Kontributi
i saj nuk kufizohet vetëm në ndihmën materiale, por shtrihet edhe në
mbështetjen shpirtërore dhe morale që u ka ofruar njerëzve në momentet më të
vështira të jetës së tyre. Për shumëkënd, Motra Smila ka qenë dhe mbetet një
simbol i shpresës dhe i dritës.
Një
nga arritjet më të rëndësishme të saj është themelimi i Regjionit të Kosovës të
Motrave të Mëshirshme të Shën Kryqit. Ajo shërbeu si presidentja e parë e këtij
regjioni në periudhën 2004–2013, duke vendosur themele të forta organizative
dhe shpirtërore.
Në
vitin 2006, ajo nxiti formimin e Unionit Rregulltar të Kosovës (URRK), një
strukturë që bashkon bashkësitë rregulltare në vend. Po ashtu, kontribuoi në
ripërtëritjen e këtij unioni në vitin 2017, duke dëshmuar përkushtimin e saj të
vazhdueshëm ndaj jetës kishtare dhe bashkëpunimit ndërinstitucional.
Vlerësime dhe mirënjohje
institucionale
Edhe
pas dekadash shërbimi, Motra Smila mbeti aktive në jetën kishtare dhe shoqërore
në Prishtinë. Përvoja e saj e gjatë, e ndërtuar mbi sakrificë, disiplinë dhe
përkushtim të palëkundur, u shndërrua në një burim të pashtershëm frymëzimi për
brezat e rinj, si brenda jetës rregulltare, ashtu edhe në shoqërinë më të
gjerë.
Figura
e saj nuk mbeti pa u vlerësuar edhe në mënyrë institucionale. Ajo është fituese
e çmimit “Kurora e Suksesit” për vitin 2023, një mirënjohje që nderon
kontributin e saj të gjatë dhe të palodhur në shërbim të njeriut dhe
komunitetit. Po ashtu, në vitin 2002, Motra Smila u nderua nga Qeveria e
Kosovës (kryeministri Albin Kurti) për
arritjet e saj jetësore, përpjekjet e vazhdueshme dhe qëndrueshmërinë e
dëshmuar ndër vite.
Një
tjetër vlerësim i rëndësishëm institucional erdhi edhe nga Presidentja e
Kosovës, Vjosa Osmani, e cila më 30 mars 2026, i ndau mirënjohje Motrës së
Nderit Smila, duke çmuar lart kontributin e saj të jashtëzakonshëm në shërbim
të njerëzimit dhe komunitetit.
Me
këto vlerësime, përfshirë edhe atë të Presidentes Osmani, theksohet rëndësia e
figurave si Motra Smila, të cilat me veprat e tyre forcojnë vlerat humane dhe
solidaritetin në shoqëri, duke lënë gjurmë të pashlyeshme në jetën e njerëzve.
Jeta sot dhe trashëgimia shpirtërore
Sot,
Motra Smila në moshë të thyer jeton dhe vepron në Prishtinë, duke mbetur një
figurë e respektuar dhe e dashur për komunitetin. Ajo nuk zgjodhi rrugën e
lehtë, por atë të drejtë.Në një kohë stuhish, në kushte shpesh të vështira
historike e politike, kur shumë heshtën, ajo veproi. Nga Trieshi i
Malësisë deri në zemër të Kosovës, ajo
mbeti gjithmonë në shërbim - me përulësi, guxim dhe besim të palëkundur. Kjo e bën figurën e saj jo vetëm të
rëndësishme për Kishën, por edhe për historinë dhe ndërgjegjen kombëtare.
Jeta
e saj është një dëshmi e gjallë e përkushtimit, sakrificës dhe dashurisë ndaj
njeriut, sidomos ndaj atyre më në nevojë. Ajo përfaqëson një brez të tërë rregulltaresh
që, mbajtën gjallë frymën e shërbimit dhe solidaritetit njerëzor.














