Gjekë Gjonaj: Diploma pa dije dhe politika mbi meritën
Diploma pa dije dhe politika mbi meritën

Vitet
e tranzicionit sollën ndryshime të mëdha politike, ekonomike dhe shoqërore në
jetën e shqiptarëve. Bashkë me lirinë, pluralizmin dhe hapjen ndaj botës,
erdhën edhe shumë dukuri negative që me kalimin e kohës u shndërruan në plagë
të thella të shoqërisë sonë. Njëra ndër më shqetësueset është padyshim
zhvlerësimi i dijes, i meritës dhe i profesionalizmit.
Sot
jetojmë në një kohë paradoksale: kurrë më parë nuk ka pasur kaq shumë njerëz me
diploma universitare, por njëkohësisht kurrë më parë nuk është vërejtur kaq
shumë mungesë profesionalizmi dhe dijeje në jetën institucionale e publike. Në
pamje të parë duket sikur kemi një shoqëri të arsimuar, por realiteti shpesh
dëshmon të kundërtën. Në shumë raste diploma është kthyer në një letër formale,
që shërben më shumë për prestigj personal apo për punësim politik, sesa si
dëshmi e dijes dhe e aftësive profesionale.
Dikur
shkollimi konsiderohej një mision fisnik. Familjet shqiptare sakrifikonin shumë
që fëmijët e tyre të ndiqnin shkollën. Nxënësi dhe studenti respektoheshin për
mundin dhe dijen. Profesorët kishin autoritet moral e profesional, ndërsa
diploma fitohej me sakrifica të mëdha. Për të përfunduar studimet duhej
disiplinë, përkushtim dhe net të tëra mbi libra. Sot, fatkeqësisht, ky kuptim i
arsimit është zbehur dukshëm.
Në
shumë raste, diploma nuk fitohet më me dije, por me para, me lidhje dhe me
ndërhyrje të ndryshme. Nuk janë të pakta rastet kur studentët kalojnë provimet
pa njohuri të mjaftueshme, ndërsa disa institucione arsimore janë shndërruar në
“fabrika diplomash”. Populli ynë me të drejtë thotë: “Pa e nxehur stolin”. Kjo
shprehje sot dëgjohet më shpesh se kurrë, sepse shumëkush arrin tituj akademikë
pa kaluar rrugën normale të dijes dhe përgatitjes.
Një
pjesë e të rinjve fakultetin e kryejnë në afate shumë të zgjatura, dhjetë e më
shumë vite, por as kjo nuk përbën pengesë për punësim. Shpesh nuk ka rëndësi se
çfarë di, sa je përgatitur apo sa je aftësuar profesionalisht. Mjafton të jesh
afër një partie politike, të kesh mbështetje nga ndonjë funksionar apo të jesh
militant i bindur. Atëherë rruga përpara bëhet më e lehtë.
Në
vend të meritës dhe profesionalizmit, sot shpesh vendos përkatësia politike.
Kjo është një ndër sëmundjet më të rënda të shoqërisë sonë. Nëse i shërben
partisë, puna të sigurohet më shpejt. Nëse nuk je pjesë e strukturave politike,
edhe diploma e fituar me mund, madje edhe me sukses të shkëlqyer, shpesh mbetet
pa vlerë praktike. Të rinjtë që kanë investuar vite të tëra në arsimim ndihen
të zhgënjyer kur shohin se vende pune fitojnë njerëz më pak të aftë, por më të
lidhur politikisht.
Kështu
krijohet një padrejtësi e madhe shoqërore. Përparësi nuk ka më dijetari,
profesionisti apo njeriu i ndershëm, por servili politik dhe militanti partiak.
Kjo gjendje ka prodhuar një administratë të dobët dhe institucione joefikase.
Në shumë raste, poste me rëndësi u besohen njerëzve pa përgatitjen e duhur
profesionale. Juristi mbulon punën e ekonomistit, ekonomisti ndërhyn në çështje
të arsimit, inxhinieri i ndërtimtarisë merret me politikë, inxhinieri i
bujqësisë kryen detyrën e ekologut ,
farmacisti drejton kulturën,
ndërsa specialistë të fushave krejt të tjera udhëheqin sektorë për të
cilët nuk kanë njohuritë e nevojshme.
Këta
njerëz, të emëruar jo mbi bazën e meritës, por të interesave politike, krijojnë
përshtypjen sikur dinë gjithçka. Në realitet, shpesh nuk zotërojnë si duhet as
profesionin që ua dëshmon diploma. Pasojat e kësaj dukurie janë të shumta:
vendime të gabuara, mungesë përgjegjësie, dobësim i institucioneve dhe ngecje
në zhvillimin ekonomik e shoqëror.
Në
një shtet normal dhe demokratik, institucionet ndërtohen mbi profesionalizmin
dhe konkurrencën e ndershme. Vendet e punës u takojnë më të aftëve. Në
shoqërinë tonë, fatkeqësisht, shpesh ndodh e kundërta. Kjo ka bërë që shumë të
rinj të humbin besimin te drejtësia dhe te perspektiva në vendin e vet.
Pasojë
e drejtpërdrejtë e kësaj gjendjeje është largimi masiv i inteligjencës
shqiptare. Të rinjtë më të aftë, më të përgatitur dhe më ambiciozë nuk gjejnë
hapësirën e merituar në vendin e tyre. Ata detyrohen të largohen drejt vendeve
perëndimore, ku puna dhe dija vlerësohen më shumë se libreza partiake. Atje ata
gjejnë mundësi zhvillimi profesional, kushte më të mira jetese dhe respekt për
aftësitë e tyre.
Kjo
ikje e trurit është një humbje e madhe kombëtare. Shoqëria jonë humb njerëzit
më të përgatitur, ata që mund të sillnin zhvillim, ide të reja dhe përparim.
Është tragjike kur një shtet investon në arsimimin e të rinjve, ndërsa frytet e
atij investimi i përfitojnë vendet e tjera. Ndërkohë, vendin e tyre e zënë
njerëz pa përgatitje të mjaftueshme, të cilët shpesh e shohin postin vetëm si
privilegj personal dhe jo si përgjegjësi ndaj qytetarëve. Kështu krijohet një
rreth vicioz: paaftësia prodhon paaftësi, mediokriteti ushqen mediokritetin dhe
politika vazhdon të dominojë mbi meritën.
Një
tjetër problem është se kjo dukuri po ndikon negativisht edhe te brezat e rinj.
Kur një i ri sheh se puna dhe dija nuk vlerësohen, ai humb motivimin për të
studiuar seriozisht. Në vend të dijes, ai kërkon lidhje; në vend të
përkushtimit, mbështetje politike; në vend të konkurrencës së ndershme, rrugë
të shkurtra për sukses. Kjo është tepër e rrezikshme për të ardhmen e kombit.
Asnjë
shoqëri nuk mund të ndërtojë të ardhmen mbi diplomën pa dije, mbi politikën pa
moral dhe mbi pushtetin pa profesionalizëm. Një shtet serioz kërkon
institucione të forta, njerëz kompetentë dhe respekt për meritën. Vetëm atëherë
mund të ndërtohet një administratë efikase dhe një shoqëri me perspektivë.
Prandaj është koha që shoqëria jonë të reflektojë seriozisht. Arsimi duhet të
rikthehet në tempull të dijes dhe jo në treg diplomash. Punësimi duhet të
bazohet në meritë dhe profesionalizëm, jo në përkatësi politike. Vetëm në këtë
mënyrë mund të ndalet largimi i inteligjencës dhe të rikthehet besimi i
qytetarëve te shteti dhe institucionet.
Nëse vazhdohet me këtë logjikë të mbrapshtë, do të kemi gjithnjë e më shumë diploma, por më pak dije; më shumë poste, por më pak profesionalizëm; më shumë institucione, por më pak shtet dhe të rinj pa shpresë në vendin e tyre. Dhe kjo është një nga fatkeqësitë më të mëdha që mund t’i ndodhë një kombi.



