Blerim Rrecaj: Një kritikë e mirëfilltë për gjendjen kritike të shoqërisë
Një kritikë e mirëfilltë për gjendjen kritike të shoqërisë

Libri
"Pasionet e idiotëve" i Labinot Kunushevcit është një libër që
përbëhet nga artikuj që trajtojnë problematika të rëndësishme e të ndjeshme të
vendit e të shoqërisë sonë, e cila është mbërthyer e mbështjellur prej plagëve
e krizave të mëdha e të thella, që ka kohë që na mundojnë e shqetësojnë dhe
përpjekjeve për të gjetur shtigje për të gjetur rrugëzgjidhjet e duhura.
Gjithë
këto ngecje e gjithë kjo katrahurë , gjithë ky kaos e gjithë ky mjerim, e
gjithë kjo krizë morale, gjithë kjo shkapërderdhje e humbje energjishë, që
sjell gjithë këtë kokëçarje përbëhet prej faktorësh e aktorësh të ndryshëm, për
të cilat autori na dërgon deri te burimi i kësaj stërkeqjeje, ushqyer e mbajtur
nga 'pasionet e idiotëve' .
Kush
janë në të vërtetë të tillët(idiotët),
me të cilët jemi të rrethuar? Ata janë njerëzit që mendojnë që bota
duhet të sillet vetëm rreth tyre, e nuk i kryejnë detyrat e profesionet që iu
takojnë, janë ata që punojnë për interesa të ngushta të tyre ose të padronëve
të tyre, ose klaneve të caktuara përbërë nga politikanë rangjesh të ndryshme,
zyrtarë, drejtorë, shefa, menaxherë, punëtorë; janë ata që mendojnë që çdo gjë
shitet e blihet, që vënë paranë, materializmin, liderët, kultet e individëve i
vënë në rend të parë; janë ata që servilosen, shesin e blejnë diploma,
ndërrojnë parime e qëndrime orë e çast, janë ata që janë (ose edhe ata që
s'janë kompetentë) për detyrat që kryejnë, janë ata kryeneçët që insistojnë se
kjo gjendje kështu siç është duhet të vazhdojë në arsim, shëndetësi, drejtësi,
gazetari e kështu me radhë. Janë ata që veten e paraqesin shpëtimtarë, të
pagabueshëm, që mendojnë që çdo gjë fillon me ta e pas tyre asgjë s'ka vlerë, e
çfarë s'mendojnë e çfarë s'bëjnë për të mos ua trazuar kush pozitat e postet,
fjalët e gjendjen e komoditetit në të cilën ndodhen!
Pas
gjithë kësaj kohe e kësaj gjendjeje të rëndë, e të shpërfaqur në terren për të
cilën flasin faktet, argumentet, këta njerëz, këta persona e tipa me kryeneqësi
e pasion veprojnë e insistojnë që kjo gjendje të vazhdojë, me ndarje e përçarje,
me sundim, me xhelozi e hipokrizi, me
variante të shumta alleshverishesh.
Janë
ata që punëtorëve u thonë "unë po u mbaj me bukë juve e familjen"e
"falë meje je ky që je, e ke arritur këtu ku ke arritur", për të
vazhduar me fraza kaq të ulëta e pa ndjerë pikën e turpit. Me pak fjalë janë
ata që bëjnë dredhi e dhelpëri, janë dinakë e tinëzakë që shfrytëzojnë gjendjen
e krijuar për të vepruar, që u pengojnë rregulli, vlerat e kriteret.
Por
autori duke folur për përvojën e tij jetësore, me pak fjalë e me modesti për
angazhimet, përpjekjet, punën, të arriturat, me shembullin e tij dhe të atyre
që u flasim e u përputhen fjalët me vepra jep një porosi të qartë për rrugën
drejt dritës që ndoqi pa ligështim e dorëzim duke punuar që si adoloshent pa u
ndalur, qoftë si librashitës, pastaj si kamarier e punë të ndryshme, e edhe si
punëtor sezonal jashtë shtetit, duke vazhduar edhe studimet, duke u marrë me
aktivitete të ndryshme kulturore, në projekte, në publikime vendore e
ndërkombëtare (Ekspozita "Prishtina në 77 pamje"; zëvendësudhëheqës i
Guidave, në Olimpiadën Europiane të
Matematikës për vajza-EMGO 2025; intervistues i Shoqatës Ndërkombëtare të
Sociologjisë, intervistues i shkenctarëve të njohur botëror, intervistat të
botuara në revistën e njohur "Global Dialogue", e të publikuara në 17
gjuhë botërore; studime, publikime në revista e medie e botime të librave në fushën e sociologjisë etj).
Këto
përpjekje të kurorëzuara me suksese ndonëse të shpërfillura nga institucione të
ndryshme shtetërore, universitare e komunale, shoqëruar dhe me heshtje e harrim
të atyre që s'duan ta prishin terezinë me askë.
Por
e mira e kësaj pune dhe e këtyre përpjekjeve kanë sjellur deri te rezultati që
Labinot Kunushevci vazhdon të jetë aktiv e i përkushtuar, për të dëshmuar për
rezultatet e arritura me mund e meritë, duke folur me shembujt e tij,(pos që
është një nga themeluesit, është edhe kordinator profesional në fondacionin
VILDANA, i themeluar nga mërgata shqiptare në Zvicër, për t'i mbështetur me
bursa studentët e talentuar shqiptarë. Po ashtu udhëheq dhe Platformën
informative Epiqendra.com.)
Dhe
si rezultat i punës, kërkimeve, hulumtimeve solli në dritë veprën e tij të re
(vije para lexuesit me botimin e tretë të librit "Pasioni i
idiotëve") që u përmend më lart.
Në
vazhdim të librit do shohim artikujt që bëjnë fjalë për prindërit dhe rolin e
tyre në edukimin e fëmijëve, sfidat dhe vështirësitë; për sistemin arsimor e
edukues që ka nevojë për pastrim e përmirësim të thellë, për punëdhënësit dhe
shkeljen e madhe të të drejtave të punëtorëve, për depresionin dhe dehumanizmin
e njeriut, për ideologjitë që çojnë në luftëra e shkatërrime, gjenocid,
krime(komunizmi, fashizmi etj, etj), për teoritë që nxisin njeriun kundër
njeriut (evolucioni), për trushpërlarjen, për mediet, për fshehjen a
mjegullimin e fakteve e së vërtetës,
për të ashtuquajturit analistë
(politikë, sportivë, gjithologë...), për spektaklet degjeneruese (big
brodher...), për motivet e ulëta që sjellin deri te krimet, vrasjet, për
dështimin e drejtësisë, për islamofobinë, për kritikën fishkulluese për
politikbërjen, për kritikën për klerikët (hoxhallarët)që nuk përshtaten me
realitetin social, për patriotët e rrejshëm, për dyshimet e ca vlerave që
paraqiten si të (pa)kontestueshme (Çmimi Nobel, i cili iu dha hartuesve e
përkrahësve të krimeve makabre e antinjerëzore! ), për tema historike dhe
ndikimin afatgjatë e pasojat e rënda për shoqërinë (kolonizimi i Kosovës
përgjatë dekadash e dekadash), për rolin e teknologjisë e intelegjencës
artificiale dhe njeriun që duke qenë zbuluesi e komanduesi i mjeteve, t'i
përdorë ato në të mirën e tij etj. Gjithë kjo larmi temash që zënë vend në këtë
libër, që na shërbejnë për ta kuptuar më mirë realitetin ku jetojmë e veprojmë
dhe na shërben për të ditur më mirë për problemet, për të drejtat, për mbajtjen
e drejtpeshimit, në ditët e sotme.
Ky
libër pos që është një kritikë e mirëfilltë për gjendjen kritike ku gjendemi ne
si shoqëri, mbart edhe porosi për rrugën që shpie kah paqja, humanizmi,
solidariteti, dinjiteti, diversiteti, mirëkuptimi, e mira, e bukura,
përkujdesja, mirëqenia, mirëmbajtja, konkurrenca e shëndoshë, vlerat dhe
kultivimi i tyre...







