Albert Zholi: U shua Birçe Hasko, ikona e teatrit dhe filmit shqiptar

U shua Birçe Hasko, ikona e teatrit dhe filmit shqiptar që jetoi me art, dinjitet dhe thjeshtësi
Nga
Albert Z. Zholi
Lajmi
për ndarjen nga jeta të Birçe Hasko në moshën 84-vjeçare është një humbje e
madhe për kinematografinë dhe teatrin shqiptar. Ai ishte një nga artistët më të
respektuar të skenës shqiptare, një aktor me integritet të rrallë, pedagog i
përkushtuar dhe njeri me vlera të larta njerëzore. Me një karrierë të pasur në
mbi 30 filma, Birçe Hasko la gjurmë të pashlyeshme në artin shqiptar përmes
roleve të tij të fuqishme dhe krejtësisht të natyrshme. Publiku do ta kujtojë
gjithmonë si Milon në Shi në plazh, Tosun Baçin në Njeriu me top, tellallin te
Koncert në vitin 1936 dhe plakun e sertë në Përrallë nga e kaluara. Çdo
personazh i tij mbante vulën e realizmit, seriozitetit dhe përgatitjes së
thellë artistike. Birçe Hasko nuk ishte thjesht një aktor i talentuar. Ai ishte
një intelektual model, i ndershëm, korrekt dhe larg çdo kompromisi që binte
ndesh me normat, rregullat dhe ligjin. Fjalët e tij ishin të pakta, por me
peshë. Nuk kërkoi kurrë privilegje nga posti apo fama që gëzonte dhe mbeti deri
në fund një njeri i thjeshtë, me shpirt të pasur dhe frymë të fortë atdhetare.
Si pedagog, ai ishte shembull i disiplinës, korrektësisë dhe realizmit
artistik. Besonte se aktori duhet të sillte në skenë personazhin dhe jo veten.
Shpesh përsëriste:
"Kur
s'je i bindur, mos e nxirr fjalën dhe mos e nis veprën."
Në
takimet dhe bisedat me të ndihej mençuria e një artisti që jetoi me dinjitet
dhe që i shërbeu artit pa zhurmë, por me përkushtim absolut. Në thjeshtësinë e
tij shihej intelektuali i vërtetë dhe qytetari model i çdo kohe. Ikja e Birçe
Haskos lë një boshllëk të madh në kulturën shqiptare, por veprat dhe shembulli
i tij do të mbeten të pavdekshme në kujtesën e publikut dhe historinë e artit
shqiptar.
Disa
nga filmat më të njohur të Birçe Hasko janë:
Shi
në plazh
Njeriu
me top
Koncert
në vitin 1936
Përrallë
nga e kaluara
Radiostacioni
Skëterrë
'43
Dita
e parë e emërimit
Kush
vdes në këmbë
Gurët
e shtëpisë sime
Tri
ditë nga një jetë
Zëvendësi
i grave
Kthimi
i ushtrisë së vdekur
Parullat
Tirana
viti 0
I
dashur armik
My
Lake
Ai
interpretoi në dhjetëra role në kinema dhe teatër, duke u bërë një nga figurat
më karakteristike të ekranit shqiptar.








