Albert Zholi: Hëna, vajza që u bë dritë e qiellit dhe e tokës
Hëna, vajza që u bë dritë e qiellit dhe e tokës

Nga
Albert Z. ZHOLI
Dikur,
në një fshat të vogël, jetonte një vajzë me emrin Hënë-filloi të më tregonte
gjyshja. Ajo nuk ishte thjesht e bukur,
pasi bukuria e saj ishte e butë si drita e agimit, ndërsa zemra e saj ishte
edhe më e ndritshme se fytyra. Hëna i donte njerëzit, i donte të dashuruarit që
kërkonin njëri-tjetrin në errësirë, dhe mbi të gjitha, i dhembte për të varfrit
që humbnin rrugën në netët pa dritë. Shpesh ajo dilte natën dhe shikonte
qiellin e pafund. E ndjente se aty lart kishte një vend për të, një vend ku
mund të bëhej dritë për të gjithë. Në tokë ishte e kufizuar, sytë e saj nuk
arrinin të ndihmonin këdo, duart e saj nuk mund të preknin çdo njeri që kishte
nevojë. Një natë, me zemrën plot dëshirë dhe shpresë, ajo iu lut Zotit:
-Ma
jep mundësinë të bëhem dritë për të gjithë. Dua të ndihmoj ata që humbasin, dua
t'u jap shpresë atyre që dashurojnë.
-Dhe
Zoti e dëgjoi. Një mëngjes, fshati u zgjua ndryshe. Hëna nuk ishte më aty. Në
vend të saj, qielli kishte fituar një dritë të re, të butë dhe të qetë. Vajza e
artë, me ngjyrë floriri, ishte ngjitur në hapësirë. Ajo ishte bërë një trup
qiellor – një dritë që nuk shuhej kurrë. Njerëzit u habitën, por edhe u mbushën
me krenari. Ata e kuptuan se Hëna ishte përzgjedhur si qiellore për mirësinë e
saj, për zemrën e saj të madhe, për thjeshtësinë dhe sakrificën që mbante
brenda. Që nga ajo ditë, të dashuruarit filluan të thonë:
-Takohemi
kur të dali Hëna!
Dhe
kur shikonin një vajzë të bukur, pëshpëritnin:
-Ah,
më je bërë si Hëna... madje as Hëna nuk është kaq e bukur. Një natë, Hëna i
foli Diellit:
-Ne
do ta plotësojmë njëri-tjetrin. Ti do të ndriçosh ditën, unë natën.- Dielli
buzëqeshi dhe iu përgjigj:
-Para
bukurisë dhe mençurisë tënde, unë përulem. Dhe kështu, qielli u bë më i plotë.
Hëna nuk ishte më thjesht një vajzë. Ajo u bë simbol i dritës në errësirë, i
dashurisë së heshtur dhe i ndihmës që vjen nga shpirti. Një kujtesë e
përjetshme se ata që japin dritë për të tjerët, nuk humbasin kurrë,
përkundrazi, ngrihen më lart se gjithçka. Tek ne Hëna është përjetësuar tek
kënga "Hënë e netëve të vona"- përfundoi gjyshja.






