Albert Zholi: Dy vëllezër të dashuruar me Lean

1h më parë

Dy vëllezër të dashuruar me Lean

Tregim nga Albert Z. Zholi

Në Tiranë, në një apartament të vogël pranë Qytetit Studenti, jetonin dy vëllezër: Erioni dhe Agroni. Erioni ishte i madhi, i qetë, i vendosur, student Juridiku. Agroni dy vjet më i vogël, studionte Arte dhe kishte shpirt më të lirë, më të ndjeshëm. Ata kishin ardhur nga një qytet i vogël, me të njëjtat ëndrra dhe me një premtim të heshtur: të mos e linin kurrë njëri-tjetrin. Gjithçka ndryshoi ditën kur në auditor hyri Lea. Lea kishte një buzëqeshje që nuk kërkonte vëmendje, por e merrte. Ishte e mençur, e thjeshtë në veshje, por me një dritë në sy që të bënte të ndaleshe. Erioni e vuri re i pari. E ndihmoi me disa libra, e shoqëroi deri te biblioteka. Agroni e njohu më vonë, në një aktivitet arti, ku ajo kishte ardhur me shoqet.

Pa e ditur, të dy nisën të flisnin për të në shtëpi.

-Është ndryshe, -thoshte Erioni.

-Po, shumë ndryshe,- shtonte Agroni, pa treguar se edhe ai e mendonte njësoj.

Kur e kuptuan se bëhej fjalë për të njëjtën vajzë, heshtja mes tyre u bë e rëndë. Fillimisht qeshën, si për ta lehtësuar situatën.

-S'do na prishë një vajzë, -tha Erioni.

-Kurrë,- u përgjigj Agroni.

Por zemra nuk pyet për marrëveshje. Erioni nisi ta takonte më shpesh Lean. I fliste për planet e tij, për sigurinë që do ndërtonte në jetë. Agroni, ndryshe nga i vëllai, i fliste për ëndrrat, për pikturat, për frikërat e vogla që s'i tregonte askujt tjetër. Lea e ndiente tensionin. E shihte se mes dy vëllezërve kishte lindur një garë e heshtur. Fjalët e tyre në shtëpi u bënë më të shkurtra. Një darkë e humbur, një derë e përplasur, një ironi e hedhur si shigjetë. Një mbrëmje, përplasja shpërtheu.

-Nuk mund të sillesh sikur nuk ekzistoj! -tha Agroni.

-Unë e njoha i pari! -u përgjigj Erioni me zë të ngritur. -Nuk është lojë.

-As për mua nuk është!

Fjalët që nuk duhej të thuheshin u thanë. Heshtja që nuk duhej të vinte, erdhi. Lea vendosi t'i takonte të dy, por veçmas. Me Erionin ndjeu siguri, mbështetje, një rrugë të qartë. Me Agronin ndjeu dridhje, një lidhje që nuk shpjegohej me logjikë. Në fund, ajo kërkoi një takim me të dy bashkë.

-Nuk jam çmim për askënd, - tha me qetësi. -Ju jeni vëllezër. Kjo duhet të jetë më e fortë se çdo ndjenjë. Të dy heshtën. Ajo mori frymë thellë.

-Por zemra ime ka zgjedhur. Dhe nuk mund ta mas me moshë apo me arsyetim.

Sytë e saj u ndalën te Agroni. Erioni uli kokën. E kishte kuptuar para se ajo ta thoshte. Dhimbja ishte e fortë, por më e fortë ishte zhgënjimi që kishte lejuar ndjenjat të çanin mes tyre. Agroni u afrua, por nuk guxoi ta prekte. -Nuk dua të të humb si vëlla, -i tha Erionit me zë të dridhur. Kaluan ditë pa folur. Pastaj një mbrëmje, Erioni hyri në dhomën e tij.

-Mos e lëndo,- tha shkurt.- Dhe mos harro kush jemi. Ishte një falje pa fjalë të bukura. Lea dhe Agroni nisën një histori të re, por ajo që mbeti më e vështira ishte rindërtimi i vëllazërisë. Sepse dashuria mund të zgjedhë një zemër, por gjaku kërkon forcë për të falur. Dhe dy vëllezërit mësuan se ndonjëherë humbja më e madhe nuk është vajza që s'të zgjodhi, por vëllai që rrezikon të humbasësh.