Resmi Osmani: Arti poetik i Ndre Mjedës në poemën ‘Andrra e Jetës’
ARTI POETIK I NDRE MJEDËS NË POEMËN ”ANDRRA E JETËS”
(Të
pathënat që duhen hulumtuar)

Ka
kaluar mëse një shekull nga koha kur poeti dom Ndre Mjeda, shkroi poemen
“Andrra e Jetës”.Nga studjuesit dhe kritika, ajo është konsideruar kryevepra e
tij poetike, dhe pa dyshim , në buqetën e poezive të shkruara prej tij, ajo është
më e bukura e tyre, margaritari i kurorës. Për të janë shkruar analiza, vlerësime,
janë shprehur opinione e komente, për të nxjerrë në relief gjithë magjinë e
artit poetik të Mjedës. Ajo ç’ka dua të shpreh, janë impresionet vetiake, pas
leximeve të herë pas herëshme të kësaj mrekullie poetike, pa mëtuar ndonjë risi.E
them që në krye: për mendimin tim,titulli ”Andrra e jetës”, nuk do të thojë
sipas konceptit religjioz se jeta është ëndërr, por ëndërra për jetën, ëndërra
për të jetuar.
Por
si u ngjiz, poema?
Ndre
Mjeda,nga burrat më të ditur,ndër shqiptarët e kohës së tij, i kulturuar dhe
iluminuar, zotrues i tetë gjuhëve të huaja, klasike dhe bashkëkohore, atdhetar,
studjues dhe lëvrues i gjuhës shqipe, i dorzuar prift në urdhërin e jezuitëve, pas
daljes nga urdhri i tyre, u kthye në Shqipëri. Më 1902, u caktua meshtar në
katundin e vogël Vig të Mirditës. Pse një personalitet i tillë në një detyrë të thjeshtë dhe në një
katund të varfër të malësisë? Duket, na lejohet që ta mendojmë, se Jerarkët e
kishës të urdhrit Françeskan, në Shkodër, për qëdrimet e tij ndaj urdhrit të
Jezuitëve, nuk e pritën mirë. Vigu
ishte si njëfarë syrgjini për ta harruar, por Mjeda s’ishte nga ata që mund të
harrohen. Atje, në përmbushje të detyrave të tij të përshpirtshme, duket se
hyri shtëpi më shtëpi e kasolle më kasolle dhe ndeshi varfërinë, paditurinë dhe
mjerimin e fshatarëve, luftën e tyre me natyrën, sundimtarët, vështirësitë, për
mbijetesë, por edhe andrrën për jetën, që e shpresonin. Njeriun edhe mund ta mposhtësh,
por nuk e ndalon dot të ëndërrojë dhe shpresojë. I ndjeshëm, i dhimbsur, por i
pafuqishëm për ta ndryshuar gjendjen e tyre, vuajti me ta, dëshpërimisht.
Pas
largimit nga Vigu, përsëri në një fshat të varfër, në Kukl, me detyrën e priftit
të thjeshtë. Edhe këtu gjendja sociale e fshatarëve,nën sundimin e të huajit
dhe feudalëve vendës, ishte e mjerueshme varferia e ulur këmbëkryq, vdekja rrëmbente
fëmijët. Këtu zuri fill shkrimi i poemës “Andrra e jetës”, mrekullia që lindi
pas vitesh të tëra meditimi e refleksioni për fatin dhe vuajtjet e njerëzve të
vet, nga populli i thjeshtë.
Le
të ndalemi te poema.
Andrra
e jetës, është ngritur me tri pjesë: Trina, Zoga dhe Lokja, pjestare të së njëjtës
familje. Në pjesën e parë, vdekja e parakohshme e Trinës, në të dytën triumfi i
jetës personifikuar me Zogën, në të tretën vdekja e Lokes.Dy vdekje, jeta
midis. Gjithësej 296 vargje, në strofa katërvargjëshe,
e më pak gjashtëvargjëshe, tetë e pesë rrokëshe. Shqyrtimi i kujdesëshëm i poemës,
na ndihmon të nxjerrim në pah artin e vjershërimit të poetit.
Natyra, pejsazhi, mitet.
Në
296 vargje, gjashtëdhjetë janë tabllo të natyrës dhe peisazhit .Ngjan si shumë,
por poeti e bën këtë jo se është i dashuruar me natyrën, porse ngaqë, i shërbejnë
për paraqitjen e mjedisit jetësor për të dhënë tabllonë ku zhvillohen ngjarjet,
si simbole , paralelizëm figurative dhe krahasimet.Mjeda, si romantik, e
ekzalton peisazhin dhe natyrën.Ditën e mbush me dritë dielli, netët me yje dhe
dritë hëne,lëndinat me lule zogj dhe flutura, sepse: bashk me lule len
dashtnia/me kangë t’shpendit qi galdon/E prendverës bukurija/bashk’ prej gjumit
t’ tanë i zgjon. Ajri dridhet nga puhiza
verës dhe me stuhi, ngrica e borë dimrit.Të trija personazhet shkrihen në një
me këtë mjedis, bile pa të ato do të dukeshin ndryshe, disi të mangëta.
Zymbyli, trëndafili, me aromat dehëse, paralajmërojnë stinën e re por edhe gëzimin
dhe gjëndjen shpirtërore,janë edhe personifikim i vashës. Krizantema,
simbolikisht na kujton varrezat dhe vdekjen. Bylbylat këngëtarë, simbolizojnë
çiftin e të dashuruarve.Të ftohtit, murlani, dimri, vuajtjet e jetës dhe fundin
e saj. Tabllotë me elementët e natyrës, qofshin të pranverës, verës apo dimrit,
na fusin në atmosferën dhe gjëndjen shpirtërore të heroinave dhe atë që pritet
të ngjasë me jetët e tyre. Të pranishme në dy–tri raste, janë dhe
shtojzavallet, qe vallzojnë në male, por edhe tjerrin dhe këputin fillin e jetës
njerzore.
Të shkruash pak e të thuash
shumë.

Ç’farë
moshe kanë të tri heroinat, si janë nga pamja e jashtme? Poeti nuk na e thotë
drejt për së drejti. Por poema hapet me një metaforë”Molla t’kputuna nji deget/Dy qershija lidh n’nji
rrfanë/Ku fillojnë kufijt e Geget/Rrijnë dy çika me një nanë”Jo më kot poeti ka
zgjedhur dy fruta, qershinë dhe mollën, që për pamjen janë nga më të bukurat. Çikat
si qershijat kuqaloshe dhe mollët e ëmbla aromatike, nana si dega e mollës, që
i ka lindur dhe ato janë të lidhura të trija si qershitë e një bukete.Pak
imagjinatë dhe lexuesi krijon idenë për portretin e tyre.
Edhe
moshën nuk na e thotë. Lexuesi duhet ta hulumtojë midis vargjeve. Moshën e Trinës,
e gjejmë te një fjalë e Lokes: ”Bijë mos e prek, se njomza/Tash a tui fol me
Zojen”.Trina është “njomzë”, ende e parritur,Kurse moshën e Zogës, e përcaktojmë
nga naiviteti me të cilin ajo sheh vdekjen e së motrës, pa kuptuar se çfarë ka
ndodhur, ende një fëmijë në rritje.Nga mosha e të bijave, gjykojmë se Lokja ,
grua e ve, që s’na thuhet ngase e ka humbur burrin,(Gjakmarrje, luftë, vdekje e
natyrshme etj.) në pjesën e parë, duhet të jetë ende grua e re, që i bën ballë
jetës, si shumë gra shqiptare dhe rrit vajzat e saj.
Ngase vdes Trina, kush është shkaku? Mbrëmanet,
kur kthehet në shtëpi bashkë me lopën Murgjinë dhe delen Sykë, ndjen dhimbje në
ije dhe i ka mollzat e faqeve gjak të kuqe. Shenja këto të tuberkolozit. Vdes në
gjumë. Poetit kaq i mjafton,lëngata merret me mend. Por pse duhet të vdesë
Trina , pse poeti bën këtë zgjedhje? Mendoj për dy arsye: që andrra edhe mund të
ndërpritet dhe për karakterin përgjithësues që ka poema, me këtë vdekje të
dhimbshme, si metaforë, të rrëfejë fatin
e fëmijëve të malësorëve, që nga varfëria dhe mundimet i rrëmbente vdekja
parakohe. Lokja, ndryshe nga sa ishte zakoni, nuk vë gjamën, por e përjeton
thellë dhimbjen duke kërkuar ngushëllimin te Zoja e Lume. Imazhi i plotë i
vdekjes jepet me katundarët që mbajnë qirinj në duar gjatë përcjelljes dhe
priftin që i shoqëron.Si thonë ata që ngushëllojnë: mendjen te Zoti dhe Zoti I
ndjeftë të vdekurit. Lexuesi e përjeton në heshtje, tok me të , këtë humbje të
dhimbshme të fëmijës.
Po gjëndja ekonomike?E le lexuesin ta gjykojë.
Lopa Murgjinë, delja Sykë, shtëpia. Si mjete pune vega (avëlmendi) dhe furka e
tjerrjes! Kjo është gjithë pasuria, që gjithsesi nuk mund të sigurojë mirqënie,
veç uri të gjithkohshme dhe mjerim. Kuptohet që kemi të bëjmë me familje të
varfër. Ushqimi, kryesisht bylmeti, vakti: pshesh me tamël dhe kollomoqe! Përcaktimi
” Të mirë edhe për zotni”, është një ironi therëse. Lokja, bri vatrës, flakës
dhe prushit të zjarrit, tjerr penjë për
xhubleta, qënia e avlëmendit, nënkupton që ajo edhe end në të, një punë
artizanale, që jep produkt për treg e për të siguruar ca të ardhura për jetësë.
Familja nuk ka tokë, nuk na thuhet por edhe nënkuptohet. Përdor për kullotë
rudinat dhe ledinat e kujrisë dhe pyllin për dru zjarri. Për ndriçim pisha.
Mjerimi është ulur këmbëkryq në këtë familje malsore pa burrë.
Shtrirja në kohë.Në poemë, përfshihen tri
breza: Lokja, dy bijat dhe fëmija që i lind Zogës. Në një farë mënyre, poema, sido
e kursyer në vargje, është saga e dhimbshme e mjerimit të familjes malësore e
shtrirë në kohë. Poeti e përdor kohën mjeshtërisht. Aty trazohen tok e bëhen njësh
e shkuara, e tashmja, e ardhmja dhe pafundësia. Vitet kapërcehen dhe të tri kohët
shkrihen në një, sa është e vështirë të dallohet kapërcimi. Zoga nga një fëmijë,
në pjesën parë të poemës, na paraqitet një vashë e rritur,(kuptohet që kanë
kaluar shumë vite) me dëshira dhe andrra, ndjesi të brendshme, që ia zgjon
rinia. Nuk dimë sa kohë kalon nga martesa e Zogës, dhe lokja, tashmë e plakur
rrugëton në kohë drejt fundit të saj dhe pas saj,vjen amshimi, pafundësia.
Fundi
gjithkujt, por jo me vuajtjet dhe mjerimet e Lokes.
Këndvështrimi
ideo-emocional.
Në pamje të parë ,ngjan se poeti mban një qëndrim soditës,të ftohtë, pa
emocione, i pa anshëm, vetëm sa rrëfen me art fatet e personazheve të vet , por
gabohemi. Në tabllotë me pershkrimet e natyrës, që i përdor si sfond, metafora
, paralelizëm figurativ e ekrahasime, ka ngazëllim të brendshëm ndijor të frymëzuar.
Pjesa e poemës që i kushtohet zogës, dhe që është hymnyzimi për jetën në kulmin
e saj, rininë dhe dëshirave që zgjon mosha e një vashe në lulzim, poeti e shfaq
veten si një personazh, krah Zogës, ndjenjave dhe ëndrrave të saj dashurore. Disa
strofa janë gati urdhëruese dhe këshilluese, dëshirore, për të ndjekur rrugën që
i hap jeta: “Del, o bij’ prej shpijes s’ate/Del prej t’vorfënit katund;/Njajo
flakë që n’ zemër pate/Do t’përciellin tjetër-kund” Është si një urdhëresë, dëshirë
për ta parë Zogën, të lumtur e të lidhur në martesë, me kanunet e kishës, që:”
sa jetë t’i japë perëndia, mos mu damun kurr prej’si .“ Si klerik, ai mendon se
një e tillë martesë, për dashurinë dhe besnikërinë, ka bekimin dhe dorzanin e të lumit Krisht. Në
pjesën e katërt, shkruar me strofa gjashtëvargshe, ndryshe nga struktura e poemës,
duken si një shtesë e mëvonshme, në një
atmosferë të ndritshme, me bukuri ku përzjehen qiellorja me toksoren, si një
ode gëzimi, edhe pse s’na thuhet, mësojmë nga leximi midis rreshtave se zoga është
martuar me trimin e ëndërruar. Lindja e foshnjës që i qeshet nanës(Zogës) kur
mbi të përkulet. Është metafora e vijimësisë dhe triumfit të jetës. Që në errësirën e mjerimit dhe varfërisë,
ka edhe ca shkëndija drite gëzimi e shprese.
Pjesa
e tretë e poemës,”Lokja” është një rekuiem për fatin e gruas fshatare. E
trajtuar shkurt, por me shumë art e dhimbje. E mbetur vetëm, pas martesës së
Zogës, askush si gjendet në shtëpi.Në ditët dhe netët e acarta dimrore ngryset
dhe gdhihet e vetme. Jetë që shuhet në vetmi ,varfëri, mjerim, me pengje: që
s’lindi dot një djalë, që në shtëpi t’i gjendesh e reja, nipër dhe mbesa.E
mbetur pa një dorë karthia për zjarr në dimrin e ftohtë, që të kujton dimrin e
ftohtë të një poëzie tjetër të Mjedës me të njëjtin emër. Vjen hija e vdekjes,
shuhet drita e flakës, shuhet dhe jeta e Lokes.Vdekja jepet me dy vargje.Poema
aty mbyllet.Na le në zëmër një trishtim.
Duke
lexuar poemën, pyeta veten: a e ka lexuar Migjeni poemën Andrra e jetës? Me
siguri, dhe më lejohet ta mendoj qe ajo ka qenë pararendëse e “Poemës së
mjerimit” dhe “Bukurisë që vret”.Por ndryshe nga Mjeda, që vetëm e vë gishtin
mbi plagë, tek e fundit ai është klerik dhe jo revolucionar, Migjeni shpërthen
dhe rrëfen shkaqet e së keqes. E damkos mjerimin me vulën e turpit, tregon
shkaqet shoqërore të burimit të tij, kuptohet edhe rrugët e zgjidhjes, se
mjerimi s’don mëshirë, por don vetëm të drejt! Por jo me paçavrat që u mykën
tempujve.
Në
mbyllje për artin e vjershëtorit Ndre
Mjeda do të perifrazoj Heminguein ne një letër dërguar Arçibald Makleishit: “Tolstoi ishte profet, Mopasani ishte
shkrimtar profesionist.Balzaku qe shkrimtar profesionist. Turgenjevi ishte artist.” Edhe Mjeda ynë është
artist. Shkrimi i soneteve, lirshmëria e përdorimit të metrikave të ndryshme
dhe rimave, përveç talentit, rrëfen për disiplinë krijuese.Çdo varg është me
bukuri dhe kuptim të mëvetësishëm, fjala e zgjedhur, e gjetur me kujdes që të
tingëllojë e jehojë, strofat janë një unitet artistik. Ai nuk shkruante me
penë, por gdhendte me durim me daltë, në qelën e vet, mbi mermerin e poezisë
dhe krijoi monumente që do t’u qëndrojnë kohërave.
Tiranë, mars-prill 2023
Vazhdon.







