Albert Zholi: Dembeli i Stambollit
Nga
Albert Z. ZHOLI
Fjalën
e urtë "Dembel i Stambollit" e dëgjon kudo edhe sot. Madje në shumë
vende të botës si sinonim i njerëzve përtac, që duan të përfitojnë në mënyrë të
padrejtë. Dhe mendimi të shkon në një kohë të largët, kur hijet e Perandoria
Osmane shtriheshin mbi shumë vende të Ballkanit, rrugët e Stambollit ishin plot
zhurmë, tregje, thirrje tregtarësh dhe lëvizje të pandalshme. Prona private të
bën të mendosh ditë dhe natë...Por pas kësaj gjallërie, fshihej edhe një
realitet tjetër, më i heshtur, që njerëzit e zakonshëm e vëzhgonin dhe e
rrëfenin me humor e ironi. Thuhej se në disa punë publike (shtetërore), sidomos
në ditët e nxehta të verës, disa punëtorë dilnin në kantier jo për të punuar,
por për të "kaluar ditën". Ata merrnin lopatat, i vendosnin në sup,
gjenin një hije muri, e aty – nën diellin përvëlues – nuk gërmonin tokën, por
"gërmonin gjumin". Njëri mbante bishtin e lopatës nën sqetull, tjetri
e mbështeste në tokë dhe përkulej sikur po mendonte për punën... derisa e zinte
gjumi.
Kalonte
përgjegjësi, hidhte një sy dhe ikte. Askush nuk nxitonte. Puna shtyhej për
nesër, e nesërmja për pasnesër. Rroga merrej gjithsesi, ndërsa djersa ishte e
rrallë si shiu në vapë. Një ditë, një udhëtar shqiptar, i ardhur nga malet për
të blerë mall, e pa këtë skenë dhe mbeti i habitur. Ai ishte mësuar me punë të
rëndë, me tokë që nuk falej dhe me djersë që ishte e vetmja rrugë për të
jetuar. Kur pa burrat që flinin mbi lopata, tundi kokën dhe tha me zë të ulët:
-"Këta
nuk janë punëtorë... këta janë dembelë të Stambollit!"
Kur
u kthye në vendin e tij, tregimi i tij u përhap si era. Njerëzit qeshën, por
edhe e mbajtën mend. Dhe kështu, sa herë që dikush i shmangej punës, bënte
sikur punonte apo e linte gjithçka përgjysmë, të tjerët i thoshin me një
buzëqeshje thumbuese:
-"Mos
u bëj si dembel i Stambollit!"
Me
kalimin e kohës, kjo shprehje u bë pjesë e gjuhës së përditshme. Nuk ishte
thjesht një tallje, por një kritikë ndaj atyre që nuk e vlerësojnë punën. Por
në gojën e popullit, shpesh historia shndërrohet në tregim, dhe tregimi në
shprehje. E kështu mbeti edhe sot: "dembel i Stambollit" – një
kujtesë e vogël, plot humor, se puna nuk bëhet duke mbajtur lopatën... por duke
e përdorur atë.










