Qazim Shehu: Një roman psiko-social me tonalitet dramatik

NJË ROMAN PSIKO-SOCIAL ME NJË TONALITET DRAMATIK
Për romanin "Ku(rvë)nata" të Gjon
Markut

Gjon Marku është një autor i njohur dhe mjaft
aktiv në botimin e veprave letrare (poezi dhe prozë), si dhe të veprave studimore
me peshë, të cilat arrijnë të kapin tematika të ndryshme nga lashtësia gjer më
sot dhe që paraqesin interes të shtuar me monografitë e botuara, librat me
intervista apo gjurmime të tjera. Ai është edhe koleksionist-filatelist, çka
tregon për një punë të palodhur të tij, të mbështetur mbi dije dhe sistemime
metodike.
Romani i
tij "Kur(v)nata", me një titull të stilizuar, përmes të cilit, me anë
të këtij titulli provokues, autori synon të tërheqë vëmendjen e lexuesit drejt
realitetit të ashpër, nuk i referohet vetëm një personazhi apo një ngjarjeje të
caktuar, por simbolizon një gjendje më të gjerë morale të shoqërisë. Për të
shenjuar përmbajtjen, autori përcjell, me një prozë plot nerv dhe të
rrjedhshme, përplasjen e njeriut të ndershëm me një shoqëri të mbushur me
korrupsion dhe degradimin e saj moral.
Pikërisht
në këtë shoqëri ndihen edhe përpjekjet e individit të ndershëm për të ruajtur
vlerat e tij morale, edhe pse në këtë mjedis triumfojnë ligësia, hipokrizia,
dyfytyrësia etj., vese shoqëruese që shkojnë zinxhir me njëra-tjetrën, sipas
interesit personal të protagonistëve apo personazheve të tjerë të dorës së dytë
në roman.
Kjo
tematikë e rëndësishme është shtjelluar nga shkrimtari me mjaft mjeshtëri, duke
sjellë në fokus natyrën e individit dhe të shoqërisë, në një ballafaqim sa
moral, aq edhe realist, që zbërthen këtë moral të dyzuar e intrigues.
Integriteti
moral, shoqëruar me vuajtjen dhe forcën shpirtërore të individit, na bën me
dije se njeriu nuk duhet të heqë dorë nga parimet e tij, nga ajo çfarë ai e
gjykon si të drejtë, të mirë e, për këtë arsye, edhe më të dobishme.
Shkrimtari
dëshiron të tregojë, dhe ia arrin kësaj artistikisht, se përfitimet materiale
janë të përkohshme, se pasuria më e madhe e njeriut mbetet ndërgjegjja e tij e
pastër, ajo që nuk pranon asnjë njollë, asnjë yshtje ose asnjë kompromis në
rrugë të gabuar.
Koncepti
i parashtruar më sipër mbi natyrën ideore të subjektit të veprës e bën atë një
roman psikologjik, me tone të forta të të shprehurit dhe me një zhbirilim
këmbëngulës autorial e të kujdesshëm në natyrën e qenies njerëzore, duke na
treguar veçoritë e një romani që shpreh ngjarje, të cilat lëvizin me shpejtësi
në veprimin e tyre për të arritur fundin, por edhe botën shpirtërore të
personazheve, sidomos të Engjëllit, që është personazhi kryesor. Kjo botë
shpirtërore ndien lëvizjen, turbullimin dhe shtrëngatën e shpirtit, të trysnuar
nga ky realitet ballafaques midis individit dhe shoqërisë, siç e cekëm më lart.
Duke i
caktuar subjektit një logjikë artistike, narratori i sjell personazhet
natyrshëm brenda luftës së tyre, në sferën e interesave apo të marrëdhënieve që
ata ndërtojnë me njëri-tjetrin.
Kështu,
krahas vështrimit psikologjik që ai u bën atyre me mjeshtëri në thurjen e
ngjarjeve dhe të reflektimit mbi to, mund të themi se ky roman përfshin dhe
shpreh artistikisht tablo realiste, ku dramaciteti nuk është një petk i hedhur
supeve të ngjarjeve, që ato të mos kenë ftohtë nga diçka që vjen jashtë tyre,
por ai vlon së brendshmi nga konfliktet dhe ky ballafaqim moral tensionues në
vepër.
Engjëlli
është figura qendrore e romanit dhe përfaqëson boshtin ideotematik të veprës.
Ai paraqitet si një njeri i ndershëm, i drejtë, punëtor dhe me ideale të larta.
Që në rininë e tij, ai beson se puna dhe merita duhet të shpërblehen, por
realiteti i tregon të kundërtën.
Engjëlli
përballet me shumë padrejtësi. Nuk fiton të drejtën për të studiuar degën që
dëshiron. Humb vajzën që dashuron. Humb të atin. Përballet me mosmarrëveshje e
largime nga njerëz të tjerë, për të manipulohet dhe shpifet, burgoset
padrejtësisht dhe kjo e bën atë një personazh gati dostojevskian. Pavarësisht
të gjitha këtyre vuajtjeve, Engjëlli nuk humbet karakterin e tij si njeri i
devotshëm ndaj parimeve të larta që manifeston. Ai vazhdon të mbrojë të
vërtetën dhe drejtësinë, duke u bërë simbol i rezistencës morale.
Një nga
aspektet më të rëndësishme të romanit është analiza psikologjike e personazhit
kryesor. Gjatë romanit, Engjëlli kalon nëpër disa gjendje emocionale: shpresë
dhe optimizëm në rini; zhgënjim nga padrejtësitë e para; dhimbje nga humbja e
njerëzve të dashur; zemërim ndaj korrupsionit dhe padrejtësisë; vetmi dhe
mosbesim ndaj njerëzve; pjekuri morale dhe shpirtërore.
Këto
ndryshime e bëjnë personazhin më realist dhe më të afërt me lexuesin. Njerëzit,
zakonisht, kur ndodhen, jo për faj të tyre, në pozita të pafavorshme
marrëdhëniesh të tilla, ata, vullnetdobëtit, fillojnë e dorëzohen dhe i
nënshtrohen fatit, por Engjëlli është ndryshe. Ai është djalë i zgjuar, i
ndershëm dhe me ëndrra të mëdha. Përfundon shkollën me rezultate të shkëlqyera
dhe dëshiron të vazhdojë për mjekësi, por kjo nuk arrihet, sepse këtë degë e
kapin persona me lidhje politike.
Veçse,
ai nuk dorëzohet; vazhdon studimet për inxhinieri. Kur ai del në jetë, ai e
kupton se vendin që meritonte e zënë sërish njerëz të favorizuar nga
privilegjet familjare dhe lidhjet politike.
Engjëllin
e ndjekin fatkeqësi të ndryshme edhe në jetën intime dhe familjare. Humb vajzën
që dashuron, humb të atin. Me këto detaje, autori jo se ka synuar ta bëjë sa më
dramatik romanin, për të mos i dhënë protagonistit një ditë të bardhë, por ai
sjell rastësitë e jetës, të cilat ndodhin, duke u kthyer, përmes verbërisë së
tyre, në domosdoshmëri.
Ai na
tregon se jeta nganjëherë nuk e kursen individin, qoftë me të mirat e saj,
qoftë me të këqijat, dhe shpreh idenë se njeriu, përkundër asaj që ndodh ose që
i vjen pa e thirrur, duhet të tregohet i fortë dhe dinjitoz - një ide që ta
kujton një varg të famshëm të poetit gjakovar Din Mehmetit: "Fatin tim nuk
e nënshkruaj".
Bota
shpirtërore e Engjëllit është e ndjeshme, një botë e thellë, e pasur, e mbushur
me dhembshuri (kur humb të atin). Romani hapet me një skenë prekëse, ku
Engjëlli dhe motra e tij vizitojnë varrin e babait më 3 prill. Kjo skenë ka një
rëndësi të veçantë, sepse vendos atmosferën e përgjithshme të veprës, të
mbushur me kujtime, reflektime dhe dhimbje.
Nga ky
moment nis një rrëfim i gjatë për jetën e protagonistit, për sfidat që ai ka
kaluar dhe për padrejtësitë që ka përjetuar. Vetëm njerëzit me një botë të
pasur ngrihen përballë një realiteti të ashpër, prozaik, të vrazhdë, banal,
kokëfortë në paudhësitë e tij.
Kjo ide
romantike përbën një poetikë të hollë në roman, që vjen si nënshtrat kuptimor -
si një vijë e hollë lirike-dramatike. Synimi i autorit për ta dhënë Engjëllin
si individ me botë të pasur realizohet edhe në momente të tjera. Kjo botë e
pasur i jep romanit një vlerë të dukshme dhe na ndihmon ta shohim këtë
personazh të plotësuar dhe, në zhvillimin e tij artistik, deri në fund.
Vuajtja
i jep Engjëllit një ndërgjegje të qetë; padrejtësia e ushtruar mbi të nuk e bën
dhe nuk ia arrin ta trondisë këtë ndërgjegje. Ai e kupton këtë, ai ka
filozofinë e tij jetësore, moralin e trashëguar dhe moralin e injektuar nga
kultura dhe qëndrimet e tij të drejta e sovrane.
Edhe
personazhet e ndryshme të zhytura në llumin e korrupsionit, të dredhive e të
padrejtësive, si noterja, gjyqtarja Parashqevi, dikur-dikur bëhen viktimë e
asaj që kanë kurdisur vetë. Sepse, siç thotë Shekspiri në tragjedinë e tij të
famshme "Hamleti": "Çdo gjë e nisur me të keq, përfundon për të
keq e për dreq".
Nuk
është puna se deformimi moral e ndyrësia shpirtërore (njollosja) kanë përfshirë
vetëm nivelet e mesme e të larta të shtetit, por ato kanë zbritur deri poshtë,
siç është rasti i dy policëve që mishërojnë oportunizmin, interesin personal
dhe mungesën e theksuar të ndershmërisë.
Romani
"Kur(v)nata" nuk është një rrëfim i thjeshtë ngjarjesh për të
ngjallur një kërshëri, e cila vjen nga episode interesante dhe kurthet e
papritura të ngjarjeve, të cilat autori i realizon me mjeshtëri dhe në mënyrë
të pashkëputshme në zinxhirin e ngjarjeve. Ai është një roman social, me
vështrim të gjerë pasqyrues të një shoqërie të kapur në paudhësitë e saj.
Në
rrëfim përfshihen ngjarje dhe episode që lidhen me realitetin shqiptar, si
tragjedia e Kanalit të Otrantos, aksidentet tragjike me studentë në Himarë,
problemet e pronësisë, grabitjet e pasurive dhe konfliktet e shumta që lidhen
me tranzicionin shoqëror.
Këto
episode e bëjnë romanin jo vetëm historinë e një individi, por edhe pasqyrë të
problemeve që kanë prekur një pjesë të madhe të shoqërisë shqiptare, e një
individ me vetëdije qytetare të lartë nuk ka pse të mos i përjetojë. Ky vështrim
e bën autorin ta zgjerojë përmbajtjen e romanit dhe ta ndërlikojë strukturën
dhe arkitekturën e tij.
Krahas
linjës kryesore e disa linjave të tjera që lidhen me të, prozatori i talentuar,
Gjon Marku, i ka shtuar këto pamje të pasurimit të tij për të treguar botën e
protagonistit, i cili nuk i shikon episodet e lidhura me të si rastësore, por
ato janë shkakësore dhe vijnë si rrjedhojë e tymnajës së një krimi të heshtur
të një shoqërie të rënë në depresion dhe hutim nga mungesa e idealeve dhe
ngutja për t'u pasuruar përmes padrejtësisë.
Romani
është një vepër me një prozë reflektive. Refleksioni dhe mendimet e ndryshme i
japin kësaj proze tipare moderne dhe bëjnë që lexuesi të mos e lexojë atë
thjesht si ngjarje, por, përmes ngjarjes, të futet më thellë te thelbi i
problemeve dhe te tipologjia e tyre.
Autori
ka zotësinë që konfliktin personal ta shndërrojë në një konflikt moral midis së
mirës e së keqes dhe, për rrjedhojë, të japë momentumin e vështrimit filozofik
për historinë dhe rrënjët e këtyre problemeve.
Narratori
dallohet për një gjuhë sa realiste, aq edhe simbolike e poetike. Ai është poet
dhe poeti e shkruan prozën mirë; di të hyjë në gjendjet psikologjike.
Kështu,
emri Engjëll simbolizon njeriun e pafajshëm, por edhe emra të përgjithshëm, si
burgu, ujqërit, drita dhe errësira, mbartin simbolikën e tyre.
Me një
gjuhë të pasur, të gjallë e të këndshme në figura (në masën e duhur, aq sa e
duron proza këtë), si metafora, krahasime, simbole, si dhe dialogë të gjallë e
intensivë-shprehës, e sidomos antitezën dhe kontrastin, shkrimtari Gjon Marku
arrin ta përcjellë veprën më bukur e më këndshëm në lexim.
Sepse
romani lexohet me një frymë për larminë e karaktereve, rrjedhshmërinë e
narracionit, lirizmin e sidomos dramacitetin e fortë, si dhe për ligjërimin
artistik të të rrëfyerit.
Kjo e
bën këtë roman të konsiderohet një nga veprat më të njohura të tij, krahas
romaneve të tjerë që ai ka botuar.


