Prend Buzhala: Diskursi kritik i Brahim Avdylit ndërmjet estetikës, kujtesës dhe angazhimit
DISKURSI KRITIK I BRAHIM AVDYLIT NDËRMJET ESTETIKËS, KUJTESËS DHE ANGAZHIMIT
(Brahim
AVDYLI: “STUDIME KRITIKE DHE DOMOSDOSHMËRIA E NJË POLEMIKE”, (studime,
recensione e vështrime mbi të gjithë shqiptarët dhe një polemikë e
patjetërsueshme), SHB “SAS”, Prishtinë, 2026)

Brahim
Avdyli, me disa vëllime të botuara gjatë viteve të fundit, po shquhet edhe si
autor i ligjërimeve diskursive, sikundër janë vëllimet “Sondazhe për Kosovën dhe kufirin e saj”, vepër shkencore,
materiale e publicistike, SHB “Lena
Grafik”, Prishtinë, 2019; “Bota
shpirtërore në krijimet e veçanta”, kritikë letrare e historike për të
gjitha territoret shqipfolëse e të mërgatës evropiane, SHB “MESHARI”, Prishtinë, 2023; “Parametrat
e dimensioneve letrare”, për autorin e shtatë veprave të Prend Buzhalës, “Lena Graphic”, Prishtinë, 2025; “Intervista – Tri pamje mbi realitetin”,
SHB “Lena Graphic”, Prishtinë, 2025.
Ky vëllim është përkthyer edhe në gjuhën frënge dhe është botuar më 2026 nga e
njëjta shtëpi botuese në Prishtinë. Në të njëjtën periudhë botohet edhe “Studime kritike dhe domosdoshmëria e një
polemike”, SHB “SAS”, (2026).
Libri
më i ri dallohet për ndërthurjen e kritikës letrare me diskursin kombëtar,
historik, publicistik dhe polemik. Një shtresë e rëndësishme e esesë lidhet me
raportin letërsi–histori–kujtesë kombëtare. Që në vështrimin për Xun Çettën,
vepra letrare-dokumentare lexohet përmes rezistencës politike dhe përvojës
historike; letrat, apelet dhe kundërshtimet interpretohen si forma të qëndresës
dhe të mbrojtjes së idealeve kombëtare. Për Avdylin, kritika funksionon në një
hapësirë estetike të lidhur vazhdimisht me historinë, atdheun, mërgatën,
identitetin, kujtesën dhe fatin kolektiv.
Edhe
polemika me Teodor Pangallos-in përbën një pjesë të veçantë të vëllimit, ku
regjistri diskursiv merr një karakter të theksuar gjuhësor e historik. Autori e
quan atë “studim gjuhësor dhe shkencor
historik” dhe e ndërton rreth çështjes së arvanitasve/arbanëve, gjuhës,
prejardhjes dhe raportit shqiptar-grek. Shkaku konkret i polemikës lidhet me
formulimin e Pangallosit për grekët dhe shqiptarët si dy popuj dhe për shqiptarët
si “kushërinj”; Avdyli e kundërshton
këtë premisë dhe mbi të ndërton tezën e vet për vazhdimësinë kombëtare.
Në
një shkrim analitik kushtuar këtij vëllimi të Brahim Avdylit, ruajtja e
distancës kritike krijon hapësirën për të dalluar qartë interpretimet dhe tezat
personale të autorit nga argumentet e konsoliduara shkencore. Vëllimi përmban
pohime të forta etimologjike, historike e gjuhësore, të cilat autori i përdor
si argumente, për shembull mbi arbanët, prejardhjen e greqishtes, lashtësinë e
shqipes etj.
Në
këtë pikë të analizës, distanca kritike i jep trajtimit një bazë më të
qëndrueshme metodologjike. Interpretimet dhe tezat personale të Avdylit mund të
shqyrtohen përkrah argumenteve të strukturuara shkencore, duke dalluar natyrën,
burimin dhe shkallën e mbështetjes së secilit argument. Kjo qasje e bën më të
qartë edhe peshën e pohimeve etimologjike, historike e gjuhësore mbi arbanët,
prejardhjen e greqishtes, lashtësinë e shqipes dhe çështje të tjera të kësaj
fushe.
1. Akti kritik si
shumësi formash
“Studime kritike dhe domosdoshmëria e një
polemike” është vëllim në të cilin Brahim Avdyli e koncepton kritikën si
interpretim të veprës letrare, si akt të kujtesës, të identitetit dhe të
ndërgjegjes kombëtare; prandaj kufiri ndërmjet kritikës letrare, esesë,
publicistikës dhe polemikës historiko-gjuhësore mbetet i përshkueshëm.
Pikërisht kjo ndërthurje përbën njëkohësisht veçantinë dhe pikën më të
diskutueshme metodologjike të veprës. Vetë biografia e autorit ndihmon për ta
kuptuar këtë ndërthurje, pasi ai është krijues letrar (prozator, poet),
publicist dhe autor shkrimesh shkencore në fushën e letërsisë, me një jetë të
lidhur paralelisht me artin e fjalës dhe veprimtarinë kombëtare.
Vëllimi
“Studime kritike dhe domosdoshmëria e një
polemike” i Brahim Avdylit shfaqet si një vepër e gjerë dhe heterogjene, në
të cilën kritika letrare shtrihet përtej kufijve të estetikës dhe lidhet
vazhdimisht me historinë, kujtesën, identitetin kombëtar, mërgatën, përvojën
personale dhe debatin publik. Vetë nëntitulli e përcakton librin si përmbledhje
me “studime, recensione e vështrime mbi
të gjithë shqiptarët” dhe me “një
polemikë të patjetërsueshme”, duke paralajmëruar që në fillim natyrën
shumëplanëshe të tij.
Kjo
shumësi formash përbën procedimin përmes të cilit Avdyli e koncepton vetë aktin
kritik. Për të, të shkruash do të thotë
të flasësh edhe për autorin, për kohën e tij, për historinë që qëndron prapa
tekstit, për përvojën kombëtare dhe, jo rrallë, për përvojën personale të
kritikut. Rrjedhimisht, kufijtë ndërmjet recensionit, esesë, studimit, kujtimit
autobiografik dhe polemikës bëhen të lëvizshëm. Në këtë aspekt, vepra lexohet
si përmbledhje shkrimesh mbi libra të ndryshëm dhe si dëshmi e mënyrës së
veçantë të Brahim Avdylit për ta parë letërsinë dhe rolin e saj.
Teza
kryesore që mund të nxirret nga ky vëllim qëndron në faktin se Avdyli e sheh
kritikën letrare si akt të vetëdijes
letrare. Kritika për të përfshin përcaktimin e vlerës estetike të një poezie
apo të një libri, ruajtjen e kujtesës, afirmimin e vlerave, mbrojtjen e një
identiteti, dhe, kur autori e sheh të nevojshme, kundërshtimin e interpretimeve
që ai i konsideron të padrejta ose të rreme. Kjo qasje përbën njëkohësisht
forcën e veprës dhe pikën në të cilën ajo bëhet më e diskutueshme.
2. Kritika si kujtesë,
dëshmi dhe angazhim

Ky
raport ndërmjet kritikës, kujtesës dhe angazhimit shihet që në punimin për Xun
Çettën, ku Avdyli e trajton karakterin dokumentar të veprës dhe i interpreton
letrat, protestat dhe apelet e të burgosurit politik si forma të rezistencës.
Ai i konsideron këto shkresa si kundërshtim ndaj padrejtësive dhe si vazhdim të
luftës politike në një rrethanë ku individi është fizikisht i mbyllur. Kështu,
dokumenti vlerësohet për informacionin që ruan dhe për funksionin e tij moral:
ai dëshmon se njeriu ka ruajtur zërin e vet dhe qëndrimin e tij përballë
rrethanave.
I
njëjti parim shfaqet, në një formë tjetër, në leximin e Mustafë Krasniqit, ku
Avdyli e lidh poezinë “Eshtrat pezull”
me kujtesën historike, atdheun dhe çështjen kombëtare. Madje ai e pranon hapur
se recensioni do të shohë kryesisht “anën
pozitive të medaljes”, duke e lidhur vlerësimin e veprës me intencat e veta kombëtare. Kjo qasje është
një dëshmi e qartë se kritika e tij ndërtohet mbi afërsi ideore me objektin që
shqyrton dhe mbi një qëndrim të shprehur qartë ndaj vlerave që ai çmon.
Në
këtë vëllim, kujtesa historike është pothuajse gjithmonë e pranishme si një
shtresë e dytë e interpretimit. Një metaforë poetike mund ta çojë Avdylin drejt
historisë së një brezi; një figurë e dhembjes drejt kujtimit të të rënëve; një
libër i mërgatës drejt rolit të diasporës në jetën kombëtare; ndërsa një ese
mund ta çojë drejt debatit mbi gjuhën, identitetin dhe historinë. Për këtë arsye,
kritika e tij funksionon shpesh si akt kujtese: ajo synon të ruajë tekstin
letrar dhe përvojën që qëndron pas tij.
Kjo
shihet qartë në punimin për Qazim Berishën, ku dhembja interpretohet si motiv
poetik dhe si kujtesë e martirëve, dëshmorëve, të pagjeturve dhe humbjeve
familjare. Avdyli e sheh poetin si bartës të zërit të atyre që kanë mbetur pa
zë, duke e kthyer poezinë në një formë të përfaqësimit të kujtesës kolektive.
Kur ai e përmbledh këtë botë duke thënë se në dhembjen e poetit gjenden vuajtjet
e popullit të tij, kritika kalon nga analiza e motivit drejt sferës së
interpretimit historik e etik.
Po
kështu, te Martin Çuni-Antoni, Avdyli e ndërlidh poezinë me përvojën e burgut,
të veprimtarisë dhe të familjes. Veçanërisht “Lulet e jetës, Letra nga burgu, Teutës dhe Agronit” interpretohet
si vepër ku dokumenti, kujtesa familjare dhe letërsia bashkëjetojnë. Ai thekson
se letrat bartin përvojën e babait të burgosur, shqetësimin për fëmijët dhe
dëshirën për t’i edukuar edhe nga larg. Në këtë rast, kritika bëhet edhe dëshmi
e një kohe, sepse vepra përmban ilustrime, skica e faksimile që e kthejnë
përvojën individuale në material kujtese.
Kjo
mënyrë leximi tregon se Brahim Avdyli e koncepton kritikun si vlerësues estetik
dhe si dëshmitar. Ai diskuton metaforën, simbolin, strukturën e poezisë dhe
stilin, siç bën gjerësisht te Erina Çoku dhe Gëzim Ajgeraj; krahas tyre, ai
ndjek edhe shtresat historike, etike dhe kombëtare të veprave. Kritiku, për të,
bëhet kështu edhe bartës i kujtesës dhe interpretues i përvojës që shtrihet
përtej tekstit.
Roli
i dëshmitarit lidhet ngushtë me mënyrën se si Avdyli e vendos veten brenda
historisë që komenton. Në shkrimet e tij ai sjell njohjet me autorët, përvojat
e përbashkëta historike, mërgimin, veprimtarinë politike, ndjekjen, organizimin
kulturor dhe jetën e diasporës. Te Martin Çuni, për shembull, shqyrtimi nis me
kujtimin e njohjes së hershme dhe të veprimtarisë për Radion “Kosova e Lirë”, ndërsa pohimi se ata i
bashkon “ideali, dhe jo organizatat”
shpreh qartë afërsinë ideore ndërmjet kritikut dhe autorit. Avdyli e ndërton
kështu figurën e kritikut si bashkëpjesëmarrës në përvojën që shqyrton.
Kjo
prani bëhet edhe më e dukshme te Ismet Krasniqi-Lala. Vepra mbi urat kulturore
ndërmjet Zvicrës dhe atdheut e shtyn Avdylin drejt përvojës së vet të mërgatës
dhe të organizimit kulturor e politik. Krahas analizës së librit të Krasniqit,
ai sjell kujtime personale, veprimtari dhe njerëz me të cilët ka qenë i lidhur.
Recensioni fiton kështu edhe tipare autobiografike dhe nxjerr në pah një
dimension tjetër të figurës së kritikut: intelektualin e angazhuar.
Në
këtë konceptim, kritiku interpreton tekstin dhe reagon ndaj problemeve që
shfaqen në shoqëri, histori e kulturë. Kjo përmasë del fuqishëm në polemikën me
Teodor Pangallosin, ku Avdyli hyn në një debat identitar, gjuhësor e historik.
Ai e konsideron të nevojshme botimin e polemikës “para opinionit të gjerë” dhe e paraqet reagimin e vet si ndërhyrje
“të patjetërsueshme”. Kritiku
shfaqet, kështu, si lexues, pjesëmarrës dhe bashkëbisedues publik. Përfshirja e
tij e bën të lëvizshëm kufirin ndërmjet kritikës dhe publicistikës, analizës
dhe dëshmisë, letërsisë dhe polemikës. Pikërisht ky komunikim ndërmjet formave
i jep vëllimit veçantinë e tij dhe krijon njëherësh hapësirë për diskutim
metodologjik.
Përvoja
personale e autorit ushtron ndikim të fuqishëm në interpretimin e veprave dhe
shpesh shërben si çelës leximi. Në shkrimet për mërgatën, Avdyli sjell përvojën
e mërgimtarit; në trajtimin e veprimtarisë kombëtare, përvojën e pjesëmarrësit;
në shkrimet për burgun politik, përvojën e brezit të vet; ndërsa në tekstin për
Fitore Avdyli-Baraliun, përvoja e kritikut ndërthuret me atë të babait. Te kjo
e fundit, përfshirja personale merr një intensitet të veçantë. Avdyli e pranon
vetë se është “vështirë të shkruash një
studim” kur je edhe baba i autores. Pohimi dëshmon vetëdijen e tij për
subjektivitetin dhe për ndikimin që afërsia familjare mund të ketë në procesin
kritik. Ai e vendos hapur marrëdhënien personale brenda tekstit dhe e bën atë
pjesë të vetëdijes së kritikës.
Kjo
përfshirje e pasuron ligjërimin me ngrohtësi, përvojë dhe me frymë autentike.
Kritiku shfaqet si njeri që e njeh nga afër botën për të cilën flet, prandaj
vështrimi i tij bart përvojë të drejtpërdrejtë, kujtesë dhe emocion. Në të
njëjtën kohë, afërsia me autorin e zvogëlon distancën kritike, pasi admirimi,
miqësia, përkatësia e përbashkët dhe përvoja familjare ndikojnë në mënyrën e
vlerësimit.
Ky
tension përbën një nga tiparet më karakteristike të librit: Avdyli e ndërthur
përvojën personale me ligjërimin kritik, duke e bërë atë pjesë të vetë
argumentimit. Ai sjell kujtime, bindje, njohje dhe përvoja që burojnë nga
kontakti i drejtpërdrejtë me botën e autorëve që shqyrton. Për këtë arsye,
shumë prej shkrimeve lexohen edhe
si autoportret i kritikut përmes librave
të të tjerëve.
Te
Xun Çetta del në pah përvoja e brezit të rezistencës; te mërgata e Ismet
Krasniqi-Lalës shfaqet përvoja e vetë Avdylit si mërgimtar dhe organizator; te
Martin Çuni rikthehet ideali i përbashkët që i ka bashkuar; ndërsa në shkrimin
për vajzën e tij, përvoja familjare bëhet pjesë e drejtpërdrejtë e aktit
kritik. Në polemikën me Pangallosin dalin në plan të parë bindjet e tij mbi
historinë, gjuhën dhe identitetin.
Këndvështrimi
i tillë e zgjeron dukshëm figurën e kritikut në këtë vëllim. Brahim Avdyli e
koncepton profilin e kritikut si lexues të veprës, ruajtës të kujtesës,
dëshmitar të kohës dhe intelektual që merr qëndrim. Kritika fiton kështu disa
funksione të ndërthurura: interpretimin estetik, ruajtjen e kujtesës, dëshminë
historike dhe ndërhyrjen në debatin kulturor. Ligjërimi i tij ngërthen pasion,
identitet dhe ndjenjë përgjegjësie. Tekstet pikësynojnë ta mbrojnë një autor,
një përvojë, një brez, një kujtesë ose një ide dhe, krahas vlerësimit estetik,
shprehin një qëndrim të qartë të autorit të kritikës.
Krahas
kësaj force shprehëse, shfaqet edhe nevoja për rezervë kritike. Sa më shumë
kritiku identifikohet me objektin, aq më e rëndësishme bëhet ruajtja e dallimit
ndërmjet afirmimit dhe vlerësimit, ndërmjet bindjes personale dhe argumentimit.
Kjo çështje merr rëndësi të veçantë në pjesët historike dhe polemike, ku tezat
e gjera kërkojnë verifikim të pavarur dhe mbështetje të mjaftueshme
dokumentare. Forca retorike e një pohimi përbën një element të ligjërimit;
argumenti shkencor kërkon, përtej saj, burime, dëshmi dhe verifikim.
Vëllimi
mund të lexohet, pra, përmes këtij dyzimi produktiv: Brahim Avdyli shfaqet si
kritik i përfshirë në botën e shkrimit që e interpreton dhe si autor që e ndërlidh
leximin me kujtesën, dëshminë dhe angazhimin. Ai lexon për të kuptuar e për të
kujtuar; analizon për të vlerësuar e për të dëshmuar; shkruan për letërsinë dhe
rikthehet vazhdimisht te historia. Në çastet kur e konsideron të nevojshme,
kritika merr edhe trajtën e angazhimit publik.
Raporti
ndërmjet kritikës letrare, kujtesës historike dhe angazhimit kombëtar përbën
një nga boshtet organizuese të librit. Kritika hap rrugën drejt tekstit;
kujtesa e lidh tekstin me të kaluarën; angazhimi i jep atij kuptim në të
tashmen. Përvoja personale e Avdylit i bashkon këto tri dimensione dhe krijon
një ligjërim ku interpretimi letrar, dëshmia historike dhe vetëpërvoja
komunikojnë vazhdimisht.
“Studime kritike dhe
domosdoshmëria e një polemike” lexohet
si vëllim mbi autorë dhe libra të ndryshëm dhe si portret i një kritiku që e
konsideron letërsinë pjesë të historisë së jetuar dhe kritikën formë të
përgjegjësisë intelektuale. Brenda këtij konceptimi, akti kritik shndërrohet në
hapësirë ku takohen teksti, kujtesa, përvoja dhe qëndrimi qytetar.
3. Nga identifikimi
emocional te poetika e dhembjes
Një
nga tiparet më të dukshme të vëllimit “Studime
kritike dhe domosdoshmëria e një polemike” ka të bëjë me prirjen emocionale
të Brahim Avdylit me autorët, veprat dhe temat që shqyrton. Kritiku hyn në
tekstet e tyre duke sjellë me vete kujtesën, përvojën personale, bindjet dhe
ndjeshmërinë e vet. Për rrjedhojë, kritika e tij merr trajtën e një dialogu
ndërmjet njerëzish që shpesh ndajnë përvoja, ideale ose shqetësime të ngjashme.
Një afërsi e tillë e pasuron analizën, sepse e ndihmon kritikun të depërtojë në
botën emocionale të veprës, ndërsa në raste të caktuara e ngushton distancën e
nevojshme për vlerësimin kritik, sidomos atëherë kur përputhja me autorin ose
me mesazhin e tij bëhet pikënisje e leximit.
Ky
dyzim shfaqet qartë në shkrimin për Xun Çettën. Avdyli e nis interpretimin duke
dëshmuar njohjen me të që nga viti 1981 dhe e vendos veprën e tij brenda një
përvoje historike të përjetuar nga afër. Njohja personale i jep mundësi
letrave, protestave dhe apeleve të burgut t'i shfaqen si dëshmi të një
rezistence që vazhdon edhe përtej kufizimit fizik. Afërsia biografike e pasuron
kështu leximin me kontekst, emocion dhe ndjenjë autenticiteti.
Afërsia
merr trajtë më të theksuar metodologjike kur kritiku kërkon në vepër përputhje
me bindjet e veta. Këtë qëndrim Avdyli e shpreh në recensionin për Mustafë
Krasniqin
Rasti
bëhet edhe më i ndjeshëm te Fitore Avdyli-Baraliu, ku Avdyli është njëkohësisht
kritik dhe baba i autores.
Identifikimi
emocional i Avdylit shfaqet kështu si burim force dhe si kufi i metodës së tij.
Ai i jep kritikës jetë, kontekst dhe përfshirje njerëzore, ndërsa admirimi mund
ta zëvendësojë kundërshtimin, bashkëndjenja mund ta zbusë vërejtjen kritike dhe
përputhja ideore mund të marrë funksionin e kriterit vlerësues. Pikërisht kjo
përfshirje ndihmon për të kuptuar edhe rikthimin e disa motiveve përgjatë
vëllimit, pavarësisht dallimeve ndërmjet autorëve të trajtuar.
Dhembja,
atdheu, mërgata, kujtesa, liria, drita dhe identiteti formojnë një sistem të
brendshëm motivesh që i lidh shkrimet me njëri-tjetrin dhe njëkohësisht
zbulojnë botëkuptimin e kritikut përmes mënyrës së përzgjedhjes dhe
interpretimit të veprave.Atdheu, për shembull, merr kuptimin e një hapësire
shpirtërore përtej territorit fizik. Te Mustafë Krasniqi ai shndërrohet në “gjeografi” të përkatësisë, për të cilën
subjekti poetik shprehet:
“Edhe po të ma vëni /
thikën në fyt / nuk do të heq dorë / nga gjeografia ime!...”
“Gjeografia” këtu përmbledh
kujtesën, gjuhën, historinë dhe ndjenjën e identitetit. Atdheu, në leximin e
Avdylit, fiton funksionin e një hapësire shpirtërore që vazhdon të jetojë
brenda individit edhe në largësi.Prej këtej, atdheu ndërlidhet natyrshëm me
mërgatën. Te Gëzim Ajgeraj, largësia e forcon ndjenjën e përkatësisë dhe e
intensifikon mallin, çka shprehet fuqishëm në vetëpërcaktimin poetik:
“unë jam një grusht dhé
i Sharrit / në trastën e mërgimtarit”.
Mërgimtari
e bart atdheun me vete, ndërsa te Ismet Krasniqi-Lala kjo marrëdhënie merr
formën e “urave” të komunikimit
kulturor ndërmjet Zvicrës dhe atdheut. Avdyli e interpreton kulturën,
letërsinë, artin dhe veprimtarinë e mërgatës si mjete që lidhin brigjet e
larguara fizikisht. Mërgata shfaqet kështu si hapësirë e ruajtjes së
identitetit dhe e vazhdimit të marrëdhënies me vendlindjen.
Kujtesa
përshkon pothuajse të gjitha këto tema dhe krijon një bosht të përbashkët
ndërmjet tyre. Te Xun Çetta ajo lidhet me rezistencën; te Qazim Berisha me të
rënët dhe të pagjeturit; te Martin Çuni-Antoni me burgun dhe familjen; te Gëzim
Ajgeraj me vendlindjen; ndërsa te Ismet Krasniqi-Lala me veprimtarinë kulturore
të mërgatës. Kujtesa merr kështu funksionin e një force që e mban të gjallë
përvojën dhe e kundërvë atë ndaj harresës.
Në
këtë sistem motivesh, liria paraqitet si vlerë e brendshme që jeton në
vetëdijen e njeriut edhe përballë kufizimeve fizike. Kjo shprehet qartë në
vargjet e Martin Çuni-Antonit:
“Kudo të shoh / Pos në
vendin tim.”
Paradoksi
poetik fiton forcë përmes pranisë së lirisë në fytyrën e fëmijës, te nëna,
babai dhe dashuria, ndërsa mungesa e saj në atdhe e shndërron në dëshirë
njerëzore, përjetim të mungesës dhe ideal.
Përballë
dhembjes, mërgimit dhe mungesës shfaqet motivi i dritës, i cili në këtë vëllim
merr funksionin e kundërpeshës së errësirës. Te Gëzim Ajgeraj, Avdyli e lidh
dritën me lirinë, me shpresën dhe të ardhmen, ndërsa vetë poeti shkruan për “fjalën e dritës” që vazhdon rrugëtimin
e saj. Te Fitore Avdyli-Baraliu, drita merr një përmasë edhe më të brendshme:
ajo lind nga procesi i njohjes dhe pranimit të vetvetes dhe arrin te ideja e
shndërrimit të plagëve në “dritë që
udhëheq të tjerët”.
Drita
merr kështu funksion transformues. Ajo lind nga përballja me errësirën dhe i
jep plagës një kuptim të ri. Në poetikën e vëllimit të shqyrtuar, shndërrimi i
përvojës së dhimbshme në forcë shpirtërore krijon një nga vijat më të
rëndësishme të lidhjes ndërmjet autorëve.
Të
gjitha këto motive përfundojnë te identiteti, i cili na del si koncepti më i
gjerë i vëllimit. Identiteti shfaqet në përmasa kombëtare, kulturore, familjare
dhe individuale. Te Mustafë Krasniqi lidhet me gjeografinë e atdheut; te
Ajgeraj me mërgimtarin që e bart vendlindjen me vete; te Ismet Krasniqi-Lala me
urën kulturore të diasporës; te Fitore Avdyli-Baraliu me njohjen e vetes;
ndërsa në polemikën me Pangallosin merr trajtën e një çështjeje historike dhe
gjuhësore. Ndër të gjitha këto motive, dhembja ndryshon më dukshëm nga një
autor te tjetri dhe shërben si një nga çelësat kryesorë për të kuptuar
shumëllojshmërinë e vëllimit.
Te
Qazim Berisha, dhembja shfaqet para së gjithash si kujtesë e plagës. Ajo lidhet
me vëllanë e humbur, dëshmorët, martirët dhe të pagjeturit dhe merr përmasën e një
historie kolektive. Kur poeti shkruan:
“Nuk ta fali dhembjen/
Në pranverën e luleve/As në verën e mërgimtarëve…”
akti
i mosfaljes së dhembjes shndërrohet në ruajtje të kujtesës dhe në refuzim të
harresës. Te Berisha, dhembja fiton
funksion etik dhe memorial: ajo e mban të gjallë kujtimin dhe i jep
përgjegjësi përvojës të së kaluarës.
Te
Gëzim Ajgeraj, dhembja merr trajtën e largësisë. Ajo lind nga mërgimi, ikja dhe
malli dhe shndërrohet në metaforë:
“Udhët m’i vodhën
ëndrrat/ E nëpër dhimbjen e ikjeve ndërtuan piramidën e mallit…”
Dhembja
bëhet, në këtë rast, përvojë hapësinore dhe kohore: rrugët e largojnë njeriun,
ndërsa vitet e mërgimit grumbullohen si gurët e një piramide. Ndryshe nga përvoja memoriale e Berishës, te Ajgeraj
plaga kërkon një dalje drejt dritës dhe shndërrohet në etje për kthim, fjalë
dhe shpresë.
Te
Erina Çoku, dhembja zhvendoset nga historia kombëtare dhe përvoja e mërgimit
drejt brendësisë së individit. Ajo shfaqet si vetmi, trishtim, brishtësi dhe
ndjenjë e kalimit të kohës. Në vargjet:
“Tallazet e shpirtit të
vetmuar/përplasen në brigjet e zemrës sime…”
dhembja
buron nga raporti i individit me vetveten dhe me botën. Ajo merr një trajtë më
intime dhe ekzistenciale, duke u bërë çmim i ndjeshmërisë dhe i vetmisë.
Te
Martin Çuni-Antoni, dhembja fiton dimensionin e ndarjes familjare dhe të
burgut. Kur shkruan për djalin:
“Nuk më mbeti forcë shpirti
as trupi ( ...)/ Vetëm mërmërisja, se fjala më humbi...”
dhembja
arrin deri te humbja e fuqisë për të folur. Fjala e poetit pëson kështu të
njëjtin tronditje që pëson edhe subjekti: përballë plagës, ligjërimi zvogëlohet
në mërmëritje dhe heshtja merr funksion shprehës. Për poetin, i cili jeton
përmes fjalës, humbja e fjalës shënon intensitetin ekstrem të përjetimit. Te Lulet e jetës, vuajtja e burgut merr
edhe trajtën e dhembjes së babait të ndarë nga fëmijët.
Te
Fitore Avdyli-Baraliu, dhembja merr funksionin e transformimit të brendshëm.
Plaga kërkon njohje dhe përpunim; rruga nga Pasqyra
e dhimbjes te Drita që lind nga
errësira shënon kalimin nga përjetimi drejt vetëdijes. Dhembja shndërrohet
kështu në materialin prej të cilit ndërtohet një vetëdije e re. I njëjti motiv
fiton kuptime të ndryshme: te Qazim Berisha, dhembja kujton; te Gëzim Ajgeraj,
mallëngjen dhe kërkon kthimin; te Erina Çoku, vetmohet dhe mediton; te Martin
Çuni-Antoni, dëshmon dhe e çon fjalën deri në heshtje; ndërsa te Fitore
Avdyli-Baraliu kërkon shndërrimin në dritë. Shumësia e këtyre kuptimeve dëshmon
larminë e vëllimit. Avdyli rikthehet vazhdimisht te çështje themelore si
atdheu, liria, kujtesa, dhembja dhe identiteti, duke i zbuluar ato në forma të
ndryshme te secili autor.
Identifikimi
emocional i kritikut kuptohet edhe përmes këtij sistemi motivesh. Avdyli
afrohet me autorët sepse në veprat e tyre gjen tema që përkojnë me botëkuptimin
e tij. Përzgjedhja e poezive dhe librave shoqërohet me përzgjedhjen e përvojave
me të cilat kritiku mund të hyjë në dialog. Këtu qëndron njëkohësisht forca dhe
kufiri i kritikës së tij: ai i lexon të tjerët duke kërkuar në veprat e tyre
edhe një pjesë të vetvetes.
4. Mërgata si vazhdimësi
e atdheut dhe drita si rikthim te vetvetja
Mërgata
shqiptare zë një vend të rëndësishëm në konceptin kulturor dhe letrar të Brahim
Avdylit. Ajo shfaqet si një hapësirë e dytë ku ruhen, krijohen dhe transmetohen
kultura, kujtesa dhe identiteti. Largësia fizike bashkëjeton me vazhdimësinë
shpirtërore; madje, vetë largësia e thekson nevojën për ta mbajtur të gjallë
lidhjen me vendin e prejardhjes, gjuhën dhe kulturën. Mërgata merr kështu një
natyrë të dyfishtë: përvojën e largimit dhe forcën e vazhdimësisë.
Ky
koncept shfaqet qartë edhe në leximin e Gëzim Ajgerajt, ku mërgimtari e
përkufizon veten përmes vargut:
“unë jam një grusht dhé i Sharrit/në trastën
e mërgimtarit”.
Në
këtë figurë përmblidhet një pjesë e rëndësishme e mënyrës se si Avdyli e kupton
mërgimin: njeriu largohet nga toka e vet, ndërsa një pjesë simbolike të saj e
bart me vete. “Grushti i dheut” shënjon
kujtesën e vendlindjes dhe përkatësinë që vazhdon të jetojë jashtë territorit
të saj. Atdheu shndërrohet kështu nga hapësirë gjeografike në atdhe të brendshëm,
të bartur në kujtesë, gjuhë dhe krijimtari.
Mërgata
bart edhe dhembjen e largësisë. Te Ajgeraj, udhët e mërgimit “vjedhin” ëndrrat
dhe ndërtojnë “piramidën e mallit”,
brenda së cilës varrosen “dekadat e arratisë”. Metafora e shndërron largësinë
në një përvojë me çmim të lartë shpirtëror: koha e kaluar jashtë atdheut
grumbullohet dhe merr peshën e një barre të brendshme. Në konceptin e Avdylit,
mërgata përmbledh humbjen dhe ruajtjen, largësinë dhe afërsinë, mallin dhe
veprimtarinë.
Përmasa
e veprimit kulturor del në plan të parë në shkrimin kushtuar Ismet
Krasniqi-Lalës dhe veprës ”Urat e
komunikimit kulturor/Kontaktet me mërgatën shqiptare të Zvicrës – reportazhe,
kronika, recensione”. Që nga titulli “Urat e veprimit në mes të mërgatës e
atdheut”, Avdyli e përcakton marrëdhënien ndërmjet këtyre dy hapësirave përmes
komunikimit. Pyetja e tij, “cilat janë
këto ura të komunikimit në mes të Zvicrës e të Atdheut shpirtëror?”, e
vendos atdheun përtej kufirit territorial, si kategori shpirtërore dhe
kulturore.
Metafora
e urës përbën çelësin e interpretimit të kësaj vepre. Dy brigjet krijojnë
distancën, ndërsa ura krijon kalimin ndërmjet tyre. Në të njëjtën mënyrë,
mërgimi krijon largësi ndërmjet individit dhe atdheut, ndërsa kultura ndërton
rrugët e afrimit. Libri i Ismet Krasniqi-Lalës shndërrohet kështu në dokument
të mënyrave konkrete përmes të cilave janë ngritur këto ura: përmes letërsisë,
pikturës, këngës, aktiviteteve kulturore, shoqatave, takimeve dhe figurave të
ndryshme të mërgatës.
Në
këtë kontekst merr kuptim të veçantë edhe mendimi se “fati i kombit është edhe fati i artit, që kultivohen si urë komunikimi”.
Arti shfaqet si mekanizëm i ruajtjes së një bashkësie të shpërndarë në hapësira
të ndryshme. Largësia gjeografike krijon ndarjen, ndërsa kultura ndërton një
territor simbolik ku njerëzit takohen përsëri.
Avdyli
i kushton rëndësi të veçantë edhe dokumentimit. Emrat, aktivitetet,
fotografitë, kronikat dhe reportazhet fitojnë vlerën e një arkivi kulturor të
mërgatës dhe të një dëshmie për brezat e ardhshëm. Kur Avdyli shkruan se “nuk ka libër që shkruhet pa porosi” dhe
se përvoja u lihet gjeneratave të ardhshme me shpresën për një jetë “më të mirë, më të denjë e më të përsosur”,
libri fiton edhe funksionin e transmetimit ndërbrezor. Lidhja mërgatë-atdhe merr
kështu dy drejtime: horizontalisht, ndërmjet dy hapësirave; vertikalisht,
ndërmjet brezave. Ura lidh Zvicrën me atdheun dhe njëkohësisht të djeshmen me
të nesërmen.
Pohimi
i Avdylit se këto ura “janë simbolikisht
lidhje të brigjeve”, se, edhe kur dëmtohen, mund të ndërtohen përsëri, e
zgjeron kuptimin e metaforës përtej librit të Krasniqi-Lalës. Ura shndërrohet
në metaforë të qëndrueshmërisë së identitetit përballë largësisë.
Avdyli
shprehet se “urat e komunikimit të
mërgatës e atdheut do të jenë gjithmonë” dhe formulon një bindje të qartë
për vendin e mërgatës shqiptare: ajo përbën pjesë të kombit që jeton në një
hapësirë tjetër dhe që, përmes kulturës, vazhdon komunikimin me trungun e vet.
Te
Ismet Krasniqi-Lala kemi urën ndërmjet dy hapësirave; te studimi për Fitore
Avdyli-Baraliun lëvizja bëhet më intime dhe merr trajtën e një ure ndërmjet
njeriut dhe vetvetes. Figurat e dritës, errësirës, plagës dhe shërimit
ndërtojnë një proces të tërë të transformimit të brendshëm.
Vetë
titulli i studimit, “Ta njohësh dhe ta
duash dritën brenda teje, është sugjestion i përkryer i vetvetes”, e vendos
“dritën” në qendër të interpretimit.
Drita buron nga brendësia e individit dhe lidhet drejtpërdrejt me vetënjohjen
dhe vetëpranimin.
Kjo
ide përputhet me deklaratën e autores se libri është “shpirti im që doli në letër, i papërsosur, i çuditshëm, i vërtetë”. Në
këtë formulim, drita lidhet me të vërtetën për vetveten dhe me pranimin e
qenies në tërësinë e saj. Njeriu arrin te drita duke njohur dhe pranuar edhe papërsosmërinë
e vet.
Prania
e plagës bëhet kështu thelbësore në strukturën simbolike të veprës. Ajo
përfaqëson përvojën që dhemb, kujtimin që rëndon dhe konfliktin e brendshëm që
kërkon përpunim. Përmes saj, drita fiton funksionin transformues.
Vetë
organizimi i dorëshkrimit, nga “Thirrja e
shpirtit” te “Pasqyra e dhimbjes”,
pastaj te “Zëri i fëmijës së brendshëm”,
“Drita që lind nga errësira” dhe “Zëri i dritës”, ndërton një trajektore
të qartë transformimi. Struktura mund të lexohet si një udhëtim: individi
dëgjon shqetësimin e brendshëm, sheh dhimbjen në “pasqyrë”, rikthehet te pjesa e cenueshme e vetvetes dhe, pas këtij
procesi, arrin te drita.
Errësira
fiton funksion të veçantë simbolik. Ajo shënon hapësirën e ballafaqimit dhe të
kapërcimit. Vetë formulimi “drita që lind nga errësira” i vendos të
dyja figurat në një marrëdhënie krijuese: drita buron pikërisht nga përvoja e
errësirës së kapërcyer.
Edhe
aforizmi se “vetëdija nuk matet me
qëndrimin lart, por me forcën për t'u ngritur sa herë që bie” e përforcon
këtë ide. Shërimi merr trajtën e një aftësie për t'u ngritur pas rënies. Plaga
dhe shërimi bashkëjetojnë kështu brenda së njëjtës përvojë njerëzore dhe
krijojnë një proces të vazhdueshëm vetëkuptimi. Maja më e lartë e këtij sistemi
simbolik arrihet në mendimin:
“Misioni i shpirtit nuk
është të shmangësh plagët, por të shndërrosh plagët në dritë që udhëheq të
tjerët.”
Në
këtë formulim bashkohen katër figurat themelore. Plaga shënon përvojën e dhembshme; errësira përfaqëson gjendjen që e rrethon atë; shërimi shfaqet si proces pranimi dhe kuptimi; ndërsa drita
përfaqëson kuptimin e ri që lind nga përvoja e përpunuar. Drita merr kështu
trajtën e plagës së kuptuar dhe të transformuar.
Në
këtë pikë, veprat e Ismet Krasniqi-Lalës dhe Fitore Avdyli-Baraliut, ndonëse
shumë të ndryshme, afrohen përmes mënyrës se si Avdyli i interpreton. Te
Krasniqi-Lala kapërcehet largësia ndërmjet mërgatës dhe atdheut; te Fitore
Avdyli-Baraliu kapërcehet largësia ndërmjet njeriut dhe vetvetes. Në rastin e
parë ndërtohet ura kulturore; në të dytin, ura e vetënjohjes. Rasti i parë
lidhet me ruajtjen e marrëdhënies me atdheun, ndërsa i dyti me ruajtjen dhe
rindërtimin e marrëdhënies me vetveten. Të dyja rrugët kalojnë përmes kujtesës,
komunikimit dhe fjalës.
Mërgata,
në konceptin kulturor të Brahim Avdylit, merr kështu përmasë përtej një teme
sociologjike, ndërsa drita te Fitore Avdyli-Baraliu shtrihet përtej figurës
poetike. Të dyja bëhen pjesë e një ideje më të gjerë që përshkon vëllimin:
njeriu ruan lidhjet që përcaktojnë qenien dhe identitetin e tij. Mërgimtari
ruan urën me atdheun; individi ruan ose rindërton urën me vetveten.
5. Nga revolta e Vlera
Ejupit te zëri i angazhuar i kritikut
Në
studimin kushtuar Vlera Ejupit dhe veprës së saj “Pakti me djallin”, Brahim Avdyli gjen një formë shkrimi që
përputhet dukshëm me konceptin e tij për përgjegjësinë e intelektualit: esenë
që e përshkruan realitetin dhe reagon ndaj tij. Vlera Ejupi shfaqet si autore
që mediton mbi përvojën personale, familjen dhe kohën, por edhe si intelektuale
që e shndërron shqetësimin në fjalë dhe fjalën në kundërshtim ndaj dukurive që
i konsideron të papranueshme.
Vetë
autorja, në fragmentin që Avdyli sjell nga “Pakti
me djallin”, e shpjegon zgjedhjen e esesë përmes mundësisë që kjo formë i
jep për të trajtuar një gamë të gjerë temash intime dhe emotive, për të shfaqur
herë “fëmijën e vogël” brenda vetes e
herë revoltën ndaj fenomeneve që prekin krenarinë e popullit të saj. Pikërisht
këtu gjendet çelësi i poetikës së saj eseistike: eseja bashkon rrëfimin për vetveten
me reagimin ndaj botës.
Revolta
intelektuale te Vlera Ejupi, sipas leximit të Avdylit, merr kuptimin e një
qëndrimi të vetëdijshëm përballë deformimeve morale, kulturore ose shoqërore.
Intelektuali, në konceptin e saj, zotëron dije dhe e vë atë në shërbim të
reagimit qytetar. Ky parim shfaqet qartë në kritikën ndaj “heshtjes së pothuajse të gjithëve” dhe ndaj atyre që, ndonëse e
konsiderojnë veten intelektualë, mbyllen në rrethin e tyre dhe prodhojnë “asgjë tjetër pos heshtjes”. Heshtja, në
këtë koncept, merr përmasë etike. Dija fiton funksion shoqëror përmes reagimit
ndaj padrejtësisë ose deformimit. Eseja e Vlera Ejupit merr kështu karakterin e
një ndërhyrjeje publike, ku të shkruarit shndërrohet në mënyrë për të
artikuluar qëndrimin dhe për ta mbrojtur atë që autorja e konsideron të drejtë.
Deklarata e saj se është edukuar “ta
mbrojë të drejtën me çdo kusht” e përforcon këtë dimension. Eseja bëhet
hapësirë ku ndërgjegjja private fiton zë publik: shqetësimi personal
shndërrohet në gjykim mbi shoqërinë.
Raporti
ndërmjet intimes dhe publikes përbën një nga tiparet më interesante të shkrimit
të Vlera Ejupit. Të dyja sferat ndërthuren vazhdimisht: përvoja intime shërben
si pikënisje për çështje më të gjera, ndërsa problemet publike depërtojnë në
jetën emocionale të individit.
Kur
ajo flet për “fëmijën e vogël” brenda
vetes, shfaqet zëri intim; kur revoltohet ndaj dukurive që, sipas saj, cenojnë
krenarinë e popullit, shfaqet zëri publik. Të dy zërat burojnë nga e njëjta
vetëdije dhe plotësojnë njëri-tjetrin.
Në
këtë pikë merr rëndësi edhe motivi “gjaku
nuk bëhet ujë”, të cilin Avdyli e identifikon si pjesë të organizimit të
veprës. Në rrafshin e parë, formula lidhet me familjen, prejardhjen dhe
kujtesën; në një rrafsh më të gjerë, ajo bëhet mënyrë për ta lidhur identitetin
personal me kujtesën kolektive. Kjo lidhje konkretizohet në përkushtimin ndaj
gjyshit, Idriz Sllovijë Bytyqit, dhe në mallin familjar për gjetjen e trupit të
tij. Historia familjare zgjerohet kështu drejt kujtesës së një kohe, ndërsa
përvoja personale hapet drejt historisë.
Në
esetë e Vlera Ejupit, intimja i jep emocion publikes, ndërsa publikja i jep
kuptim më të gjerë intimes. Dimensioni personal i jep revoltës ngarkesë
njerëzore, ndërsa dimensioni publik e zgjeron kujtimin drejt ndërhyrjes
intelektuale. Bashkimi i tyre e krijon esenë si formë të ndërmjetme ndërmjet
rrëfimit dhe reflektimit shoqëror.
Edhe
shqetësimi i autores për jetën moderne dhe teknologjinë funksionon në të
njëjtën linjë. Kur ajo flet për “shpejtësinë
marramendëse” të kohës dhe për teknologjinë që rrezikon të bëhet “dirigjente e kohës sonë”, shqetësimi
shndërrohet në pyetje mbi njeriun dhe aftësinë e tij për ta ruajtur vetveten në
një realitet që ndryshon me shpejtësi.
Në
këso rastesh, bëhet veçanërisht interesante edhe sjellja e Brahim Avdylit si
kritik. Duke interpretuar një autore që e ndërton shkrimin mbi qëndrimin dhe
reagimin, ai e zgjeron analizën e Paktit me djallin drejt bindjeve të veta
historike, politike dhe identitare.
Ky
kalim shfaqet në pjesë të ndryshme të vëllimit.
Te
Mustafë Krasniqi, për shembull, poezia “Eshtrat
pezull” bëhet pikënisje për reflektime të gjera mbi territoret, historinë
dhe identitetin shqiptar. Vetë Avdyli e pranon se ka zgjedhur të flasë për
aspektet pozitive “në raport të intencave
të mia kombëtare”. Interpretimi ndërtohet kështu mbi dy shtylla: strukturën
estetike të veprës dhe horizontin ideor të kritikut.
Te
Ismet Krasniqi-Lala, diskutimi mbi librin për mërgatën i jep Avdylit mundësinë
të rikthehet te përvoja e vet në diasporë dhe te koncepti i tij për atdheun,
mërgatën dhe veprimtarinë kombëtare. Kritika fiton në këtë rast edhe tipare
autobiografike.Te Fitore Avdyli-Baraliu, zëri personal lidhet drejtpërdrejt me
marrëdhënien familjare me autoren; Avdyli e pranon vetë vështirësinë e të qenit
njëkohësisht studiues dhe baba.Te Vlera Ejupi ky fenomen merr përmasa edhe më
të gjera, sepse temat kombëtare dhe identitare të autores i japin Avdylit shkas
të largohet nga analiza e librit dhe të zhvillojë tezat e veta mbi prejardhjen,
historinë, gjuhën dhe identitetin shqiptar. Këtu shfaqet një dallim
metodologjik me rëndësi: objekti fillestar i interpretimit shndërrohet në
pikënisje për vetëshprehjen e kritikut.
Ky
tipar arrin përmasë të veçantë në polemikën me Pangallosin, ku zëri i autorit
del drejtpërdrejt në plan të parë. Avdyli diskuton identitetin e arvanitasve,
gjuhën, historinë dhe marrëdhëniet shqiptaro-greke, duke kërkuar madje që “historia e vërtetë” të rishkruhet.
Në
vëllim shfaqet kështu një lëvizje graduale nga interpretimi i tjetrit drejt
vetëshprehjes së kritikut: libri sjell një përvojë, përvoja e çon drejt
historisë, historia drejt identitetit dhe identiteti drejt qëndrimit personal.
Kjo
lëvizje ngre një çështje metodologjike me peshë: çfarë funksioni merr ndërhyrja
e vazhdueshme e zërit personal në kritikën e Avdylit? Ajo vepron njëkohësisht
si veçori stilistike dhe si kufi metodologjik, varësisht nga pesha që merr në
tekst.
Si
veçori stilistike, zëri personal e bën të dallueshme kritikën e Avdylit. Ai
shkruan si studiues me biografi, kujtesë, bindje dhe përvoja konkrete dhe e
ndërton ligjërimin kritik mbi një prani të dukshme njerëzore. Për këtë arsye,
shkrimet fitojnë ngrohtësi, energji dhe herë-herë karakter dëshmues që një
analizë plotësisht e distancuar do ta kishte më të vështirë ta arrinte.
Përvoja
personale bëhet veçanërisht e vlefshme kur sjell informacion për rrethanat,
njerëzit dhe atmosferën e një kohe të njohur drejtpërdrejt nga kritiku. Në këto
raste, Avdyli shfaqet njëkohësisht si interpretues i dokumentit dhe dëshmitar i
kontekstit të tij.
Zëri
personal krijon gjithashtu një unitet të veçantë në një vëllim shumë
heterogjen. Autorët dhe veprat ndryshojnë, ndërsa zhanret kalojnë nga poezia te
reportazhi, eseja dhe polemika; megjithatë, zëri i Avdylit i lidh përmes disa
shqetësimeve të përhershme: atdheut, lirisë, kujtesës, mërgatës dhe
identitetit.
Në
këtë kuptim, subjektiviteti bëhet nënshkrimi i tij kritik.
Kjo
veçori merr rëndësi të posaçme në pjesët ku Avdyli paraqet teza historike dhe
gjuhësore me shtrirje të gjerë. Vetë ai kërkon mbështetje te historia dhe
gjuhësia dhe kundërshton atë që e konsideron pseudoshkencë, ndërsa disa
përfundime të tij kërkojnë argumentim dhe verifikim të veçantë për t'u trajtuar
si përfundime akademike.
Në
njëfarë mënyre, kritiku e njeh vetveten te eseistja që analizon. Ajo e vendos
revoltën përballë heshtjes së intelektualit; edhe Avdyli i jep kritikës
karakterin e një zëri që kërkon të shprehet. Ajo e lidh përvojën personale me
çështjen publike; edhe Avdyli e lidh biografinë e vet me historinë kolektive.
Ajo e sheh shkrimin si mënyrë për ta mbrojtur atë që e konsideron të drejtë;
edhe Avdyli e koncepton kritikën dhe polemikën si hapësirë të qëndrimit
personal.
Studimi
për Vlera Ejupin bëhet kështu një nga vendet ku shihet më qartë afërsia
ndërmjet objektit të kritikës dhe vetë kritikut. Raporti ndërmjet intimes dhe
publikes që karakterizon esetë e Vlera Ejupit shërben edhe si çelës për ta
kuptuar metodën e Brahim Avdylit. Për të dy, përvoja private zgjerohet drejt
pyetjeve shoqërore, historike dhe identitare, ndërsa çështjet publike marrin
trajtë konkrete përmes jetës dhe kujtesës personale.
6. Kritika afirmative
dhe kritiku si pjesëmarrës
Një
nga tiparet që përcakton më qartë metodën e Brahim Avdylit në këtë vëllim është
prirja drejt kritikës afirmative, pra drejt një leximi që kërkon para së
gjithash vlerat, mesazhet, motivet dhe synimet pozitive të veprës, ndërsa
vërejtjeve për dobësitë estetike, strukturore ose gjuhësore u jep dukshëm më
pak hapësirë. Kjo zgjedhje shfaqet drejtpërdrejt në ligjërimin e tij dhe merr
formë të qartë në shqyrtimin e veprës së Mustafë Krasniqit, ku Avdyli shprehet
se vëmendjen e përqendron te “ana pozitive e medaljes”.
Ky
pohim shërben si një çelës për metodën kritike që shfaqet në një pjesë të
konsiderueshme të vëllimit. Kritiku hyn në vepër me synimin për të zbuluar
vlerat që ajo bart, mesazhet që përcjell, motivet që e strukturojnë dhe
horizontin që synon të hapë për lexuesin. Avdyli i kushton më shumë hapësirë
interpretimit të asaj që vepra shpreh dhe prodhon sesa ndërtimit të një bilanci
të hollësishëm të arritjeve dhe dobësive të saj. Te Qazim Berisha, për
shembull, kritiku kërkon boshtin që i bashkon librat dhe e gjen atë te dhembja,
duke vërejtur se ky motiv përsëritet nga “Lot
gjaku” dhe “Në zemrën time banon
dhembja” deri te “Nuk ta fali
dhembjen”. Përsëritja e dhembjes lexohet si dëshmi e vazhdimësisë së një
plage personale dhe kolektive dhe si element që e mban të bashkuar përvojën
poetike.
Edhe
te Gëzim Ajgeraj, Avdyli përqendrohet te pasuria e metaforave “kolona e mallit”, “etja e fjalës”, “flaka e
mallit”, “kronika e ikjeve”, “gjeografia e udhëve”, “portat e shpresës”, “epoka
e dhembjeve”, “klithma e lirisë”, duke i lexuar ato si një sistem figurativ
përmes të cilit shprehen mërgimi, malli, dhembja dhe kërkimi i dritës. Kritika
merr kështu karakterin e një leximi zbulues dhe afirmues, të përqendruar te
funksioni dhe kuptimi që prodhon poezia.
Vërejtja
kritike me karakter vlerësues dhe kundërshtues merr një hapësirë më të kufizuar
dhe rrallë bëhet qendra e analizës. Këtë e dëshmon edhe vetë Avdyli në
përfundimin e recensionit për Mustafë Krasniqin, kur pohon: “Unë, kam folur vetëm për gjërat pozitive,
në raport të intencave të mia kombëtare. Mund të ketë ndonjë poezi që do të mund
të kritikohet...”
Kjo
fjali merr rëndësi të veçantë për ta kuptuar gjithë vëllimin. Kritiku e bën të
qartë se përzgjedhja e këndvështrimit afirmativ lidhet me një qëllim të
vetëdijshëm dhe me “intencat” e tij
kombëtare. Për rrjedhojë, kritika afirmative shfaqet si zgjedhje metodologjike
e ndërthurur me botëkuptimin e kritikut.
Pohimi
se dëshiron të shohë “anën pozitive të medaljes” tregon, së pari, se Avdyli e
kupton kritikën si proces që duhet edhe të zbulojë dhe afirmojë vlerën, jo
vetëm të evidentojë mangësinë. Në këtë kuptim, kritiku është ndërmjetës midis
veprës dhe lexuesit: ai përpiqet t'i tregojë lexuesit pse një libër duhet
lexuar, cilat motive duhet vërejtur dhe çfarë mesazhi mund të nxirret prej tij.
Ndërkaq,
formulimi “në raport të intencave të mia
kombëtare” zbulon diçka edhe më të thellë: kriteri i vlerësimit nuk është
vetëm estetik.Vepra vlerësohet edhe sipas afërsisë me një sistem vlerash që
vetë kritiku e përfaqëson.Atdheu, liria, kujtesa, rezistenca, mërgata dhe
identiteti nuk janë për Avdylin vetëm tema që ai konstaton te autorët e tjerë;
ato janë tema me të cilat ai vetë identifikohet. Së këndejmi, kur një vepër i
artikulon fuqishëm këto motive, kritiku është i prirur të afrohet me të dhe ta
afirmojë.
Këtu
qëndron njëkohësisht forca dhe kufiri i kritikës afirmative.
Forca
e saj është se Avdyli nuk e trajton veprën si objekt të ftohtë laboratorik. Ai
kërkon të zbulojë energjinë e saj njerëzore, historike dhe shpirtërore;
përpiqet ta kuptojë autorin nga brenda dhe t'i japë lexuesit arsyen pse ajo
vepër ka rëndësi.
Kufiri
shfaqet atëherë kur afirmimi bëhet aq dominues sa vepra nuk vihet më
mjaftueshëm në provë.
Në
një kritikë më të balancuar do të mund të shtroheshin edhe pyetje të tjera: a
funksionojnë njësoj të gjitha metaforat; a ka përsëritje; a është struktura
gjithmonë e qëndrueshme; a arrin mesazhi ideor ndonjëherë ta mbizotërojë vlerën
estetike; a janë të gjitha poezitë të të njëjtit nivel artistik?
Vetë
Avdyli e pranon mundësinë e kritikës, por zgjedh të mos e zhvillojë atë
gjerësisht. Kjo zgjedhje lidhet drejtpërdrejt me figurën e kritikut si
pjesëmarrës.
Avdyli
nuk sillet si vëzhgues që qëndron jashtë veprës, sepse shumë prej autorëve dhe
përvojave që analizon i njeh personalisht ose i përkasin një historie me të
cilën edhe ai është i lidhur. Në shkrimin për Xun Çettën, për shembull, ai e
bën të qartë se miqësia dhe njohja e tyre shkojnë deri në vitin 1981.
Kjo
qasje e ndryshon pozitën e kritikut. Ai nuk po lexon vetëm një dokument mbi një
periudhë historike. Ai po lexon një histori në të cilën njeh njerëzit,
rrethanat dhe idealet. Prandaj, kur letrat, protestat dhe apelet e Xun Çettës
interpretohen si “rezistencë ndryshe”,
Avdyli nuk është vetëm studiues i kësaj rezistence, por në njëfarë mënyre edhe
bashkëkohës dhe dëshmitar i botës nga e cila ajo ka lindur.
Mund
të thuhet se biografia e Brahim Avdylit ndërthuret vazhdimisht me biografitë e
autorëve që interpreton, por jo në të njëjtën masë në çdo punim.
Te
Xun Çetta, ndërthurja vjen përmes brezit, rezistencës dhe njohjes personale. Te
Martin Çuni-Antoni, përmes idealit dhe veprimtarisë. Te Ismet Krasniqi-Lala,
përmes përvojës së mërgatës dhe veprimtarisë kulturore. Te Fitore
Avdyli-Baraliu, përmes lidhjes familjare. Ndërsa në polemikën me Pangallosin,
biografia shndërrohet në botëkuptim: përvojat, bindjet dhe formimi kombëtar i
autorit përcaktojnë mënyrën se si ai e lexon historinë dhe identitetin.
Kjo
do të thotë se libri përmban në mënyrë të tërthortë edhe një autobiografi të
shpërndarë. Avdyli nuk ulet në një kapitull të vetëm për të rrëfyer jetën e
vet. Ajo shfaqet pjesë-pjesë gjatë leximit të të tjerëve. Një autor i kujton
burgun dhe rezistencën. Një tjetër
mërgatën. Një tjetër veprimtarinë kombëtare. Një tjetër miqësinë. Një tjetër
familjen. Një polemikë nxjerr në sipërfaqe bindjet e tij historike dhe
identitare.
Në
këtë mënyrë, ndërsa Avdyli ndërton portretet e autorëve të tjerë, gradualisht
ndërton edhe portretin e vet.
Ky
fenomen shpjegon se përse kritika afirmative është kaq e pranishme. Është më e
vështirë të jesh kritik i ftohtë ndaj një bote ku edhe vetë e sheh veten të
përfshirë. Kur autori që shqyrton përfaqëson një ideal që e ke ndarë, një
përvojë që e ke jetuar ose një kujtesë që e konsideron edhe tënden, analiza
natyrshëm priret drejt bashkëndjesisë. Kritiku pjesëmarrës dhe kritika
afirmative janë dy anë të së njëjtës metodë. Avdyli afirmon sepse afrohet.
Afrohet, sepse njeh. Njeh, sepse në shumë raste ka jetuar pranë së njëjtës
histori. Dhe pikërisht kjo afërsi i jep kritikës së tij karakterin e dëshmisë.
Në
këtë kuptim, pyetja kryesore nuk është nëse Brahim Avdyli është apo nuk është
kritik objektiv, sepse vetë struktura e vëllimit tregon se objektiviteti i
ftohtë nuk është synimi i tij kryesor. Pyetja më frytdhënëse është se çfarë
fiton dhe çfarë humb kritika kur kritiku vendos të jetë pjesëmarrës.
Pikërisht
për këtë arsye, pohimi për “anën pozitive
të medaljes” duhet parë si një nga formulimet më domethënëse të librit. Ai
nuk shpjegon vetëm një recension; në një masë të konsiderueshme, shpjegon
etikën e leximit të Avdylit.
Kësisoj,
“Studime kritike dhe domosdoshmëria e një
polemike” është një vëllim ku kritiku nuk qëndron përballë autorëve si
gjykatës, por ecën shpesh përkrah tyre si bashkëbisedues, dëshmitar dhe
pjesëmarrës. Ky synim e bën kritikën e tij më pak të rreptë në evidentimin e
dobësive, por më të pasur në kujtesë dhe përvojë personale. Dhe pikërisht këtu
qëndron paradoksi i metodës së tij: ajo që ia kufizon distancën kritike është
shpesh e njëjta gjë që i jep shkrimit autenticitetin e tij më të dallueshëm.
7. Nga vargu si dëshmi
te fjala si polemikë
Në
vëllimin ”Studime kritike dhe
domosdoshmëria e një polemike”, citimi poetik zë një vend të rëndësishëm në
mënyrën se si Brahim Avdyli ndërton interpretimin. Kritiku e sjell vargun
drejtpërdrejt brenda tekstit kritik dhe e shndërron atë në dëshmi për
përfundimin që ndërton. Citimi përmbush disa funksione njëherazi: dëshmon
praninë e një motivi, konkretizon një ide dhe hap rrugën drejt interpretimit.
Raporti ndërmjet këtyre funksioneve ndryshon nga një punim te tjetri, sipas
natyrës së veprës dhe synimit të analizës.
Metoda
shihet qartë në analizën për Qazim Berishën, ku Avdyli e përcakton dhembjen si
bosht të krijimtarisë së poetit dhe e lë vetë vargun ta dëshmojë këtë
përfundim. Në poezinë kushtuar vëllait Selim Berisha, poeti shkruan:
“Këto riga të syve/Nuk janë lot ligështie/Por
janë riga malli…”
Citimi
funksionon së pari si dëshmi, sepse lexuesi e sheh drejtpërdrejt praninë e
dhembjes dhe të mallit. Në të njëjtën kohë, ai bëhet pikënisje interpretimi:
dallimi ndërmjet “lotit të ligështisë” dhe
“rigave të mallit” e çon kritikun
drejt një kuptimi të dhembjes si vazhdimësi e lidhjes me njeriun e humbur, si
shenjë e kujtesës dhe e dashurisë. Vargu fiton funksion argumentues; ai bart
brenda vetes drejtimin e interpretimit.
Një
funksion të ngjashëm gjejmë te Gëzim Ajgeraj, ku vargu:
“unë jam një grusht dhé
i Sharrit/në trastën e mërgimtarit”
i
jep Avdylit mundësinë ta interpretojë mërgimtarin si njeri që e bart atdheun me
vete. “Grushti i dheut” paraqitet si
objekt i vogël në përmasë, ndërsa në planin metaforik përmbledh një botë të
tërë: vendlindjen, kujtesën, përkatësinë dhe mallin. Citimi shndërrohet në
bërthamë të interpretimit dhe metafora e vogël merr përmasën e një simboli të
gjerë të përvojës së mërgimtarit.
Edhe
renditja e metaforave të Ajgerajt: “kolona
e mallit”, “damka e përbuzjes”, “etja e fjalës”, “flaka e mallit”, “kronika e
ikjeve”, “gjeografia e udhëve”, “portat e shpresës”, “epoka e dhembjeve”,
“klithma e lirisë”, e mbështet argumentin në materialin konkret të poezisë.
Citimi merr trajtën e një harte të botës metaforike të poetit: përmes figurave,
kritiku tregon mënyrën se si ndërtohet përvoja e mërgimit dhe cilat shtresa emocionale
e përbëjnë atë.
Në
rastin e Erina Çokut, vargjet:
“Tallazet/e shpirtit të
vetmuar/përplasen/në brigjet e zemrës sime…”
i
japin kritikut mundësinë ta lexojë vetminë përmes një metaforike të lëvizjes
dhe përplasjes. Shpirti merr trajtën e detit, zemra shfaqet si breg, ndërsa
ndjenja përfytyrohet si dallgë që godet vazhdimisht botën e brendshme të
individit. Këtu shfaqet një nga format më produktive të citimit te Avdyli:
vargu vendoset në qendër të analizës dhe figura poetike prodhon një varg kuptimesh
që kritiku i zhvillon më tej.
Te
punimi për Mustafë Krasniqin citimi poetik merr përmasë tjetër, sepse prej
interpretimit letrar ai hapet drejt një zgjerimi historik dhe kombëtar. Kur
poeti shkruan:
“Edhe po të ma vëni/thikën
në fyt/nuk do të heq dorë/nga gjeografia ime!...”
Avdyli
e lexon “gjeografinë” si hapësirë
poetike dhe si gjeografi të atdheut shpirtëror, të kujtesës e të përkatësisë
kombëtare. Citimi ndërton një urë ndërmjet tekstit letrar dhe diskursit
historik-identitar të kritikut.
Këtu
shfaqet edhe çështja e shkallës së bindshmërisë së kalimit nga një varg ose
metaforë e veçantë drejt përfundimeve më të gjera historike dhe kombëtare. Një
kalim i tillë fiton forcë interpretuese atëherë kur vetë vargu përmban
potencialin për një zgjerim të tillë kuptimor. Kur poezia i drejtohet
drejtpërdrejt atdheut, lirisë, mërgimit, luftës, të rënëve ose identitetit,
konteksti historik dhe shoqëror bëhet pjesë e natyrshme e leximit.
Vargjet
“nuk do të heq dorë / nga gjeografia ime”,
për shembull, e lejojnë një lexim të “gjeografisë”
si shenjë përkatësie, sepse formulimi poetik e tejkalon kuptimin fizik të
territorit. Avdyli e zgjeron metaforën duke e vendosur në një fushë më të gjerë
simbolike. Në planin metodologjik, dallimi mes metaforës poetike dhe dëshmisë
historike kërkon vëmendje të veçantë. Poezia shpreh një të vërtetë emocionale,
një kujtesë kolektive, një ideal ose një përfytyrim të atdheut; pretendimi
historik, etimologjik ose gjuhësor kërkon burime dhe prova të fushës përkatëse.
Në
disa pjesë të studimit për Mustafë Krasniqin, Avdyli kalon nga struktura e
katër cikleve poetike te interpretimet e territoreve shqiptare dhe më tej te
pohime të gjera mbi Pirron, Aleksandrin, Skënderbeun, prejardhjen dhe
historinë. Brenda botëkuptimit të kritikut, ky kalim ruan koherencë ideore,
sepse të gjitha çështjet lidhen me idenë e vazhdimësisë kombëtare. Nga
pikëpamja metodologjike, megjithatë, koherenca ideore dhe prova historike
përfaqësojnë dy nivele të ndryshme argumentimi.
Avdyli
shfaqet më bindshëm kur kalon nga vargu te interpretimi simbolik; diskutimi
kërkon më shumë verifikim kur vargu shndërrohet në bazë për përfundime faktike
historike. Metafora e dëshmon fuqishëm mënyrën se si një poet e përjeton
historinë, ndërsa historia kërkon një sistem të veçantë burimesh për t’u
dëshmuar. Ky dallim merr rëndësi për një lexim akademik të vëllimit dhe bëhet
edhe më i dukshëm në krahasimin ndërmjet gjuhës kritiko-letrare të Avdylit dhe
gjuhës së pjesës polemike.
Te
polemika me Pangallosin, ligjërimi merr një drejtim tjetër. Përballë kritikut
qëndron një qëndrim i kundërshtueshëm dhe qëllimi i shkrimit përqendrohet te
kundërshtimi, korrigjimi dhe argumentimi. Vetë titulli “Një polemikë e patjetërsueshme me Pongallos-in e Greqisë” dhe
përcaktimi “studim gjuhësor dhe shkencor
historik” e shënojnë këtë kthesë. Fjala “e
patjetërsueshme” e paraqet reagimin si domosdoshmëri.
Në
kritikën letrare pyetja themelore lidhet me atë që thotë dhe nënkupton vepra;
në polemikë, vëmendja përqendrohet te arsyet e kundërshtimit të një pohimi.
Ndryshimi i qëllimit sjell edhe ndryshimin e gjuhës.
Në
pjesët letrare, Avdyli citon poetin për ta kuptuar. Në polemikë, ai citon
Pangallosin për ta kundërshtuar. Kjo shihet qartë te pohimi i Pangallosit se,
nëse grekët kanë kushërinj, “ata janë
shqiptarët”. Avdyli e veçon fjalën “kushërinj”
dhe ndërton rreth saj kundërshtimin e vet, duke e interpretuar atë si formulim
që krijon një distancë identitare ndërmjet dy popujve. Citimi ruan rol qendror
në të dyja format e ligjërimit, ndërsa funksioni i tij ndryshon: në kritikën
letrare ai shërben si material interpretimi, kurse në polemikë merr funksionin
e materialit për kundërargumentim.
Edhe
ritmi i ligjërimit pëson ndryshim. Në studimet për poetët, Avdyli mund të
ndalet gjatë te një metaforë, ta shoqërojë me kujtime dhe ta zgjerojë
emocionalisht; në polemikë, ligjërimi bëhet më kategorik, deklarativ dhe i
drejtpërdrejtë, sepse argumenti kërkon të mbrojë një tezë mbi identitetin. Ky
karakter e veçon “Një polemikë e
patjetërsueshme me Pongallos-in e Greqisë” nga pjesa tjetër e librit.
Dallimi
i parë lidhet me objektin. Në pjesët e tjera, Avdyli ka përballë një vepër
letrare, poetike, dokumentare ose eseistike. Në polemikë, objekt i trajtimit
bëhet një qëndrim që kritiku synon ta kundërshtojë.
Dallimi
i dytë lidhet me raportin me autorin e trajtuar. Në shumicën e recensioneve
ekziston afërsi, simpati ose pajtim me autorët; te Pangallosi, raporti
ndërtohet mbi mospajtimin. Kritiku afirmativ merr rolin e polemistit.
Dallimi
i tretë lidhet me qëllimin. Shkrimet kritiko-letrare synojnë kryesisht t’i
zbulojnë vlerën dhe kuptimin e veprës; polemika synon të mbrojë një interpretim
të caktuar të historisë dhe identitetit.
Dallimi
i katërt shfaqet në shkallën e pranisë së zërit personal. Në studimet letrare,
Avdyli është i pranishëm, ndërsa vepra e autorit mbetet fokusi i analizës. Në
polemikë, zëri i Avdylit dhe bindjet e tij dalin në plan të parë. Diskutimi
zgjerohet nga intervista e Pangallosit drejt arvanitasve, gjuhës, historisë,
identitetit dhe nevojës, sipas autorit, për një rishikim të historisë.
Dallimi
i pestë lidhet me pretendimin për të vërtetën. Poezia pranon shumësi kuptimesh
dhe kritiku propozon një interpretim si
mundësi leximi. Polemika synon të kundërshtojë një interpretim historik
dhe të vendosë përballë tij një interpretim tjetër. Për këtë arsye, në pjesën
polemike tensioni ndërmjet argumentit dhe bindjes personale bëhet më i theksuar.
Avdyli
këmbëngul në mbështetjen te historia dhe gjuhësia dhe e kundërshton atë që e
quan pseudoshkencë. Disa nga tezat historike, etimologjike dhe identitare që
paraqet shtrihen përtej materialit të drejtpërdrejtë të polemikës dhe kërkojnë
shqyrtim të pavarur shkencor. Polemika mund të lexohet, për rrjedhojë, në dy
nivele: si dokument i bindjeve të Brahim Avdylit mbi gjuhën, historinë dhe
identitetin, dhe si tekst me pretendim historik e gjuhësor, ku çdo tezë kërkon
vlerësim përmes burimeve dhe metodave të disiplinës përkatëse.
Në
planin e vëllimit, vendosja e polemikës në fund fiton një funksion strukturues.
Ajo lidhet me punimet letrare përmes temave themelore që përshkojnë librin:
kujtesës, atdheut, gjuhës, lirisë dhe identitetit. Ndryshon forma e ligjërimit
për këto tema. Te poetët, identiteti gjendet në metaforë; te mërgimtari, në
mall; te të burgosurit, në kujtesë dhe rezistencë; te Ismet Krasniqi-Lala, në
urën kulturore. Në polemikën me Pangallosin, identiteti kalon nga fusha e
interpretimit në fushën e mbrojtjes argumentuese.
Nga
fillimi deri në fund të vëllimit mund të ndiqet edhe një ndryshim i funksionit
të fjalës: fjala poetike dëshmon, kritiku e citon dhe e interpreton,
interpretimi zgjerohet drejt historisë, ndërsa në fund fjala e kritikut merr
vetë trajtën e polemikës.
Citimi
poetik dhe polemika, si dy forma të ndryshme të ligjërimit kritik, lidhen nga
një bindje themelore e Avdylit: fjala mbart një peshë njerëzore, historike ose
identitare dhe kritiku merr përsipër ta nxjerrë atë në pah, ta interpretojë
dhe, kur e sheh të nevojshme, ta mbrojë përmes argumentit.
8. Gjuha, identiteti dhe
kufijtë e argumentit në polemikën me Pangallosin
Në
“Një polemikë e patjetërsueshme me
Pongallos-in e Greqisë”, Brahim Avdyli e nis debatin nga një formulim në
dukje pajtues i Teodor Pangallosit dhe prej tij ndërton një çështje shumë më të
gjerë mbi prejardhjen, gjuhën, kujtesën dhe identitetin. Pangallosi, duke folur
për marrëdhëniet shqiptaro-greke dhe prejardhjen e vet arvanitase, shprehet se “nëse grekët kanë kushërinj, ata janë
shqiptarët”. Fjala “kushërinj”, e
cila në ligjërimin e zakonshëm shpreh afërsi, bëhet për Avdylin pika e
mospajtimit, sepse ruan, sipas tij, një largësi identitare që bie ndesh me
konceptin e tij për marrëdhënien ndërmjet arvanitasve (pra “arbanitasve”, thotë
Avdyli!) dhe
shqiptarëve.
Thelbi
i kundërshtimit të Avdylit lidhet me shkallën e përkatësisë. Pangallosi flet
për dy bashkësi të afërta; Avdyli kërkon një trungësi të përbashkët. Pangallosi
përdor metaforën e kushëririt, ndërsa Avdyli kërkon një marrëdhënie identitare
më të drejtpërdrejtë. Vetë Avdyli e lidh reagimin e tij me pohimin për “dy popuj” të ndryshëm dhe e interpreton
historinë e arvanitasve brenda një vazhdimësie shqiptare. Fjala “kushërinj” merr, për rrjedhojë, vlerë simbolike
për gjithë polemikën: ajo shënon distancën që Pangallosi pranon, ndërsa Avdyli
kërkon një përkatësi më të thellë e më të drejtpërdrejtë.
Kjo
logjikë shpjegon edhe rëndësinë që merr çështja e emërtimit “arvanitas/arban”.
Në
një lexim sipërfaqësor, çështja mund të duket si zgjedhje ndërmjet dy formave
të një emri. Për Avdylin, emërtimi merr një peshë shumë më të gjerë sesa ajo
terminologjike. Ai këmbëngul në formën “arban”,
të cilën e lidh me gegërishten dhe me interpretimin e tij të vazhdimësisë shqiptare.
Emri shndërrohet në argument identitar.
Nëse
“arvanitas” kuptohet si emërtim i një
bashkësie të veçantë greke me prejardhje historike të caktuar, atëherë krijohet
një dallim ndërmjet arvanitasit dhe shqiptarit. Nëse termi rikthehet te “arban”, siç kërkon Avdyli, emërtimi
shërben për të theksuar lidhjen me arbërin dhe shqiptarin. Polemika mbi emrin
merr, në thelb, trajtën e një polemike mbi përkatësinë.
Këtu
shfaqet një bindje themelore e Avdylit: emrat mund të bartin kujtesë historike
dhe mënyra e emërtimit të një bashkësie ndikon në mënyrën se si kuptohet
historia e saj. Për të, ndryshimi i emërtimit mund të krijojë një shkëputje nga
vazhdimësia e origjinës, ndërsa rikthimi te emri që ai e konsideron burimor
mund të shërbejë si rikthim te kujtesa e prejardhjes. Prej këtu formohet
trekëndëshi themelor i polemikës: gjuhë – identitet – kujtesë historike.
Gjuha
përbën për Avdylin një nga dëshmitë më të rëndësishme të përkatësisë.
Identiteti shpreh mënyrën se si bashkësia e kupton vetveten, ndërsa kujtesa
historike krijon urën ndërmjet gjuhës dhe identitetit. Në logjikën e polemikës,
humbja e gjuhës dhe ndryshimi i kujtesës së origjinës ndikojnë gradualisht në
vetëidentifikimin e një bashkësie.Për këtë arsye, Avdyli i kushton rëndësi të
veçantë pohimit të Pangallosit se gjyshi i tij kishte komunikuar me Mbretin Zog
“duke shkruar në shqip, me gërma kapitale
greke”. Ky është një nga momentet argumentuese më interesante të tekstit,
sepse kritiku mbështetet në dëshminë që sjell vetë bashkëbiseduesi i tij.
Fakti
që një gjuhë shkruhet me një alfabet tjetër ruan dallimin ndërmjet sistemit
grafik dhe identitetit gjuhësor. Pikërisht këtë përpiqet të nxjerrë në pah
Avdyli: shkronjat mund të jenë greke, ndërsa gjuha, sipas dëshmisë së cituar,
ishte shqipe. Shkrimi shndërrohet në gjurmë të kujtesës gjuhësore.
Në
interpretimin e Avdylit, kjo kujtesë merr rëndësi të veçantë, sepse përdorimi i
gjuhës në rrethin familjar mund të bashkëjetojë me kufizimin e mundësive për ta
mësuar dhe shkruar atë në sistemin shkollor. Humbja e përdorimit publik të
gjuhës bëhet pjesë e shpjegimit të tij për ndryshimin gradual të identitetit.
Në
këtë pikë, polemika fiton një karakter të qartë argumentues. Avdyli merr një
deklaratë konkrete të Pangallosit, e citon, e krahason me deklarata të tjera
dhe nxjerr në pah tensionin që sheh ndërmjet krenarisë për prejardhjen
arvanitase, përdorimit të shqipes nga paraardhësit dhe përcaktimit të
shqiptarëve vetëm si “kushërinj”.
Në
këso rastesh, argumenti polemik fiton forcë, sepse ndërtohet mbi materialin e
vetë intervistës. Edhe pyetja që qëndron në themel të reagimit merr peshë: nëse
një person pranon prejardhjen arvanitase, dëshmon përdorimin e shqipes në
familjen e vet dhe pranon afërsinë e jashtëzakonshme me shqiptarët, atëherë si
mund të kuptohet historikisht kjo marrëdhënie? Edhe kur përgjigjja e Avdylit
mbetet e hapur për diskutim, pyetja që ai ngre ruan vlerë brenda logjikës së
tekstit. Polemika fiton një shtrirje tjetër kur nga deklaratat konkrete të
Pangallosit kalon drejt historisë së lashtë, etimologjive, prejardhjeve dhe
formimit të identiteteve. Në këtë zgjerim, çështja e arvanitasve vendoset
brenda një skeme të gjerë të vazhdimësisë që Avdyli e lidh me pellazgët, ilirët
dhe shqiptarët. Ligjërimi merr një ton më kategorik dhe më pak pyetës.
Këtu
kërkohet dallimi ndërmjet koherencës së botëkuptimit dhe provës shkencore.
Brenda botëkuptimit të Avdylit, argumenti ruan një vijueshmëri të brendshme:
një vazhdimësi e gjatë historike dhe gjuhësore përbën kornizën ku vendoset çdo
dëshmi mbi arvanitasit. Vetë Avdyli e kupton rëndësinë e këtij dallimi, sepse
këmbëngul që çështjet të mbështeten në “shkencat
e historisë”, “gjuhësisë” dhe
disiplinat e tjera, duke kundërshtuar atë që e quan pseudoshkencë. Pikërisht ky
pretendim e bën tekstin veçanërisht interesant për shqyrtim kritik: autori
kërkon standardin e shkencës, ndërsa disa nga argumentet e tij kërkojnë një
demonstrim më të gjerë burimor dhe metodologjik se sa ai që ofron vetë
polemika.
Kur
citon Pangallosin, analizon fjalët e tij dhe nxjerr në pah kundërthëniet që
sheh brenda intervistës, kemi një argument polemik të identifikueshëm. Kur
sjell dëshminë për përdorimin e shqipes të shkruar me alfabet grek, kemi një
fakt të cituar nga intervista, i cili mund të diskutohet dhe interpretohet.
Pohimet e gjera historike dhe gjuhësore kërkojnë një shkallë tjetër vlerësimi,
të mbështetur në burime dhe në metodologjinë e disiplinave përkatëse.
Në
planin e parë, ato janë pjesë e një vepre të Brahim Avdylit dhe dëshmojnë
botëkuptimin e autorit: mënyrën se si e koncepton historinë shqiptare,
rëndësinë që i jep gjuhës, shqetësimin për humbjen e kujtesës dhe bindjen se
identiteti kërkon mbrojtje. Në planin e dytë, ato paraqiten si teza historike,
etimologjike dhe identitare që kërkojnë shqyrtim të pavarur shkencor.
Ky
dallim e vendos tekstin në një perspektivë më të qartë dhe i jep polemikës një
vlerë të veçantë si dokument i mendimit. Vlera e saj lidhet edhe me mënyrën se
si Avdyli e koncepton marrëdhënien ndërmjet identitetit dhe kujtesës, krahas
verifikimit të veçantë që kërkojnë tezat e tij historike e gjuhësore.
Domethënës
bëhet edhe vendi që polemika zë në strukturën e librit. Ajo është vendosur në
fund dhe pozicioni i saj mund të lexohet si një zgjedhje me funksion
përmbyllës. Në pjesët e mëparshme, Avdyli interpreton autorë të tjerë dhe,
përmes tyre, rikthehet vazhdimisht te disa motive: dhembja, atdheu, mërgata,
liria, kujtesa, gjuha dhe identiteti.
Në
polemikën përmbyllëse, këto motive përqendrohen në një pikë të vetme. Atdheu
merr trajtën e një çështjeje historike. Gjuha bëhet dëshmi identitare. Kujtesa
shndërrohet në argument. Identiteti kalon në planin e mbrojtjes. Kritiku merr
rolin e polemistit.
Vendosja
e polemikës në fund të librit mund të lexohet si një përmbyllje ideore e
vëllimit. Deri në këtë pikë, Avdyli ka folur kryesisht përmes librave të
autorëve të tjerë; në përmbyllje, zëri i tij del drejtpërdrejt në plan të parë
dhe shpreh pa ndërmjetësim konceptin e vet për historinë dhe identitetin.
Polemika
mund të kuptohet, në një kuptim të rëndësishëm, si vazhdim i kritikës letrare
me mjete të tjera. Dy format ruajnë lidhje në pikënisje, ndërsa ndryshojnë
dukshëm në metodë. Në kritikën letrare kemi vargun, metaforën, simbolin dhe
interpretimin. Në polemikë kemi deklaratën, kundërargumentin, pohimin historik
dhe retorikën identitare.
Në
të dyja rastet vepron e njëjta bindje e Avdylit: fjala bart peshë dhe
intelektuali merr përgjegjësi për kuptimin që ajo përcjell. Në kritikën
letrare, kjo përgjegjësi shfaqet përmes interpretimit; në polemikë, përmes
kundërshtimit dhe mbrojtjes argumentuese të një koncepti mbi gjuhën, historinë
dhe përkatësinë.
9. Fjala si përgjegjësi
dhe shumëzëshmëria e formës
Në
vëllimin “Studime kritike dhe
domosdoshmëria e një polemike”, Brahim Avdyli e trajton fjalën letrare si
formë shprehjeje që e tejkalon kufirin e estetikës. Poezia, eseja, dokumenti,
kujtimi dhe polemika marrin për të një vlerë që shtrihet përtej bukurisë së
shprehjes: ato ruajnë kujtesën, dëshmojnë përvojën, mbrojnë një vlerë dhe
ndërhyjnë në çështje që autori i konsideron të rëndësishme për shoqërinë dhe
kombin. Kjo bindje shpjegon edhe karakterin e veçantë të librit: larmia e
metodave dhe zhanreve bashkohet përmes një uniteti tjetër, unitetit të
shqetësimeve dhe vlerave që rikthehen nga një punim te tjetri.
Lidhja
ndërmjet kritikës letrare dhe funksionit shoqëror të fjalës shihet që në
mënyrën se si Avdyli përzgjedh atë që dëshiron të nxjerrë në pah te autorët.
Krahas mënyrës së ndërtimit të një poezie, vëmendja e tij drejtohet edhe te ajo
që vepra ruan nga përvoja njerëzore dhe historike.
Arti,
në këtë botëkuptim, lidhet drejtpërdrejt me fatin e bashkësisë. Kjo bindje
shpjegon prirjen e kritikës së Avdylit për ta kapërcyer formalizmin e pastër
estetik. Pyetja “si është shkruar?” shoqërohet vazhdimisht me pyetje të tjera: “çfarë dëshmon?”, “çfarë kujton?”,
“çfarë mbron?” dhe “kujt i shërben kjo
fjalë?”
Kjo
mënyrë e të kuptuarit të letërsisë lidhet drejtpërdrejt me heterogjenitetin
metodologjik të vëllimit. Në planin formal, libri ndërthur disa forma të
ligjërimit kritik.
Në
të bashkëjetojnë recensioni, studimi kritik, vështrimi, eseja, kujtimi
autobiografik, dokumenti dhe, në përmbyllje, polemika historiko-gjuhësore. Vetë
punimet e dëshmojnë këtë larmi. Shkrimi për Xun Çettën paraqitet si “vështrim i shkurtë” i ndërthurur me
shënime biografike; ai për Mustafë Krasniqin si “recension i riredaktuar dhe i zgjeruar”; ai për Martin
Çuni-Antonin si recension i krijimtarisë; ndërsa pjesa për Pangallosin
përcaktohet si “studim gjuhësor dhe
shkencor historik”.
Libri
lëviz, pra, përmes një shumëllojshmërie metodash dhe mënyrash shkrimi. Në një
punim Avdyli analizon metaforën; në një tjetër rindërton biografinë; diku citon
dokumente; diku rikujton përvojën personale; diku shkruan për mërgatën; diku
tjetër hyn në çështje historike; në fund polemizon drejtpërdrejt.
Po
ta shohim vëllimin vetëm përmes kriterit të homogjenitetit akademik, kjo
lëvizje ngre çështje metodologjike. Një studim kritik rigoroz kërkon zakonisht
një metodë të përcaktuar, një raport të qëndrueshëm me burimet dhe një dallim
të qartë ndërmjet analizës letrare, autobiografisë, publicistikës dhe
argumentit historik.
Te
Avdyli, këta kufij mbeten të lëvizshëm. Pikërisht këtu shfaqet një nga çështjet
më interesante të librit: heterogjeniteti lexohet si një tipar strukturor që
lidhet me mënyrën e veçantë të të kuptuarit të letërsisë. Për Avdylin, kufijtë
ndërmjet tekstit dhe jetës mbeten të depërtueshëm. Poezia lidhet me historinë,
historia përjetohet nga njerëz konkretë, ndërsa kritiku ka qenë vetë pjesë e
një kohe të caktuar. Brenda kësaj logjike, kalimi nga poezia te biografia dhe
nga biografia te kujtesa merr një kuptim të natyrshëm.
Vëllimi
shfaqet, për rrjedhojë, heterogjen në formë dhe më homogjen në frymë. Format
ndryshojnë, ndërsa shqetësimet themelore vazhdojnë të rikthehen. Në pothuajse
të gjitha punimet shfaqen dhembja, atdheu, kujtesa, liria, mërgata, identiteti
dhe përgjegjësia e fjalës. Uniteti i librit ndërtohet më shumë nga botëkuptimi
i kritikut sesa nga një metodë e vetme. Në nivel metodologjik kemi shumësi; në
nivel tematik, vazhdimësi; në nivel zhanror, lëvizje; në nivel ideor, një zë
relativisht të qëndrueshëm.
Heterogjeniteti
merr vlerë kur mundëson që vepra të lexohet nga disa kënde njëherazi dhe kur
kritika shndërrohet në hapësirë takimi ndërmjet letërsisë, jetës dhe kujtesës.
Një shumësi të tillë e paralajmërojnë edhe titujt e punimeve.
Titujt
e Avdylit mbartin zakonisht një orientim të qartë interpretues. Në vend të një
emërtimi thjesht informues si “Recension
për librin e Qazim Berishës”, kritiku zgjedh titullin “Dhembja që nuk falet”. Titulli e shfaq interpretimin që përpara se
analiza të fillojë. Fjala “dhembja” identifikon motivin kryesor, ndërsa “që nuk falet” e shndërron dhembjen nga
emocion në qëndrim. Dhembja merr funksionin e kujtesës dhe fiton një dimension
etik.
Titulli
shndërrohet, pra, në një tezë kritike të përmbledhur. E njëjta prirje shfaqet
te Gëzim Ajgeraj me titullin “Metafora e
dhembjes poetike dhe etja e madhe për dritë”.
Edhe
pa e lexuar studimin, titulli paraqet dy polet që Avdyli do të ndjekë në
poezinë e Ajgerajt: dhembjen dhe dritën. Midis tyre qëndron “etja”, si një gjendje e brendshme që e
orienton lëvizjen nga përvoja e plagës drejt shpresës. Kur Avdyli e shpjegon më
pas dritën si simbol të lirisë, të një jete më të mirë dhe të së ardhmes, ai
zhvillon linjën interpretuese të paralajmëruar që në titull.
Edhe
më i dukshëm bëhet ky funksion te titulli “Urat e veprimit në mes të mërgatës e
atdheut” për Ismet Krasniqi-Lalën. Fjala “urat”
përcakton që në nisje një koncept themelor të leximit: lidhjen, ndërmjetësimin
dhe vazhdimësinë kulturore ndërmjet dy hapësirave.
10. Nga bukuria e fjalës
te përgjegjësia e saj
Nëse
kërkojmë një autor nga “Studime kritike
dhe domosdoshmëria e një polemike” për të kuptuar më qartë metodën kritike
të Brahim Avdylit, Mustafë Krasniqi dhe shqyrtimi i vëllimit të tij poetik “Eshtrat pezull” paraqiten si një pikë e
rëndësishme orientimi. Në këtë punim shfaqen pothuajse të gjitha tiparet që më
pas shpërndahen në shkrimet e tjera: nisja nga vargu poetik, kërkimi i
metaforës, lidhja e saj me dhembjen dhe atdheun, zgjerimi nga teksti drejt
historisë, identifikimi kombëtar i kritikut me autorin dhe, mbi të gjitha,
prirja për të nxjerrë në pah atë që Avdyli e quan “anën pozitive të medaljes”.
Te
Mustafë Krasniqi mund të ndiqet pothuajse hap pas hapi mekanizmi i leximit të
Avdylit. Ai nis nga poezia, prej saj nxjerr metaforën, nga metafora kalon te
atdheu, prej atdheut te kujtesa historike, nga kujtesa te identiteti dhe prej
identitetit te qëndrimi i vet kombëtar. Mustafë Krasniqi e bën të dukshme
metodën, ndërsa autorë të tjerë nxjerrin në pah dimensione të veçanta të saj.
Qazim Berisha tregon rëndësinë që Avdyli i jep kujtesës dhe dhembjes; Gëzim
Ajgeraj lidh estetikën e metaforës me mërgimin dhe atdheun; Martin Çuni-Antoni
e afron letërsinë me dëshminë historike e familjare; Ismet Krasniqi-Lala shfaq
funksionin kulturor të mërgatës; ndërsa Vlera Ejupi e afron shkrimin me
revoltën dhe përgjegjësinë intelektuale.
Metoda
e Avdylit shfaqet, pra, më shumë si një mënyrë e të kuptuarit të letërsisë sesa
si një procedim i vetëm interpretimi. Në këtë mënyrë të leximit, vlera
artistike dhe vlera njerëzore lidhen ngushtë me njëra-tjetrën.
Këtu
qëndron edhe raporti themelor ndërmjet estetikës dhe etikës në këtë vëllim.
Avdyli
e vlerëson estetikën dhe i kushton vëmendje metaforës, simbolit, figurës,
strukturës së poezisë, cikleve, gjuhës dhe mënyrës së shprehjes. Te Erina Çoku,
për shembull, vetë titulli “Në
thjeshtësinë e gjërave flet e vërteta simbolike” tregon interesin e
kritikut për mënyrën se si gjërat e zakonshme fitojnë kuptim simbolik.
Te
Gëzim Ajgeraj, Avdyli ndalet te një sistem i tërë metaforash: “kolona e mallit”, “etja e fjalës”, “flaka e
mallit”, “kronika e ikjeve”, “gjeografia e udhëve”, “portat e shpresës”, “epoka e dhembjeve”, “klithma e lirisë”. Kjo dëshmon
vëmendjen e tij ndaj dimensionit artistik të poezisë dhe ndaj mënyrës se si një
sistem figurativ ndërton një botë kuptimore.
Estetika
e dhembjes shndërrohet, në këtë plan, në etikë të kujtesës.
Te
Martin Çuni-Antoni shfaqet një lidhje e ngjashme. Vlera e Lulet e jetës – Letra
nga burgu, Teutës dhe Agronit lidhet me mjeshtërinë letrare dhe me
autenticitetin e dokumentit: letrat, përvoja e burgut, marrëdhënia me fëmijët,
këshillat për shkollimin dhe skicat e ruajtura nga ajo kohë.
Këtu
shfaqet një tjetër kriter themelor i Avdylit: autenticiteti i përvojës.
Në
shumë prej punimeve, autenticiteti merr një peshë pothuajse të barabartë me
përsosmërinë formale dhe, në disa raste, e tejkalon atë. Një tekst mund të ketë
vlerë të veçantë edhe përmes përvojës së jetuar, dëshmisë, kujtesës ose
ndjenjës së sinqertë që bart.
Bukuria
ruan rëndësinë e vet sepse gjuha artistike i jep letërsisë veçantinë e saj. Në
botëkuptimin e Avdylit, bukuria lidhet me jetën dhe me kujtesën. Fjala bart
përvojë, ruan kujtesë dhe, kur çështja e kërkon, hyn drejtpërdrejt në debat.
Këtë funksion e merr në polemikën me Pangallosin.
Struktura
e vëllimit mund të shihet, për rrjedhojë, si një zgjerim gradual i funksionit
të fjalës: fjala si art, fjala si kujtesë, fjala si dëshmi, fjala si identitet
dhe, në fund, fjala si ndërhyrje.
Polemika
përmbyllëse, edhe pse metodologjikisht shumë e ndryshme nga recensionet
poetike, lidhet me logjikën e përgjithshme të librit. Ajo çon në një përfundim
të drejtpërdrejtë bindjen që ka qenë e pranishme që në punimet e para: fjala ka
pasoja dhe intelektuali mbart përgjegjësi për mënyrën se si e përdor atë.
Mesazhi
më përmbledhës mund të formulohet kështu: Letërsia e shndërron përvojën në
fjalë, fjalën në kujtesë dhe kujtesën në përgjegjësi. Në këtë formulë bashkohen
estetika dhe etika. Bukuria i jep përvojës formë; autenticiteti i jep asaj
besueshmëri njerëzore; kujtesa e mbron nga harresa; ndërsa angazhimi i jep
fjalës funksion në të tashmen. Studime kritike dhe domosdoshmëria e një
polemike mund të lexohet, në përmbyllje, jo vetëm si një përmbledhje studimesh
për libra dhe autorë të ndryshëm, por edhe si deklarim i një koncepti mbi
letërsinë dhe rolin e intelektualit. Sipas këtij koncepti, shkrimtari e
shndërron përvojën në formë artistike, ndërsa kritiku e ndjek fjalën përtej
bukurisë së saj, drejt kujtesës, vlerës dhe përgjegjësisë.
Të
dyja veprimtaritë lidhen me vetëdijen se fjala mund të ruajë atë që koha
rrezikon ta humbasë.
Gusht–shtator, 2026


