Llesh Ndoj: Përballë pasqyrës së thyer të kohës
PËRBALLË PASQYRËS SË THYER TË KOHËS
-
Mbresa leximi nga libri me tregime të shkrimtarit Ndue Dragusha “Një çast nga
jeta e Leonorës” (Geer, Tiranë 2026) -

Të
shkruash për personin dhe personalitetin e Ndue Dragushës është një punë krejt
e lehtë. Portreti i tij, gjuha e ëmbël e komunikimit njerëzor, mirësia që shfaq
në të gjithë qënien e tij, të bën shpejt për vete. Ndërsa të shkruash për
veprimtarinë e tij, atë njerëzore, profesionale, botuese, intelektuale e
krijuese në tërësi, nuk është e pamundur, falë aktivitetit të tij publik aq të
gjerë dhe shumëplanësh, që rrallë mund të haset dhe që e ka bërë atë të njohur
për shumëkënd e gjurmët e tij të lehta për t’u gjurmuar. Mirëpo, të shkruash
për një vepër të veçantë të tij, nga shumësia e veprave të botuara, sigurisht
që nuk është e pamundur, por është jo e lehtë, e kjo për shkak të thellësisë së
mendimit filozofik, mesazhit të koduar që përcjell dhe vlerave artistike dhe
letrare, gjithnjë “të maskuar” me fjalën e bukur artistike e shumëformësinë
krijuese, që ai shpalos përpara nesh. Thashë se mendoj se është jo e lehtë, por
kjo nuk do të thotë e pamundur dhe nisur nga premisa, se vështirësitë veçse më
motivojnë, po ndaj disa mendime rreth prurjes së tij më të re në prozë në
librin me tregime të titulluar “Një çast nga jeta e Leonorës”, botim i vitit
2026 nga SHB “Geer”, Tiranë.
Ndjeva
vetëdetyrimin t’a lexoj e komentoj këtë libër, të cilin autori m’a dhuroi si
gjithnjë me atë buzëqeshjen e tij karakteristike. Duke e njohur mprehtësinë e
çdo fjale apo shprehje të tij, e hapa shpejt kapakun e librit e sytë më shkuan
tek një dedikim i autorit, që më vuri në siklet. Aty shkruhej: “Mikut tim që
është turp të mos e kesh mik…”. Për mua është nder që e kam mik, që e lexoj e
mësoj prej tij dhe më lexon, që e shoh gjithnjë aktiv ku mosha e tij, veç
bardhësisë së flokëve, thuajse nuk ka lënë shenja tek ai. Ndoj është i qeshur
edhe kur nuk i buzëqesh koha, është shumë pozitiv edhe pse në shpirtin e tij
shpesh herë dalldisen dallgë që ia rrezikojnë ekulibrin. Gjithnjë tek Ndoj, në
çdo pamje, bisedë, referat e gjendje, kam parë kujdesin e tij që përpara të
tjerëve të shfaqë njeriun, Ndue në variantin e tij më të mirë, jo dijet,
gradat, postet apo pasuritë e tij. Dhe ai është i pasur. Është i pasur se ka
dashuri, është i ri se ka motivim, është i thjeshtë se zotëron dije dhe fytyra
e tij ka rrezatim hyjnorë, sepse ai ka besim.
E
prisja që libri i ri t’m’i shpaloste katërcipërisht këto cilësi të autorit Ndue
Dragusha. Leximi i tij i vëmendshëm m’a vërtetoi se edhe me subjektet e
personazhet e tij, ai na zbulon madhështinë e njeriut të thjeshtë, ku ata janë
një si ne, që nuk synojnë të bëhen heronj, por duke mbetur njerëz në çdo
situatë, zmadhohen para nesh e marrin fytyrën e heroit. Kot nuk thonë se pija
mban shijen e enës ku ruhet. Ndue Dragusha madhështohet para njerëzve që e
njohin, jo për bëma ngritur mbi piedestale boshe, por për thjeshtësinë e
njerëzillëkun e vet, tipare që e ngrenë në piedestale të sigurta portretin e
tij, aty ku është e ashtu siç është. Drama e tranzicionit të tejzgjatur
shqiptar nga një sistem ku njeriut nuk i lejohej të “kishte fytyrën e tij”,
drejt një sistemi ku secili mundet t’a formësoje atë me punë të ndershme e
djersë, por që fatkeqësisht ka ngecur e ngjanë me pamjen në një pasqyre të bërë
copash, është tema që autori ka zgjedhur më së shumti të na e përcjellë përmes
rrëfimeve të tij të bukura, në dukje pa lidhje me njëra - tjetrën, por që në
fakt plotësojnë bukur mozaikun e boshllëkut shpirtërorë, që u krijua nga rrokullima
e ngjarjeve të njëpasnjëshme, rrokullimë që s’po di të ndalet edhe pas mbi tri
dekadash. Këta personazhe e rrëfime vijnë përmes kontrasteve të thella e të
bukura, që vetëm autorë si Ndoj mund t’i sjellin, të tilla si kontrasti mes
pasurisë materiale e asaj shpirtërore, të parës që shtohet e të dytës që
tretet, kontrasti midis dukut e brendisë, ku fasada është më e rëndësishme se
brendia, kontrasti midis moralit që shitet si mall tregu e pretendimeve
moraliste të shitësve të tij, kontrasti midis traditës e së resë, ku më i forti
vepron me lirinë e kohës e ty të imponon shtrëngesat kanunore, etj. Shpopullimi
i vendit, fshatrat që rrënohen, shtëpitë - vila ku fle vetmia, rënkimet e
pleqve e mungesa e rinisë, udhëkryqet e familjes, ku pleqtë mbeten të vetmuar e
fëmijët mbeten pa prindër, një jetë ku alkooli e rendja pas qejfeve vetjake,
njëri nga dera e tjetri nga dritarja, janë sjellë nga autori jo vetëm plot
dramacitet e me një gjuhë të bukur artistike, por edhe me mesazhe edukative dhe
didaktike të forta, gjithnjë pa rënë në moralizime boshe. Ja si vjen njëri prej
këtyre kontrasteve: ...nga 600 shtëpi të fshatit nën malet që zbardhonin nga
dëbora, thuajse bosh, u ngriten 18 vila ku jetonin vetëm 8 pleq, më i riu prej
tyre 45 vjeç! Ky, “më i riu” i fshatit, martohet dhe… Drama vijon: Shtatë
ballkone vrojtojnë një, por gradualisht ballkonet u shuan e ai mbeti i vetëm e
s’kishte më as kush t’a vrojtonte. Mbetën si dëshmitarë vetëm dëbora në male
dhe dritat në fshat që “…ndriçojnë boshllëkun…”, por askund s’ka zëra njeriu,
thotë autori Ndue Dragusha.

Secili
personazh i përzgjedhur me kujdes nga autori Ndue Dragusha, përmes të cilit
komunikon me lexuesit, hyn natyrshëm e bëhet pjesë e pazzëll - it, me veçoritë
e tij, e të gjithë e plotësojnë më së miri skenën gjigande të kohës që ka
mbirë. Sokoli, burri i moshuar që e nxjerr jetesën duke mbledhur kanaçe nëpër
kazanat e mbeturinave, në përpjekjen për mbijetesë, “ballafaqohet” me një mi
gjigand në cepat e kazanit, gjë që kalon “pa konflikt” mes tyre, sepse ajo
çfarë kërkonte njëri nuk i interesonte tjetrit, por ai nuk i shpëton ballafaqimit
me veten, as konfliktit të brendshëm, që nga moment në moment sa vjen e
shtohet. Paradoksale vjen fakti se ndërsa s’i hyn në sy as të birit, që xhiron
gomat e makinës në afalt, duke shetitur me të dashurën derisa përfundon në
aksident, vetë jeton me të shkuarën, me pamjen e gruas që ndërroi jetë ditën e
lindjes së djalit, ndjenë të qarat e tij trishtuese të asaj dite, e mban në gji
një foto të tij, të cilën makina e aksidentit e kishte nxjerrë diku anash
rrugës. Mëdyshja e kohës kur jetojmë, zbret pastaj edhe në shtratin
bashkëshortor, ku vijnë përmes fjalëve të përzgjedhura mjeshtërisht, raportet
dashuri - besnikëri - moral. Përmes një trajtese psikologjike e të bukur,
autori shpalos përplasjet mes dashurisë e besnikërisë, iluzionit e zhgënjimit
dhe konkludon me një thënie brilante: “Ta bëjmë lumturinë tonë harmoni me
natyrën dhe dashurinë tonë, duke mohuar brenda vetes çdo pengesë që na ndanë
nga koha (28), shqiptuar përmes dialogjeve të personazheve të tregimit. Në atë
çast dhoma u mbush me një heshtje të shenjtë…, ëndrrat zgjuan zemrat dhe ata e
ndjenë se koha kishte filluar të rrjedhë në një ritëm të përbashkët,…”, janë
vijimi që e përligj më së miri sa më sipër.
Ja,
krejt natyrshëm autori na bart tek një tjetër mëdyshje: E reja dhe e vjetra,
tradita dhe modernia dhe nevoja, për të ndjekur kohën në harmoni me natyrën e
veten e çliruar nga zhgualli i së vjetrës, me qëllim që të ndjehemi të lumtur,
sepse …koha nuk është një vijë e drejtë, por një spirale ku përplasen e shkuara
dhe e ardhmja, e ku aty në mes qëndrojmë ne, në një moment të përjetshëm
(nënkupto të pa përsëritshëm), që të sfidon me faktin se koha ikën, që momenti
është unikal, i përjetshëm dhe se në kontaktin midis tyre (dy kohëve) lind e
reja, krijimi e vijimësia.
Natyrshëm
e si një “personazh” enigmatik, siç është në të vërtetë, hyn koha e re, koha e
rrjeteve sociale, e celularit dhe e njohjeve pa njohje. Poeti përshëndetet nga
shitësja e gazetave, që e uron për poezitë, që ai nuk e dinte se janë botuar,
një komentues (i burgosur) i bën komplimente në facebook e në mes tyre lind një
miqësi virtuale. I burgosuri i rrëfen se ishte dënuar, sepse në përpjekje për
të shpëtuar nga rrëmbimi me qëllim prostituimi të një vajze, kishte therë një
djalë e ky kishte qëlluar edhe fëmijë politikani. As vajza, as familja e tyre
nuk dëshmuan në gjyqin kundër tij, ndërsa politikani ia hapi atij “dykanatësh”
dyert e burgut, për jo pak, por 25 vite… Trokasin të tjera mëdyshje të kohës,
sepse përpiqesh të jesh njeri dhe dënohesh, kurse kriminelëve u krijohen
hapësira për krime të reja, nëse kanë para e lidhje me pushtetin (36). Pastaj
shfaqet Rolandi, djali i të burgosurit, me fytyrën hyjnore, i cili lidhet me
poeten e re, edhe pse lidhja hasi në kundërshtimin e fortë të të atit, duke i
ofruar asaj parajsën. Gjermania e destinacioni për prostitucion, ishin oferta e
fshehur pas dashurisë. Natyrshëm vjen pyetja: - Kë dashurojmë? Djalli luan
lojën me maska, e ka fytyrën e shenjtit, që shfaqet përmes shprehjes “Edhe
kripa është e bardhë por s’është sheqer”. Babai vuan burgun, se shpëton nga
rrëmbimi vajzën e dikujt që as e kishte njohur, i biri “dashurohet” me vajzën e
tjetrit për t’a prostituuar.

Në
një vend që shuhet, njeriut gjithçka i bie në sy: Një dritë që s’ndizet, një
derë që kyçet apo një ballkon ku s’ndehen më rroba në tel, të ngjallë frikën,
ashtu si personazhit të një prej tregimeve, mësuesit psikolog, me pamjen e një
ballkoni ku varen rregullisht rroba, të cilat i duken si…shpresa të varura
(personazhi Ola, 84), ndonëse përtej bardhësisë së tyre, gëlonin plot halle,
deri atëherë të mbyllura brenda katër mureve, ku i zoti shtëpisë pinte e
ushtronte dhunë ndaj së shoqes. Bashkëpunimi mes Olës e psikologut, sollën
ndryshimin e mbajtësit të familjes e mënyrës së jetesës së tyre, duke na
evidentuar plagët e reja, alkooli e droga, por edhe nevojën uluritëse për
trajtime të specializuara të tyre, sa plaga s’është gangrenizuar ende. Në
tregimet e titulluara “Nata” dhe “Apologjia e shpirtërave…”, hyn nata si
personazh, ku ajo nuk shihet si errësirë, por si një mundësi të shquash atë që
s’ta lejon dita dhe vijnë përmes saj simbolikat e dyfytyrësisë, mungesës së
transparencës, nevojës për t’u shtirë që të mbijetosh, tipare këto të një
shoqërie me mungesë demokracie. Tema e spiunazhit, shpifjes e mjeteve të
pamoralshme për t’a ulur tjetrin, vijnë tek tregimi “Burgu vazhdon përsëri”, e
vijojnë tek ai “Kur ishe i tradhëtuar…”, ndërsa gjaku e gjakmarrja, sëmundje e
rikthyer e së shkuarës troket në ndërgjegjen e lexuesit përmes subjektit të një
tregimi të jashtëzakonshëm: “Njeriu mund të jetë më i madh se hakmarrja…”, ku
Nora, kjo vajzë fshati dhe i ati shfaqin gjithë madhështinë e dhimbjes
njerëzore, ndaj tre djemëve të vetburgosur në një shpellë nga gjakmarrja, por
edhe dritën e besës e të fuqisë së faljes. Rrëfimi i tre djemëve të rinj, se
sëmundja e tyre (gjakmarrja) …nuk filloi me ne, as me baballarët, as me
gjyshërit (161) dhe Gjoka, apo plaku i katundit me deklarimin se: …ka ardhur
koha të shpëtojmë, më shumë se tre djem, …ndoshta të shpëtojmë edhe veten tonë
(164), sjell mesazhin më të fuqishëm të këtij libri, e ndoshta për këtë qëllim
është renditur edhe në fund të tij. Përmes Norës vjen mësimi i vyer se të jesh
njeri, duhet …të mos kalosh pranë të dobëtit pa e parë (159). Po aty shfaqet
edhe një tipar tjetër, madhështia e të cilit nuk njeh kohë si: “Shtëpia e
malësorit është e Zotit dhe e mikut”, ku njeriu që kalon pragun…s’pyetet kurrë
kush je, përpara se të shtrohet sofra (158), se ka uri …që nuk shuhet vetëm me
bukë (158), e të tjera mesazhe të fuqishme edukative.
Ja!
Të gjitha tregimet e shkëputura të librit të Shkrimtarit Ndue Dragusha, ngjajnë
me copat e një loje pazzëll-i, të cilat lexuesi me një lexim të vëmendshëm,
mund t’i bashkojë e të shohë, si në një pasqyrë gjigande, fytyrën e njeriut,
ndërsa vetë koha vjen si një pasqyrë e thyer ku njeriut i duhet punë e mundë të
ruajë pamjen e dëshiruar përballë saj.
Urime
e suksese miku ynë, poeti dhe shkrimari i njohur, Ndue Dragusha!
Lezhë, më 26 shtator
2026


