Tefë Topalli: Kombi i pagëzuar

Gjon Marku në pasqyrën e intervistave: kujtesa, kultura dhe Mirdita
KOMBI
I PAGËZUAR
(Intervista)
"Ç'KA T'IA BËSH KUJT, TA BËJNË E TA
KALOJNË!"
(Për qeshje)
Nga.
Prof. Dr. Tefë Topalli
Thonë... por nuk e ka shkruar askush
deri më sot (sepse do ta kishte gjurmuar Gjon Marku), dhe me siguri do të na
vërtetonte se i takon Mirditës fjala e urtë më sipër!
Pra, ky shkrimtar, publicist e poet,
prozator e etnolog, vjen e bëhet pré e intervistave me gazetarë, klerikë;
biseda me tema të ndryshme: nga filatelia, Kanuni i Lekë Dukagjinit, nga opusi
letrar i I. Kadaresë, biblioteka, arkeologjia, misioni i Nënë Terezës në botë,
për studiuesit mirditorë, deri edhe tek emisioni aq popullor "Gjurmë
shqiptare" e "Shqipëria ndryshe!" i të njohurit Marin Mema.
Ndoshta është një "kurth" miqësor që stafi i gazetarëve i ka ngritur
shkrimtarit tonë, se nuk po ndalet tue intervistue dynjanë; por... dyshoj në
këtë hipotezë, derisa këtu radhitet edhe një klerik, si Dom Davidi, që lutet e
punon pranë Atit të Shenjtë, atij që ndërroi jetë dhe këtij të sapozgjedhur...!
Mbase kanë menduar se autori i mbi 30
librave me studime, krijime në vargje e në prozë, me qindra e qindra pyetje që
ka hartuar ai vetë para se të trokasë në dyert e të intervistuarve: shumica
akademikë e profesorë, dijetarë e specialistë: historianë, gjuhëtarë,
politikanë, arkeologë, agronomë, mësues e pedagogë, autorë librash e tekstesh
shkollore universitare shumica prej tyre, pale: a di vetë ky t'u gjegjet
pyetjeve tona? Nisur nga Drejtori i Kulturës në Mirditë, Gjergj Marku, i cili,
duke e zënë ngusht, brenda bibliotekës së tij, në shtëpinë e tij, i kërkon t'i
shpjegojë letërsitë e cilave fusha dijeje janë këto libra, ardhur këtu në vite
me radhë, kërkon t'i tregojë për koleksione të rralla, të vjetra, si:
"Hylli i Dritës", "Phoenix", "Shkodra në shekuj",
për kolanat e autorëve të shquar shqiptarë e të huaj, bashkëpunimet që ka pasur
në përvjetorë e jubile të ndryshëm organizuar brenda e jashtë vendit; e pyet
për filatelistë të traditës, të sotëm, si i lindi ky pasion për filatelinë, si
vjen historia e Shqipërisë apo e disa qyteteve nëpërmjet pullave postare, si
deshifrohet kjo fushë enigmatike për shumë njerëz, a dallohen shtetet europiane
për zhvillimin e kësaj dege postare, a ka seleksionim politik brenda
filatelisë, bie fjala, për periudhën e diktaturës, marrëdhëniet me Kinën, BS
etj.; për lindjen e një pasioni të ri: me kartat telefonike etj.(1)
Intervista e Gjergj. Markut me Gjon
Markun është më e gjata ndër të gjitha këta dialogë që përmban libri. Është një
test shumë interesant që i intervistuari e kalon me sukses dhe në masën e
duhur, me përgjigje të përmbledhura bukur dhe me gjuhë ekonomike.
Fragment:
"Joana, natyrisht, nuk e ka
konceptin e një koleksioni të mirëfilltë, gjithsesi kartat telefonike janë
renditur me kujdes në albume dhe ato nuk janë pak, por arrijnë në 12 shtete,
edhe pse s'janë të plota dhe të renditura në seri. Unë nuk i kam siguruar
nëpërmjet refugjatëve, të cilët pasurojnë gjithnjë e më tej këtë koleksion. Unë
i rendis dhe ia jap Joanës, pasi kam konstatuar mungesat; porosis refugjatët
tanë jashtë të m'i sigurojnë, edhe pse ajo i pëlqen, por ngaqë kartat
telefonike e kanë mundësinë e dëmtimit shumë më të vogël.
Nuk kam ndër mend t'iu imponoj
fëmijëve, por, po të ndodhë, do të jem shumë i lumtur, sikur të vazhdojnë
gjatë...." (2) (f. 26–27)
Veçantinë e librit me intervista
drejtuar Gjon Markut nga persona të ndryshëm e përbën fakti se ai ka edhe raste
që thirret në TV Kombëtar për këtë veprimtari gazetarie, siç ndodh me znj.
Hygerta Sako, e cila ka vite që drejton emisione sportive në këtë media. Në
rubrikën "Jo vetëm kafe", ai qëndron i gatshëm të marrë tematikën
prej punonjëses së TV dhe t'u përgjigjet pyetjeve për historikun e Ndërfanës,
periudhën e Arbërit, botimet tradicionale në Mirditë para Luftës së Dytë
Botërore, çfarë ka botuar së fundi vetë Gjon Marku, cilët personalitete ka bërë
ai objekt bisede dialogjike, cilët albanologë citon ai, ç'lidhje ka Kanuni me
Mirditën, po lindja e argumentit dhe hartimi i poemës "Lahuta e
Malcis" të Fishtës, si dhe cilat janë planet krijuese të autorit Gjon
Marku etj.
Fragment
"Unë ia kam kushtuar studimet
e mia Mirditës, sepse mendoj që për tre shekujt e fundit Mirdita ka zënë një
vend të rëndësishëm e të veçantë në historinë e Shqipërisë, sepse janë studiues
nga vende të ndryshme që janë marrë me kërkime në Mirditë, që nga Hahni,
Hekardi, Galanti, Nopça, Baldaçi, Degrand, Kasanina, Ivanova etj. Ata nuk
rreshtin së ardhuri e thelluari njohjen e krahinës, për të drejtën zakonore,
për Kanunin e Lekë Dukagjinit e mënyrën e jetesës, pa lënë jashtë natyrën e
vendit dhe relievin, si resurse turistike."(3)
Synimet dhe nevojat për librat e tij
që lidhen me Mirditën e kanë bërë Gjon Markun të bashkëpunojë e të njihet edhe
me personalitete që jetojnë jashtë vendit; kështu, ai është intervistuar edhe
nga drejtori i Radio-Vatikanit, dom David Xhuxhaj, i cili ka dashur të dijë
edhe qëllimin kryesor pse autori i disa vëllimeve me intervista vazhdon të
takojë intelektualë të profesioneve të ndryshme, të cilët e shohin krahinën e
Mirditës nga disa këndvështrime, duke sjellë secili diçka të re në mendimin e
tij, jo për ta glorifikuar popullin e saj dhe as për të treguar se vetëm ajo
zonë ka dhunti natyrore e pasuri më të shumta se pjesët e tjera të Shqipërisë.
Gjoni shprehet me krenari se në dokumentet e Gëziqit për herë të parë zbulohet
përdorimi i fjalës "Komb" në një shkrim epigrafik. Në serinë e gjatë
të librave që ka botuar me intervista, ai e ka kuptuar se zanafilla e
përshkrimit shkencor të hapësirës mirditore duhet nisur nga akademikët,
institutet kërkimore të Tiranës e Prishtinës, prandaj edhe ai e ka gjurmuar në
atë masë mendimin e thellë të personaliteteve në këto qendra. Nga ana tjetër,
për ne që po sjellim kuintesencën e punëve botuese të Gj. Markut, ka rëndësi të
vërejmë se autori ynë ka një përgatitje shumë të mirë për historinë dhe
kulturën shqiptare edhe në planin e trashëgimisë së traditës dhe zhvillimit të
saj.
Fragment
"Nga personalitetet që kam
intervistuar për Mirditën do të veçoja prof. Peter Bartl, i cili i ka kushtuar
studime të jashtëzakonshme krahinës. Vepra e tij fatmirësisht tashmë është
përkthyer nga IA e Prishtinës dhe e kemi këtu për lexuesit shqiptarë. Ai sjell
të dhëna të reja në punën e tij kërkimore. Disa studiues të tjerë i kam
intervistuar në fund të jetës së tyre, si: At Zef Pllumi, Dhimitër Shuteriqi,
Kolë Jakova etj., të cilët kanë pasur prurje aq të veçanta për Mirditën, të
paprekura e të panjohura më parë as prej meje..." (4)
Poeti dhe gazetari Demir Gjergji - i
njohur jo vetëm në lëmë të letërsisë e krijimeve që ka publikuar, por edhe si
specialist i medias së folur kryesisht -e ka pasur në studion e tij Gjon Markun
dhe ka biseduar gjatë me të për shumë çështje që mbulon ai në tematikën e
veprave të tij përgjatë viteve. Ai ka dashur të dijë për të ashtuquajturën
"Mirdita e kuvendeve", për formimin arsimor të shkrimtarit Marku, për
konceptin e termit "metropol kulture" në Shqipëri, për filatelinë si
degë kulture dhe pasion të Gjonit, për trajtimin në popull të Kanunit të Lekë
Dukagjinit dhe poemës "Lahuta e Malcis" të Gj. Fishtës, për Kuvendin
e fretërve Benediktinë në Orosh e mbarë Mirditën, për figurën dhe veprimtarinë
e Abat Doçit, Derës së Kapidanit, për disa klerikë nga hapësira e Mirditës që
kanë studiuar jashtë vendit, për lidhjen dhe vetëqeverisjen e Mirditës, vrasjen
e Preng Bibë Dodës në Lezhë, për Mirditën dhe regjimin komunist, pa lënë jashtë
edhe mendimin e shkrimtarit për zbulime e interpretime të ndryshme nga
historianë, gjeologë dhe paleontologë shqiptarë e të huaj rreth gjetjeve
arkeologjike etj.
Fragment
"Preng Bib Doda u vra te Gurrat
e Lezhës nga Gjeto Coku. Ajo vrasje shkaktoi dëme të mëdha, sepse mbeti një
ngjarje enigmatike, e painterpretuar plotësisht as nga historianët tanë. Preng
Bib Doda, ashtu edhe Abati, janë quajtur filo-austriakë. Austria në atë kohë
kishte një peshë të dukshme në Shqipëri. Në ato vite u mbyllën shkollat
italiane dhe Austria hapi shumë shkolla në Veri; librat mësimorë shtypeshin në
Vjenë dhe me këtë rast u fut gjuha shqipe edhe në shkollat e Mirditës. Ishin 11
shkolla, kurse në Orosh funksiononte edhe konvikti pranë shkollës së mesme..."
(5)
Ndërsa poeti dhe studiuesi Mikel
Gojani, nga Klina e Kosovës, e merr në intervistë Gjon Markun për mjaft çështje
e probleme të letërsisë, kulturës dhe veprimtarinë e personaliteteve që janë
vjelë prej vetë Markut, si: formimin e tij arsimor dhe enciklopedik,
bashkëpunimet që ka pasur dhe ka ai me qytete të ndryshme të vendit, me agjenci
letrare dhe shtëpi botuese, revista e gazeta, qendra e institucione kërkimore,
si dhe çfarë tematike e tërheq më tepër atë në krijimtarinë e tij të pasur; më
gjatë për historinë e Mirditës, për jetën e disa figurave që kanë lënë gjurmë
në zhvillimin e zonës, si dhe për gjendjen e letërsisë shqiptare në Shqipëri e
Kosovë, integrimet në art të dy vendeve, rajonizimin e letërsisë sonë etj.
Fragment
"Europa i kishte pagëzuar 'princa'
Bibë Dodën dhe Preng Bibë Dodën. Stambolli, s'kishte nga të shkonte dhe u
kishte dhënë titullin 'Pasha' (pra të drejtën për të drejtuar 10 mijë
luftëtarë), sepse Bibë Doda dhe mirditasit kishin qenë përcaktues të fateve të
Luftës së Krimesë, e Papa do t'i jepte 'Urdhrin e Shën Grigorit'. Sa herë
Shqipëria është gjetur në zgrip, apo sa herë janë vënë gurë themeli të
pashkulshëm, gurë të rëndë e të fortë identiteti, gjithnjë e gjithherë ka qenë
aty edhe Mirdita me mirditasit, me fjalën e tyre të mençur e besën e
dhënë..."(6)
Përfundime:
Në këtë botim të sinqertë (me
intervista) që i merren shkrimtarit Gjon Marku, na shfaqet formimi kulturor dhe
enciklopedik i autorit tonë në lëmë të historisë, letërsisë dhe kulturës
mbarëshqiptare, në mënyrë të veçantë për njohjen e figurave të shquara të
arealit mirditor e më gjerë, në shkallë kombëtare. Veç intervistave që u
pasqyruan më lart, Gj. Markun e kanë "provuar" në këtë fushë edhe
folkloristi i njohur Gjon Frroku (në 38 faqe), Kristjana Pema, Marin Mema, S.
Kastrati - L. Kavaja, Gj. Marku dhe Pëllumb Troci.
Literatura
Gjon Marku, Aty ku nis
pagëzimi i kombit, Intervista, EMAL, Tiranë, 2004. f. 26–27.
Po ai, po aty, f. 33.
Po ai, po aty, f. 45–46.
Po ai, po aty, f. 62.
Po ai, po aty, f. 81.





