Paulin Zefi: Kisha mesjetare e Shën Demetrit ose Sh'Medrit (shek. XIV)

Kisha mesjetare e Shën Demetrit ose Sh'Medrit (shek. XIV), në luginën e thellë malore mbi Treshin e Vjetër dhe fshatin Dardhë, Malësi e Lezhës
Nga
Paulin Zefi
Pasi
kam kontaktuar dhe intervistuar një numër të konsiderueshëm banorësh të
Manatisë, Dardhës dhe Treshit, pa arritur të siguroj një orientim të saktë
topografik, ndihma vendimtare për lokalizimin e rrënojave të kësaj kishe, të
braktisur prej një kohe të gjatë dhe të mbuluar nga një vegjetacion shumë i
dendur, më ka ardhur nga një hartë ushtarake italiane e vitit 1941. Më pas, për
të arritur një nivel sigurie të plotë (100%), kam shfrytëzuar hartat
topografike të ASIG-ut (Autoriteti Shtetëror për Informacion Gjeohapësinor). U
krye! Përpos rilevimit dhe dokumentimit të gjëndjes fizike aktuale, sot, së
bashku me mikun dhe bashkëpunëtorin tim të ngushtë, njëkohësisht Shefi i
Galerisë së Arteve, Lezhë, Z. Leonard Lesaj, realizuam edhe pastrimin e kësaj
kishe nga vegjetacioni i lartë.
Kisha
e Shën Demetrit përmendet për herë të parë në dokumentacionin historik më 23
maj 1407, në një letër të Papa Gregorit XII drejtuar Arqipeshkvit të Tivarit
(Archiepiscopo Antibarensi). Në këtë korrespondencë, Ati i Shenjtë kërkon
lirimin e 12 kishave të uzurpuara nga Ipeshkvia e Lezhës, përfshirë edhe këtë
kishë, në favor të juridiksionit të Ipeshkvisë së Arbnit. Vendimi papnor duket
se është nxitur edhe nga ndërhyrja politike e Gjon Kastriotit, i cili më 3
prill të po atij viti i kishte kërkuar Republikës Veneciane të ndërmjetësonte
në zgjidhjen e këtij konflikti kishtar në favor të Ipeshkvisë së Arbnit. Kisha e
Shën Demetrit përmendet në mënyrë të dendur në dokumentacionin historik, në
fillim si pjesë e fshatit "Span" dhe më vonë e fshatrave
"Dardhë" e "Tresh." Dëmtimi më i madh që ka pësuar kjo
kishë gjatë periudhës së pushtimit osman lidhet me vitin famëkeq 1787, gjatë
fushatës ushtarake të udhëhequr nga rivali i Bushatllinjve, Mehmet Pashë
Çausholli. Ky i fundit, pasi e plaçkiti dhe e zhveshi atë nga të gjitha
orenditë e saj, më pas i vuri zjarrin dhe bashkë me Kishën e Shën Demetrit
dogji të gjitha shtëpitë e fshatrave të lartpërmendur, Dardhë e Tresh. Kjo
kishë nuk u rindërtua më në asnjë fazë të mëvonshme dhe, në funksion të
zëvendësimit të saj si qendër famullitare, u ngrit Kisha e Shën Nikollit në
Malin e Treshit.








