Ndue Dedaj: Në burgajetin e mbretit, pa “mbretin”!?

1h më parë


NË BURGAJETIN E MBRETIT, PA “MBRETIN”!?...

(Në vend të një reportazhi)

Nga Ndue Dedaj

Ishim këtë fundjavë në Burrel, në panairin e parë të librit, një ditë e rrallë për këtë qytet, në 104 - vjetorin e tij. Matjanët dinë t’i ujdisin mirë punët e librit, kulturës, arsimit dhe ato të administrimit vendor, përderisa gjejmë një qytet përherë e më të kuruar si një vepër arti.

Stendat e librit të botuesve nga kryeqyteti e të tjerë, promovimi i librave aty në “oborr”, banda muzikore, lojërat popullore dhe ritualet e trevës ishin një harmoni për ta pasur lakmi kryeqyteti. Kjo se në rrethet e vogla për ngjarjet që ndodhin aty ndiejnë përgjegjësi e bëhen kontribues të gjithë, nga kryetari i Bashkisë te qytetari më i thjeshtë, si në rastin e dasmës që organizon familja. Ajo që na ranë sy ishin librat e rinj të autorëve matjanë, si Basir Bushkashi, Esat Ruka, Adi Darsi, Lindita Doda, Hasan Pasha, Ermal Lala, Fatmir Gjestila, që për me tepër kishte aty stendën e tij etj. Behar Gjoka, shkrimtar dhe studiues i njohur, ishte ndër organizatorët e panairit dhe kumtues në promovimin e librave, si të poetes laureate Rita Petro, shkrimtarit Namik Dokle etj.

Nuk do të zgjatemi më shumë me Burrelin në festën e tij të librit.

Kishim kohë që kishim menduar t’i bënim një vizitë Mbretit Zog në vendlindjen e tij, në Burgajet dhe ja ku erdhi rasti. Një udhë e dy punë. Me Alfred Dukën dhe Salvator Gjeçin marrim udhën për atje, edhe pse miqtë tanë nga ajo zone, që banojnë në Tiranë, na kishin thënë se vetëm emri u kishte mbetur kullave të Mbretit. Pyetëm afër një klubi se ku gjendeshin saktësisht dhe dikush nga vendasit bëri më dorë nga kodra sipër, jo fort larg nga aty. Morëm udhën në të majtë se mos kishte ndonjë dalje për tek ajo kodra, por jo. U kthyem në të djathtë, por as andej asnjë “shteg” për te kulla e Zogollit. A thua se po kërkonim t’i gjenim anën Malit të Dejës atje lart puthur me qiellin. Tek i vinim për qark kodrës, një burrë doli nga makina familjare për të na orientuar. Pak më tej një tjetër zbriti nga motoçikleta për të njëjtën gjë dhe prapë nuk po arrinim të ngjiteshim deri aty ku kishin qenë trojet e Mbretit e tash ishte veç një kabinë elektrike, dy puse uji të mbyllur dhe asnjë shenj mbretëror. Historia e asaj kulle kishte qenë tragjike, ishte djegur tri herë, edhe në të gjallë të të zot. Me gurët e saj qenë shtruar shëtitoret e qytetit të Burrelit…

Është një kapitull tronditës i kujtesës tonë të shekullit XX, djegia dhe shkatërrimi i ndërtesave monumentale të përsonazheve të historisë lokale dhe kombëtare: objekte kulti, kulla të parisë së vendit, si të Zogut në Burgajet, Kapidanit të Mirditës në Orosh, Mirakajve në Iballe, Prek Calit në Vermosh, si dhe plot të tjera në mbarë vendin. Nuk e rikthejmë dot historinë, për ta bërë ndryshe, por të sotmen e kemi në dorë. Një tabelë turistike e vënë në krye të udhës që shkon për Burgajet e deri në Macukull ka të shënuara një varg atraksionesh, që i fton turistët t’i vizitojnë, por mungon mbase ajo më intriguesja për ta, vendlindja e Mbretit Zog, të parit dhe të vetmit mbret shqiptar. Nuk themi të ringrihën “Sarajet” e tij nga e para siç kanë  qenë, por shenja e tyre muzeale duhet të jetë. Një copë udhë normale për t’u ngjitur deri atje, disa tabelëza sinjalizuese, një mbishkrim në xham me imazhin e kullës së Mbretit, si ato të kalave, apo shpallja monument kulture, qoftë dhe për arkitekturën që kishte.

Nuk kushton kushedi çfarë të bëhen këto, problemi është qasja ndaj kësaj trashëgimie. Çfarë mund të thuash për Kullën e Burgajetit, kur rrezikohet Vila e Zogut në Durrës dhe është lënë të shkatërrohet plotësisht ajo e Shirokës etj. Pse kjo mungesë vullneti nga ana e shtetit për t’i kthyer në muze objekte të tilla me përmbajtje historike?...

Nuk mjafton që në qytetin e Burrelit është Parku i Nanës Mbretneshë dhe shtatorja e Ahmet Zogut.