Ndue Dedaj: “Radarët” e politikës
TRIPTIK MBI “RADARËT” E POLITIKËS

Mos u bëfsh për lajm!...
Mos
u bëfsh për lajm, në këtë kohë, ka kuptimin mos “foltë” SPAK-u për ty, se lajm
tjetër në këtë vend nuk ka. Bie fjala, ndonjë dorëheqje e shumëpritur e
qeverisë. Vetëm po të shporri SPAK-u nga karriga e pushtetit. Sytë e të
gjithëve janë atje dhe SPAK-u e di këtë.
Por
SPAK, tek e fundit, është dhe ai nesh, nga dosjet e tij rrjedhin informacione
për opinionin publik, sigurisht nga ato që nuk e dëmtojnë hetimin. Ja, ato
mesazhet telefonike të personave të përfshirë në afera. “Bukë e djath” për
mediat e gjithnurshme, përderisa ne nuk kemi arritur të kemi gazetari
investigative që zbulon “Uotergejtin” tonë, siç bënë në Amerikë gazetarët e
“Uashington Post”...
Kur nuk vendos
“Byroja”!...
Partia
në pushtet nuk qeveris as formalisht, pasi forumet e saj nuk pyeten për asgjë,
nuk janë as në rolin këshillues të vendimarrësit të vetëm, që është kreu i
qeverisë. Pavarësisht frymës së “kolegjialitetit”, që është një veçori politike
e të majtës, tjetër përgjegjësi do të kishte në qeverisje nëse do të
dëgjoheshin forumet partiake. Të gjithë e kemi vënë re se sa pedant tregohet
“mësuesi kujdestar” me “klasën” e tij, ku nuk pipëtinë askush përveç tij, në
Kryesinë e PS-së, Komitetin Drejtues, Grupin Parlamentar, Këshillin e
Ministrave e deri në kongres. I shkrep atij në krye “Timoni”, “Tepsia” apo
“Kazani”, të gjithë “ok” në kor. I shkrep më vonë “Besa”, po ashtu kori çon
peshë patronazhistët. Me siguri që anëtarët e forumeve partiake dhe qeverisë
nuk ndjehen mirë, skanadal pas skandali, por nuk kanë se çfarë i bëjnë njëshit
të tyre. Kështu ngjet kur pushteti fund e krye është një piramidë, që ka vetëm
bazën dhe një majë që nuk mbështetet askund…
Kosova po, por me
personalitete!...
Ka
qenë një ide e lavdërueshme ajo e Kryeministrit për të përfshirë në qeverisjen
e pas 1913-ës personalitete nga Kosova, e nënvizojmë, personalitete. Jo çdo
ekspert teknik i zoti mund të mbajë mbi shpatulla peshën e një portofoli
ministror. Me tre titullarë të lartë të ardhur prej Dardanisë tonë, qeverisja e
Tiranës nuk shkëlqeu. As një “faj” nuk kishte një djalosh as tridhjetëvjeçar,
ndonëse i mirëshkolluar, që të drejtonte me efikasitet një “makinëri të rëndë”,
siç është ministria e Europës dhe Punëve të Jashtme, për më tepër duke
zëvendësuar një ministër të sukseshëm. Për ministren e Arsimit të së njëjtës
periudhë mund të thuhet se tjetër është të jesh eksperte e aftë arsimi për
strategjitë dhe programet shkollore europiane tjetër të jesh titullare në
realitetin e vrazhdët shqiptar, kur po vetëmbylleshin dita-ditës shkollat e
Dukagjinit e Kurveleshit nga braktisja e banorëve. Por, përballë të pamundurës,
ata u larguan me dinjitet, përmes dorëheqjes. Ndryshe ndodhi me drejtuesen e
lartë të Shërbimit Informativ Shtetëror, që nuk mundi t’i fikte “radarët” e
shtetit për të shpëtuar veten.
25
shtator 2026


