Ndue Dedaj: Lugina e Fanit, më e bukura dhe më e shkatërruara në Shqipëri

LUGINA E FANIT, MË E BUKURA DHE MË E SHKATËRRUARA NË SHQIPËRI

Që
lugina e Fanit ishte ndër më të bukurat e botës, e pati shkruar më dorën e tij
françeskani i shquar austriak, shkrimtari dhe piktori At Fabian Barkata,
njëqind e tridhjetë vjet më parë, kur shërbente në Rubik si misionar feje.
Se
si është sot kjo luginë, mjafton t’iu themi atyre që nuk e kanë parë, se në çdo
kilometër të lumit nga Miloti në Rubik është një zhavorrore, apo më saktë një
impjant i prodhimit të rërave për ndërtim. Në asnjë vend tjetër të Shqipërisë
nuk ka një përqendrim të këtyre fabrikave si tek zona e Urës së Matit, në të dy
anët e saj, deri afër bregut të detit. Kodra të pafundme zhavorri të larë janë
krijuar përgjatë gjithë supërstradës së kombit, që nuk pati fatin të ishte
autostradë. Lumi është në çdo orë të ditës plot me makina të rënda dhe mjete
ngarkimi. 30 vjet që lumit të Fanit e atij të Matit i shkulën brinjët e ata
prapë nuk kanë “vdekur” nga kapitalizmi i egër. Se si mund ta ketë emrin një
sipërmarrje e tillë, nuk e dimë, por pa droje mund të themi se pasuritë e
shqiptarëve, nuk janë në dorën e vetë atyre, as këto të mbitokës e as ato të
nëntokës.
Duhet
të jetë ky vetëdijësim i tyre, që prej më shumë se një jave është ngritur në
protestë Tirana dhe gjithë Shqipëria, por dhe shqiptarët nëpër botë, në Londër
etj.
Çfarë
ka ndodhur me ne që nuk mundemi me qenë dalzotës të pronës tonë publike? Pse na
ka ndodhur “Zvërneci”, “Rrjolli” dhe më parë protestat për hidrocentralet e
panumërta nga Valbona në Zall-Gjoçaj? Si është e mundur që e humbëm luginën e
Fanit të Madh, për të mos qenë dhe ajo si Lumi i Shalës, në të gjithë gjatësinë
e saj prej mbi njëqind kilometrash, deri në Kryezi ku buron lumi? Ajo nga
hidrocentralet, njëri pas tjetrit, është bërë e pakalueshme, ku mund të
eksplorohet vetëm me dron, por jo me këmbë për hiking. Lugina që ai austriaku i
ditur e quante ndër më të bukurat e botës!?
Si
është e mundur që nuk po arrijmë dot të mbajmë në këmbë, por me “paterica”,
kryeurën e shqiptarëve të të gjitha kohërave, Urën e Zogut, që është dhe kurora
e kësaj lugine?
Në
pamundësi për ta ndaluar këtë shpronësim marramendës të shqiptarëve nga prona e
tyre e ligjshme, ata janë shtrënguar ta lënë vendin e tyre dhe të gjëjnë
emigracionin si strehë.
Në
mesin e luginës së Fanit është qyteti i Rubikut, që po shuhet me trishtim, pas
shekujsh ekzistence. Mbas rreth 60 vitesh nga hapja, u mbyll së fundi Teknikumi
- “Shkolla e Mesme Industriale”, që ishte një nga krenaritë shqiptare të
arsimit profesional të vendit. Ranë një nga një “kolonat” që e mbanin këtë qendër
punëtorie historike të shqiptarëve, ku u krijua për herë të parë klasa jonë
punëtore.
Eh,
mund të vazhdojmë me plot të dhëna të tjera kësodore, me shpresën se ky vend ka
një rini të pazakontë, që siç zmbrapësi “armët kimike” para disa vitesh, do të
zmbrapës dhe të tjera prapësi pushtetarësh, kinse në emër të zhvillimit. Mendoj
se kjo gjendje kritike e ka shtyrë murgeshën katolike të Rubikut, Motër
Adelinën të ngjitet në podiumiun e protestës para Kryeministrisë dhe të flasë
me shqetësimin e një qytetareje të dorës së parë…



