Ndue Dedaj: Eqerem Çabej dhe Ali Hashorva, dy gjirokastritë për arsimin në Kosovë…

16.09.2026, 06:57 PM (GMT+1)

EQEREM ÇABEJ DHE ALI HASHORVA, DY GJIROKASTRITË PËR ARSIMIN NË KOSOVË...

Nga Ndue Dedaj

Në Prishtinë është një rrugë me emrin “Eqerem Çabej”. Por dhe një gjimnaz me këtë emër. Mbi të gjitha në Kosovë ka shumë studentë të profesor Çabejt, kur, krahas Universitetit të Tiranës, ai jepte mësim në Universitetin e Prishtinës, në fillim të viteve ’70, siç na e tregon dhe një fotografi e rrallë e asaj kohe, publikuar vite më parë nga shkrimtari e studiuesi i letërsisë, Isak Ahmeti, mik yni i çmuar. Është vërtetë emocionuese të shohësh se gjuhëtari i madh ishte profesor njëherësh në dy universitetet shqiptare të kohës, pasi më vonë do të themelohej dhe ai i Tetovës.

Tridhjetë vite para tij, në përiudhën e Luftës së Dytë Botërore, një tjetër gjirokastrit i iluminuar, Ali Hashorva, diplomuar për filozofi e pegagogji në Firence, ishte drejtuesi i arsimit në Kosovë, kur qeveria e Tiranës do të hapte shkollat shqipe, duke dërguar atje rreth 300 arsimtarë. Ende ky titullar i lartë i arsimit në Kosovë nuk ka marrë meritat që i përkasin, ashtu si dhe vetë ministri Koliqi që ndërmori nismën e madhe për të folur e shkruar shqip gjithë trojet tona, çka ua kishtë ndaluar politika e gabuar e Fuqive të Mëdha e fillimshekullit XX ndaj Shqipërisë. Hashorva nuk ishte një kryenëpunës i arsimit, por një misionar. Ai la zyrën në Tiranë dhe shkoi të banonte me gjithë familje në Kosovë, për të qenë përditë në Tokat e Lira, që dija dhe dituria do t’i bënte dhe më të lira. Hashorva la pas veprën e mirënjohur "Bashkëluftëtarët e Skënderbeut", përkthime etj. Më kot kërkuam se mos ky personalitet i arsimit kombëtar mban ndonjë titull nderi, emri i tij është përjetësuar në ndonjë rrugë apo shkollë. Jo. Derisa vetëdija jonë të zgjohet pa paragjykime për kah vlerat e njëmendëta të historisë dhe panteonit të saj.

Po aq sa këta dy gjirokastritë të shquar atje, ka meritë një bir i Kosovës këtu, profesor Ahmet Gashi, gjeograf i shquar, që përpiloi në Tiranë hartën e parë të Shqipërisë etnike dhe hartoi tekstin e parë të gjeografisë së Shqipërisë. Në Laprakë është një shkollë me emrin “Ahmet Gashi”, kurse në Prishtinë një gjimnaz.


Në foto: Eqerem Çabej me studendtët e Albanologjisë, Prishtinë, fillimi i viteve '70.