Mehmet Kraja: Filmi, letërsia, shkrimtari i vetëmburrur
Filmi, letërsia, shkrimtari i vetëmburrur

Në
një shkrim të disa ditëve më parë një shkrimtar i Shqipërisë nxori një
konstatim që tërhoqi vëmendjen e lexuesve të portaleve dhe të mediave sociale
në Kosovë (unë e lexova te “Panorama”, 6 shtator 2026). Ai shkroi për filmin
shqiptar, e quajti të shëmtuar, shkroi për aktorët kosovarë që nuk iu
përshtaten roleve të fshatarëve analfabetë të Librazhdit dhe të Milotit dhe që,
dihet tashmë, nuk kuptohen çfarë flasin. Vetëm se, vetëm se, në këtë e sipër,
bëri dy konstatime për letërsinë e Kosovës, njërin për Anton Pashkun dhe
tjetrin për letërsinë e Kosovës në përgjithësi.
Megjithëqë
me punët e filmit jam marrë me kompetencë profesionale (sukseset e filmit të
Kosovës të viteve të fundit vijnë nga gjeneratat e studentëve që iu kam dhënë
skenarin e filmit), kufizohem të shprehem për atë që shkruan shkrimtari i
vetëmburrur, sepse nuk kam dijeni sa gjen shprehje neo-socializmi i Shqipërisë
në filmin shqiptar. Por, konstatimi për letërsinë e Kosovës se ajo është “një
natë pa mëngjes” është një zhgardhnim i mendjes së një shkrimtari diletant dhe
mediokër. Pastaj: “Kosovarët kanë kinema eklektike e cila duket sikur ka dalë
nga librat e Anton Pashkut, një shkrimtari të talentuar që shpjegon në tre faqe
si punon galexhanti i banjos”. Së pari, ku me e marrë që kinemaja e Shqipërisë
të dilte, ta zëmë, nga librat e Kadaresë! Së dyti, këtij shkrimtari të
Shqipërisë me parashenjën e propaganduesit ideologjik të neo-socializmit duhet
thënë se kur shkroi Anton Pashku “Oh”, “Sinkopa” dhe “Gof” si anti-drama dhe
anti-roman, ju në Shqipëri nuk e dinit vërtet se çka është galexhanti i banjos!
Pashku
duket ta ketë pasur këtë në
mendje,
kur paska shkruar tre faqe për këtë “subjekt të lartësuar”!


