Llesh Ndoj: Themele të forta mbi të cilat mund të ngrihet një kala e qëndrueshme

RECENSË
THEMELE TË FORTA MBI TË
CILAT MUND TË NGRIHET NJË KALA E QËNDRUESHME
-
Puka: Enciklopedi gjeografiko - historike dhe etnokulturore (vepër
shumëvëllimëshe studimore), Vëllimi i I – rë. Gjurmime dhe Studime Gjeografike,
i autorit Pashk Alia -

Intelektuali
dallon prej një nëpunësi tjetër të çfarëdoshëm, për faktin se sjellë vlera të
paçmuara për shoqërinë e puna e tij e pa matur, e pa kërkuar dhe e pa paguar,
mbetet gjallë tek njerëzit edhe kur ai nuk do të jetë më në mesin e tyre, qoftë
si kujtesë njerëzore, qoftë si vepër e materializuar, apo si një libër i shkruar.
Sidomos studimet për vendlindjen, kanë një rëndësi të vacantë, sepse fiksimi i
një kohe të caktuar nëpër libra monografikë, për më tepër në periudhat e
vrullshme, kur lëvizja demografike e popullsisë po i rrezikon seriozisht ato,
duke i lënë “larg syve, larg zemrës”, kontributi intelektual i njerëzve me
botime cilësore studimore e shkencore merr një peshë të jashtëzakonshme. E
tillë është ndërmarrja në proces e intelektualit e studiuesit pukjanë Pashk
Mëhill Alia, i njohur për kujdesin e tij ndaj vlerave të trevës nga vjen e ku
kanë jetuar të parët e tij brez pas brezi, por edhe për veprat e shumta të
karakterit filozofik, eseistik, social e psikosocial të botuara deri më sot.
Puna e autorit Pashk Alia është një ndërmarrje e tërë, jo thjesht një libër studimorë,
e këtë deri më sot e kam mësuar nga bisedat e shumta me të, ndërsa tash edhe
përmes xhevahirit të parë që i paraprinë kolanës së botimeve me të njëjtin
emër: “Puka - Enciklopedi gjeografiko - historike dhe etnokulturore”.
Libri vjen si një botim mjaft cilësor,
ka 485 faqe, me kapakë e lidhje të fortë dhe është realizuar në shtypshkronjën
“Fiorentia” Shkodër, në muajin korrik 2026. Leximi i këtij libri thellësisht
shkencorë, të bind se jemi përballë një prurje të rrallë, të vetmen në këtë nivel
deri më sot për Pukën, e cila është një themel i sigurtë mbi të cilën do të
lartësohet qëndrueshëm e gjithë kolana studimore e autorit Pashk Alia.Kur them
prurje e rrallë, aspak nuk dua të them se studime gjeografike për Pukën
mungojnë në vendin tonë. Përkundrazi, për shkak të pasurive të saj të shumta,
të tilla ka mjaft, por studimi i Pashkut është i thellë, i gjerë dhe
interdisiplinarë, si asnjë tjetër përpara tij. Autori nuk mungon që në këtë
vëllim të parë të na njohë me qëllimin e tij në këtë ndërmarrje të madhe e të
rëndësishme, ku na bën me dije se ajo “…synon paraqitjen e plotë dhe të
gjithanshme të hapësirës historike, gjeografike, shoqërore dhe kulturore të
Pukës në rrjedhën e kohës.”(faqe 5). Një ndërmarrje kaq e gjërë dhe e thellë
është e denjë për një akademi, jo thjesht për një individ. Autori është i
ndërgjegjshëm se studime pjesore, qoftë edhe si materiali i vëllimit të parë me
studime gjeografike, ka për Pukën edhe përpara tij, por ajo çfarë i jep
përparësi këtij botimi është “…vrojtimi në terren…” (5), për të ndërtuar “…një
tërësi enciklopedike që synon të shërbejë si referencë e qëndrueshme për
studiuesit, institucionet dhe brezat e ardhshëm,…”, gjithnjë pa pretenduar që
të sjellë një gjykim shterues, apo gjykim mbi gjykimet. Në librin e parë janë
paraqitur një volum i madh njohurish, kryesisht të karakterit gjeografik e
fizik për rrethin e Pukës, “…një pjesë e konsiderueshme e të cilave ofrohen për
herë të parë për çdo nivel lexuesi…”, gjë që e thekson pa ekuivoke edhe Prof.
Dr. Trifon Ziu, redaktor shkencor i këtij vëllimi (13), dhe që e përligj
nevojën për këtë libër studimorë shkencorë, por edhe synimin apo qëllimin e
autorit për të mbushur hapësirat bosh të derisotme, e për të përmbushur
misionin e tij intelektual, si bir i denjë i Pukës. Jemi përpara, jo një
studimi të thjeshtë, apo një studimi për grada, por autori sjell përmes tij
“…një risi, sepse në mjaft raste lidh vlerat e elementëve gjeografikë me
ndikimin e tyre në jetën njerëzore të banorëve…” (13), duke analizuar marrëdhëniet
reciproke që krijohen midis karakterististikave të një territori të caktuar e
banorëve të tij, të cilët i përshtaten atij dhe e përshtatin atë. Ky studim e
arrin qëllimin e tij më të lartë, edhe duke mos qenë i përsosur, pasi çdo
banorë i atij territori “…ndjen kënaqësi dhe ndjehet krenar për teritorin e
krahinës së tij,…” (14). Fjalët e autorit Pashk Alia bëhen plotësisht të
besueshme e marrin peshë, sepse ai është njohës i mirë i kësaj treve, por edhe
sepse “…ka zhvilluar ekspedita gjeografike pa numërim…”, duke mbledhur e
paraqitur një material shumë të pasur gjeografik (15).
Autori
i librit dhe i kolanës studimore në proces, pasi e shkeli me këmbë “të
zbathura” të gjithë terrenin e larmishëm të Pukës në përmbushje të detyrave
shtetërore që ka mbajtur, jo thjesht si vizitor, u dashurua me të por edhe i
vuri pikëpyetje gjithçkaje që pa e dëgjoi, e tash, i rritur fizikisht, i
shkolluar dhe i pjekur shkencërisht, por me dashurinë e pandryshuar të fëmijës
për prindërit, iu kthye atij vendi plot bukuri e legjenda, t’i rishohë
shkencërisht shumë pjesë të tij, e t’u japë një shpjegim shumë pikëpyetjeve që
kishte ngritur nga memoria vizuale e ruajtur mrekullisht, por edhe nga leximet
e shumta, takimet e vëmendshme me banorët e çdo zone e hulumtimet nëpër biblioteka,
që s’kanë të numëruar. Libri i parë të krijon përshtypjen e qëndrueshme e të
arësyeshme se e ka bërë këtë gjë me
disiplinë të hekurt shkencore, me një metodologji rreptësisht të mirëcaktuar,
me shtrirje në të gjithë gjerësinë e në thellësinë maksimale të mundshme,
përmes logjikës e deduksionit, duke bërë një punë të paimagjinueshme për një
individ të lirë, të cilin se thërret askush në këtë detyrë, përveçse ndërgjegja
e tij e detyrimi për të mos qenë thjesht një kalimtar rastësor në rrugët e
jetës. Nga ana tjetër, puna e autorit Pashk Alia nuk ka vetëm vlera teorike dhe
akademike. Ajo vlen edhe për të përshtatur politikat ekonomike e qeverisëse
lokale e kombëtare, që ai vend e ajo pasuri e rrallë të mos braktiset
përfundimisht, por as të mos mbetet një vend i banueshëm për lëmoshë, ose për
pamundësi alternativash, pasi në studimin e tij autori zbulon para lexuesve
pasuritë mbi e nën tokësore e mundësitë e shumta që ai vend të ofron për
jetesë, duke dhënë herë pas here, por pa i nxjerr ato në plan të parë, edhe
rekomandime të vlefshme.
Në
fokusin e punës së autorit nuk vjen Puka si një enklavë apo një teritor i
shkëputur e i izoluar natyror e shoqëror, por Puka “…në kuadrin e Shqipërisë
Veriore dhe të hapësirës më të gjerë dardano - ilire” (21). Kjo përmasë e bën
studimin e tij edhe më të vlefshëm, edhe me më shumë gjerësi përdorimi, qoftë
për qëllime shkencore, studime të thelluar, studime pasuniversitare e
doktorature, për qëllime mësimdhënie e përdorime praktike. Sipas studiuesit
Pashk Alia, Puka është “…një laborator natyror dhe historik…”(23), i
përshtatshëm për studime ndërdisiplinore që reflektojnë shumë më gjërë se Puka
administrative, në të gjithë hapësirën gjeografiko - fizike e historike të
rajonit verior, se ajo paraqet “Diversitet të lartë gjeomorfologjik,…”, me
prani të mikroklimave, me ruajtje të formave tradicionale të vendosjes, me
dëshmi vijimësie pa shkëputje të jetesës e me një prani të lartë të
gjeomonumenteve natyrore, objekt dhe përligjje, por edhe synim kontributiv i
këtij studimi kompleks (23), për të cilin autori është mbështetur në një qasje
metodologjike ndërdisiplinore e rreptësisht shkencore. Kur s’ka patur mundësi
t’i qartësojë gjërat teorikisht, ka shkelur terrenin, ka pyetur banorët, ka
studjuar me këmbë e me mjete logjistike shpella, kala, varreza e vendbanime të
vjetra. Ka ndodhur që sapo e ka mbaruar një ekspeditë, i ka rilindur një
pikëpyetje e re, e përsëri është zhytur me studime në biblioteka, në kontaktet
fizike me njerëz, që janë arkivë e gjallë e historisë, e me rilevime e studime
të përsëritura në terren. Asgjë që s’e ka bind autorin, nuk na paraqitet prej
tij për të na bindur ne lexuesve edhe kur vjen në përputhje me shkrime e
studime të autorëve të tjerë. Këtu qëndron jo vetëm bazueshmëria, por edhe
epërsia e padiskutueshme e studimit të Pashkut.
Asgjë
nuk lind nga hiçi, as nuk bëhet një hiç! Këtu s’bën përjashtim as studimi i
studiuesit Pashk Alia. Ai e njeh këtë aksiomë të përjetshme, ndaj edhe nuk
pretendon as të vendosë gurin e parë, as të vendosë çatinë e përjetshme në
lëndën e tij studimore për një çështje kaq të gjërë, të thellë e
shumëdisiplinore. Referencat shkencore tek studimet pararendëse mbeten shumë
domethënëse, por ai synon që atyre t’u “shtoje veten” qoftë vetëm si gjykim,
qoftë edhe vetëm si prani e prekje me dorë e gjësë, qoftë nga hulumtimi praktik
e me mjete shkencore të gjithçkaje që e paraqet në studim, e gjithnjë me “veten
pukjane”, kur bëhet fjalë për konkluzione e rekomandime që vijnë sa nga
“laboratori studimor” i tij, po aq edhe nga “laboratori shpirtëror” i një biri
të denjë që lindi, u rrit, punoi e kontribuoi duke jetuar në ato zona, e ku
edhe sot larg tyre ëndërrat e bartin atje, fjetur e zgjuar.
Ky
studim synon edhe majën shkencore edhe kuptueshmërinë e gjerë për shtresat e
lexuesve, duke e përfaqësuar plotësisht vetë autorin si një nga studiuesit e
mirëformuar, e mirëshkolluar, njohës i traditës dhe shkencës, me një përvojë të
gjatë ndërveprimi me malet, e komunikimi vijues me njerëzit, njeri fisnik e
bujar. Ai, për t’a bërë të kuptueshëm materialin e tij studimorë, e ka
“copëtuar atë” me ndarje didaktike në kapituj, tema, tituj e nëntituj, duke i
ardhur në ndihmë si lexuesit kurioz, ashtu edhe mësuesve të historisë e
studiuesve të ndryshëm. Gjithçka në këtë libër vjen e ilustruar bukur me foto,
skica, statistika e harta shkencore, të gjitha origjinale e cilësore. Të bie në
sy fakti se vetëm në këtë vëllim libri ka 242 ilustrime si më sipër, gjë që e
bën materialin më të prekshëm e më gjurmëlënës tek lexuesi e përdoruesi.
Autori
e konsideron Pukën administrative e teritorin e saj të lidhur ngushtë e
organikisht me zonën e Shkodrës në perëndim, me Tropojën në veri, me Kukësin e
Mirditën në lindje dhe me Vig e Lezhë në jug. Emrin e saj ai e lidh me
Apicarien e lashtë, apo me Via Publica dhe rreth saj ballafaqon mendimet e
mjaft studjuesve shqiptarë ose jo, duke veçuar mes tyre atë të Eqerem Çabejt.
Ai thekson se “Pozita gjeografike e bën Pukën një nga zonat më të larmishme dhe
interesante,…”, që vjen edhe si një parapërgatitje për çfarë na pret në vijim,
por edhe si justifikim i mundit, djersës, energjisë e mjeteve financiare të
angazhuara prej tij në këtë ndërmarrje të posaçme. Autori ndjehet krenar për
Pukën e këtë krenari ia përcjell edhe lexuesit kur shkruan për “Tri të
papriturat e këndshme…” që të ofron si me magji (44), e që i rrjeshton si:
“…çdo pjesë e teritorit të saj…, duket sikur… takohet me horizontin”, se “…
kudo ku gjendet popullsia pukjane kupton se gjuha e pukjanëve është bujaria dhe
mikpritja, doket, traditat, zakonet, ritet e mbi të gjitha, liria dhe krenaria
e pukjanëve, janë gjëja më hyjnore.” dhe se “…shumatorja e ngjarjeve
historike…” e kanë bërë Pukën “…një krahinë të pamposhtur” (45).
Duke
mos qenë specialist, porn një njohës amator i zellshëm i fushës, unë nuk di të
them se si qëndron studimi i Pashkut në raport me shkencën gjeografike, por mua
më ka çuditur argumentimi i thellë prej tij i të ashtuquajturit “djepi
gjeologjik” i Pukës, ku siç kuptohet lehtë ky kapitull vjen jo si një trajtesë
për të kaluar radhën, apo për të mbushur faqet e librit, por është pararendës
logjik e argumentues i pasurive minerare e rezervave të tyre në rrethin e
Pukës, ku autori Pashk Alia shfaqet njohës e vlerësues kompetent kur flet për
“…rreth 14 milion tonë” të tilla, duke ia bërë të ditur lexuesit edhe një
statistikë të plotë nga burime zyrtare për çdo vendburim. Interesant, i thellë
e i plotë vjen në libër trajtimi relievit dhe i veçorive të tij gjeografike, të
cilat ishin “…arsyet që të parët, … lakmuan territoret…e Pukës…”(85), ndër të
cilat autori rendit lartësinë mbi nivelin e detit, me një mesatare prej 787
metrash, gjë që e bën atë “një antenë” natyrore, apo “një podium” që bie në
sy…, por edhe sepse teritori i saj mundëson “…të ketë shumë më shumë dritë se
sa pjesët e tjera…” dhe se terreni “…është i pasur me ujëra.”, për të vijuar me
faktin se “Nëntoka pukjane është një thesar i vërtetë…”, se teritori i saj
paraqet një biodiversitet të lartë e të përshtatshëm për jetesë, e deri për
zhvillimin e sportit, gjuetisë, turizmit etj.
Studiuesi Pashk Alia, me disiplinë shkencore e sipas një platforme
rigorozisht të paracaktuar, nuk le jashtë vëmendjes asnjë element gjeografik, e
shoqëron trajtimin e tyre me foto origjinale, skica e të dhëna autentike e
statistikore, ballafaqohet me literaturë të bollshme (kur ka të tillë) dhe
paraqet pikëpamajet e tij dhe konkluzionet shkencore, duke e bërë materialin
shumë të konsoliduar, të besueshëm në tërësinë e tij, dhe konkluzionet jo lehtë
të kontestueshme. Për çdo bllok malorë ai sjell një kombinim të të dhënave
gjeologjike, relievit, të dhënave gjeografike, zonat e banuara, kushtet
klimatike, zhvillimin e bujqësisë, pylltarisë, florës e faunës e ndikimin e
tyre reciprok, kushtet e jetesës, turizmin e gjithçka tjetër. Një trajtesë me
shumë rëndësi vjen në libër ajo për monumentet që autori i klasifikon në
natyrore (gjeomonumente, biomonumente e hidromonumente) dhe monumente historiko
- kulturore, ku rendit ato arkeologjike, arkitektonike, shpellat si objekte
natyrore, kështjellat e qytezat mesjetare etj. Libri përmban përshkrim të
hollësishëm të burimeve ujore, ujësjellësave e krojeve, fushave, gropave e
hurdhave (tokësore e ujore), livadheve, pyjeve e kullotave, duke e bërë
studimin e tij tepër integral, megjithëse studimi i tij “…nuk synon të mbyllë diskutimin…, po t’a
hapë atë mbi baza të sigurta,…, pasi njohja e territorit “…është kushti i parë
për çdo njohje tjetër” (476).
Natyrshëm
që leximi im është i përciptë, për shkak të kufizimeve profesionale e të
njohurive të cunguara të fushës, por duke mbetur i tillë edhe pas këtij leximi,
mund të them me bindje se libri i autorit Pashk Alia, jo vetëm më futi
natyrshëm në botën e pafundme të gjeografisë, tokës e nëntokës së saj, por edhe
më bëri për vete, më bëri të ndjehem pak më shumë pukjanë sa ç’ndjehem deri
tash, për shkak të lidhjeve të shumta krahinore, etno - kulturore, miqësore,
shoqërore e fqinjësore që ndan krahina nga vij me atë të Pukës, por më bëri
edhe pak më krenar, nisur nga premisa se Puka “e Pashkut” ka edhe kontributin e
një pjese qënësore të “Mirditës sime”, ku mali legjendar i Munellës mbetet jo
vetëm kufiri ndarës, por edhe kufiri përbashkues, e ku kontributet e njerëzve
rreth saj janë bashkëjetuese e mirëkuptuese me zonën tjetër etnike pukjane.
Njohja personale me autorin më bëri që të mos lodhem së lexuari, e më barti
natyrshëm tek vlerësimi i punës së tij si të barazvleshëm me nje akademi, të
krahasueshme me punën e çdo punëtori e studjuesi të palodhur shkencorë, tek
shpirti i tij atdhetar e tek kontributi i çmuar që jep në shumë fusha, duke u
nisur nga parimi: Mos pyet çfarë bëri atdheu (vendlindja) për ty, por pyet
çfarë bëre ti për atdheun (vendlindjen)!
Libri
i studiuesit të apasionuar Pashk Alia mbi gjeografinë e Pukës, le pas shumë më
pak pikëpyetje për t’u sqaruar dhe hap shumë më tepër horizonte të kthjellta
për të tashmen e të ardhmen, duke u bërë burim të dhënash, udhërrëfyes metodik
e xhevahir i rrallë për këdo që ka interes ndaj kësaj fushe e kësaj zone të
bukur e plotësisht shqiptare.
Urime
mik! Krenar për ty dhe për punën tënde.
Lezhë,
më 22 shtator 2026



