Llesh Ndoj: Qenësia dhe poetika - korniza letrare apo letërsia në kornizë
Në vend të një urimi në 80-vjetorin e lindjes:
QENËSIA DHE POETIKA:
KORNIZA LETRARE APO LETËRSIA NË KORNIZË
-
Persiatje mendimesh rreth formës e përmbajtjes në letërsi, nxitur nga
kontributet teorike të prof. dr. Anton Nikë Berisha -

Të
diskutosh me profesor doktor Anton Nikë Berishën, qoftë edhe përmes telefonit,
ke fatin që në pak çaste, të mësosh prej tij atë që ndoshta nuk do të mund ta
kishe mësuar as përmes cikleve të gjata të leksioneve universitare, e kjo jo
thjesht e vetëm për letërsinë, por edhe për jetën në tërësi, për besimin, për
rolin që ka dija në jetën shoqërore e ata faktorë që e dëmtojnë atë, ose e
pamundësojnë që produktin e saj ta përfitojë e gjithë shoqëria. Ndoshta me një
anekdotë, gjithnjë të gjetur, me një citim ilustrues të goditur nga mendimtarët
e mëdhenj të të gjitha kohërave, sidomos në letërsi, me një urtësi popullore,
ku e drejton të rrjedhë biseda e ligjërimi, ai ta lehtëson të kuptuarit e atyre
gjërave që të janë paraqitur shpesh si domene të të mëdhenjëve e ku nuk ke
guxuar kurrë të futesh apo, për më tepër, të vesh një pikëpyetje.
Kam
patur fatin e madh që ai të më ketë këshilluar, korrektuar e redaktuar për disa
nga punimet e mija në fushën e letërsisë, sidomos kohëve të fundit, ashtu si
edhe të ndjek nga afër disa nga ligjeratat apo punimet e tij të veçanta për
vepra të ndryshme letrare, e kjo jo në saje të aftësive të mija për t’u
“ngjitur” në majat ku ai qëndron me meritën e punës e të kontributeve të tij në
fushën e krijimtarisë e të mendimit për rreth gjashtë dekada, por nga aftësia e
tij e jashtëzakonshme për ta bërë bashkëbisedimin të thjeshtë, për të të
trajtuar si të barabartë, gjithnjë pa ulë vlerat e njohurive të tij drejt teje,
por edhe pa injoruar njohuritë tuaja, sado modeste qofshin ato. Vetëm kur vjen
fjala për ato që përbëjnë “shinat”, apo kolonat mbi të cilat ndërtohet e
ngrihet letërsia e vërtetë, profesor Antoni nuk ka kompromis. “Kjo e rrenon të
tërën”, të thotë ai pa asnjë hezitim, kur vjen fjala për disa gjëra me rëndësi
fundamentale. Të tilla janë gjuha e pastër shqipe e përdorimi korrekt i saj në
letërsi, duke anashkaluar në çdo rast të mundshëm përdorimin e fjalëve të huaja
të shqipëruara, nëse ka alternativë në shqip të tyre, fjala artistike, apo
gjuha poetike, siç i pëlqen ta referojë atë profesori, fakti letrar e fakti
historik në letërsi, e të tjera teza themelore. Diskutimi mbi raportin formë -
përmbajtje në letërsi është i lashtë, besoj unë, sa vetë letërsia, por edhe
pjesë e qenësishme e bisedimeve të mija me profesor Antonin, sa herë bie fjala
në këtë fushë, apo më mirë të them sa herë takohemi, pasi në të gjitha rastet,
pas interesimeve të çastit për shëndetin e familjen, gjuha e bisedës me të
rrjedh natyrshëm tek letërsia.
S’ka
si të jetë ndryshe. Nga 80 vite jetë, tre të katërtat i ka kontribute të
pashoqe në këtë fushë, qoftë si krijues, si studjues, si kritik e përkthyes, si
mbledhës i folklorit apo krijimtarisë gojore, sidomos ndër arbëreshët e
Italisë, apo si profesor e ligjërues në disa universitete brenda dhe jashtë
vendit. Për dikë, apo për disa, parë si letërsi, parësore nuk është çfarë thua,
por si e thua. Edhe një “shëmti” në jetën reale, e rralizuar bukur në një nga
format e artit, mund të jetë kryevepër. Profesor Anton Nikë Berisha, studjuesi
e kritiku i lartë i letërsisë bashkëkohore, përdor për këtë raport dhe i ka
shtjelluar gjatë në studimet e veta, shprehjet qenësi dhe poetikë. Në një nga
komunikimet tona të rregullta, e pyeta në distancë profesorin për këta dy
terma, se ç’përfaqësojnë ata në letërsi, sipas tij? Jo se nuk kisha lexuar prej tij në shtjellimet
e shumta letrare që ka, apo nuk e kisha kuptuar disi këtë nga komunikimet që
kemi patur, por e doja ashtu, me të shkruar e shkurt, nga dora e tij. Dhe ai
m’u përgjigj shkurt: “E para është thelbi, palca, ajo që është kryesore. E
dyta: të shprehurit e bukur, sa më të bukur. Me këtë matet vepra letrare.”
Qenësia është realiteti artistik i veprës letrare. Për profesorin nuk është e
domosdoshme që ky realitet artistik të jetë edhe një realitet jetësorë, apo
historik, por ai mund dhe duhet të jetë një realitet tërësisht artistik, me
qëllim që të funksionojë dhe të ketë ndikimin e vet estetik. Për sa sipër, veç
të tjerash, ai i referohet edhe Hanry James, që thoshte: “Arti e krijon jetën,
e krijon interesin, e krijon rëndësinë…”. Të pohosh sa më lart, sidomos për
brezin tonë, ende nën ndikimin e fortë të rrymës realiste në letërsi, duket si
diçka jo e vërtetë, bile e pa vlerësueshme, por për letërsinë kjo është
themelore. Jo se fakti historik nuk ka vend në letërsinë moderne, por se ai, si
i tillë, i përket historisë e letërsisë dokumentare, jo asaj artistike. Ky
realitet i krijuar, që të konsiderohet se vepra letrare e përmbush misionin e
saj, duhet të ushtrojë ndikim e vet estetik tek lexuesi, pasi, “…mua nuk më
është i njohur ndonjë zëvendësim i forcës së artit dhe i bukurisë së trajtimit
të tij.” (Hanry James). E që arti të mbërrije tek kjo forcë ndikuese, krahas
qenësisë, përmbajtjes, apo faktit artistik, dhe në të njëjtin rrafsh me të,
profesor Antoni vendos atë që ai, me shumë të drejtë, e quan poetikë, poetika e
veprës letrare. Poetika, apo fjala artistike, është ai mjeti i posaçëm përmes
të cilit vepra artistike ngjall reagimin e lexuesit, duke pasqyruar kështu
ndikimin e saj estetik. Nëse do ta rrenosh një vepër letrare, të thotë
profesori pa hezitim, merru me fakte e statistika! Ato kanë vlera të
padiskutueshme si të tilla për shoqërinë, por jo për letërsinë. Ato kanë vlera
të njëmendëta për formimin e autorit e rritjen brenda tij të realitetit
artistik, por jo për veprën letrare, ta ngulit me kujdes në mendje profesori,
sa herë që bie fjala nëpër ato shtigje, për mua të reja e për atë “autostrada
të gjëra e të pajisura me sinjalistikën e nevojshme” për të mos gabuar.


Lidhur
me këtë çeshtje në tërësinë e botimeve bashkëkohore, mendoj unë, ka ndikuar e
ndikon edhe fakti se autorët e shumtë, duke mos patur mjete monetare në
dispozicion, edhe për faktin se libri nuk shitet, detyrohen t’i bëjnë të gjitha
vetë: edhe shkrimtarin, edhe redaktorin, edhe korrektorin, edhe faqosësin e
realizuesin e kopertinës. Kjo ngjet edhe me mua, në shumicën botimeve të
derisotme! Më erdhi një ditë e më takoi një mik i kahershëm, profesionist i
gjuhës e letërsisë shqipe, si gjithnjë ma dashamirësi. Kishte marr librin tim
“Identitet - Pasuri gjuhësore mirditase” (EB “Marianistët”, Lezhë 2026) dhe,
pas urimeve të zakonshme për të, më pyeti se kush ma kishte bërë kopertinën.
Përgjigja ime se e kisha bërë vetë atë, nuk di a ia lehtësoi a ia vështirësoi
punën t’më thoshte atë që mendonte ai si vërejtje ndaj saj, por ajo u kuptua me
pak fjalë: Duhen profesionistë, më tha, se gjithçka edhe në pasqyrimin në
kopertinë ka rregullat e veta, të cilat duhet zbatuar, që nga lloji e madhësia
e karaktereve, pozicioni i shkrimeve etj. Prej këtu, rrjedha e bisedës me mikun
tim kaloi, problem pas problemi, tek disa nga çështjet që ka sot letërsia
shqipe e jo vetëm ajo: tek raporti i deformuar sasi - cilësi, raporti i
deformuar formë - përmbajtje, apo qënësi – poetikë, si e ka për zemër ta shpreh
i nderuari profesor Antoni.
Kontributet
e profesor Anton Nikë Berishës në fushën e letërsisë janë të shumanshme e
qenësore, e për fat edhe të realizuara në botime cilësore që të shfrytëzohen
gjatë nga brezat e sotëm e të ardhshëm, veçanërisht nga pedagogët e
mësimdhënësit, por edhe nga krijuesit e njerëzit e letrave në tërësi e për fat
ai është mes nesh, dhe në tetëdhjetë vjetorin e tij të lindjes që e kremton më
7 gusht 2026, ai është jo vetëm aktiv si njeri, por edhe në kulmin e
krijimtarisë e të kontributeve vijuese letrare e studimore, ndaj urimi im për
të është: Të paçim sa më gjatë profesor, shëndetplotë e mendjekristaltë si deri
më sot, dhe kurrë mos shterroftë kontributi jot i vyer për letrat shqipe!
Lezhë, më 05/08/2026


