Lekë Mrijaj: Për ne shqiptarët, Mbretëresha Teuta mbetet një figurë e lashtësisë ilire...

PËR NE SHQIPTARËT, MBRETËRESHA TEUTA MBETET NJË FIGURË E LASHTËSISË ILIRE, EMRIN E SË CILËS E KEMI RUAJTUR ME RESPEKT NË HISTORINË, KULTURËN DHE FAMILJET TONA

Në
bregdetin shqiptar të Adriatikut, mbi Ranën e Hedhun në Shëngjin, disa ditë më
parë u përurua shtatorja monumentale e Mbretëreshës Teuta, një prej figurave më
të njohura të historisë së lashtë ilire.
Vendosja
e kësaj shtatoreje monumentale më nxiti të reflektoj jo aq mbi debatet
historiografike rreth Teutës, sesa mbi vendin që figura dhe emri i saj kanë
zënë në kujtesën shqiptare.
Ditë
më parë, me disa miq të mi intelektualë të qytetit të Klinës, diskutuam
pikërisht për këtë çështje. Në historiografinë dhe kulturën tonë, Teuta dhe
Agroni janë njohur gjerësisht si figura të rëndësishme të historisë ilire. Me
kalimin e kohës, emrat e tyre janë bërë të pranishëm edhe në jetën dhe
shoqërinë shqiptare. Siç e trajtuam edhe në bisedën tonë të përbashkët, ne
shqiptarët kemi baballarë, nëna, vëllezër, motra, bij dhe bija që mbajnë emrat
Agron dhe Teuta, q? do të thotë se për ne, pikërisht kjo është shumë
domethënëse. Pa pretenduar se vetëm emrat mund të dëshmojnë vazhdimësi
historike apo prejardhje, përdorimi i tyre tregon, së paku, afërsinë kulturore
dhe emocionale që shqiptarët kanë krijuar me kujtesën e botës ilire.
Pas
përurimit të shtatores, vëmendjen ma tërhoqi edhe komenti i historianit kroat
Ivan Pamiç, i cili e vë theksin te dallimi ndërmjet historisë antike dhe
interpretimeve kombëtare bashkëkohore. Ai argumenton se Teuta duhet lidhur më
fuqishëm me bregdetin lindor të Adriatikut, veçanërisht me hapësirat që sot u
përkasin Malit të Zi dhe Dalmacisë jugore. Ky këndvështrim i tij ndoshta edhe
jo aq i matyruar, mua më shtyn ta shoh çështjen me më shumë kujdes dhe në një
kontekst më të gjerë historik.
Teuta
i përket një kohe shumë më të hershme se shtetet, kombet politike dhe kufijtë e
sotëm. Prandaj, figura e saj nuk duhet domosdoshmërisht të lexohet vetëm përmes
hartës politike bashkëkohore. Por kjo nuk e zbeh domethënien që ajo ka marrë në
kujtesën shqiptare.
Përkundrazi,
këtu qëndron edhe reflektimi im analitik. Pra, një figurë historike mund të
lidhet me një hapësirë të gjerë gjeografike dhe, njëkohësisht, të zërë një vend
të veçantë në kujtesën historike e kulturore të një populli.
Për
ne shqiptarët, në përgjithësi, Teuta, Agroni dhe figura të tjera ilire janë
pikërisht ndër ato personalitete të lashtësisë që janë ruajtur në
historiografinë, kulturën dhe simbolikën tonë. Edhe përdorimi i emrave të tyre
ndër shqiptarë është një shprehje e kësaj kujtese dhe e kësaj afërsie
kulturore. Prandaj, shtatoren gjigante të Teutës mbi Ranën e Hedhun nuk e shoh
si një pretendim për ta kufizuar figurën e saj brenda një historie
ekskluzivisht kombëtare, por më fjalë tjera e shoh si një shenjë nderimi ndaj
një figure të lashtësisë ilire, e cila ka zënë një vend të rëndësishëm edhe në
kujtesën historike dhe kulturore shqiptare.
Popujt
e tjerë përgjatë Adriatikut mund ta kujtojnë dhe ta interpretojnë Teutën në
raport me historinë dhe trashëgiminë e hapësirave të tyre. Kjo nuk ka pse ta
përjashtojë mënyrën se si shqiptarët e kanë përfshirë atë në kujtesën e tyre
historike dhe kulturore.
Dhe
ndoshta pikërisht këtu qëndron simbolika më e bukur e shtatores mbi Ranën e
Hedhun: Mbretëresha Ilire Teuta qëndron përballë Adriatikut – një hapësire më
të gjerë se kufijtë e sotëm – ndërsa për ne shqiptarët mbetet një figurë e
lashtësisë ilire, emrin e së cilës e kemi ruajtur me respekt në historinë,
kulturën dhe familjet tona. Ky është, për mua, kuptimi i saj më i natyrshëm: jo
pretendim mbi historinë, por respekt ndaj kujtesës.
Klinë,
26 shtator 2026

Ps: Fotoja e ime e shkrepur 2 ditë para perurumit të shtatorës së Mbretereshës Teuta në Shengjin...


