Jusuf Buxhovi: Shqipja në Maqedoni, gjuhë zyrtare apo jo?!
SHQIPJA NË MAQEDONI, GJUHË ZYRTARE APO JO?...
Nga
Jusuf Buxhovi
Kësaj
pyetje "hamletiane" duhet t'i japin përgjigje sot më shumë se kurrë
dhe pa sjelljen e strucit klasa e gjithmbarshme politike shqiptare në
Maqedoninë e Veriut, veçmas ajo e dalë nga lufta e përfshirë në të gjitha
qeverisjet mbas marrëveshjeve të Ohrit dhe atyre të Prespës me gojën plot të
barazisë së gjuhës shqipe, duke e anashkaluar qëllimisht barazinë kushtetuese,
për ç'gjë në vitin 2001 u rrukën armët dhe u derdh gjak, me atë ligjore, pra
atë të numrave, ku 20 përqindëshi shfaqet limit i përdorimit të shqipes në
suaza komunale, që do të thotë, se në ambientet ku kjo përqindje bie nga shkaku
se një pjesë e shqiptarëve identietin kombëtar tashmë po e zëvendësojnë me atë
fetar, mund të ndodhë që arsimi shqip të zëvendësohet me atë "të shumicës"
maqedonisht ose turqisht!
Ky
mashtrim, në të vërtetë, ka nxjerrë në pah fytyrën e vërtetë të klasës politike
shqiptare në Maqedoni e prirur që të drejtat kombëtare të mos i shohë në
përputhje me barazinë kushtetuese si popull shtetformues, por volumin e posteve
në administratë, diplomaci dhe borde, gjithnjë në sherbim të nomenklaturave
politike maqedonase, të cilat, pjesëmarrjen e shqiparëve në qeverisje e kanë
instrumentalizuar për qëllimet që Maqedonia e Veriut të etablohet shtet-komb me
miratimin e shqiparëve!
Këtij
mashtrimi, që tashmë, me ardhjen në pushet të opozitës së deridjeshme
nacionaliste, së cilës një pjesë e spektrit politik shqiptar i ka sherbyer me
vasalitet, po i çirren maskat, por në dëm të shqiptarëve, të cilët, barazinë
ligjore të gjuhës nuk e kanë as sa ajo e vitit 1974, ndihmesë të madhe i dhanë
edhe të gjitha shtresat intelektuale të mendësisë së çajtoreve të Bashqarshisë,
servile ndaj klaneve politike shqiptare në pushtet, siç i dhanë ndihmesë të
madhe edhe mediumet, gjithashtu në shërbim të feudeve politike të Tetovës apo
atyre "të qytetarisë" nga Shkupi, që u pajtuan që diskursi i barazisë
ligjore, pra ai i numrave, të manipulohet me atë të barazisë kushtetuese të
gjuhës shqipe, në preambulën e kushtetutës së shtetit.
"Çirrjet"
e politikanëve shqiptarë se me vendimet e fundit të Presidentës së shtetit , që
hoqi shqipen nga preambula e presidencës dhe të Gjykatës Kushtetuese që vuri në
dyshim edhe barazinë ligjore të numrave, si manipulim politik, po "bëhet
puç kushtetues", janë hipokrite dhe antikombëtare njëherësh. Ngaqë qysh
nga Marrëveshjet e Ohrit, ato të Prespes, për ta "barazia" matej me
poste, me privilegje feudesh, me përfitime nga biznis të pista dhe jo me barazi
kushteuese, të sankcionuara në kushtetutën e shtetit!















