Hysen Ibrahimi: Hyrë Tejeci – Zëri që kurrë nuk u shua

Recension për librin
”ZËRI QË KURRË NUK U SHUA” i autores Hyrë Tejeci Murati, Prishtinë, 2026.
Sot,
më 12.05.2026, doli nga shtypi libri me titull ”ZËRI QË KURRË NUK U SHUA” i
autores Hyrë Tejeci Murati, Prishtinë, 2026.
Librin e shtypi
shtypshkronja “PrintingPress” në Prishtinë, me pronarë vëllezërit Arian dhe
Adrian Mumxhiu.
Një
roman kushtuar figurës së një udhërrëfyesi me vlera të larta atdhetare,
edukative dhe arsimore.
Libri
i autores Hyre Tejeci Murati i titulluar “ZËRI QË KURRË NUK U SHUA”, kushtuar
figurës së Prof. Fetah Bahtirit përbën një kontribut të rëndësishëm në
letërsinë shqiptare. Fjala është për pasqyrimin e një personaliteti që ka
ndikuar jashtëzakonisht shumë në organizimin e shqiptarëve, sidomos në mërgatë,
në kulturën dhe arsimin shqiptar, veçanërisht në rrethana të vështira historike.
Ky
roman shquhet për qasjen e saj të ndërthurur midis dokumentares dhe rrëfimit
personal, duke e trajtuar figurën e protagonistit nga këndvështrimi i një
intelektualeje dhe gazetareje me përvojë të gjatë.
Qysh
në hyrjen e këtij romani Hyrë Tejeci e orienton lexuesin drejt kuptimit të
figurës së Prof. Fetah Bahtirit si një personalitet i jashtëzakonshëm. Që në
faqet e para, fitohet bindja se kemi të bëjmë me një individ që e ka shndërruar
përkushtimin ndaj çështjes kombëtare, atdheut, arsimit, gjuhës, traditës
kombëtare etj. në një burim të pashtershëm veprimi dhe sakrifice. Ky zë i tij
nuk shuhet kurrë dhe kështu e vendos figurën e tij në një dimension të gjerë
shoqëror dhe historik, duke e tejkaluar kufirin e një biografie të zakonshme.
Autorja,
e vetëdijshme për kureshtjen e lexuesit ndaj personazhit kryesor, zgjedh një
qasje interesante narrative: ajo e ndërton hyrjen në formë rrëfimi me elemente
të romanit. Pra, të gjitha rrëfimet i mëvesh me petkun artistik dhe me elemente
letrare, edhe pse vepra në thelb mund t´i afrohet një monografie. Kjo
ndërthurje e zhanreve i jep tekstit gjallëri dhe e afron lexuesin emocionalisht
me figurën e Prof. Fetahut. Në vend që të paraqesë një hyrje të thatë
biografike, ajo zgjedh ta fillojë rrëfimin nga një përjetim personal – takimi i
saj i parë me protagonistin më 25 korrik 2016, gjatë përurimit të veprave të
mërgatës shqiptare në Suedi, organizuar nga Shoqata e Shkrimtarëve dhe
Artistëve Shqiptarë “Papa Klementi XI Albani”.
Ky
moment nuk është thjesht një detaj kronologjik, por një pikë kyç që shërben si
nxitës i gjithë rrëfimit. Përmes këtij takimi, autorja vendos një raport të
drejtpërdrejtë me protagonistin e romanit, duke e bërë narrativën më autentike
dhe më bindëse. Më tej, leximi i pjesëve përkatëse nga libri “Thesar Kombëtar…”
(faqet 279–294) shërben si një burim i rëndësishëm njohjeje për të, duke e
thelluar perceptimin mbi figurën e Prof. Bahtirit. Pikërisht ky lexim e trondit
dhe e impresionon autoren, duke nxjerrë në pah cilësi si durimi, përpikëria në
punë dhe një qasje e qetë, por e palëkundur ndaj jetës dhe përgjegjësive.
Në
këtë pikë, autorja arrin një përfundim të rëndësishëm interpretues: madhështia
e Prof. Fetahut nuk qëndron në zhurmën apo pretendimet, por në veprimin e
heshtur dhe të qëndrueshëm. Ky është një tipar që e dallon atë si figurë morale
dhe intelektuale, duke e bërë model frymëzimi për të tjerët. Pikërisht ky
ndikim i drejtpërdrejtë mbi autoren bëhet shtysë për krijimin e veprës që kemi
përpara, një vepër që qëndron në kufirin mes monografisë dhe romanit, duke
përfituar nga të dyja format.

Veçanërisht
domethënës është përshkrimi i vendlindjes së tij, fshatit Lisicë, dhe figurës
së babait, Ramadanit. Ai paraqitet si një njeri i respektuar dhe bartës i
kujtesës familjare, duke ruajtur me krenari traditat dhe historinë e brezave.
Kjo shtresë narrative nuk shërben vetëm si informacion biografik, por si një
element që ndihmon në formësimin e identitetit të vetë Prof. Fetahut. Në këtë
mënyrë, autorja sugjeron se rrënjët familjare dhe kulturore kanë luajtur një
rol të rëndësishëm në ndërtimin e karakterit dhe vlerave të tij.
Romani
”ZËRI QË KURRË NUK U SHUA” nuk është vetëm një prezantim i thjeshtë i figurës
kryesore, por një strukturë e menduar mirë që kombinon rrëfimin personal,
analizën dhe elementet letrare. Ajo arrin të krijojë një portret të gjallë dhe
të besueshëm të Prof. Fetah Bahtirit, duke e vendosur atë në një kontekst më të
gjerë historik dhe kulturor. Përmes kësaj qasjeje, autorja jo vetëm që
informon, por edhe frymëzon lexuesin, duke e bërë figurën e protagonistit një
model të qëndrueshmërisë, përkushtimit dhe integritetit njerëzor.
Gjatë
tërë librit autorja shprehet me një ton vlerësues dhe reflektiv, duke e
përkufizuar Prof. Fetah Bahtirin si një ndër ata individë që nuk maten thjesht
me vitet e jetës, por me thellësinë e ndikimit të tij në shoqëri. Ky formulim
nuk është vetëm një hyrje stilistike, por një tezë që përshkon gjithë veprën,
duke e vendosur personazhin në një dimension moral dhe kombëtar. Ajo e
paraqitet atë si një figurë shumëplanëshe: mësues, shkrimtar, përkthyes dhe
humanist, aktivist politik, i cili ka lënë gjurmë të qëndrueshme në çdo etapë
të jetës së tij.
Një
element i rëndësishëm i trajtuar në vepër është veprimtaria gjeografike dhe
shpirtërore e protagonistit. Si qytetar i Mitrovicës dhe më pas emigrant në
Suedi, për shkak të represionit serb në vitet ’80 dhe ’90, figura e tij
ndërtohet në dy plane: atë të vendlindjes dhe atë të mërgimit. Megjithatë,
autorja thekson se largësia fizike nuk e ka shkëputur asnjëherë nga Kosova në
aspektin emocional dhe intelektual. Kjo gjithnjë vë në pah zërin e tij i cili
nuk u shua kurrë, fakt ky që përshkon narrativën dhe i jep veprës dimension
universal.
Në
planin tematik, libri përqendrohet në përkushtimin e pandërprerë të Prof.
Bahtirit ndaj arsimit dhe atdheut. Edhe përballë pengesave politike dhe persekutimit,
ai nuk e ndërpreu misionin e tij edukativ. Si drejtor i shkollës “Velko
Banasheviq” (sot “Bedri Gjinaj”) në Mitrovicë, ai u përball me sfida të shumta,
duke u shpallur padrejtësisht armik i shtetit. Kjo përvojë e vendos figurën e
tij në kontekstin e intelektualëve të rezistencës, të cilët përmes dijes dhe
integritetit moral kundërshtojnë padrejtësinë dhe robërinë.
Një
aspekt tjetër me rëndësi që ceket nga autorja është veprimtaria e tij në fushën
e përkthimit, veçanërisht në atë juridik. Kjo tregon jo vetëm përgatitjen e tij
profesionale, por edhe angazhimin për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve në
situata konkrete, duke e shndërruar dijen në mjet shërbimi ndaj shoqërisë dhe
bashkatdhetarëve në mërgim.
Nga
pikëpamja letrare, autorja ndërton një prozë që nuk mbetet vetëm në nivelin
biografik, por është një model frymëzues për lexuesin. Autorja në këtë
roman artikulon qartë qëllimin e saj: të
pasqyrojë me ndjesi jetën, krijimtarinë dhe vizionin e Prof. Fetah Bahtirit si
një udhërrëfyes për brezat. Kjo e zhvendos veprën nga një rrëfim për individin
në një reflektim më të gjerë mbi rolin e individit në shoqëri.
Pra,
ky roman i Hyre Tejecit paraqet një figurë që tejkalon kufijtë e biografisë së
një individi i cili me angazhimin e tij është shndërruar në simbol të
qëndrueshmërisë, dijes dhe përkushtimit kombëtar. Përmes një rrëfimi të
balancuar mes faktit dhe interpretimit, autorja arrin ta japë pasqyrën e një
portreti të plotë të një njeriu që, edhe larg atdheut, vazhdon të jetojë dhe
veprojë në hapësirën e tij shpirtërore dhe kulturore gjithnjë të lidhur me
atdheun dhe kombin duke shëbyer besnikërisht.
Hyre
Tejeci është gazetare dhe krijuese, e angazhuar në shkrim, redaktim librash dhe
përgatitje referimesh me karakter kulturor e shoqëror. Ajo ka përvojë në
trajtime dhe vështrime kritike, si dhe në analiza mbi figura dhe ngjarje me
rëndësi, duke kontribuar në dokumentimin dhe interpretimin e tyre përmes një
qasjeje profesionale dhe reflektuese.
E
lidhur ngushtë me punën dhe figurën e Fetah Bahritit, ajo ka ndjekur nga afër
veprimtarinë dhe kontributin e tij, duke e bërë këtë edhe më të afërt me
aspektin personal dhe studimor. Ajo ka të botuar deri tani edhe tituj të tjerë,
jeton dhe vepron në Prishtinë.
Dhe
fare në fund mund të konkludojmë se nga pikëpamja letrare, autorja Hyrë Tejeci
me romanin ”Zëri që kurrë nuk u shua” ka arritur ta krijojë një model frymëzues
për lexuesin. Përmes një qasjeje të ndërthurur midis analizës dhe rrëfimit, ajo
arrin të pasqyrojë në mënyrë të plotë jetën, krijimtarinë dhe vizionin e një
figure të shquar atdhetare të Prof. Fetah Bahtiri, një dokumentim të jetës së
tij, por edhe si një udhërrëfyes me vlera atdhetare e edukativo-arsimore për
brezat.








