Meti Rexhepi: Arti i sintezave jetike
ARTI I SINTEZAVE JETIKE
Prend
BUZHALA: ANA TJETËR E JETËS (Poezi), LENA, Prishtinë, 2026

Libri
poetik “ANA TJETËR E JETËS” i autorit Prend BUZHALA, sipas renditjes së
deritashme bibliografike është i tridhjetë e një (31) në radhën e botimeve të
vëllimeve të tija poetike. Publikimi i radhës paraqet një fond të dukshëm
sasior, që pa dyshim shkrimtarin BUZHALA e radhit te më të frytshmit poetë, i
cili si në sasi edhe në cilësi e begatoi poezinë shqipe. Mirëpo, kjo është
njëra nga veçantitë jetësore të kultivimit të së bukurës së këtij autori.
Veçantia tjetër e qëmtimeve, e kërkimit dhe e pasqyrimit të trajtave dhe të vlerave
artistike të tij shtrihet gjerë e gjatë edhe në diskurset kritike, eseistike,
publicistike, të studimeve letrare të autorëve të veçantë dhe të dukurive të
përgjithshme në letërsinë shqipe. Duke pasur parasysh sferën e kritikës,
studimet letrare: eseistikë, publicistikë dhe monografi të veçanta letrare,
korpusi i veprave të këtyre gjinive dhe llojeve arrin 97 s’osh, pa tri njëqind
(100)! E tëra për një krijues të mirëfilltë si Prend BUZHALA është përmbushje
madhështore e opusit të tij krijues, e vlefshme për letërsinë dhe kulturën e
shkrimit shqip.
KUJTESA
E TRISHTË E EKSODIT TË SHQIPTARËVE
Nisur
nga cikli “Eksodi biblik i shqiptarëve të Kosovës më 1999”(Kantatë në tri pjesë
për recitativ e kor), vijojnë ciklet e gamës së gjerë të strukturës poetike të
librit: “Tapia e rrëfimeve”; “Nëna e heshtjes”; “Në paskajoren e qenies”;
“Çaste lirike me rrëfime komentuese”; “Poetët me gjarpër”(Në nëntë paradigma);
“Katër etyde për dritën”; “Njeriu i drejtë” (Katër fragmente poetike që kanë
humbur nëpër fragmente pa e gjetur as parë dot Njeriun e Drejtë); “Gjuha e
zgjuar nga guri”(Dhjetë shpalosje pergamene për një histori jetime); “Kënga e
grahmave”(Poezi me pak fjalë) dhe “Doracak nga mësimi i madh i historisë.”
Gjatë
leximit nga cikli në cikël, pra në dhjetë sitsh, të hapet moria e motiveve me
pamje e përfytyrime të qenësisë së jetës përplot ndjeshmëri, peripeci e
përsiatje të sprovave filozofike, etike, estetike dhe ekzistenciale. Siç shihet
fushë shtrirja e lëvrimit dhe e mbjelljes të farës së shkronjave, që shpirtëzohen
hullive, është e gjatë dhe e gjerë në hapësirë e kohë. Në dyqind e tetëdhjetë e
shtatë vargje rrokjesh e ritmesh, çfarë ia diktonin poetit përjetimet e thella
dhe drithërimet e pashuara të golgotës shqiptare nga “Eksodi biblik i
shqiptarëve të Kosovës” shfaqet kalvari:
“Kur
u nisën, si ndjekësit e Moisiut,
pas
shenjave, pas etheve e anktheve të zemrave,
ata
po shkruanin një hartë të re,
me
gishta të mbushur me dhe...”
Kantata
e rrëfimit të trishtimit të dhunës hyri në poezinë e poetit, të sprovuar
sikurse të tjerët, si dëshmi, si rrëfim vuajtjesh, pamje flakësh në vatra,
ankthe djegiesh, vatrash të rrënuara,
plagësh që nuk qepeshin dhe, thirrje për brezat qoftë edhe me zë të ngjirur:
“Kthehu,
bir! Ma mbaj gjallë kujtimin!”
Pasoja
solli rrjedhimin: qenësia lëndore pothuajse ishte zhbërë! Por, çka kishte
ngelur nga ajo gjëmë e zhbërjes së përsëritur ciklike mbi etninë jo sllave?!
Ajo që duhej t’i shpëtonte zhbërjes nuk ishte materialja. Atë që nuk mund ta
zhbënin barbarët do të ishte e pakapshme... E paprekshme ishte kujtesa e
rrënjosur thellë në vetëdijen e brezave. Mbajtja gjallë e kujtesës mund t’i rikthente ciklet
dhe, t’i rimbushte hapësirat e shtrirjes së ngrohtësisë së lirisë. Trishtimi,
frika, dhimbja, djegia e djepave, ndjekja për ikje dhe copëtimi shpirtëror
jashtë vatrave... Ku duhej ta lypte shpëtimin popullata, nëse jo te shpresa apo
te tejkalimi i frikës? Doemos të përndjekurit e dërmuar duhej ta tejkalonin
vetveten përmes një “Kthimi biblik, me ringjallje të heshtur.”
Poezia
e një rrëfimi thellësisht të ndjerë kap kalvarin e vuajtjeve të papërshkruara. Vuajtjet
nuk dolën nga legjenda e mite të imagjinatës, por mbase tej periudhës së
katrahurës ato do të shndërrohen në trajta legjendash e rrëfimesh të
trishtueshme, veçmas për ata pasardhës përtej vorbullave të historisë. Kështu
ka ndodhur në kohëra të humbura... Me gjasa përmasat e dhimbjes së vërtetë
kurrë nuk u përjetësuan, madje as majë penat më të mprehta nuk thurën dot të
vërtetat tona të pa jetësuara?!
Një
përngjasim përjetësimi homerik të Eksodit Biblik të Etnisë Shqiptare nëpërmjet
kësaj kantate për korin e recituesve, mëtoi ta përjetësonte në librin “ANA
TJETËR E JETËS” poeti Prend BUZHALA:
“Kthimi
ishte një besë, si ajo e Konstantinit me Doruntinën
Një
betim në heshtje: Këtu jemi, këtu do të qëndrojmë!”[1]*
KONCEPTI
POETIK I RRËFIMIT
Çka
sugjeron emërtimi “Tapia e rrëfimeve”, jo vetëm si titullim cikli?
Tapi
- a fjalë (turqisht tapu) dokument zyrtar mbi pronësinë e patundshme.
Të
kesh tapi mbi një pronë është legjitimimi juridik i pronësisë së trashëguar në
breza nëpërmjet dokumentimit themelor të zyrtarizuar, sipas së drejtës etnike
dhe qytetare. Këtu rrënjët e tapisë qëndrojnë në qenësinë e vijueshme etnike,
me anë të dëshmive arkeologjike nën dhe e, mbi tokë. Por, ja që kjo e drejtë e
tapisë ndodhet nën goditjet shekullore shpërfillëse të barbarisë sllave.
Gjithsesi me zjarr e hekur etnisë po i grabitej tapia ekzistenciale, duke iu
lëshuar mbi trup stiva e dhimbjeve, e dhunës më mizore kundruall të vërtetave
të tapisë e ngjizur në gjak, djersë e ëndrra:
“që
fshihen nëpër kujtime,
si
thesare të nëndheshme”
Atëbotë
në zemrën, shpirtin dhe dorën e Mjeshtrit mbetën amanete të pashkruara që të
skaliten si:
“rrëfime
që derdhin lotët
nga
sylynjarët e zemrave” (Po aty; f. 29)
Bartësi
shpirtëror i plagëve është i ngarkuar me barrën e këtillë të zbrazjes, që nuk
është thjesht zbrazje, me dëshmi rrëqethëse që nuk janë, veçse dëshmi me
kujtime të trishta, që s’janë vetëm trishtimi i një katrahure kalimtare, por
gjithandej gjëmës që mund të fashitet e t’i mbesin dënesat e herë pas herë të
pamundësisë për rikthimin e shërimit e të Shpresës së Madhe! E gjithë kjo
periudhë vorbullash e dhunës, poetit i hapi një shteg për ta përtrollitur të
zgjeruar konceptin e tapisë së bëmave dhe, kërkoi ndihmën stilistike edhe
nëpërmjet antipodit të poezisë: prej rrëfimit arteries gjallëruese të
prozës. Në këtë përmasë shkrimore na vjen pyetja konceptuale: si do të mund ta pajtojë
poeti narracionin, përkatësisht stilin rrëfimtar për bartjen e kujtesës mbi
natyrën refleksive tejet të ndjeshme të poezisë lirike? Mos vallë
shkrim-qëmtuesi me çelësin e gjinisë së prozës, do të mund t’ia shumëfishojë
faqet e dëshmive pjellorisë së poezisë, duke i dhënë një rol praktik
ndjeshmërisë shprehëse të poezisë edhe përmes mjeteve rrëfimtare, por pa e
cenuar frymën e saj figurative? Sido qoftë, Mjeshtri ynë poezisë së tij arriti
t’i jap pajtimin përputhshëm: konceptin e rrëfimit poetik me njomështinë e
poezisë lirike. Ai këtë barrë e mati me sy e zemër për ta shpjer në cakun e së
mundshmes së konceptimit të tij artistik:
“
Kjo barrë rrëfimesh
është
tapia jonë e dëshmive” (Po aty; f. 31)
Cila
është barra shpirtërore e rrëfimeve që poeti duhet t’i nxjerr nga terri i
frikshëm në dritën e së vërtetës? Në këtë kontekst nuk ka asgjë paradoksale,
por ka një logjikë, përmes së cilës ishte përtrollitur tmerri:
“plagët
që na therin,
kur
errësira e vuajtjeve na mbulon.”
Të
gjitha vuajtjet, plagët, përdhosjet dhe dhimbjet, e gjithë tragjedia e dhunës
së shpopullimit të dhe-përshkrimit dardan, në pikë cakun e poetit doemos duhej
të sublimoheshin në tapinë tonë madhore, në tapinë e dëshmive tona. Barrës të
renditjes së rrëfimeve për ta dëshmuar meritën e përgjakshme të tapisë për
trojet, assesi e shmangu poeti i identifikuar me fatin dhe fatkeqësinë e
kurdisur mbi kurrizin e etnisë. Çfarë do të ndodhë pastaj në ëndrrat
drithëruese të gjakimit të kthimit dhe, të ri -ngulimeve në vatrat e djegura të
vendlindjes? Ndodhi rikthimi te tapia, sepse tashmë kemi tapinë e lotëve, të
gjakut, të dhimbjes dhe varganin e rrëfimeve... Që të gjitha ia shtojnë
vëllimin faqeve të librit dhe tapisë.
Gjithnjë
jemi brenda konceptit të rrëfimit ose të shumësisë së rrëfimeve, por në gjininë
e ndjeshme të poezisë. Poezia ka veçantinë e saj dhe, rrjedha e rrëfimit doemos
i jep asaj aq peshë sa mund të bartin supet e saj të njomë, përherë të
ndërtuara në rregullat që e shquajnë. Pa dyshim poeti Prend BUZHALA kaherë
është përngjasuar me natyrën e poezisë, me finesat dhe zbatimin praktik të
veçorive poetike të poezisë. Ai e sheh të pashmangshëm konceptin e rrëfimit
poetik, andaj e zbaton me vendos- mëri. Rrëfimi poetik, sipas poetit, në
poezinë postmoderne nuk mund të jetë i një njëshëm, sikurse te simotra
rrëfimtare e poezisë proza. Ndarjet klasike të llojeve dhe të gjinive moderne
dhe postmodernia ua kanë ndryshuar fytyrën. Te secila shfaqen prani të dukshme
të njërës te tjetra, pleksje të llojeve apo të zhanreve. Si tipologji e tillë më
gjithëpërfshirëse haset te proza dhe dramat e Beqir Musliut.
Poezisë
së poetit dhe estetit Prend BUZHALA koncepti i rrëfimit poetik i shërben për
kapje sa më të gjerë të lëndës së dukshme dhe të padukshme ideore dhe të
përfytyrimeve imagjinare. Ai në diskursin e vet poetik mëton t’i përmbush dy
caqe:
kapje
të gjerësive tematike dhe të motiveve të patrajtuara të realitetit jetësor e
fiktiv dhe,
artikulime
përvojash e sprovash për t’i shtruar në një rrafsh të sheshtë qartësie
ndikuese, e qëmtuar kryesisht nga s’përshfaqja në thellësi të ngjarjeve dhe të
dukurive.
Këto
dy premisa janë pikënisje udhërrëfyese për shtjellimin në vargje të akëcilës
dukuri të realitetit, që në pamje të parë të duket i pa ndërlikuar, por nën
syprina fsheh të panjohurën e këndshme apo të pakëndshme dhe, zgjon përsiatje
për perceptime e përthellime të njohjes. Andaj, poetit nuk i mjafton vetëm
zgjimi i ndjenjës estetike për të bukurën, për të madhërishmen, për të ligën
dhe të shëmtuarën, për tragjiken dhe heroiken, për fatin ironik dhe
marrëzinë... Poetit i shtrohen edhe dilema për kahet e mësimeve dhe të pësimeve
të shpirtrave njerëzorë. Për çdo zgjim mëngjesor Ai lutët te i Tej të Lartit,
që t’i ndjejë dhimbjet dhe të mëshirohet
me ne për huqet dhe gabimet tona; të përçojë frymën biblike kundruall ndasive
racore dhe të urrejtjes ndërnjerëzore:
“Na
ndihmo ta shohim të bukurën
te
secila qenie njerëzore” (Po aty; f. 31)
Lutja
si e këtillë shquan tiparet njerëzore dhe estetike për praninë e së bukurës “te
secila qenie njerëzore.” Përmes kësaj lutjeje të drejtuar të Tej të Lartit
shpërfaqet bukuria estetike, shpirti i një estetike si njëra nga tiparet
themelore të cilësisë të së njerëzishmes, kundruall vrazhdësisë dhe egërsisë,
tiranisë dhe barbarisë, së keqes dhe djallëzisë mes njerëzve.
LIGJËRIMI
I HESHTJES
Në
përsiatjet e tij poeti i rreket zbërthimit të ngërthesave, të cilat i has madje
dhe në hapësira të panjohura... Ndoshta ato hapësira i përkasin fluturimeve në
ndërdymën e poetit? Mos të hamendësojmë: se kërkimi i hireve të njeriut nga
poeti, shpijnë edhe atje ku logjikës njerëzore i topitet mendje - mprehtësia.
Gjithandej intuita e thellë poetike kap përfytyrime për shenjat e lashta të një
kujtese, që nuk ruhet vetëm në sirtarë apo skedarë raftesh të mbyllura brenda
muresh dhe kulmesh. Penë - shkruesit tonë përfytyrimet i shpalosen edhe si
pohime paradoksale:
“Qenka
vetëm qielli
që
t’i ruan thesaret e fshehura
në
arkivin e vet qiellor” (Po aty; f. 35)
Poezia
që në thelb ngrihet mbi kontraste ndjeshmërie, mbi përfytyrime paradoksale, nuk
përmbushet vetëm nga mbresat vezulluese të syprinave. Ajo shfleton edhe arkivin
qiellor që t’i kapim shenjat e dikurshme të mbetura për t’i eksploruar në të
sotmen.
“ANA
TJETËR E JETËS” së qëmtuar të Prend BUZHALËS është shumësia e muzave të
kujtesës, Orët e Mësimeve të Pamësuara, hapa të hedhur në labirintet pa mure,
harrimi i vetvetes shtresave të vetëdijes somnambul; ligjërimi për “Revoltën e
Heshtjes”, shëmbëllimi i Vinçenc Prendushit, i Etëhem Haxhiademit, Marie Tucit
e mbyllur në “thesin e natës“, “Në moshën e lulëzimit të jetës” në thes me
macen! E folura e prozopopes dëfton dëshminë rrëqethëse të vuajtjes së
idealistes shkodrane Marie Tuci:
“Një
mace çirrte trupin tim,
por
shpirti im rrinte zgjuar
si
një yll që nuk fiket
në
qiellin e vuajtjes”
Drama
mbi personazhin e poezisë Marie Tuci, përmes rrëfimit poetik në ciklin
“Nëna e Heshtjes”, merr shtrirje të përmasës së mizorisë së vuajtjes dhe
ngadhënjimit etik mbi vuajtjen në pesëmbëdhjetë njësi poetike. Poeti BUZHALA
rikthen në përfytyrime brezash rrëqethshëm shëmbëlltyrën unike të një
idealisteje atdhetare, siç ishte Marie Shllaku.
Çështja
e ngritur në pararendje të këtij këndvështrimi për rrëfimin si mjeti
parësor që ndërton skeletin e prozës, rikthehet pikërisht te cikli përkatës i
lëndës, si rrëfim poetik i përdorur me masën e mjeshtërisë që nuk
cenon natyrën lirike të kësaj poezie. Në qoftë se elementët e epikës, të
paraqitjes epike të së vërtetës, i japin krah mbështetjes së frymëmarrjes lirike,
te lirika e motivimit të këtillë kemi një gërshetim pleksjesh të shkrira të
anës rrëfimtare me reflektimet figurative të peripecive.
Brenda
treqind e pesëdhjetë vargjesh rrokjesh të ndryshueshme në trajtë ri - kujtese
poetike, BUZHALA rikthen kujtesën e heshtur për vashën Marie Tuci; një
shëmbëlltyrë sakrifice me pikësynime bashkimin e trojeve të copëtuara
shqiptare. Dëftorja dramatike ndërtohet
në trajtën e një monologu të dialoguar, e shfaqur nga prozopopja që herë - herë
veta e dytë e botës së amshimit përplotëson vetën e parë. Vargjet e trajtës
shprehëse të prozopopes e përçojnë përcaktimin e pakthyeshëm të Heroinës nga
idealet e tërësisë së kombit, pa të cilat nuk e përfytyron jetë - rrojtjen, as
gëzimet e moshës:
“Nuk
e shita fjalën,
nuk
e ula shikimin
nuk
e ndava shikimin nga Zoti”(Po aty; f. 55)
Mbresa
e thellë e bëmave të krye-personazhit të historisë dhe të poezisë Marie Tuci,
nuk të lë të qetë dhe pa përsiatje... Këtë dhunti e ka arti. Sërish nuk mund
t’i largohemi mbresës së pyetjes retorike: si iu ngjiz forca morale vashës me
prejardhje mirditore? Gjithë ajo forcë pathyeshmërie nga mizoria që zbërtheu
mizori mbi atë trup të njomë të Marie Tucit! Asaj forca i ishte ngjizur në bindjen dhe
besimin e thellë tek etnia dhe te Zoti, te pastërtia e një shpirti që po i
falej kurban atdheut me filozofinë biblike, shëmbëllyeshëm Jezu Krishtit.
Heroina, thellësisht deri në frymën e fundit, do t’i jepet trinisë: idealeve
të bashkimit kombëtar, parimeve të filozofisë së Krishtit dhe nderit të papërlyer
mbi bazamentin e guximit. Vasha shfaqet në figurën e prozopopes, si një
qëmtim i autorit për spikatje të gatishmërisë së një shpirti për flijim. E
madhërishmja e flijimit patjetër që duhet nënvizuar si kryefjalë e shëmbëllimit
estetik të kategorisë të së madhërishmes.
Poezia
“Letër që nuk u shkrua kurrë” ligjëron trajtat e një dëftoreje, e cila brenda
vetes mbartë dhimbje e llahtari njëkohësisht admirim e krenari, larg-vajtje të
jehonës së mbyllur, së cilës poeti ia zgjeron përmasën e hapësirës sipërore,
nga burgu deri në lartësinë e muzave dhe të Hyjnisë qiellore:
“Po
më bëjnë copë, më kafshojnë, më thyejnë
Unë
nuk qenkam bërë prej frike, nënë.
Jam
bërë prej Krishti, prej gjaku mirditor,
Dhe
shpirti im i lartë s’njeh dot dorë mizore” (Po aty; f. 56)
Heshtja
si kategori shpirtërore ia përfytyron poetit dëftimet e atmosferës së kohës,
bëmat e zëshme, sintezat më kuptimplota, tipare të një lirike e gatuar prej
brumit të sprovimeve me sfond biblik:
“Këtu
më futën
për
ta harruar Zotin,
po
unë e bëra Zotin shok qelie
dhe
muret i mësova të luteshin”
(Poezia
“Qelia nr. 13”)
Rrjedhave
të ligjërimit në librin “ANA TJETËR E JETËS” nga konteksti i leximit të
metaforës “Thesi i natës”, natyrshëm del analogjia: ana tjetër e heshtjes.
Atëherë çka qenka pra ajo anë tjetër e heshtjes? Uni i poetit BUZHALA i dha
kahe penës së tij të mos ndryshkej në heshtje. Në të ndërdymën e tij krijuese
nuk mbaheshin më tej gacat nën hirin e asaj heshtjeje... Sapo filluan të
digjnin ende të pafikura në tetë dhjetëvjeçarë... Autori filloi shpërpushje të
zjarrit të gjëmës së mbuluar me hirin e heshtur. Ishte gjëma e madhërishme e
Marie Tucit... Asaj duhej t’i spikatej zulma qoftë edhe me figurën që i flet
amshimit:
“Unë
jam zëri që s’foli
e
dëgjohet gjithnjë
në
ndërdijen e kombit “
(“Martirja
e fundit”)
Kësisoj,
heshtja është prodhimtare e një shumësie sintezash artistike, mësimesh të
trishtueshme, të cilat dalin si ushtima nga majë - pena e mendjes thellësisht
të njësuar me krye - personazhin, motër jona Marie Shllakun. Pamjet e poezisë
na vijnë gjithnjë me një stil epik - lirik, heroik e dhimbje - përçues, por përjashtohen
pozat patetike dhe ligësia. Mbahet në këmbë logjika e paturbulluar e filozofisë
së durimit dhe, krejtësisht logjikshëm përballë akteve të heshtjes del
kontrasti i rënkimit e i britmës së kushtëzuar...
Sinteza
artistike e poetit pa të ndërlikuar pohimin sjell konstatimin:
“Britma
është e shkurtër.
Heshtja
është e gjatë
sa
përjetësia.” (Po aty; f. 66)
Tre
vargjet e kësaj strofe metaforike reflektojnë porosi (j)etike.
Përtej
kësaj situate ekzistenciale e qëmtuar për vargje që kapin trajta të heshtjes,
tej çdo muri sado të trashë të burgut, referenca e zërit shpërthyes të Heroinës
është e pandalshme, madje shndërrohet në jehonë e kambanë tingëlluese e
heshtjes:
“Në
heshtjen time
u
rrit një zë
që
nuk mund ta shuaj asnjë burg.”
(“Martirja
e heshtjes” f. 66)
Stili
i poetit BUZHALA për çdo motiv motivohet, duke e ruajtur mëvetësinë e shprehjes
së atmosferës dhe të frymëmarrjes, mbarështron fjalësin me forcën e tij të
bindjes dhe, arrin pasqyrime gjendjesh shpirtërore të nuancuara, dritë - hijet
e kontrasteve mes kundërshtive njerëzore. Për të ilustruar diskursin konstatues
lë t’i përafrojmë dy tipa vargjesh që përfaqësojnë ndërtime të ndryshme
stilistike:
“S’ka
zinxhirë që mund të mbajë besimin tim” por, vargu vijues i veshur figurativisht
e shkrin pararendësin brenda vetvetes. Pohimi prozaik shkrihet në atë figurativ:
“as
shufra që shuan dritën që më mbanë gjallë”
Mjaftueshëm
përcillet në breza porosia e përgjakshme: e madhërishmja e Heroinës së njomë
ngjitet në lartësinë e idealeve hyjnore.
MOTIVE
DHE MOTIVIME TË GAMËS SË GJERË
Diskursit
tonë vlerësues botimi i librit “ANA TJETËR E JETËS” i sjell shumësi motivesh,
idesh dhe ndërtimesh figurative të tekstit poetik. Le t’i nënvizojmë disa
formulime që e përshkojnë tërësinë e faqeve të këtij vëllimi:
pamje
nën syprina të realitetit, përfytyrime kohësh të papërmbushura me rrëfime, kahe
e mëkate të identitetit dhe të ligësisë; filozofia biblike e faljes (modeli i
Vinçenc Prendushit); kultivimi i një etike për pezmin kundruall së keqes;
reflektime për kthimin te vetvetja; shpalime shtresash të vetëdijes; shenjat e
pavdekshme të kujtesës; sprova të urtisë; përshkallëzimi i marrëzisë; alkimia e
shndërrimit të helmit të gjarpërinjve nga poetët “në një art të fshehur, të pa
emër, për të gjetur shpëtim vetëm për
lirinë.” Mandej, motivime fisnike të poetëve të përcaktuar në misionin për
shpëtimin e njerëzores dhe të botës; etydet për dritën; bredhëritje nëpër
galaktika; koncepti poetik për fjalën; për të vërtetën; për Fjalën e Lirë; për Pushtetin
e Lirisë; ligjërime për vetveten; për krizën e shenjës identitare; për jetën pa
të bukurën; “Gjuha e zgjuar nga guri”; “Kënga e grahmave”; shpalime nga mësimi
i madh i historisë; Republika e dëshmive të luftës”; sprovime të urtisë; helmi
i shndërruar në alkimi”; koncepti për njeriun e harruar; mëkati i heqjes dorë
nga vetvetja; poetët me gjarpër...
ALKIMIA
E HELMIT TË GJARPRIT
Në
138 vargje të poezisë “Poetët me gjarpër”(Në nëntë paradigma) thuret ideja e
metamorfozës së gjarprit, e helmit që “përhapet nëpër kujtime dhe mbështjell
secilin mendim të lirë.” Përtej shtjellimit fillestar, poeti përpiqet t’i
shpëtojë atij gjarpri të përhershëm pas secilës kthese të shpirtit. Porse, çka
qenka ai gjarpër i përhershëm në kafazin e brendshëm të poetit? Këtu poeti
kuptoi si zbërthehen trajtat e lakoreve të ngërthesës metaforike gjarpër:
“Gjarpër
qenka vetëm mendimi
që
të ndjek pa pushim, i heshtur, i përhershëm,
një
fantazmë që nuk do të ikë
dhe
çdo shpërthim i tij lë një shenjë” (Poetët me gjarpër1)
Diskursi
poetik i metamorfozës poetin e shpie drejt çlirimit të shpirtit dhe, kjo është
forca etike - shpirtërore që arrin ta tejkalojë vetveten. Vetvetja bashkohet me
të vërtetën. Kështu, poeti merr një rol të ndjeshëm, por të pabujshëm për ta
gjetur trajtën e shpëtimit për lutësin. Poetit i është futur helmi, por kërkon
trajta për të mos u helmuar, që të mos shndërrohej në helmues! Si do të
çlirohet Ai nga helmi i së keqes? Si trajtë zilie apo të tjera sinonime zilish,
helmatisja ka depërtuar thellë në egot njerëzore. Poetët e kanë ndjeshmërinë e
pagjumë dhe durimin që e futën në çdo fjalë, në çdo simbolikë “kur në shpirtin
e tyre helmi bëhet poezi!” Pohimet e estetëve se poezia në qenien e saj është
paradoksale, përputhet pikërisht në këtë trajtë shtjellimesh të metamorfozave
ideore të Prend BUZHALËS. Sipas këtij diskursi të artit - etikë poetët e
përqafojnë helmin! Po si? Ashtu. Pse e dinë se ai iu shërben si çelës i
shpirtit... Ata, poetët arrijnë helmin ta shndërrojnë “në një puthje magjike!”
Si? Kështu, ngaqë nuk frikësohen nga helmi që i vret. Ata e mbledhin me duar
dhe e “përpunojnë si ar duke e shndërruar në liri.”
Vargjet
e diskursit magjik gjithnjë janë në kërkim të magjikes art - jetike. Gjithnjë
në kërkime pas krijimit të ëndrrës së prekshme, të urtisë së guximshme ndaj
“digjen dhe rilindin”si Feniksi, “për ta dhënë atë që të tjerët s’mund ta
shohin”
Në
kontekst të paradigmës së katërt (IV) tre vargjet vijues sjellin sintezën e
alkimisë:
“Poetët
janë ata që e marrin helmin e gjarpërinjve,
dhe
në duar të tyre e bëjnë alkimi të pafund,
që
vetëm lirinë mund ta krijojë” (Poetët me gjarpër, f. 104)
Paradigma
e pestë përthellon përkufizimin për poetët, si bartës misionesh për ta
shndërruar dhimbjen në një simfoni.
“në
një melodi që bëhet tingull i shpëtimit
në
një notë që ringjall shpresën dhe ndriçon
errësirën
e botës së mbërthyer.” (Po aty; f. 105)
Përmasa
e misionit të poetëve shtrihet në gjatësi, lartësi dhe thellësi të pamatshme.
Diskursit analizues lë t’i flasë tërthoras apo drejtpërdrejt misioni poetik,
ndonëse e folura e tërthortë i përket kryesisht stilit figurativ:
“Poetët
marrin gjithçka,
çdo
armë të përdorur, çdo plagë të hapur,
e
kthejnë në poezi, për të krijuar një galaktikë të re,
ku
çdo yll që zbret -
është
një fjalë e pathënë, një varg që ndriçon
për
ata që kanë humbur shpresën “ (Po aty; paradigma e VIII, f. 108)
Misioni
që iu ngarkohet poetëve në nëntë paradigma poetike, në përfytyrimet tona vjen
si seria e çasteve të ëndrrave hiperbolike, të cilat burimet i kanë në
zhgjëndrra të një realiteti të frikshëm, përplot shpërthime bombash e luftërash
dhe tmerresh shkatërrimtare! Megjithatë, poetët shkëpusin yje që t’ua vënë në
ballë njerëzve për ta ndriçuar paqen.
Sinteza
e zmadhimit poetik e Prend BUZHALËS sublimohet në pohimin madhështorë: se
poetët e shpëtojnë botën!
Vëllimi
“ANA TJETËR E JETËS” e motivoi gjithanshëm autorin të qëmtojë një mori
margaritarësh artistikë, nga gërmimet e pandalshme shtresimeve të kuptimit,
prej më të imtave njësi të fjalës e fjalëzave, simbolesh e metaforash,
apostrofash e refleksesh që shpërfaqin kumte, kënde e pikasje shpesh të
pavërejtura në hapësirat rrethanore të njeriut.
LIGJËRIMI
PËR VETVETEN
“ANA
TJETËR E JETËS” mbase pashmangshëm prek ligjërimin për vetveten. Për ta njohur
vetveten, jo njëherë, duhej të kishe pasur udhëtime nëpër stuhi ndodhish:
tërmete, rënie e ngritje, dhimbje, pikëllime, ngazëllime. Poeti BUZHALA jo
rrallë sjell konstatime themelore për karakterin njerëzor, për mënyrën e
formimit të karakterit mbi parime dhe kënd - shikime e mëdyshje ndaj lakmisë së
vetvetes e të brez balljeve.
“Nuk
do të jesh i drejtë, as ai që ke qenë,
po
që se nuk e ke si mal mbi shpinë
dyshimin
mbi vetveten e mbi krejt botën” (Po aty; f. 124)
Karakteri
dyshues ndaj vetvetes dhe botës njeriut i jep shkase për përsiatje mbi kahen e
udhës dhe çfarësinë e arritjes deri te qëllimi. Mësymja rrugëve të lehta dhe të
pandershme drejt mirëqenies nuk të shpien te cilësia e përkufizimit togfjalësh:
Njeri i Drejtë. Vetvetja e drejtë provohet vetëm në kontrastin e mundjes së
lakmisë dhe, si t’i qëndrosh pastërtisë apo papastërtisë së asaj?
“Si
të qëndrosh kështu
i
rrethuar nga një botë kaq të shtrembër, kaq katile?
E,
po, ky qenka një Hap i Vërtetë:
çdo
dyshim qenka një hap drejt njohjes.”(Po aty; f. 127)
Mosnjohja
e vetvetes përfshin edhe përmasën e humbjes jo, veçse të shenjave të
identitetit... Qartë e thjeshtë identiteti ka shenjat e simbolikës së vet me të
cilat identifikohet e djeshmja, e sotmja dhe e nesërmja:
“Në
vend të kuqes
erdhi
një
ngjyrë që s’ka dhembje,
një
stof pa kujtim,
pa
shenj gjaku,
pa
plagë.” (Po aty; f. 145)
Pësimet
etnike të krizës identitare provokojnë vetëdijen e poetit, gjendjen tragjike të
humbjes, të mos qenët vetvetja, të tjetërsimit dhe të asimilimit. Nëse mohimi i
identitetit kushtëzohej së jashtmi ishte brengë rrethanash, por nëse humbej së
brendshmi, heqja dorë vullnetshëm prej vetvetes është mungesë e plotë e
vetëdijes?! Pikërisht ky është mëtimi i Thirrjes së Madhe të Mësimit, i
apostrofës madhore që rrjedh nga sprovimet e udhë rrëfimit të kësaj tipologjie
poetike:
“Nëpër
rrugët e mohimit, krijo oazën tënde” (Po aty; f. 177)
Mësimet
përgjithësuese për trajtimin e vetvetes dhe përbërësit e ngjizur të
identitetit, të qenët vetvetja ose vetja autentike shpalosin cakun konkret të
qortimit:
“Po
hoqe dorë nga lufta për Fjalën Shqipe,
është
njësoj
si
të heqësh dorë nga Fjalët Zot e Atdhe
ose
nga foshnjat ose nga rrezet e diellit”
Këto
porosi të drejtpërdrejta janë abeceja jetike e qenies sonë identitare etnike e
njerëzore. Kapërcimi symbyllur mbi këta përbërës të mëkëmbjes së gjallërisë
sonë, rezulton mallkimin më të pafalshëm! Kësisoj, poeti nxori nga poezia njërën
nga sintezat fondamentale të plotnisë etnike:
“I
pari mëkat në botë
qenka
heqja dorë nga vetvetja” (Po aty; f. 188)
KONCEPTIMI
I JETËS PA TË BUKURËN
E
dëgjojmë dhe ndjejmë ëndjen e melodisë së një zëri të bukur dhe përshkues në
ndjesi. Shkëlqimin e papritur të rrezeve diellore, prarimin e ngjyrave stinëve
të lulëzuara. Hijeshinë e tipareve të vashës; zjarrin e shpërthimit të butë të
luleve dhe erë - ëndjen e aromës dehëse të tyre... Pastaj shumë përbërës
dukurish që e shpërfaqin magjiken dhe të bukurën e jetës... Ndoshta mos të
japin diçka të dobishme, diçka që gufon ndjesitë dhe të joshësh shpirtin për
pamjet e përfytyrimet? Ato dalin e hapen si petale, si gjethe të blerta, si
faqe fletash të shkruara që t’i lexosh e, t’ua shijosh magjiken e librave
përplot hire të Enigmës së Përsosjes së Bukurisë... Trajta të shfaqjes së dritë
- hijeve si hijeshi e fisnikëri e qarkullimit të botës së jashtme dhe,
pasqyrime të brendshme të shqisave impulsive te homo sapiens.
Poeti
Prend BUZHALA këtu ngre vargun hipotetik sintetik për pikëpyetjen që në vetvete
ngërthen dhe zbërthen përgjigjen:
“E,
ç’kuptim ka jeta pa të bukurën?”
FJALË
PËRMBYLLËSE
E
tërë lënda poetike brenda titullit të librit, mbase paksa prozaik “ANA TJETËR E
JETËS”, i poetit dhe studiuesit të pasionuar Prend BUZHALA, doli e shkruar prej
përvojës së thellë të baticave dhe të zbaticave të jetës; e mësimeve nga
pësimet e saj, të përthelluara në dukuri e ngjarje reale dhe imagjinare të
realitetit tonë të prekshëm dhe të paprekshëm.
Teksti
artistik është ngritur në një epërsi shkrim - qëmtuese të denjë për t’u lexuar,
për ta shijuar dhe për t’ia vjelë të vërtetat e çiltërsisë së përjetësuar në
poezi.
Pothuajse
secila poezi në këtë libër të autorit BUZHALA hap shtigje përfytyrimesh,
nëpërmjet të cilave mund t’i shohësh dhe t’i ndjesh, të përngjasohesh me anët
tjera të panjohura të ekzistencës. Jo në pak raste, poeti më shumë i lë vend perceptimit
njohës të vargut dhe figurës, se sa mbresës lirike të poezisë.
Prend
BUZHALA në përkushtimin e tij krijues, si i rrallë në letërsinë dhe kulturën e
shkrimit artistik e të diskurseve kritike të shqipes, krijoi një opus tejet të
pasur letrar.
Atij
më së miri i përshtatet pohimi i teorikut Ostin Voren: “Asnjë ditë pa shkruar
ndonjë rresht.”
Gjilan,
maj 2026









