Hamdi Hysuka: Tribunë e kujtesës, artit dhe bashkimit shpirtëror

Tribunë e kujtesës, artit dhe bashkimit shpirtëror

Më
9 maj 2026 rruga më mori prej Matit drejt Rozhajës, në zemër të Alpeve
Shqiptare, atje ku mali flet me heshtje dhe kujtesa ruhet si flakë nën hi.
Udhëtuam përmes kthesave të thepisura, pyjeve me pisha të larta e peizazheve që
dukej sikur mbartnin në kraharor historinë e një kombi të lodhur, por të
pathyer.
Kalimi
nëpër pikën kufitare të Kullës dukej si një udhëtim jo vetëm në hapësirë, por
edhe në kohë. Dokumentet kontrolloheshin nga policët kufitarë, trarët
ngriheshin e binin, por shqiptari vazhdonte rrugën e vet, i ndarë padrejtësisht
nëpër kufij, ndërsa zemrën e kishte të pandarë.
Rozhaja
na priti mes pishave të gjata, si rojtarë të heshtur të trojeve shqiptare. Si
komunë shqiptare në lindje të Malit të Zi, e rrethuar nga Plava, Berana,
Sanxhaku e Peja, ajo mbart ende frymën e Kelmendit dhe gjurmët e lashta të
shqiptarizmës. Por mbi këtë bukuri rëndon një dhembje e madhe: shpërngulja.
Qyteti dhe rrethina duket sikur flasin me zërin e mungesës. Shtëpi të heshtura,
oborre pa fëmijë, e vetmja shkollë shqipe me pak nxënës dhe troje që zbrazen
dita-ditës nga bijtë e vet.
Megjithatë,
në këtë vend ku heshtja ngjan se ecën krah për krah me mallin, vazhdon të
ndizet çdo vit një dritë shprese: Manifestimi Tradicional Kulturor "Ora e
Maleve", themeluar në vitin 2009 nga poeti, publicisti dhe veprimtari i
palodhur, Ali Daci.
Ky
manifestim nuk është thjesht veprimtari kulturore. Është kujtesë. Është betim.
Është zë i gjallë për martirët shqiptarë të pranverës së vitit 1999, kur forcat
serbo-malazeze vranë mizorisht 21 civilë kosovarë në rrethinën e Rozhajës,
vetëm pse ishin shqiptarë.
"Për
t'i kujtuar ata martirë, themeluam 'Orën e Maleve'", u shpreh Ali Daci, me
një zë ku ndihej pesha e kujtesës dhe krenaria e qëndresës.
Në
edicionin e gjashtëmbëdhjetë, Rozhaja u kthye në një vatër të madhe shqiptarie.
Krijues nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Italia, Kanadaja
e troje të tjera shqiptare u mblodhën për të folur shqip, për të kënduar shqip
dhe për të mbajtur gjallë frymën kombëtare.
Në
mesin e tyre ishte edhe Haxhi Lajçi, autor i monografisë "Husajt e
Malësisë së Rozhajës", vepër që ngjan si gur themeli për ruajtjen e
identitetit shqiptar në ato troje.
"Edhe
pse historia na ndau në disa shtete, ne jetojmë për të ruajtur gjuhën, kulturën
dhe traditat tona", u shpreh ai.
Manifestimi
nisi me ekspozitën e piktorit Xhevdet Spahija, ku fytyrat e Skënderbeut, Nënë
Terezës, Ismail Qemalit e figurave të tjera kombëtare dukej sikur vështronin
heshtur sallën, si për t'u thënë brezave: "Mos harroni!"
Në
Sallën e madhe të Qendrës për Kulturë u dëgjua Himni Kombëtar. Të gjithë u
ngritën në këmbë. Minuti i heshtjes për dëshmorët dhe martirët e kombit rëndoi
mbi zemrat tona si gur kujtese.
Më
pas u promovuan veprat "Idioma" dhe "Fizika naive" të
akademikut Kujtim Shala, një nga zërat më të rëndësishëm të letërsisë dhe
mendimit modern shqiptar.
Ora
letrare solli vargje, emocione dhe duartrokitje. Poetët deklamuan krijimet e
tyre si të ishin rrëfime të shpirtit shqiptar ndër shekuj.
Në
skenë u ngjit më pas Shoqëria Kulturore Artistike "Rapsha" e Hotit,
me udhëheqës artistik Leon Junçaj. Kënga autoktone, çiftelia, vallet dhe
zhubleta shekullore e kthyen sallën në një kullë të gjallë shqiptarie.
Kulmi
emocional i manifestimit ishte shfaqja e filmit dokumentar "Plavianët nuk
u dorëzuan" të regjisorëve Zekë Sinanaj dhe Islam Haxhiu. Pamjet e luftës,
dhembja e njerëzve dhe tragjedia shqiptare në Kosovë sollën lot në sy dhe
heshtje të rëndë në sallë.
Poetja
Barie Çupa u shpreh mes emocionesh: "Që në momentin e parë ndjeva se
Rozhaja është pjesë e hartës së madhe të Shqipërisë. Më emocionoi ruajtja e
këngëve, valleve, veshjeve dhe gjuhës shqipe. Filmin e mbylla me lot."
Edhe
poetja Armenida Qyqja, që jeton prej 31 vitesh në Kanada, e përjetoi thellë
këtë takim: "Erdha për kujtesën e të rënëve dhe për rrënjët e mia nga
Prizreni. Ishte udhëtim shpirtëror për veten dhe për gjyshen time."
Ndërsa
poeti mirditor, Gjon Marku, u shpreh i befasuar nga niveli gjithëkombëtar i
manifestimit: "Mrekulli organizimi! Takova personalitete të rangut të
lartë dhe ndjeva frymën e bashkimit shqiptar."
Emocionet
më të forta i përcolli Trandafile Molla (Baja), kryetare e Shoqatës së
Shkrimtarëve Shqiptarë "Zëri i Mërgimtarit" në Itali: "Pashë jo
film, por tragjedi njerëzore. Ishte dhembje që të dridhte shpirtin. Zëri i
gjyshërve tanë ende thërret për bashkim."
Në
emër të Klubit Letrar "Pjetër Budi" Mat, pata nderin të paraqitem me
poezinë "Sa t'ketë shqipja gjuhë e nanë":
Në Husaj ranë në pritë,
refugjatët n'rrugë të
gjatë,
plumbi i zi goditi fort,
si rrufe mbi njerëz
t'ngratë.
Nana n'bjeshkë del e
thërret:
"Ku m'i keni djemtë
e mi?"
malet kthejnë jehonë
t'zezë,
loti rrjedh si ujë
n'shi.
Kush e fsheh këtë gjak
t'zi,
kush e shkel këtë
amanet,
drejtësia ka me ardhë,
kurrë nuk tretet ky
kiamet.
Kush e mbulon këtë krim,
koha s'mundet me e
shlye,
drejtësia vonë troket,
e vërteta ka me u
ndriçue.
Hej lahutë, bjeri ma
fort
tundja telat si rrufe,
se n'Husaj u pre besa,
u vra njeriu pa faj, për
bé!
Nana thërret bijtë e
saj,
era vajin larg e çon,
malet mbajnë plagë në
gji,
gjaku tokën e dëshmon.
Ngrihet kënga brez pas
brezi,
Husaj jeton në kujtim,
martirët flasin me
zemër,
n'çdo lahutë e n'tingull
tim.
Ngrihet fjala si ortek,
brez pas brezi ka me u thanë:
Husaj kurrë s'ka me u
harru,
sa t'ketë shqipja gjuhë
e nanë!
Rozhaja
atë natë nuk ishte vetëm qytet malor. Ishte një zemër shqiptare që rrihte fort
mes plagëve, kujtesës dhe shpresës. Ishte një lahutë që këndonte për martirët,
për gjuhën shqipe dhe për një komb që, edhe pse i ndarë në kufij, mbetet i
bashkuar në shpirt. Dhe sa të ketë shqipja gjuhë e nanë, Husaj vërtet kurrë nuk
ka me u harru.











