Hamdi Hysuka: Panairi i parë i librit, ngjarje dhe dimension i ri kulturor

Panairi i parë i librit, ngjarje dhe dimension i ri kulturor

Më
1 maj 2026 në Burrel u përkujtua 104-vjetori i shpalljes së qytetit si qendër
administrative e Nënprefekturës së Matit. Ishte festë e madhe qytetare dhe
kulturore. Mes atmosferës festive, tingujve të bandës frymore të Ministrisë së
Mbrojtjes dhe pjesëmarrjes së përfaqësuesve të institucioneve, trupit
diplomatik, personaliteteve të kulturës e qytetarëve të shumtë, u çel dhe
Panairi i Parë i Librit në Mat.
Në
sheshin "Kastriotët", libri u kthye në qendër të vëmendjes. Për herë
të parë, mbi 20 shtëpi botuese sollën autorë, tituj dhe botime të ndryshme për
lexuesit matjanë, duke krijuar një hapësirë të gjallë komunikimi mes krijuesve
dhe publikut. Ky panair nuk ishte thjesht ekspozim librash, por një dëshmi se
kultura dhe leximi vazhdojnë të mbeten ura më e fortë që lidh kujtesën,
identitetin dhe të ardhmen.
Në
fjalën e mirëseardhjes, kryetari i Bashkisë, Altin Bojni, shfletoi historikun e
Matit si Qendër Administrative e Nënprefekturës Mat deri në ditët e sotme.
Ndërsa të tjera ai tha:
-Nga
viti 1922-1928, Burreli si qendër administrative, ishte një nga 5 njësitë e
Nënprefekturës së Matit. Pas vitit 1930 funksionoi si bashki. Gjatë periudhës
së monarkisë 1928-1939 pësoi ndryshime në sherbimin institucional dhe
infrastrukturorë. Në vitin 1927 funksionoi Internati "Mati", ku
arsimoheshin nxënës nga krahinat veriore të Shqipërisë, si dhe u hapën kurse për
edukimin e grave. Në këtë periudhë u ndërtuan institucione të rëndësishme:
godina e bashkisë në vitin 1929, shkolla mbretërore e xhandarmërisë, gjimnazi i
nënprefekturës në vitin 1937 dhe burgu i Burrelit në vitin 1938. Po në këtë
peridhë u ndërtua parku i qytetit me emrin Geraldinë, i cili, falë kontributit
të mbretëreshës, mori vlerë të veçantë, me bimë e dru të rrallë, ardhur nga
vendet të ndryshme të botës. Zhvillimi i qytetit në vazhdim u pasua me ngritjen
e maternitetit, ujësjellësit, kinemasë, shkollës së mesme profesionale dhe
institucione të tjera. Gjatë viteve '70 - '80 Burreli njohu transformim të
rëndësishëm urban, me ndërtimin e pallatit të kulturës, spitalit, muzeut
historik, stadiumit të futbollit dhe shumë objekte të tjera publike. Ndërsa pas
viteve '90 u zgjerua drejt periferive me ndërtime të reja private.
-E
konsideroj detyrë personale, -përfundoi kryetari, -që Burreli sot mos të mbetet
vetëm pjesë e historisë, por shemull zhvillimi dhe mundësie për çdo banor..
Duke
falenderuar botuesit, autorët dhe lexuesit e pranishëm, që u bënë bashkë në
këtë udhëtim, studiuesi dhe shkrimtari Behar Gjoka tha se ky panair është hapje
e kalendarit të udhëtimit të lexuesit për te libri. Sipas tij, përveç se i
kuvendeve, i besës dhe mikpritjes, Mati është djepi i fjalës dhe i poezisë
shqipe.
-E
meriton këtë veprimtari Mati i Pjetër Budit, lexuesit me kulturë, autorët e
shumtë matjanë, -tha shkrimtari i mirënjohur Namik Dokle, -sepse prezantimi në
këtë panair i veprave të shumë autorëve: studiues, poetë e prozatorë,
historianë dhe publicistë, të njohur në mbarë vendin, të cilët, prej kohësh, i
kanë kapërcyer kufijtë e Matit dhe u kanë ofruar matjanëve të drejtën legjitime
të krenohen me emrat e tyre.
Mes
të tjerash, deputeti i Qarkut Dibër, Agron Malaj, tha se në kohën e sotme të
zhvillimit elektronik e të intelegjencës artificiale, lexuesi ka shkëputje me
librin, ndaj t'i kthehemi librit, ta përqafojmë atë dhe ta lexojmë.
Sipas
znj. Arta Marku, drejtore e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit, të rinjtë
e sotën janë të joshur pas teknologjisë, e cila është rivalizuese, por libri
është loja më e bukur që njerëzimi ka shpikur.
Në
emër të Ambasadës së Republikës së Kosovës në Tiranë përshëndeti ambasadori
Skënder Durmishi.
-Përveç
pozitës gjeografike, -tha ai, -Mati ka histori me të kaluar të pasur dhe
krenari të ligjshme për kontributin që ka dhënë në historinë e shqiptarëve.
* *
*
Momentet
më të bukura të ditës në panair ishin promovimet e librave të rinj dhe takimet
me autorët, ku lexuesit patën mundësi të bisedonin nga afër me krijuesit:
•Takim
me poeten laureante Rita Petro, •Promovimi i librit me poezi "Zërat e
ndjenjave" të poetit Basir Bushkashi,
•Primovim
i triologjisë "Atje ku dielli lind dy herë" e shkrimtarit Namik
Dokle,
•Paraqtitje
e librit "Mati" e autorit Adi Darsi,
•Promovim
i librit "Muza poetike budiane", me poezi të zgjedhura, nga H.
Hysuka,
•Paraqitje
e librit "Lojra popullore, Mati" i autorit Esat Ruka,
•Takim
me poetin, publicistin, eseistin Aleksandër Çipa,
•Rrugëtimi
i Shtëpisë Botuese "Emathia" dhe krijimtaria e Fatmir Gjestilës,
•Paraqitje
e librit "Strehë shpirti" e autores Elona Basha,
•Paraqitje
e librit "Më zgjoni prej ëndrre" e autores Vilma Nika,
•Promovim
i romanit "Kërkonte një hero" i shkrimtarit Viktor Canosinaj,
•Paraqitja
e librit "Kultura iliro-arbërore në luginën e Matit", studime të
Dilaver Kurtit, nga Artan Kurti,
•Promovim
i librit "Historia e gënjeshtrës sociale" vëllimi III, i autorit Isuf
Çipi,
•Paraqitje
e librit me poezi "Thirrje
gjaku", e autores Rubjana Nika,
•Promivim
i librit "Kur koha flet me emra" i autorit Hasan Pasha.
Faktikisht
nuk u promovuan thjesht libra. Aty u takuan zëra, kujtime, ndjenja dhe përvoja
njerëzore që vinin nga horizonte të ndryshme të letërsisë shqiptare. Secili
autor solli një copëz drite shpirtërore, duke e kthyer sheshin
"Kastriotët" në tribunë të fjalës së bukur dhe të mendimit krijues.
Poetja
Rita Petro erdhi me ndjeshmërinë dhe elegancën e vargut modern, ku gruaja,
dashuria dhe liria marrin frymë me një gjuhë poetike të çiltër e të thellë.
Shkrimtari
Namik Dokle solli në Mat përmasën epike të rrëfimit dhe kujtesës kombëtare.
Trilogjia "Atje ku dielli lind dy herë" mbart frymën e historisë,
dramës njerëzore dhe të dashurisë për vendin, duke dëshmuar pjekurinë e një
autori që di të ndërthurë realen me dimensionin artistik.
Studiuesi
Behar Gjoka i dha panairit frymën e mendimit kritik dhe seriozitetin akademik,
duke rikujtuar se libri nuk është vetëm emocion, por dhe vetëdije kulturore e
identitare.
Poeti
Basir Bushkashi me "Zërat e ndjenjave" solli poezi të ndjerë, ku
fjala buron nga përjetimi dhe ku emocionet marrin trajtën e dialogut të
sinqertë me jetën.
Libri
me poezi të zgjedhura, "Muza poetike budiane", i përgatitur nga Hamdi
Hysuka, erdhi si vlerë e Klubit letrar "Pjetër Budi" për traditën poetike
dhe shpirtin e trevës së Matit. Në këto poezi ndihet lidhja me vendlindjen, me
historinë, me mallin dhe njeriun e thjeshtë shqiptar, duke sjellë një zë të
ngrohtë e njerëzor.
Aleksandër
Çipa solli përvojën e publicistit dhe të mendimtarit, ku fjala publike takohet
me reflektimin letrar dhe shqetësimet e kohës moderne shqiptare.
Shkrimtari
Viktor Canosinaj me romanin "Kërkonte një hero" riktheu te lexuesi
dimensionin moral të letërsisë, kërkimin e figurës njerëzore dhe sfidat e
shoqërisë bashkëkohore.
Autorët
e tjerë: Adi Darsi, Esat Ruka, Fatmir Gjestila, Elona Basha, Vilma Nika, Artan
Kurti, Isuf Çipi, Rubjana Nika dhe Hasan Pasha, sollën secili botën e tyre
krijuese, duke dëshmuar se letërsia shqiptare vazhdon të jetojë në shumë zëra,
stile dhe përjetime.
Ky
panair i parë dëshmoi se Matit nuk i mungon dashuria për librin. Përkundrazi,
aty u pa qartë se fjala artistike ende mbetet një nga mënyrat më të bukura për
të bashkuar njerëzit, për të ruajtur kujtesën dhe për të ushqyer shpirtin.
U
realizuan gjithsej 16 veprimtari promovuese dhe takime me poetë e prozatorë,
shoqëruar me çmime letrare. Çmimi "Budi" për poezi iu dha vëllimit
"Zërat e ndjenjave" i poetit Basir Bushkashi. Për prozë këtë çmim e
meritoi romani "Atje ku dielli lind dy herë", i shkrimtarit Namik
Dokle. Çmimi "Budi" In memoriam (Në kujtum), ishte për Shkëlzen
Zallin (pas vdekjes), poet dhe shkrimtar i shquar për fëmijë.
Në
atë shesh libri nuk ishte thjesht objekt leximi, por dhe urë mes brezave, mes
autorit e lexuesit, mes kujtesës dhe së ardhmes. Aty Burreli u shfaq si qytet
që di të nderojë librin, autorin dhe traditën, duke krijuar një atmosferë ku
kultura bëhet festë kolektive.








