Gjon Marku: Zanafilla dhe zhvillimi historik i Kanunit të Lekë Dukagjinit
Zanafilla dhe zhvillimi historik i Kanunit të Lekë Dukagjinit

Kanuni
i Lekë Dukagjinit përbën një nga monumentet më të rëndësishme të së drejtës
dokësore shqiptare dhe një ndër dëshmitë më të qarta të vazhdimësisë historike
të organizimit shoqëror të shqiptarëve.1 Edhe pse mban emrin e princit arbëror
Lekë Dukagjini, studiuesit pajtohen se pjesa më e madhe e normave të tij janë
shumë më të hershme se shekulli XV.2
Zanafilla
e Kanunit duhet kërkuar në shtresimet e lashta të së drejtës zakonore ilire, të
transmetuara brez pas brezi përmes traditës gojore.3 Kto kode mbijetuan gjatë
pushtimit romak, bizantin, sllav dhe osman. Parimet themelore të tij, si besa,
nderi, mikpritja, përgjegjësia kolektive dhe kuvendi, paraqesin elemente të një
kulture juridike me rrënjë të thella historike.4
Në
Mesjetën shqiptare, veçanërisht në trevat e Shqipërisë së Epërme, e drejta
zakonore mori një formë më të konsoliduar. Në kushtet e mungesës së një
pushteti qendror të qëndrueshëm, bashkësitë vendore krijuan institucione
vetëqeverisëse, të mbështetura mbi norma të pashkruara, të cilat rregullonin
jetën shoqërore dhe politike.5 Këto norma përbënin bazën e asaj që më vonë do
të njihej si Kanuni i Lekë Dukagjinit.
Lidhja
e Kanunit me figurën e Lekë Dukagjinit nuk duhet kuptuar si autorësi në
kuptimin modern të fjalës. Emri i tij u shndërrua në simbol të autoritetit
juridik dhe të drejtësisë tradicionale shqiptare.6 Ka gjasa që gjatë sundimit
të tij ose në periudhën pas vdekjes së tij, disa prej normave ekzistuese të jenë
sistemuar, plotësuar ose forcuar, duke bërë që e gjithë e drejta zakonore e
Shqipërisë së Veriut të identifikohej me emrin e tij.
Gjatë
pushtimit osman, Kanuni njohu zhvillimin e tij më të madh. Për shkak të
autonomisë së krahinave malore, sidomos të Mirditës, Dukagjinit dhe Malësisë së
Madhe, normat zakonore vazhduan të funksiononin si një sistem juridik paralel,
duke rregulluar pothuajse të gjitha aspektet e jetës shoqërore.7 organizimin
politik, marrëdhëniet ekonomike, të drejtën familjare, pronën, trashëgiminë,
procedurat gjyqësore dhe sistemin e sanksioneve.
Një
vend të rëndësishëm në zhvillimin e Kanunit zë institucioni i kuvendit, i cili
përfaqësonte formën më të lartë të vetëqeverisjes popullore dhe të
vendimmarrjes kolektive.8 Kuvendet e burrave, pleqësitë dhe institucionet e
ndërmjetësimit dëshmojnë për ekzistencën e një kulture juridike të zhvilluar
dhe të një sistemi demokratik tradicional, të ndërtuar mbi konsensusin dhe
përgjegjësinë kolektive.

Kanuni
i Lekë Dukagjinit nuk ishte një sistem juridik i pandryshueshëm; ai u zhvillua
dhe u përshtat me nevojat e kohës, duke ruajtur megjithatë parimet themelore të
organizimit tradicional shqiptar.10 Në periudha të ndryshme, norma të caktuara
ndryshuan, disa u zhdukën dhe të tjera u përshtatën me nevojat e kohës, duke
ruajtur megjithatë parimet themelore mbi të cilat ishte ndërtuar.
Në
planin historik dhe juridik, Kanuni i Lekë Dukagjinit përfaqëson jo vetëm një
përmbledhje zakonesh dhe rregullash tradicionale, por edhe një dëshmi të
aftësisë së shqiptarëve për të krijuar institucione vetëqeverisëse dhe një rend
juridik funksional në kushtet e mungesës së shtetit. Për këtë arsye, ai mbetet
një nga burimet më të rëndësishme për njohjen e historisë së së drejtës
shqiptare, të organizimit shoqëror dhe të identitetit kulturor të kombit
shqiptar.
Litreatura:
Kanuni i Lekë
Dukagjinit, përgatitur nga At Shtjefën Gjeçovi, Shkodër, 1933, f. XIII–XV.
Eqrem Çabej, Studime
gjuhësore, vëll. VI, Tiranë, 1988, f. 243–246.
etj. etj.


