Gjon Marku: Morti i fshehur

Tregim nga Gjon Marku
Ishte fillim pranvere, bash atëherë kur krojet dhe lugjet
mbushen me blerim, e ai blerim ishte i pastër e i qartë, me një lezet të
veçantë. Prej maleve kësulëbardha, buron një ujë i kulluar e i pastër si lot
vashe. Mëngjesi merr jetë me një ylber që zbret në pikat e vogla të vesës e
shpërndahet, si të dojë të derdhet mbi vetullat e zanave. Në atë shpat mali, në
një livadh ku një bari kishte nxjerrë të kulloste delet e tij, filloi të marrë
jetë një melodi me fyell. Një skifter u shigjetua drejt zabelit përballë, ku
duket se kishte pikasur gjahun e vet.
Një vashë
me boçen e saj të ujit po kthehej prej kroit, e me vete këndonte një këngë
dashurie që dukej sikur ndiqte ritmin e fyellit të baritit, atje në livadhin në
shpat të malit. Në fund të livadhit ecte ajo vashë e bukur, ndërsa njw djaloshi
i ri kishte zënë cepin e udhës dhe, vjedhurazi e krejt tinëzisht, ishte munduar
t'i shihte gjinjtë si perla. E drojtur, ajo kishte kaluar pranë, dhe vjedhurazi
kishte parë çdo lëvizje të tij. S'kishte kapërcyer akoma atë livadh, kur sërish
filloi të marrë jetë melodia me fyell, dhe brenda shpirtit iu ndez një ndjenjë
shpuzë që e bëri të lehtë si flutur.
Djaloshi
ishte kthyer pranë tufës së deleve dhe thurte meloditë e tij të pazakonta. Po
kujt tjetër i kishte hije bukuria, veç asaj që lahej çdo mëngjes në krua si
zanë? Kishte vështruar tufën dhe më pas kishte shaluar kalin e bardhë e kishte
rendur e rendur, pa e ditur se sa ishte larguar. Do të kishte vazhduar të
rendte, po qe se majës së malit nuk do t'i kishin shkrepëtirë retë duke gjëmuar
rrufe. Në gji i vlonte një valë e ngrohtë që as vetë nuk dinte ta shpjegonte. E
ktheu kokën mbrapa dhe pa se majën e malit e mbështillte një re murrashe që
paralajmëronte stuhi. U lëshua vrik drejt majës, si të donte t'i zinte me dorë rrufetë,
t'i ndalte e ta çlironte diellin që po i merrej fryma.
Në një të
përpjetë zbriti prej kalit, i cili, pasi i ra dy-tri herë me bisht vitheve, u
la i lirë dhe u drejtua drejt tufës, atje në atë sukë të vogël.
Një shi i
furishëm, gjithë shkulme, kishte pushtuar kodrat dhe malet përreth, ndërsa ai
mundohej ta drejtonte tufën drejt shtëpisë.
Përroi i
Vomës vinte duke u fryrë si një bollë e madhe që turrej teposhtë, drejt
perëndimit.
Në kullën
e tij, i ati kishte marrë në dorë gjoksin e gjelit, duke u munduar të shihte
fatin në ato vija të kuqe. Sapo e futi gishtin në anën e djathtë, gjoksi i
gjelit i ra përtokë. "boll keq," mërmëriti me vete. E pa edhe një
herë kah drita dhe e flaku matanë, si të mos donte ta shihte më. As vetë nuk e
kuptoi se si i ranë mendimet e këqija. Duke përcjellë drejt stomakut një
kafshatë buke që s'e kishte përtypur mirë, ajo iu ngjesh nëpër gjithë gushën,
derisa zuri vend brenda. "Heu," bëri dy-tri herë plaku, dhe e la
bukën në mes. "Gjithë këto shenja të këqija," mendoi me vete.
- Si nuk
po kthehet ai djalë, - mërmëriti. - A nuk i shohin sytë e ballit gjithë këtë
stuhi?
Doli te
dritarja e kullës dhe hodhi vështrimin jashtë. Një zog i zi, i zi si nata,
fluturonte duke kërkuar ndonjë skutë ku të futej.
Në përroin
e Vomës, tufa e deleve mundohej të kalonte mes dallgëve që vinin duke u shtuar
gjithnjë e më tepër. Njërën prej deleve e mori vala teposhtë; ishte duke e
gëlltitur mes shkulmeve. Djaloshi nuk u mendua më gjatë, por u hodh mes
dallgëve që të shpëtonte delen e ngratë. Ato ishin të forta, e shkulmet e tyre
turreshin e rriteshin pa fund. Nuk pa asgjë veç një shkreptimë rrufeje që
ndriti majën e malit, sikur t'i thoshte: "Mjaft luajtëm me ty" - dhe
shiu vijoi të binte dallgë-dallgë. "Kjo kohë shtrigë," mendoi, dhe u
mundua t'u jepte krahëve e këmbëve, që tashmë i ishin shkëputur prej tokës dhe
nuk i zinte dot më në dhé. I erdhi gjumë. Lugjeve iu duk se dëgjonte melodinë e
fyellit që, vetëm pak orë më parë, e kishte thurur për të dhe e kishte derdhur
në krojet ku buronte ai ujë i kulluar si lot vashe. Kali i tij i bardhë turrej
mes dallgëve drejt tij.
Iu duk se
një shtrigë flokëshpupuritur e mori në gji dhe i tha të dëgjonte këngën e saj,
që atij iu duk si këngë korbi. "S'dua, s'dua," mërmëriti. "S'dua
të dëgjoj këngën tënde. S'dua të provoj shijen e mëshirës sate." Nuk
lëvizte dot më as këmbë, as dorë. Kali kishte mbërritur pranë tij dhe e
tërhiqte drejt bregut, duke e mbajtur me dhëmbë prej bluzës. Por ai kishte
fjetur për gjithnjë.
I ati, me
shkullojw në oxhak, po shpuziste zjarrin dhe u bë gati të mbushte çarkun e tij
me duhan, kur dëgjoi hingëllimën e kalit, dy-tri herë. Brofi në këmbë dhe doli
përpara kullës, ku delet prisnin në oborr. Sapo e pa, kali ia dha përsëri
hingëllimës dhe mori vrap teposhtë, drejt Vomës.
Zemra iu
rrah fort. "Mos... " - mërmëriti - dhe rendi drejt përroit, duke
thirrur në gojë Shën Marinë, pa e ditur ku po e hidhte këmbën.
Mbërriti
te përroi. Po çfarë të shihte? I biri shtrihej sa gjatë gjerë në breg, i vdekur.
Kështu
vijoi ajo ditë, dhe të nesërmen e varrosën atje, në varrezat e kishës së Vigut,
ku ishin mbledhur miq e njerëz prej shtatë katundesh.
***
Aktorët e teatrit të Shkodrës ishin nisur për në Vig, në atë
fshat ku gjendej një kala e moçme dhe një kishë e vjetër. Mbi Tarabosh, tufa e
reve turrej drejt lindjes, sikur ndiqte vetë trupën e teatrit. Ishte mbasdite
kur kjo trupë mbërriti pranë kishës së vjetër.
Të gjithë
do të flinin në dy dhoma të vogla që në atë kohë i përkisnin Këshillit, por që
dikur i kishin qenë tw kishës, si anekse të qelës së saj. Prifti, që ishte prej
Shkodre, u lut që të gjithë të rrinin aty, por Fejzia - njëra prej aktoreve të
reja - nuk pranoi.
- Atje
poshtë po shoh disa drita, - tha, - ato janë të një shtëpie, dhe unë do të
shkoj atje.
Tri gra
ishin, dhe pa e menduar dy herë, u nisën drejt shtëpisë ku shquhej më shumë
dritë. Trokitën në një derë.
- A doni
miq, o i zoti i shtëpisë?
I thanë se
kishin ardhur bashkë me Këshillin. Ishte fillimi i gjysmës së dytë të shekullit
të njëzetë; akoma nëpër male bridhnin banditë, dhe në ato anë sundonte më shumë
kanuni sesa ligjet e shtetit.
I futi
brenda një plak i dobët, i veshur me të zeza dhe një këmishë të bardhë, që po
grinte duhan. Nuk i pyeti asgjë, por i la të thaheshin, se të tria ishin bërë
qull nga shiu që vazhdonte pa pushuar. As nuk e ktheu kokën nga to, derisa u
thanë mirë. Vetëm atëherë i pyeti, ngadalë e me fjalë të matura. Kur i thanë se
kishin lënë shokët e tyre në qelën e kishës, plaku i kundërshtoi:
- Nuk bën.
Po dërgoj djalin t'i marrë.
Por të
tria kundërshtuan përsëri: shokët ishin tashmë të vendosur në qelë.
Gjatë
darkës i kishin përmendur shpesh emrat e atyre shokëve që do të flinin në
kishë. Në atë shtëpi, plaku i priti me raki me kotrovë, dhe ua nxirrte rakinë
me filxhana, që të mos shihej sa kishin pirë. Preu një patë, se Fejzia ishte
myslimane - plaku e kishte ulur pranë oxhakut me nderim të veçantë. Ajo u lut
të mos e prisnin patën për të, tha se hante edhe mish derri.
- Jo, - i tha i zoti i shtëpisë, - ti, myslimane, në shtëpinë
time s'do të hash mish derri.
- I vuri
në rresht, duke nderuar të parën atë prej Korçe.
- Kush je
ti? - e pyetën tri aktoret, që kuptonin se ndodheshin në një situatë të
pazakontë. Në sytë e plakut dukej një lodhje dhe një vuajtje e brendshme. Asnjë
grua nuk u shfaq në dhomën e tyre gjatë gjithë natës. Shtëpinë e mbulonte një
heshtje varri, sikur brenda saj të mos jetonte njeri tjetër.
- Si e ke
emrin? - e pyeti njëra prej aktoreve.
- Jam
Tanush Topia. Stër, stërnip i Tanush Topisë, e po ashtu stërnip i Lekë
Dukagjinit. - "Nuk ka rëndësi emri," shtoi plaku, që i priti si mos
më mirë. Asnjë grua s'panë, asnjë grua s'u shërbeu; vetëm hapej një kapanxhë,
dhe gjithçka dilte prej saj.
Njëra prej
aktoreve - bijë e Dukagjinit, që i njihte mirë zakonet, kanunin dhe ligjet e
atyre anëve - e kishte pyetur veten që në atë çast. Kishte vënë re diçka të pazakontë.
"Kjo familje s'është myslimane," mendoi. "Kjo është familje
mirditore. Nuk ka mundësi të mos dalë të paktën një grua të na shtrojë
shtratin, kur jemi tri gra." Megjithatë, kishte heshtur. Gjumi nuk e zuri
gjithë natën, po nuk arriti të zbulonte të fshehtën e asaj nate.
Të
nesërmen në mëngjes, prapë hëngrën pa mish derri, në respekt të Fejzies. Ndërsa
po gdhihej dita, erdhën disa njerëz nga Dajçi dhe thirrën te dera. Tri gratë
dolën dhe, pa pasur kohë të pyesnin pse kaq herët vinin vizitorë, morën udhën
drejt kishës.
Sapo
mbërritën, shokët e tyre i pyetën si e kishin kaluar natën.
- Ka
ardhur një djalë i ri, - nisën të tregonin ata, - na solli patë të pjekur, raki
e djathë.
- Kishin
ngrënë e pirë njësoj si tri aktoret te shtëpia e mirditorit; ishin shtruar e
mbuluar me teshat e asaj shtëpie.
I zoti i
shtëpisë kishte llogaritur nga biseda e darkës sa persona ishin në kishë, dhe u
kishte dërguar edhe atyre gjithçka që kishte shtruar për gratë.
- Ku e
kaluat natën? - pyeti prifti.
Tri gratë
u shikuan njëra-tjetrën në sy. Pastaj bënë me dorë kah shtëpia në fund të asaj
pjerrine.
- Po,
morët vesh gjë?
- Jo, - u
përgjigjën të tria.
- Në atë
shtëpi, para dy sahatesh se tw mbwrrini ju, kanë vënë në dhé një djalë
njëzetvjeçar. Në ujin e Vomës, ku keni kaluar edhe ju, është mbytur djali i
shkretë.
- Asnjë
fjalë s'ju thanë?
Tri gratë
u shikuan sërish njëra-tjetrën.
-
Përkundrazi, - thanë, - na kanë pritur në një mënyrë të jashtëzakonshme.
"Prandaj
nuk kishin dalë gratë të na shërbenin," mendoi aktorja prej Dukagjinit,
duke u munduar të fshehë lotin.
Kishte
ardhur mesdita, kur trupa do të vinte në skenë pjesën teatrale. Të tria e
luajtën atë pjesë të dhimbshme, si të kishin një kufomë përpara, dhe kur e
mbaruan, u ndalën para publikut, të mbledhur në një livadh, dhe u përkulën para
tij.
- Këtu,
mes jush, jeton një traditë e papërsëritshme, - mori fjalën aktorja fisnike
prej Dukagjinit dhe filloi të rrëfejë historinë e natës së kaluar, ku ato tri
gra kishin bërë konak në një shtëpi ku kishte mort, e megjithatë ishin pritur
si princesha.
- Ai
burrë, për hir të mikpritjes dhe të traditës, e ka fshehur vdekjen e të birit.
Unë nuk mund ta harroj këtë çast. Kjo ndodh vetëm në Mirditë, e askund tjetër.
- Në emër
të Atit, të Birit e të Shpirtit të Shenjtë! - filluan të tria bashkë një meshë,
duke e ftuar priftin në skenë.
Dom Gjini
u ngjit në skenë; kurrë s'kishte pasur kaq shumë njerëz në meshat e tij.
- Në emër
të Atit, të Birit e të Shpirtit të Shenjtë!
- Merrni
pajisjet e meshës, - i tha njërit prej djemve të rinj.
Një re
murrashe, që kishte mbështjellë kryet e malit, paralajmëronte sërish stuhi.
Retë kishin nisur të ulërijnë, rrufetë thyheshin mbi majë, kur plakut, në
kullën e tij, i mbërriti lajmi për çfarë kishte ndodhur në mes të katundit.
- Heu, -
bëri një herë, dhe u hodh në këmbë. - U paskam borxh atyre grave.
U ngrit, u
vesh, dhe mori udhën drejt Shkodrës, të takonte ato tri gra që, sikur ia kishin
ngjallë djalin, duke ia lënë të pandotur nderin e shtëpisë e të barakut të tij
- që, edhe pse nuk ua kishte thënë emrin, nami i tij tashmë kishte shkuar tej
maleve.


