Gjon Marku: Bisedë me zanën

20.09.2026, 06:49 PM (GMT+1)

Gjon Marku


Bisedë me zanën


Po pyet zana ç'ka rinia,

Pse përpara s'ecën Shqipëria?

A po më thua, moj motër,

Pse vajton nana në votër?


Pse vajtojnë ndër kroje zanat?

Pse kaq të forta qenkan gjamët?

Pse janë kullat bosh ndër male?

Pse Shqipëria kaq shumë halle?


E pse, po plagë bri më bri,

Po ikin krejt djemtë e ri?

Pse ka kaq lot e kaq shumë gjamë?

A po më thua ti, moj zanë?


A po din me m'a tregue,

Ndale vajin, pak m'kallëzue:

Pse ky vend e pse kjo tokë,

Kaq shumë gjamë e kaq shumë lot?


Po ku janë shqipet e malit?

Pse po lënë vorret e të parit?

E pse malet ulin kryet?

Ku shkojnë krojet? Jam tuj t'pyet.


Pse po i falin mal e bjeshkë?

Prej kah erdhën këta, ta besë?

Pse po shesin kroje e dete?

Pse mbi Shqipërinë gjithë këto kiamete?


Besa, zanë, s'po di me t'thanë;

Dikur burrat n'këto anë,

Si dragoj besa kanë qëndrue,

Fe, atdhe e gjuhën pa e ndrrue.


Eh, medet, sot ndër këto male,

Duan me i shitë, mos t'jenë shqiptare.

Duan detin me ia falë të huajit,

Pa menduar për fatin e të parit.


Shihi shkollat krejt rrënuar,

Shihi kullat si janë shkretuar.

Sot Shqipërinë veç po e vjedhin,

E në pazar të pasosur e nxjerrin.


Eh, moj zanë, po më pyet ti mua

Po ç'far më parë mund të  tregue

A për halle, bre, a për derte,

A për vuajtje e për siklete,


A për kulla mbetur bosh,

A tradhtarë që s'ka kund t'i sosh,

A për nanat që po qajnë,

A për qyqet që s'ndalin vajin?


Dikur t'huajt turr me ushtri,

Sot po të shesin ty, Shqipëri.

Me det, bit e pa soj,

Duhet një Gjergj që t'a ndalojë.


Ta shkatërruan ty ushtrinë,

E deshën t'a shkemesin historinë,

Të pabesë flasin për besë,

E medet, Shqipëri e shkretë.


Mos vajto ti, zanë moj motër,

Se po klith shqiponja në votër.

Shih si turren shqipet e malit,

Për t'i dalë sot zot vatanit.


S'ka tradhti, s'ka tradhtarë,

S'ka hajdutë e sa zuzarë,

S'ka i pabesë që t'a ngulë thikën,

Se ke djem që s'e njohin frikën.


Prandaj, motër, mos vajto,

E me lot ti mos u loto,

Se sot në këmbë është ngritur rinia,

E therret: rroftë e qoftë Shqipëria!