Gjon Marku: Arka e nënës

Tregim nga Gjon Marku
Atë vit që mbaroi universitetin, Mark Pali u nis në një
specializim jashtë vendit. E ëma me të atin e përcollën deri në fundin e arës
së madhe, aty ku e priste një makinë e vogël, në të cilën ndodhej vëllai i tij
i madh, që do ta çonte deri në aeroportin e vendit. E ëma u përlot kur ai i
humbi nga sytë. I ati s'e fshihte dot krenarinë për të birin që kishte
mbërritur në këtë ditë.
- Hajde, grua, - i tha së shoqes, - kur të
kthehet, gjithçka do të jetë më mirë.
Ajo heshti
disa çaste, pastaj mërmëriti:
- Po na gjeti të gjallë.
Ashtu,
mbështetur tek njëri-tjetri, u futën në kullën e madhe tre-katëshe, maje
kodrës, e cila tashmë kishte mbetur vetëm e tyre.
Gjini,
djali i madh, po atë vit kishte marrë familjen e tij dhe ishte vendosur në
afërsi të kryeqytetit, ku jeta ishte ndryshe, sipas tij. Plot familje të atij
fshati e kishin marrë udhën drejt bregdetit ose drejt qendrave urbane, e mjaft
kulla kishin mbetur bosh.
Plaku u
ngjit në katin e sipërm të kullës së tij, atje në dhomën e miqve, dhe u ul buzë
oxhakut e shpuziti zjarrin. Pastaj e mbështeti kryet mes dy duarve dhe u mendua
disa çaste.
- Ej, moj ti! - i thirri së shoqes, por ajo s'e
ndjeu, kushedi ku gjendej në gjithë atë kullë bosh, e nuk po e dëgjonte zërin e
tij.
Një e
therur e fortë, si të ishte teh thike, iu ngul në shpatull. E zgjati dorën dhe
mbi rrasën e oxhakut mori kutinë e mademtë të duhanit. E mbushi çibukun dhe e
ngjeshi mirë me gishtin e madh, pastaj me mashë mori një gaca dhe ndezi duhanin.
Duke pirë
duhan, mendjen e hodhi te ajo dorë e artë që kishte gdhendur rrasën e gurtë të
oxhakut, me ato ornamente të veçanta e me shqiponjën dykrenëshe në mes.
- Ej, moj ti! - i thirri sërish së shoqes, por ajo
përsëri nuk iu përgjigj.
Ajo, atje
në dhomën e të birit, qante me dënesë dhe mblidhte një nga një rrobat e tij, të
lëna disi shkujdesshëm. Nga komodina e vogël pranë kokës së krevatit mori dy
librat që ai i kishte lënë hapur, dhe i vendosi në raftin e librave në fund të
dhomës.
- Babë, - i ishte lutur ai të atit, - a më ban një
raft për librat?
I ati
kishte heshtur...
- Një raft të hapur, të thjeshtë.
Të
nesërmen, kur ai ishte nisur për në qytetin "Studenti", i ati ishte
ulur dhe, ngadalë, kishte gdhendur e strukturuar, njëra pas tjetrës, elementët
e bibliotekës së tij të mëvonshme.
Kur Mark
Pali kishte ardhur për pushime, e kishte gjetur bibliotekën e mbaruar, të
vendosur në fund të odës së vet. I ishte hedhur në qafë të atit dhe e kishte
falënderuar shumë.
Pasi
kishin ngrënë darkë, ai ishte ngjitur në dhomën e tij, atje në katin e dytë të
kullës, dhe gjithë natën kishte sistemuar librat e vet. Aq sa në mëngjes, kur i
ëma kishte ardhur t'i sillte kafenë, e kishte vënë re se ai akoma s'kishte
fjetur.
Tani nënë
Mara nuk dinte ku t'i vinte ato dy libra që ai i kishte lënë mbi komodinën e
tij. Për të, gjithçka tjetër ishte më pak e rëndësishme.
- Ej, moj ti! - dëgjoi zërin e plakut nga kati i
tretë. Kështu që i vuri drynin derës së të birit dhe u ngjit me vrik për atje.
Duke ngjitur shkallët, i fshiu mirë lotët, se nuk donte ta ligështonte të
shoqin.
- A më thirre?!
- Po, besa, të thirra të pimë nga një kafe të dy
bashkë, se tash kjo kullë po më duket se...
- Jo, more burrë, ne djemtë i kemi si askush
tjetër: sot ikin e nesër vijnë.
- Nuk e di, moj grua, po më ka therë këtu, në
shpatullën e majtë, dy a tri herë, e s'e di a do të më gjejnë gjallë.
Heshtja ra
disa sekonda, dhe dëgjohej vetëm tringëllima e takëmeve të kafesë, që ajo po ua
binte për t'i pjekur kafet e të shoqit.
Kështu
nisi një tjetër jetë në kullën në majë të kodrës, që prej vitesh e kishte pasur
zili krejt bajraku, por tashmë kishte mbetur - si shumë kulla të këtyre anëve -
djemtë e së cilës shpesh kishin zbritur ndër ish-kenetat, në kërkim të
qytetërimit të ri.
Por nuk
zgjati shumë, dhe punët morën për ters: pa u mbushur viti, i zoti i shtëpisë,
pra i ati i Mark Palit, ndërroi jetë.
Në krye të
muajit pas vdekjes së të shoqit, nënë Mara vendosi ta lërë të vetme kullën e
saj, ku kishte jetuar plot pesëdhjetë e tetë vjet, dhe të shkonte të jetonte te
djali i madh, atje në periferi të kryeqytetit. Ishte nata e fundit që ajo do të
rrinte në atë kullë, kështu që të gjitha gjërat e veta i nxori nga arka e vet
dhe i bëri gati për t'i marrë me vete. Do të shkonte në një lagje në periferi
të kryeqytetit, atje ku, sipas të birit, ishte qytetërimi.
Ajo arkë
ishte kujtimi më i shtrenjtë i jetës së saj. I shoqi e kishte gdhendur vetë, me
dorën e tij, dhe ajo kishte qenë e para që kishte hapur kapakun e saj. Në atë
kapak, ai kishte gdhendur dy portrete - një burri dhe një gruaje - e në mes
tyre kishte vendosur një fëmijë, si një engjëll. Nga të gjitha anët, arka ishte
gdhendur me kujdes prej tij.
Por ajo
duhej ta linte aty, në odën e vet, në kullë, ku shpresonte të kthehej një ditë;
e atje do të gjente një raft melamine me llustër, të bollshëm, ku rrobat e saj
do të kishin mundësi të ajroseshin lehtë. Në fakt, e dinte mirë se nuk do të
kishin erën e tyre të veçantë, atë të luleve të arkës.
Në shpirt
ndjeu një trishtim të madh, e zemra desh t'i çahej më dysh, po nuk foli asnjë
fjalë. Të nesërmen do të shkonte të jetonte me djalin e madh, atje në një lagje
të Tiranës, ku ai kishte afro njëzet vjet që banonte.
"Eh,
more bir" - ofshaniti me vete - "o shpirti im, po i lëmë të gjitha:
edhe arkën time, edhe kullën e tyt eti, edhe tokat e të parëve, edhe varrin e
shkretë të tyt eti."
Hyri në
dhomën e tij dhe pa raftin me libra, që askush s'i kishte prekur që nga dita
kur ai i kishte sistemuar me kujdes, para se të ikte jashtë shtetit për studime.
I vështroi gjatë.
"Si
të bëj me to, biri im?" - mërmëriti me vete. - "Ti, të vetmen gjë që
ke dashur me gjithë shpirt, kanë qenë ato dhe arka e gdhendur prej tyt eti.
Tani ajo është bosh, si ditën kur unë erdha këtu nuse dhe gjeta brenda vetëm
nagantin e tij. Tani ka brenda vetëm furkën, boshtin dhe gërhanët e vjetra, me
të cilat unë kam tjerrur leshin, prej të cilit bëra shpërgenin me të cilin të
lidha ty në djep."
Iu afrua
raftit të librave dhe i preku ngadalë, si t'i lëmonte flokët e të birit, mbështetur
në prehrin e saj. I kishte mbuluar pluhuri. I nxori nga vendi i tyre dhe, ashtu
ngadalë, i vendosi, të gjitha, në arkën e saj. Arka u mbush plot me librat e
tij. Ai gjithnjë, kur vinte nga shkolla, apo edhe kur vinte nga jashtë, libra
sillte - shumë prej të cilëve ajo s'ua lexonte dot as titullin.
E mbylli
arkën dhe mbi të vuri djepin e tij, pastaj vendosi një mbulesë leshi, si dikur,
kur atij i ftohej.
- Hajde, nënë, se darka është gati, - dëgjoi zërin
e së resë, që thirri nga kati i parë i kullës tre-katëshe.
Zbriti
shkallët e kullës dhe u ul në sofër, po nuk mundi të hante asnjë kafshatë.
- Ha, moj nënë, - i tha i biri.
Por ajo
bëri sikur hëngri, pastaj u ngrit dhe vajti edhe një herë në dhomën e saj.
Të
nesërmen, kur dielli filloi t'i ledhatonte bjeshkët me rrezet e tij, një makinë
u ndal para kullës së tyre. Ajo hodhi vështrimin rreth e rrotull, dhe dy pika
loti morën udhë e rrëshqitën nëpër faqet e saj. U kthye nga dera e kullës, se
s'donte ta shihnin të përlotur, dhe i fshiu lotët.
Vështrimin
e ndali te shqiponja e gdhendur në gur, mbi parmakun e derës. Dy këmbët e saj
sikur mbërthenin kokat e dy gjarpërinjve, të vendosur anash, që dukej sikur
ecnin drejt saj. Gurët e gdhendur të gjithë kullës iu dukën si të ishin pjesë e
trupit të saj, që po mbetej aty.
U
rrotullua me vrik dhe u fut në makinë, që, sapo u nis, e çoi drejt e atje, në
periferi të kryeqytetit, ku dhoma e saj ishte e madhe, me pllaka të lëmuara e
me rafte që dukeshin si prej xhami, por asaj i dukeshin të ftohta, të akullta.
Muajt ia
lanë vendin njëri-tjetrit, e vitet ecnin e ecnin. Nënë Mara u kthye rrallë e më
rrallë në kullën e vjetër, në male. Gjithnjë kur vinte tek kulla, sikur merrte
frymë lehtë e bëhej më e gjallë. Kur kthehej atje, te i biri, në kryeqytet,
sikur i zihej fryma, edhe pse të gjithë e respektonin dhe e donin.
Ishte
pranverë kur ajo ndërroi jetë.
Në arkën e
së ëmës, librat e tij flinin dhe e prisnin, si një amanet i pathënë...
Në çdo
faqe të tyre, iu duk se shkruhej: T'i ruajta
me gjithë shpirt, o bir...


