Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me shkrimtarin, botuesin dhe gazetarin Rexhep Shahu (II)

57m më parë


INTERVISTË ME SHKRIMTARIN, BOTUESIN DHE GAZETARIN REXHEP SHAHU (II)

EKSKLUZIVE NGA GËZIM MARKU

Nëse pjesa e parë e kësaj bisede me shkrimtarin dhe publicistin Rexhep Shahu na çoi te fëmijëria në Bardhoc, vitet e vështira të shkollimit dhe rruga që e afroi me letërsinë, vijimi i saj na sjell në një tjetër udhë të jetës së tij: atë të poetit, publicistit, botuesit dhe gazetarit.

Në këtë rrëfim, Shahu kthehet te lindja dhe botimi i vëllimit të tij të parë poetik, "Mali i Hënës", një libër që priti gati një dekadë për të parë dritën e botimit. Ai kujton miqësitë dhe njerëzit që e ndihmuan të besonte te vetja, flet për poezinë si përvojë thellësisht intime dhe për marrëdhënien me fjalën, të cilën e sheh njëherazi si pasion, këngë dhe mënyrë për të lënë gjurmë në kohë.

Por biseda për "Zemra Shqiptare" shkon përtej poezisë. Shahu ndan mendimet e tij për publicistikën, librat dhe monografitë që ka shkruar, për nevojën për të dëshmuar kohën ku ka jetuar dhe për një parim që e ka udhëhequr në shkrim: të jetë i ndershëm dhe të mos i vijë turp nesër nga ato që ka shkruar.

Një vend të veçantë në këtë rrëfim zë Havzi Nela, poeti martir të cilit Shahu i ka kushtuar një pjesë të rëndësishme të punës së tij si shkrimtar dhe botues. Nga kujtimi i atij mëngjesi të gushtit 1988, kur pa rastësisht trupin e poetit të varur, deri te botimi i veprës së plotë "Shtatë fletore me 5548 vargje", rrëfimi kalon nëpër vite dokumentimi, botimi dhe përkushtimi ndaj kujtesës së tij. Shahu flet edhe për librat e tjerë kushtuar Havzi Nelës dhe për nevojën që jeta dhe vepra e poetit të tregohen pa zbukurime e pa trillime.

Biseda ndalet gjithashtu te revistat "Dy Drina", "Kallz" dhe veçanërisht "Illz", të cilën Shahu e quan “projekti i jetës sonë”, te shtëpia botuese "Klubi i Poezisë" dhe te librat që, sipas tij, nuk janë ndërmarrje biznesi, por një formë shërbimi ndaj kujtesës dhe kombit. Në fund, rrëfimi zhvendoset te gazetaria, nga fillimet në "Radio Kukësin" te përvoja e gjatë profesionale dhe vështrimi i tij kritik mbi gjendjen e medias shqiptare.

Një bisedë për poezinë, librin, kujtesën, Havzi Nelën, botimin dhe gazetarinë, por mbi të gjitha për nevojën e një njeriu për të dëshmuar kohën e vet me fjalën e tij.

GM: Si lindi vëllimi juaj i parë poetik, ‘Mali i Hënës’ dhe si e përjetuat botimin e tij?

RSH: Nuk e di kur është nisë të formohet vëllimi i parë poetik. Disa herë kam ndërtuar vetë vëllime poetike, por nuk më kanë jetuar.

Në vitin 1986 punova një vit sekretar në prokurorinë e Kukësit. Kalova atë vit shumë kohë pasditeve me poetin Agim Spahiu. Ai i mbicmonte vjershat e mia. Shkruante në anë të vjershave të mia: alla Uitman, alla Ricos, emra që për mua ishin të panjohur në atë kohë, por nuk i thoja gjë Agimit. Por Agimi kështu më ndihmoi të besoj te vetja.

Pas një viti shkova në punë përgjegjës kulture në Bardhoc, por që paguhesha nga seksioni i kulturës i komitetit ekzekutiv. Aty për 6 vite hyra në punë lexues me kohë të plotë, nuk kisha punë tjetër, veç lexoja ç’më delte përpara, pasi kisha në ngarkim edhe bibliotekën. Kisha mundësi për makinë shkrimi te zyrat e koperativës dhe, ngaqë e përdorja mirë makinën, i shkruaja dhe rishkruaja shpesh vjershat e mia.

Ia pata dhënë për t’i lexuar Shefqet Hoxhës, i cili m’i lëvdoi edhe pse nuk ishte poet, por unë e çmoja njeri të ditur. Vlerësimi i Shefqetit ndikoi që në vitin 1988 ta dërgoj dorëshkrimin e librit në shtëpinë botuese "Naim Frashëri", ku ishte shef Isuf Nela.

Librit i kishin bërë dy recenca, Ndoc Gjetja e Fisnik Sina. Ndoc Gjetja ishte shprehur se mund të botohet ky libër, Fisnik Sina kish shprehur të kundërtën. Përgjigjja më erdhi me zarf që libri nuk mund të botohet në gjendjen që është se i mungon partishmëria dhe ka erotizëm — këto ishin fjalët “përvëluese” mes dhjetëra fjalëve të tjera.

Nuk i kuptoja këto gjëra, por më ngushëllonin të tjerët kur thonin se sa disa herë të kthehet libri.

E mora dorëshkrimin dhe e mendova lehtë. Për ta bërë të partishëm librin, në disa poezi, në vend të fjalës dashuria, vura fjalën partia. Bëra kështu një karikaturë të keqe.

E çova librin sërish në 1989. Tani kishin ndërruar kushtet. Nuk ishin më dy recenzentë, por një. Librin tim ia kishin dhënë për recencë Preç Zogajt, i cili ishte ai që më kishte botuar i pari poezi në gazetën "Zëri i rinisë" në 1986. Nuk njiheshim, por mendoja gjithmonë se është njeri dashamirës i imi. Ai i thotë një miku të përbashkët që libri i Rexhep Shahut me një redaktim të mirë edhe mund të botohet, por i thoni Rexhepit, më mirë të mos e botojë tani librin. Kështu mbeti libri pa u botuar.

10 vjet më vonë, pasi ish ndërruar bota, në mars 1998, pasi i redaktoi poezitë Izet Duraku dhe u shpreh me shumë entuziazëm, e botova librin me titull "Mali i Hënës" që u prit shumë mirë. Poezitë që la pa i futë në librin e parë, Izeti tha se janë më të mira se ato në libër, por ruaji për vëllimin e dytë…


GM: Ju keni botuar disa vëllime poetike. Si e përjetoni procesin e krijimit të poezisë dhe çfarë mesazhi dëshironi të shpërndani te lexuesit?

RSH: Kam botuar 6 libra me poezi, rreth një mijë poezi. Poezitë e mia janë mërmërimat e mia, fërshëllimat e mia, dyshimet e mia, pasionet e mia, këngët e mia të dashurisë. Unë jam njeri i realizuar në jetë, nuk vuaj as vajtoj mungesa. Çdo libër është një dashuri, poemë a simfoni dashurie, është grua që rrok brenda saj gjithë gruan e botës. Besoj se lexuesi e gjen veten në poezitë e mia. Poezia për mua është thellësisht intime, si pikla e vesës në fijen e njomë të barit, si loti në lapën e gjethit a në petalen e trëndafilit, apo si larat e borës derdhur shpateve të fëmijërisë, siç thotë Izet Duraku. Poezinë e kam marrë gjithmonë shumë seriozisht. Jam pasionant dhe nuk bëj asgjë pa pasion e pa shpirt në poezi e në jetë. Përpiqem të jem modest, i perulur se nuk e kam shpikë unë poezinë e asgjë të kësaj bote. Të gjitha fjalët e botës i kanë shpikë e shkrue të tjerët. Por në caste të caktuara nuk na pengon askush të këndojmë me zërin tonë e fjalët që na vijnë në atë gjendje emocionale që ndodhemi. Përpiqem poezinë ta bëj pikturë dhe të mos harroj kurrë se poezia me zhurmë vdes shpejt. Të ndjejmë e shkruajmë zërat e natës, zërat e heshtjes, zhurmën e pikës së lotit në faqe… Kam droje të flas për poezinë sepse nuk di të flas për të e lëndohet.



GM: Veprat tuaja publicistike shpesh trajtojnë ngjarje historike dhe kombëtare. Si e zgjidhni temën dhe çfarë roli ka publicistika për ju në shoqëri?

RSH: Publicistika është buka ime e përditshme. Unë nuk kam kulturë për të hyrë në thellësi të trajtimeve, por unë thjeshtë guxoj e shkruaj dhe natyrisht që kam lexues, se edhe lexuesit jo të gjithë janë shkencëtarë e dijetarë. Unë e jetoj intensivisht e aktivisht kohën, nuk di të jem indiferent, guxoj e flas, por synoj të jem i drejtë e i ndershëm në vlerësimin tim. Kjo bën që edhe të shkruaj gjëra pa kompetencë, por kjo ndodh se nuk rri dot anash, nuk rri indiferent. Por kam libra që do të jetojnë, si libri Apologji per udhen e kombit, një publicistikë e polemikë e nivelit të lartë jo për asfaltin e udhës së kombit, por për udhën e kombit shqiptar që është bashkimi kombëtar... Libri Lufta ime për Kosovën, një libër total siç e kanë çmuar të tjerët, libri Bisedë e përfytyruar me Havzi Nelën, ku jam përpjekë të bëj radiografinë e kohës që kam jetuar. Ose Qazim Bllaca – 31 vjet burg në Shqipëri. Unë shkruaj me seriozitet, me dashuri, me përkushtim, për gjëra që i shoh, i prek, jetoj e përjetoj.


GM: Përmes monografive tuaja, ju keni ndërtuar portrete figurash dhe ngjarjesh që kanë lënë gjurmë në histori. Çfarë ju shtyn të hyni në jetën e "tjetrit" për ta dokumentuar atë dhe sa e vështirë është të ruash ekuilibrin mes faktit historik dhe rrëfimit njerëzor?

RSH: Monografitë që kam bërë janë fillimi i shlyerjes së një pjese të vogël të detyrimit që u kemi figurave kombëtare. Unë nuk kam rregulla as ndjek modele, unë kam veç një rregull: të jem i ndershëm, të mos më vijë turp nesër nga ato që shkruaj. Mburrem me librin Qazim Bllaca – 31 vjet burg në Shqipëri, a me librin Një gjo a, një gjo s’a, pa ta s’a.


GM: Në veprat tuaja eseistike dhe rrëfimore ju kombinoni historinë dhe përvojën personale. Si lind një ese ose rrëfim te ju, dhe çfarë synoni të transmetoni te lexuesi?

RSH: Në vijim të asaj që thashë, synoj veç të jem i ndershëm. Shkenca e madhe, shpikjet nuk kanë ngelë për mua. Unë shkruaj të shënoj veten, të pohohem që kam jetuar në këtë kohë, që nuk jam fshehë si struc a si skuth. Ta them fjalën time, të mbetet e thënë diku në një cep letre, pa synuar të ndikoj a diktoj. Shkruaj pa i shërbyer ndokujt, më duket vetja i madh për t’u bërë i vogël, për të hyrë në xhepin a çantën e dikujt, shkruaj që të shënohem te fëmijët e mi, te nipat e mbesat. Dua që, në mos u krenofshin ata me mua, të paktën të mos turpërohen me mua.


GM: A mendoni se letërsia shqipe po kalon një periudhë të mirë? Cilat janë sipas jush sfidat dhe arritjet kryesore të saj në këtë kohë?

RSH: Unë nuk di as mund të gjykoj për letërsinë. Duhet ta njohësh që të flasësh. Sot askush nuk e njeh të tërën, edhe pse flasin me kompetencë arrogante shumë gjithologë. Lexojnë librat e miqve e shokëve ose të rekomanduarat, por kjo nuk është e tëra. E mira sot është se botohet më shumë, edhe pse lexohet më pak.

Sot guximi me shkrue është më i madh. Kushdo shkruan, vetshpallet çfarëdo. Ka shkrimtarë të mirë, patjetër që ka, por prurjet e mëdha i mbulojnë të mirët dhe dalin në krye të lehtët, dalin në krye ata që dinë të vetreklamohen, të kapin ritmin e frekuencat e facebooku-t. Ndodh që disa shkruajnë ca publicistika të zbehta dhe shpallin se kanë bërë tregime, shkruajnë 100 faqe skica, portrete e reportazhe, kujtime a ku di çfarë e thonë shkrova roman.

Mendoj se nuk është e lehtë as tregimi, as romani, as poezia serioze. Letërsia jonë sot nuk po prodhon dot personazhe, as portrete, as peizazhe, por thjeshtë përshkrime të thata gazetareske. Ndosha nuk jam qind për qind i gabuar, po letërsia jonë sot, me pak përjashtime, më duket se është një lloj gazetarie. Nuk do të thotë se unë kam të drejtë, pasi unë nuk e kam lexuar letërsinë për studim për këtë që e them. Letërsia sot, sipas një perceptimi të zbehtë timin, është letërsi facebooku ku gjithkush i jep mend gjithkujt.


GM: Shqipëria komuniste u bë vrasësja e fundit e një poeti në Europë, Havzi Nelës. Kur dëgjuat për herë të parë për poetin martir Havzi Nela dhe cili është mendimi juaj i përgjithshëm për jetën dhe veprën e tij?

RSH: Shqipëria nuk u bë vrasësja e fundit e një poeti, por është vendi i vetëm që ka varë një poet. Ta ketë cilido shtet serioz poetin Havzi Nela e bën qendër pelegrinazhi të përhershme, e bën stacion moral të pashmangshëm për vete e për çdo njeri që hyn në Shqipëri. Askush në Europë nuk e ka një poet të varur në shesh nga regjimi komunist.

Për jetën e Havziut unë kam botuar librin ''Bisedë e përfytyruar me Havzi Nelën''. Besoj e kam shterrë në mënyrën time. Por kam ende gjëra pa botuar, pasi kujtoj se jam marrë në thellësi me këtë martir kampion.

Havziun e varën duke u gdhi data 10 gusht 1988. E kam parë rastësisht atë ditë pak çaste të varur. Çfarëdo të them tani, abuzoj siç bëjnë njerëzit. Unë thjeshtë them se jam dridhë një çast kur pashë trupin e varur, kam ndjerë ftohtë atë çast, ndoshta ka qenë frikë. Nuk kam ditë asgjë për të si gjithë të tjerët, ka qenë krejt i panjohur. Duhet ta çojmë kohën në kohë, të mos flasim sot për atëherë me mendttë e sotëm. Kur është varë, pasi ka kalue mesnata, në atë skaj qyteti ku as pijanecë nuk kishte udhëve në atë kohë, tani mund të thonë plot të vërteta, mund të gënjejnë të thonë kemi reaguar, kemi protestuar, kemi shkruar… por në fakt asgjë nuk ka bërë askush veçse kanë ndjerë.

Kur e varën, nuk e njihte askush sepse ishte i panjohur, kish jetuar 20 vjet në disa burgje larg Kukësit dhe një vit në internim në Arrën, më burg se burg, ndaj nuk e njihte askush se nuk kishte atëbotë celularë, Fb, Instagram, Tik-Tok dhe nuk dinte askush asgjë për të, as vëllezërit e tij në Kollovoz, që një natë më parë, as natën e varjes, nuk kishin miell për bukë, por gatuanin bukë me byk e blidhe, nuk e dinin se qe varur Havziu…

Nuk e njihte askush veç ish përhapur fjala se ishte kriminel se kishte vrarë një polic, por polici i plagosur në faqe prej Havziut ishte i gjallë e mirë edhe në 30-vjetorin e varjes së Havziut…

Nga dëshira me shkrue për Havziun dhe me shalue kalin e antikomunizmit, e shëmtojnë Havziun me të papërvërteta. Havziu nuk ka nevojë për të papërvërteta, për asgjë e për askënd.

Disa nga ata që shkruajnë për Havziun, nga dashuria nxitojnë dhe shkruajnë si duhet të ishte ai, si duhej të flaste ai në bazë të skemave e shablloneve se si duhet të flasë një armik i partisë, e krahasojnë për kulturë me lloj-lloj emri e disidenti të huaj për të ngritur nivelin e shkrimeve të tyre.

Se e kanë parë diku në jetë në burg a në liri Havziun, nuk do të thotë se e kanë njohur; se janë përshëndetë me të diku dikur, nuk do të thotë se e kanë patur mik.

Nuk kanë durim as të dëgjojnë, as të lexojnë çfarë ka thënë e çfarë ka shkruar vetë Havziu. Ia shëmtojnë historinë duke ia zbukuruar…



Akoma dhe sot e kësaj dite disa nga që kërrejnë për të nuk ia kanë rrokë përmasat, nuk ia dinë dimensionet e krijimtarisë e antikomunizmit të tij, nuk e dinë thelbin e krijimtarisë së tij me 5548 vargje. Dinë 30 poezi të tij, nuk e dinë Kosovën në krijimtarinë e Havziut që pikon gjak e dhimbje, Kosovën që është shtylla vertebrale e poezisë së Havziut.

Fishta i ri e cilësuan Havziun Brikena Çabej e Visar Zhiti që e propozuan dhe votuan për ta bërë fitues të çmimit kombëtar për poezinë për vitin 2018 në 30-vjetorin e varjes.

Havziu ishte nga ata armiqtë e guximshëm që i ka thënë hapur gjërat. Ai nuk e ka përfillë vdekjen, kjo është fuqia e tij.

Ai nuk ka qenë armik brejtës, hajn, spiun, përdhunues nxënësesh, hajdut kooperative; ai me guxim e hapur ka shpallë armik e të keqe të këtij vendi Enver Hoxhën dhe të tjerët i janë dukë dushk për gogla, miza toke, milingona e liliputë.

Havziun donin ta thernin me thikë në burg, por ai nuk i llogariste armiq ata mjeranë të vegjël.


E dënuan edhe me 8 vjet të tjera shtesë burgu me 6 dëshmitarë që e kishin spiunuar e Havziu deklaroi: "Po, i kam thënë të gjitha gjërat që thonë dëshmitarët", dhe i shpërfilli e sfidoi të gjithë: dëshmitarë, gjykatës e prokurorë…

Havziu e shpalli faljen kur deklaronte se do të dalim një ditë nga burgjet, por duhet të falim se gjaku me gjak nuk lahet… këto fjalë janë profetike.

Në 30-vjetorin pas varjes Havzi Nela është i nderuar. Shkolla e Kollovozit dhe gjimnazi i Kukësit mbajnë emrin e tij. Në Kukës është ngrite në piedestal busti i tij. Është botuar prej meje vepra e tij e plotë me titull "Shtatë fletore me 5548 vargje", libri "Shkrimtarët për Havzi Nelën - shpirti i lirë i Lumës", libri "Bisedë e përfytyruar me Havzi Nelën" ese dhe tregimi për jetën e tij, Numri special 14 i revistës Illz, revistë letrare e Tiranës kushtuar Havziut dhe gjithë shkrimtarëve martirë, libri "Po shkrin bora" me poezi e poema të Havziut që ia ka kushtuar Kosovës. 42 shkrimtarë ndër më të njohurit shqiptarë kanë ardhe dy herë në Kukës për ta nderuar Havzi Nelën, edhe kur u vu busti i tij më 12 qershor 2018, edhe kur u inaugurua shtëpia e tij e re, dhe ky është nderi më i lartë që ia kanë bërë shkrimtarët shqiptarë poetit Havzi Nela. Për vitin 2018 libri i tij "Shtatë fletore, vepra e plotë me 5548 vargje" mori çmimin e parë kombëtar për poezi nga Ministria e Kulturës.

Këto libra që i kam përgatitë e botuar unë me shtëpinë time botuese e promovuese Klubi i Poezisë.

Havzi Nela nuk duhet mbllaçitë si çimçakëz një herë në vit. As nuk mund të jetojmë çdo ditë me Havziun në mendje.

Do njoftë jeta e tij qëndrestare. Ai nuk urrente. Ai nuk ishte armik i partisë, partia e bëri armik me zor dhe pastaj ai shkëlqeu në qëndresën e tij kundër regjimit komunist duke tregue njeriun me dinjitet e trim që ishte.

Havziut i del dhe tepron jeta e tij, nuk ka nevojë për shtesa e trillime të tipit “ka qëndruar i varur disa ditë duke kulluar gjak… apo u arratis nga internimi në Arrën me armë në brez…”. E vërteta e tij është madhështore pa zbukurime e trillime.

Havziu e donte jetën si rrallë njeri. Por edhe vdekjen e sfidoi si rrallë kush, nuk e përfilli, nuk e llogariti vdekjen, nuk iu tremb asaj.


Çmimin e parë kombëtar për vëllimin më të mirë poetik të vitit 2018 e fitoi libri “Shtatë Fletore”, vepra e plotë poetike me 5548 vargje e poetit martir Havzi Nela, botuar nga Klubi i Poezisë

GM: Si botues i veprës së plotë të Havzi Nelës, "Shtatë fletore", ju keni kryer një mision sa letrar, aq edhe njerëzor dhe historik. A mund të na rrëfeni rrugëtimin kronologjik të këtij botimi - që nga rënia në gjurmët e dorëshkrimeve e deri te dita kur ato u kthyen në një libër me vlera monumentale?

RSH: Shtatë fletoret me vjershat e Havziut në 1983 i ka marrë nga burgu vëllai i Havziut, Shukri Nela, dhe i ka ruajtë me fanatizëm, e për këtë meriton gjithë mirënjohjen njerëzore.

Ato fletore kanë shëtitur në demokraci në disa duar. Kanë marrë prej tyre disa poezi dhe i ka botuar me përkushtim Petrit Palushi.

Mua m’i dha fletoret Shukriu, vëllai i Havziut, në 30-vjetorin e varjes, në 2018, kur unë kisha nxitur punët për bërjen e vendosjen e bustit të Havziut nga kryetari i bashkisë Kukës, Bashkim Shehu.

Shukriu më dha shtatë fletoret dhe të drejtën zyrtare të botimit të tyre. Kur i lexova, zbulova dimensionet reale të Havzi Nelës poet. Ai nuk ishte poeti i mjerimit e varfërisë siç e cilësonin, poeti i Gjulizës… Nuk i mungonte kjo përmasë, por dhimbja e tij më e madhe ishte Kosova. Kushtrimi i tij më i madh ishte kushtrimi për Kosovën e lirinë.

Me mbështetjen e humanistit deputet Flamur Hoxha i botova shtatë fletoret e Havziut, botim cilësor anastatik dhe gjithë librat për të.


GM: Si erdhi përgatitja e veprave për Havzi Nelën, si 'Shkrimtarët për Havzi Nelën' dhe 'Bisedë me Havzi Nelën' ? Çfarë mund të gjejë lexuesi në këto dy vëllime?

RSH: Më 12 qershor 2018, në ditën e vendosjes së bustit të Havziut, organizuam në Kukës, në pallatin e kulturës, një sesion përkujtimor me temë "Shkrimtari dhe liria", që e drejtova me Agron Tufën, ku kumtuan 18 nga shkrimtarët më të njohur të vendit që i kisha ftuar me ardhë në Kukës për të nderuar Havziun. Këto kumtesa dhe mjaft të tjera që nuk u lexuan në atë sesion përkujtimor i përmblodha në librin e veçantë "Shkrimtarët për Havzi Nelën - shpirti i lirë i Lumës". Libri ka gjithsej 58 autorë të përfshirë në të.

"Bisedë e përfytyruar me Havzi Nelën" është mundim i gjatë, është një lloj monografie e veçantë apo një lloj romani pa asnjë fantazi, por rrëfim i gjërave reale që tejkalojnë edhe trillimet më të çmendura, nga ato histori me kamerë të pafikur dhe pa asnjë montazh. Është biseda ime me Havziun e me kohën.


GM: Cilët shkrimtarë dhe cilat vepra, si nga letërsia jonë ashtu edhe nga letërsia botërore, i konsideroni më të rëndësishme ose që kanë ndikuar më shumë tek ju si lexues apo si shkrimtar?

RSH: Flas si lexues modest. Kadareja është lumi im apo Drini im. Migjeni është mali im. Everesti është Shekspiri që m’i heq kufijtë e përfytyrimit në mbretërinë e vesit e virtytit. Por ka shumë të tjerë që bëjnë xhiro në bulevardin e mendjes time.


GM: Keni drejtuar disa revista: "Dy Drina", "Kallz", "Bujqësia Shqiptare". A mund të bëni një përshkrim përmbajtësor të tyre dhe cila prej tyre ka qenë më sfiduese për ju?

RSH: Revista kulturore "Dy drina", botim i qendrës "Dy drina" që ishte OJQ e imja, është revista e parë që kemi nxjerrë me Izet Durakun. Izeti drejtor, unë kryeredaktor. Sponsor për 6 numra ishte Esat Bilali, një shqiptar patriot që jeton në SHBA. Pastaj kam nxjerrë revistën për fëmijë "Kallëz", tre numra. E lashë se ajo kërkonte shumë angazhim, staf e përkrahje nga shteti e shkollat. Unë me shtetin nuk i kam patur punët mirë për këto gjëra. Librat e mi, librat që botoj si shtëpi botuese nuk i blen shteti për bibliotekat publike. Ndoshta ngaqë lëndoj miqësitë shqiptaro-serbe. Unë kam shpërndarë e dhuruar shumë libra në njerëz e biblioteka, me pëlqimin e sponsorit fisnik Flamur Hoxha dhe të autorëve që botoj.


GM: Çfarë përfaqëson për ju revista letrare "Illz", një botim mjaft serioz që e drejtoni prej vitit 2016, dhe cili është misioni i saj në peizazhin e sotëm kulturor?

RSH: Revista "Illz" është projekti i jetës tonë. "Illz" është organ i shtëpisë botuese Klubi i Poezisë. Izet Duraku është drejtor i revistës, unë kryeredaktor. Sponsor është miku im, humanisti deputet Flamur Hoxha, që u ka dhënë krahë shumë projekteve tona kulturore duke u bërë një mecen i rrallë në historinë e letrave shqipe.

Kemi botuar 62 numra reviste. Izeti është ideatori e arkitekti i revistës, ia ka vu emrin revistës. Unë jam kryeredaktori, konstruktori e botuesi i saj. Por jetë i jep revistës Flamuri dhe shkrimtarët që na japin krijimet e tyre. Në 62 numra reviste me rreth 15 mijë faqe të formatit B-5, me germë 11, kanë botuar rreth 3700 autorë e përkthyes nga gjithë bota.


Izet Duraku - Flamur Hoxha - Rexhep Shahu

GM: Sa e vështirë është sot të mbash gjallë një revistë letrare periodike në Shqipëri dhe cilët janë personat që dëshironi të falënderoni për mbështetjen e tyre në këtë rrugëtim?

RSH: Është sfidë revista, është bast i madh, një aventurë që më merr shumë kohë dhe energji.

Janë gdhendë me germa të mëdha në historinë e letërsisë tonë për këtë revistë emrat: Flamur Hoxha, Izet Duraku, emri im, i Shaban Sinanit dhe anëtarëve të bordit, emrat e shkrimtarëve e përkthyesve. Perandorisë akoma nuk i ka ra në sy kjo revistë, por unë e di se emri i revistës do të jetojë më gjatë se i perandorit dhe çantambajtësve të tij.


GM: Ju jeni themelues dhe drejtues i shtëpisë botuese "Klubi i poezisë". Si funksionon ajo në praktikë dhe si përzgjidhen autorët që botohen nën logon tuaj? Cilat janë sfidat më të mëdha për të mbajtur gjallë një shtëpi botuese letrare në Shqipërinë e sotme?

RSH: Kur më dëbuan nga puna, më përjashtuan nga shteti, unë krijova shtëpinë botuese Klubi i Poezisë. Më thonin ta regjistroja si OJQ në gjykatë. Kur shkova te avokati e noteri, ata më pyetën se çfarë do të synoja me shtëpinë botuese. I thashë të botoja ndonjë libër nëse do mundesha. Juristët më sugjeruan ta regjistroja me një mijë lekë të vjetra, pa gjykatë e pa asnjë procedurë. Dhe e regjistrova brenda pak minutash. Isha vetë drejtues, administrator. Pastaj ndër vite kam vënë administrator herë djalin, herë vajzën e tani është nusja e djalit. Natyrisht që vetë e drejtoj.

Jemi shtëpi e vogël botuese, por kemi botuar libra të mëdha…

Kemi funksionuar si duet me Izet Duraku-n në zgjedhjen e botimin e librave e Flamur Hoxha na i ka mbështetë gjithmonë projektet me dashuri e mirëkuptim total.

"Shpërngulja e shqiptarëve" e Çubrilloviqit, "Shqiptarët e fuqitë e mëdha" të Vlladan Gjorgjeviqit e mjaft të tjerë libra të kësaj natyre janë shenja të forta në biografinë tonë botuese.

Revista "Illz" mbetet si një kometë që do të fluturonte gjatë në qiellin letrar shqiptar, produkti më elitar i shtëpisë botuese Klubi i Poezisë.

Më 7 mars 2015 dolën nga shtypi dy librat e parë të shtëpisë botuese Klubi i Poezisë: "Shpërngulja e shqiptarëve", libër dekalog i shfarosjes së shqiptarëve, libër i shumëpërfolur por pothuaj i panjohur i akademikut serb Vasa Çubrilloviq, referatin e parë të të cilit e ruaja në shtëpi që nga viti 1986, dhe libri "Unë i kam shumë borxh Shqipërisë" i humanistit të madh francez d’Estournelles De Constant, nobelist i paqes i vitit 1909, senator i Francës, sekretar i komisionit të caktimit të kufijve në veri të Shqipërisë, i cili kishte një pendesë të thellë se “me një të rënë të lapsit ne e katërfishuam Malin e Zi në dëm të Shqipërisë”.

Librat e tjerë të fillimit ishin "Shqiptarët e fuqitë e mëdha" i ish-kryeministrit serb Vlladan Gjorgjeviq, përkthyer nga kryeministri shqiptar Mustafa Kruja, botuar prej tij në Zarë më 1928, libri gurrë e të ligave kundër shqiptarëve, pa guxuar askush ta botonte në Tiranë për mbi 80 vjet; libri kthjellues "Lufta e çetave në Shqipëri" i komandantit gjerman Hermann Frank që trishtohej se Kosova i kaloi përsëri Serbisë; "Shqipëria në 1921" i Justin Godart si kundërvënie e humanistëve francezë ndaj Vlladan Gjorgjeviqit e tezave të tij të zeza; "Përgjuesi serb i Ismail Qemalit"; "Nëpër Shqipëri" i Kosta Novakoviqit; "Promemorja e Bajram Bajraktarit", një libër i rrallë, më i “vjedhuri” nga studiuesit sa ishte i pabotuar libër dhe ndoshta më kthjelluesi për Muharrem Bajraktarin e për ato kohë e histori; 11 libra të antologjisë të Profesor Shefqet Hoxhës me mbi 6 mijë faqe, si "Balada", "Proza popullore", "Lirika", "Epika", "Toponimia", "Luma 1" dhe "Luma 2" me 1700 faqe etj., libra që nuk bëhen dot më dy herë, libra me shumë vlerë. Nuk gjendet më e folmja e Lumës e viteve 1950. Me atë të folme i ka mbledhë përrallat Profesor Shefqet Hoxha dhe ashtu e kemi botue e librin "Proza", një libër që ka shumë dimensione e vlera.

Nisur vetëm nga ky start, kuptohet niveli i pretendimeve të shtëpisë botuese Klubi i Poezisë.

E dija që në krye se me këto lloj librash nuk bëhet biznes, por bëhet kombëtarizëm. Këtë e kuptoi që në krye edhe sponsori ynë Flamuri dhe më përkrahu e më mbështeti me dashuri e devocion.


GM: Si lindi pasioni juaj për gazetarinë, si ishin fillimet dhe cilat përvoja ju formësuan më shumë si gazetar?

RSH: Unë kam shkruar në gazeta të ndryshme shkrime modeste që në shkollë të mesme në Durrës. Kam bashkëpunuar me Radio Kukësin në emisione e radioreportazhe.

Por në detin e gazetarisë jam zhytë në 1994, kur Izet Duraku ishte drejtor i Radio Kukësit e Sul Dida kryeredaktor. Kam filluar të bëj emisionin e drejtpërdrejtë treorësh "Vatër të drekës" dhe emisionin "Refleksione" të së enjtes pasdite me ritransmetim të premten.

Atëhere Izeti më mbajti afër, më nxiti ta dua projektin që kishte në kokë për ta bërë Radio Kukësin radio Kosove. Atëhere u përputhëm plotësisht me Izetin dhe mori krahë pasioni im. Unë jam stërnip Prizreni dhe Kosova e Prizreni ishte buka e përditshme në familjen time për shkak të Lokes prizreniane. Kështu u bëra gazetar dhe punova 10 vjet në Radio Kukësi. Kam punuar për Radio Tiranën, kam shkruar për shumë gazeta në Shqipëri e Kosovë e agjenci të huaja.


GM: A mendoni se gazetaria në Shqipëri po përballet me një krizë morale, duke pasur parasysh se mediat kryesore shpesh janë pro-qeveritare dhe vendi renditet ndër më të korruptuarit në Europë?

RSH: Që kur Edi Rama mori Partinë Socialiste dhe filloi të delte në fshat, filloi të bënte enciklika për bujqësinë, ai i përjashtoi reporterët nga ndjekja e veprimtarive, por çdo veprimtari e filmonte vetë PS-ja, e bënin kronikën gati njerëzit e partisë dhe ua dërgonin kasetat e gatshme për transmetim televizioneve. “Vrasja” e reporterit është vrasja e gazetarisë në Shqipëri. Ky ishte atentati vdekjeprurës ndaj gazetarisë, ndaj mediave. Mediat që nga ajo kohë janë zëdhënëse apo tellalle të Edi Ramës e të qeverisë në tërësi. Jam dëshmitar i këtyre që them, se ato kohë unë reagoja si zëdhënës i Ministrisë së Bujqësisë kundër enciklikave të Edi Ramës. Mediat e mëdha u shitën në atë kohë te Rama dhe e humbën dinjitetin e autoritetin. Kjo metodë e mënyrë e Edi Ramës u bë kancer për mediat e politikën. Mediat opozitare kanë kufi e cak sa u lejohet opozitarizmi kundër pushtetit të socialistëve, sepse shteti të korrupton, të blen, të josh, të jep fonde, të jep reklama… Shpresoj ta botoj librin në proces "Nga ditari i një zëdhënësi" dhe aty do rrëfej nga këto histori…

GM: Ju keni ndjekur shumë trajnime kombëtare dhe ndërkombëtare në fushën e gazetarisë, medias dhe marrëdhënieve publike. Si kanë ndikuar këto eksperienca të formimit profesional në qasjen tuaj ndaj komunikimit dhe krijimtarisë?

RSH: Unë ndjej detyrë të shpreh mirënjohje për trajnimet e GTZ gjermane, pjesa tjetër është mësim noti në lumë e në det…