Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me mësuesin, poetin, studiuesin dhe publicistin Kujtim Mateli

46m më parë

INTERVISTË ME MËSUESIN, POETIN, KRITIKUN LETRAR, STUDIUESIN DHE PUBLICISTIN KUJTIM MATELI

EKSKLUZIVE NGA GËZIM MARKU

Kujtim Mateli (lindur më 15 qershor 1951) është poet, kritik letrar, publicist dhe studiues, i njohur për kontributin e tij në letërsinë shqipe dhe në studimet historike mbi Epirin dhe Dodonën. Nëpërmjet veprës së tij, ai ka trajtuar çështje të identitetit historik dhe kulturor të trojeve shqiptare në antikitet, duke ofruar qasje dhe interpretime që shpesh dallojnë nga ato tradicionale.

Ai ka lindur në fshatin Mazhan të rrethit të Përmetit, ku kreu arsimin fillor dhe të mesëm. Studimet e larta i përfundoi në Universitetin “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan, në degën e gjuhës dhe letërsisë shqipe. Më pas, vijoi formimin akademik në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja në Universitetin e Tiranës, ku gjatë periudhës 1998–2004 kreu studime në gjuhën frënge, greke dhe angleze.

Në planin profesional, Mateli ka ushtruar për shumë vite profesionin e mësuesit. Nga viti 1972 deri në vitin 1991 ai punoi në shkolla të ndryshme të rrethit të Përmetit, ndërsa që nga viti 1992 jeton në Tiranë, ku vijon të jetë i angazhuar në fushën e arsimit. Krahas veprimtarisë pedagogjike, ai ka qenë aktiv në publicistikë dhe letërsi, duke nisur botimet që në vitin 1980 në gazetën “Drita” dhe duke vazhduar me publikimin e poezive, artikujve dhe studimeve në shtypin e shkruar. Aktualisht mban detyrën e kryeredaktorit të gazetës “Dëshnica” dhe është anëtar i Akademisë Shqiptaro-Amerikane të Shkencave dhe Arteve.

Krijimtaria e tij përfshin poezi, kritikë letrare dhe studime historike. Poezia e Matelit trajton tema të ndjeshmërisë njerëzore, shpresës, përjetimeve shpirtërore dhe qëndrueshmërisë përballë vështirësive. Në fushën e studimeve historike dhe albanologjike, ai është përqendruar kryesisht në çështjet që lidhen me Epirin dhe vendndodhjen e Dodonës. Ai mbron tezën se Dodona ndodhej në zonën e Dëshnicës së Përmetit, duke sfiduar interpretimet tradicionale që e vendosin atë në territorin e Greqisë së sotme. Studimet e tij trajtojnë gjithashtu kufijtë historikë të Epirit dhe përkatësinë kulturore të këtij rajoni në antikitet, duke kontribuar në debatet e gjera të albanologjisë dhe historiografisë.

Ndër veprat e tij më të njohura përfshihen përmbledhjet poetike “Kur mendon për të tjerët” (2009), “Qetësojmë shpirtin e trazuar” (2017), “Eci mbi një fije shprese” (2019) dhe “Mos u mposht o njeri” (2023). Në fushën e studimeve dhe kritikës ai ka botuar “Dyzet shkrimtarët e Dëshnicës” (2022) dhe “Albanologjia dhe çështja e kufijve historikë” (2019). Ndërsa në studimet kushtuar Dodonës përfshihen veprat: “Dodona I: Në kërkim të vendndodhjes” (2011), “Dodona II: Dosja Karapanos” (2017), “Dodona III: Hyjnia e malit Tomor” (2020) dhe “E vërteta për Dodonën dhe Epirin” (2023).

Kujtim Mateli ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në letërsinë dhe mendimin kritik shqiptar, si përmes krijimtarisë së tij poetike, ashtu edhe përmes studimeve historike. Qasja e tij mbi Dodonën dhe Epirin përbën pjesë të debatit akademik në albanologji, duke sjellë një perspektivë alternative mbi historinë dhe trashëgiminë kulturore të rajonit. Ai mbetet aktiv në jetën intelektuale dhe në botimet letrare e studimore, duke u konsideruar një figurë e rëndësishme e studimeve bashkëkohore shqiptare.

Në këtë intervistë ekskluzive për “Zemra Shqiptare”, kemi kënaqësinë të bisedojmë me studiuesin, poetin, arsimtarin dhe publicistin Kujtim Mateli, një figurë aktive në fushën e letrave dhe studimeve shqiptare. Përmes një rrëfimi të detajuar mbi jetën dhe veprimtarinë e tij, intervista ndalet në disa etapa kyçe të formimit personal dhe profesional: nga vendlindja në Mazhan të Përmetit, vitet e shkollimit dhe studimeve universitare, deri te angazhimi i tij i gjatë në arsim, publicistikë dhe krijimtari letrare.

Në pjesën e parë të kësaj bisede, në fokus janë gjithashtu interesimet e tij studimore në fushën e albanologjisë, veçanërisht çështjet që lidhen me Epirin dhe Dodonën, si dhe roli i tij në ruajtjen e trashëgimisë kulturore përmes gazetës “Dëshnica”. Intervista sjell edhe reflektime mbi poezinë e tij, tematikën, frymëzimet krijuese dhe mesazhet që ajo përcjell, duke ofruar një panoramë më të gjerë të një rrugëtimi intelektual dhe krijues shumëvjeçar.


GM: Z. Mateli, nëse do të ndaleshim te vendlindja juaj, si do ta përshkruanit Mazhanin e Përmetit, përmes tipareve dhe imazheve që e përcaktojnë atë vend në kujtesën dhe në formimin tuaj?

KM: Mazhani ndodhet në veriperëndim të rrethit të Përmetit, në pjesën verilindore të malit të Trebeshinës, në kontakt me fshatrat e rrethit të Tepelenës. Mazhani dhe mali i Trebeshinës  krijojnë pamje të mrekullueshme që lënë mbresa të fuqishme në kujtesën e vizitorëve dhe të vetë banorëve. Në agim është gri, pastaj në vjollcë, me daljen e diellit shfaqet në një purpur të ndezur. Në mesditë mbi majën e malit bie e kaltërta e qiellit. Mbasdite, një e verdhë e lehtë, gjersa kthehet në ngjyrë trëndafili, pastaj në ngjyrë gështenje e më në fund ngjyra e natës.

Në dimër mali mbulohet nga bora dhe vezullon nga ngjyra e bardhë. Në pranverë mbulohet nga bari, por edhe nga pemët ku mbisudon e gjelbërta. Në vjeshtë një mozaik i rrallë ngjyrash. Mali ngjan me një gur diamanti gjigand që vezullon nga të katër anët.

Aty ngjyrat shpalosen njëra pas tjetrës: e kuqja, viola, portokalli, ngjyrë e trëndafilit, e verdha, kafja e të tjera ngjyra që këtu në Mazhan nuk janë më ngjyra të zakonshme, por janë ngjyrat e një magjie të vërtetë: herë shfaqen të ndritshme dhe herë të errëta në varësi të kupës qiellore e cila herë është e mbuluar nga retë dhe herë shkëlqen nga rrezet e diellit.

Mazhani në burimet osmane të vitit 1583 ishte fshati më i madh në rrethin e Përmetit me 112 shtëpi. Më vonë numri i familjeve ka rënë dhe në vitin 1856 kishte 51 shtëpi, kurse në vitin 1929, kishte 58 shtëpi. Pas çlirimit të vendit numri i familjeve u shtua dhe në vitin 1990 numëronte rreth 180 shtëpi. Në shkollën 9-vjeçare kishte çdo vit rreth 140 nxënës, me një trupë arsimore 8-10 mësues.

Mazhani është i pasur me dru frutorë si: qershia dhe bajamja, arra dhe fiku, molla dhe dardha, me pjergulla që rriten në ledhet e arave ku pemët, por sidomos lisat shërbejnë për mbajtjen e tyre. Mazhani ka njerëz të mrekullueshëm: të zgjuar dhe punëtorë, që janë dalluar për cilësitë e tyre në krejt rrethin e Përmetit dhe sidomos në krahinën e Dëshnicës ku bën pjesë. Në këtë mjedis u linda unë më 15 qershor të vitit 1951, nga dy prindër të mrekullueshëm: Kamber dhe Zabiko Mateli, që gëzonin cilësi dhe virtyte të çmuara me të cilat u rritën dhe tri motrat e mia: Zylka, Zenepe dhe Mine Mateli.

GM: Si i kujtoni vitet e fëmijërisë dhe ato të shkollës fillore dhe cilat janë disa nga ngjarjet apo përjetimet që kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në fillimet e rrugëtimit tuaj?

KM: U rrita në fshatin tim të lindjes, në Mazhan, i rrethuar nga dashuria e prindërve, por edhe nga dashuria dhe përkujdesja e tri motrave të mia. Mjedisi ku kalon fëmijërinë është i rëndësishëm në jetën e njeriut. Fëmija regjistron ngjarje dhe biseda, i ruan në kujtesë shumë gjatë dhe rritet me to. Por edhe mjedisi natyror që të rrethon është shumë i rëndësishëm. Bukuria e natyrës, sidomos në stinën e pranverës, lë mbresa të forta te fëmija, i cili kërkon të rritet dhe të shpërthejë si vetë natyra që e rrethon. U rrita me dashurinë për njerëzit dhe për natyrën. Shkollën fillore e nisa në vitin 1958. Atëherë fëmijët shkonin shtatë vjeç në shkollë. Isha kurioz të dëgjoja bisedat e njerëzve të rritur, por edhe tregimet e vjershat që ishin në librat e Abetares dhe të Këndimit. Për të lexuar ndihmohesha nga motrat, por sidomos nga motra e vogël që kishte mbaruar klasën e katërt të ciklit fillor. Kur fillova të lexoja vetë, qëndroja pasdite me librat edhe me orë të tëra. Mazhani nuk kishte shkollë 7-vjeçare dhe atë e përfundova në Ballaban, një orë larg nga vendlindja ime. Ballabani ishte qendra e zonës sonë, që përfshinte 11 fshatra.

GM: Sa ka shërbyer periudha e arsimit të mesëm në modelimin e identitetit tuaj dhe cilat fragmente jetësore do të veçonit nga ajo kohë?

KM:  Arsimin e mesëm e fillova dhe e mbarova në gjimnazin e qytetit të Këlcyrës.  Është një nga gjimnazet më të  njohur në vend, sepse nga ky gjimnaz kanë dalë nxënës që  janë bërë të njohur në fusha të ndryshme të dijes. Ka pasur mësues të përkushtuar si Niko Tyto, autori i 40 librave me letërsi për fëmijë dhe studimorë. Këlcyra është një nga qytetet më të vjetra shqiptare, ka përreth tri kala antike që datohen të shekullit të tretë para Krishtit. Këlcyra ndodhet në juglindje të malit të Trebeshinës,  ku ndodhet një nga grykat më të bukura në Shqipëri  që mban emrin Gryka e Këlcyrës. Gjatë viteve të shkollimi nxënësit gjithmonë i lind pyetja se farë do të bëhet në të ardhmen. Profesioni i mësuesit më është dukur gjithmonë më i bukur. Të mësosh për vete gjatë gjithë jetës, por dhe të mësosh të tjerët. Je gjithmonë në kërkim të asaj që të tjerët kanë shkruar, por edhe shkruajnë. Pas mbarimi të një cikli shkollor, projektohet një cikël tjetër. Për nevojat e asaj kohe, unë u emërova mësues matematike në shkollën 8-vjeçare të vendlindjes sime, në Mazhan, në vitin 1972. Matematika modeloi identitetin tim: të jem i saktë në ato që shkruaj dhe them në bisedat me njerëzit. Puna si mësues të kultivon disa cilësi që nuk i gjen te profesionet e tjera: të jesh i drejtë dhe i sinqertë, të jesh modeli i njeriut të përkushtuar për të tjerët. Puna e mësuesit nuk mbaron brenda orës së mësimit, ajo ruhet te çdo nxënës, te vlerat që i ke përcjellë, te kujtimet e bukura që kanë mbetur pas si buqeta lulesh. Gjatë këtyre viteve, fillova të shkruaj poezi. Shkrova shumë, para se të botoja poezinë e parë në fillim të viteve `80-të. Në duelin me veten time, të vazhdoj për mësues matematike apo për gjuhë-letërsi, fitoi varianti i dytë, duke ndryshuar edhe mësimdhënien, duke punuar si mësues gjuhë-letërsie në ciklin 8-vjeçar dhe të mesëm në rrethin e Përmetit deri në vitin 1992.


GM: Gjuha dhe letërsia shqipe janë shtylla të identitetit tonë kulturor. Cilat ishin motivet kryesore, profesionale apo edhe emocionale, që ju orientuan drejt studimeve në këtë degë pranë Universitetit “Aleksandër Xhuvani”, dhe cilat mbeten disa nga kujtimet më të vyera që ruani me nostalgji nga vitet tuaja studentore në Elbasan?

KM: Shkolla e mesme, por edhe studimet e vazhdueshme pas mbarimit të saj, më kishin dhënë një bazë të gjerë njohurish, por e ndjeja se ato ishin të përgjithshme dhe shpesh të paplota. Ato më kishin përgatitur për të hyrë në botën e dijes, por nuk mjaftonin për ta kuptuar atë në thellësi. Për këtë arsye, vazhdimi i studimeve në universitet m`u bë domosdoshmëri. Universiteti i jep mundësinë individit të zgjedhë një drejtim të caktuar dhe të depërtojë në thelbin e tij, duke e kthyer dijen në një mjet të vetëdijshëm për të kuptuar realitetin.  Vendimi për të vazhduar fakultetin e gjuhë-letërsisë ka qenë një nga vendimet më të rëndësishme në jetën time. Deri atëherë unë e njihja mirë letërsinë bashkëkohore, kisha shkruar më shumë se 100 poezi dhe kisha botuar dy-tre cikle me poezi në gazetën “Drita”, e vetmja gazetë letrare që dilte në Shqipëri në ato vite. Në vitin 1985 fillova studimet për gjuhë-letërsi në Universitetin e Elbasanit. Duke studiuar letërsinë në të gjithë dimensionin e saj kohor: nga Homeri deri te letërsia moderne e viteve `80-të, kuptova se kisha depërtuar më mirë në botën e brendshme të njeriut, kisha kuptuar ndjenjat, mendimet dhe mënyrën se si shoqëria e ka parë vetveten në periudha të ndryshme historike. Edhe realitetin shoqëror të kohës mundohesha ta ktheja në realitete estetike nëpërmjet poezisë. Gjuha dhe letërsia janë binjake të njëra-tjetrës. Pa e njohur mirë gjuhën në të gjithë leksikun e saj, strukturën e saj gramatikore, nuk mund të lartësohesh në letërsi. Gjuha dhe letërsia janë elementët më të rëndësishëm të identitetit kombëtar. Përmes tyre ruhet kujtesa historike, kultura dhe mënyra e të menduarit të një populli. Studimi i gjuhës nuk duhet të ndalet në sipërfaqe, por duhet të shkojë deri në fillesat e saj, në kohën kur shoqëria njerëzore nisi të ndërtonte komunikimin si bazë të organizimit shoqëror. Në këtë mënyrë, njeriu nuk mëson vetëm të flasë apo të shkruajë më mirë, por kupton më thellë vetveten dhe të tjerët.

Gjatë kohës që vazhdoja studimet në universitetin e Elbasanit, pashë se gjuha dhe letërsia ishte e lidhur ngushtë me historinë, sepse ajo nuk është vetëm një rrëfim ngjarjesh të së kaluarës, por një mjet për të kuptuar të tashmen dhe për të ndërtuar të ardhmen. Përmes saj, individi sheh se si janë formuar strukturat shoqërore, si janë zhvilluar marrëdhëniet mes njerëzve dhe cilat kanë qenë forcat që kanë ndikuar në identitetin e kombit. Pa këtë njohje, çdo përpjekje për të ndërtuar një shoqëri të qëndrueshme mbetet e mangët. Për ta kuptuar më mirë gjuhën, letërsinë dhe historinë e vendit tim, ishte e domosdoshme edhe gjeografia dhe në veçanti gjeografia historike. Në përfundim të studimeve  në vitin 1990, kisha arritur të përfitoja njohuri të mira në degët gjuhë dhe letërsi për të cilat studiova, por edhe për historinë dhe gjeografinë e vendit tonë.  Universiteti i Elbasanit ka pasur profesor të përkushtuar, ku mund të veçoj prof. Mehmet Çelikun që jepte Sintaksën, prof. Ilir Yzeiri që jepte Teorinë e letërsisë, etj. Miqësitë që kanë mbetur deri në ditët e sotme janë të shumta, por mund të përmend poetët:  Pozaet Qosen nga Gramshi dhe Safet Xhanin nga Përmeti.

GM: Periudha 1998–2004 shënon një tjetër stacion të rëndësishëm në formimin tuaj, këtë herë në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja. Çfarë ju shtyu të investonit kaq shumë në frëngjisht, greqisht dhe anglisht, dhe si i shërbyen këto njohuri të reja profilizimit tuaj të mëtejshëm?

KM: Pas Mbarimit të Universitetit në vitin 1990 qëndrova disa vite për t`i konsoliduar njohuritë e fituara.  Mbarimi i një cikli universitar, nuk do të thotë se njohuritë kanë përfunduar dhe rrethi i njohurive parësore është mbyllur dhe mund të merren vetëm njohuri plotësuese. Në të vërtetë është e kundërta. Mbarimi i ciklit universitar tregon se ke arritur një lartësi të caktuar dhe më tej ngjitjen duhet ta bësh i vetëm. Ajo çfarë mësove ishte arritje e të tjerëve, tani të ka ardhur koha të lësh gjurmën tënde, të lësh produktin tënd artistik ose shkencor. Kjo nuk mund të arrihej brenda njohurive të gjuhës shqipe.

Duheshin mësuar të paktën dy gjuhët kryesore: anglishtja dhe frëngjishtja.  Kështu në vitin 1995 fillova të studioja frëngjishten të cilën e mbrojta pranë fakultetit të gjuhës frënge, në Universitetin e Tiranës, në vitin 1998. Më vonë, po pranë fakultetit të gjuhëve të huaja, mbrojta greqishten në vitin 2001 dhe anglishten në vitin 2004.

GM: Karriera juaj si arsimtar shtrihet në disa dekada, duke nisur nga viti 1972 në rrethin e Përmetit e duke vijuar në Tiranë pas vitit 1992. Duke parë këtë rrugëtim të gjatë, si ka evoluar misioni juaj si mësues përgjatë këtyre dy epokave dhe mjediseve sa të ndryshme, aq edhe sfiduese?

KM: Mësuesi nuk është vetëm një mësimdhënës, siç janë të gjithë njerëzit e tjerë në profesionet e tyre. Ai është një misionar, sepse lidhet direkt me njeriun, e përgatit atë për të nesërmen, i cili do të krijojë familjen, do të marrë përgjegjësi dhe do të luajë një rol në shoqëri. Respekti që mësuesi ka ndaj nxënësve duhet të jetë gjithmonë i dukshëm. Nxënësi duhet ta ndjejë se mësuesi mendon dhe përkujdeset për të. Lidhja mësues-nxënës duhet të jetë e vazhdueshme dhe e pandërprerë.

Unë nuk e kam parë kurrë nxënësin thjesht si njeri që duhet të përvetësojë dijet që unë u jepja sipas programeve mësimore, por si personalitete në zhvillim, që duheshin dëgjuar, kuptuar dhe inkurajuar. Kjo qasje më ka krijuar gjithmonë një klimë besimi dhe sigurie, ku fëmijët kanë mundur të rriten jo vetëm në dije, por edhe në vetëbesim. Një nga shtyllat e punës sime ka qenë edhe ndërtimi i marrëdhënieve të shëndetshme me prindërit. Edukimi  është një bashkëpunim i përbashkët mësues-prindër dhe se suksesi i fëmijës vjen, kur mësuesi dhe prindi ecin në të njëjtën rrugë. Po aq e rëndësishme ka qenë edhe marrëdhënia ime me komunitetin. Mësuesi nuk duhet të qëndrojë brenda mureve të shkollës, por duhet të luftojë që të kthehet në figurën më të respektuar në shoqëri. Nëse mësuesin nuk e respekton komuniteti, atëherë edhe raporti mësues-nxënës do të dëmtohet dhe mësuesi do të dyshohet edhe në aspektin e besimit nga ana e nxënësve.

Unë i kam kushtuar vëmendje të veçantë përgatitjes në mësimdhënie, asnjëherë nuk kam shkuar në orën e mësimit pa një përgatitje të mirë, për ta bërë atë të kuptueshme, tërheqëse dhe të dobishme për çdo nxënës. Kjo kërkon jo vetëm aftësi pedagogjike, por edhe një përgatitje të thellë shkencore në njohjen e lëndës, për të cilën kam punuar me seriozitet dhe përkushtim.

Jam munduar që nxënësi të shikonte tek unë jo vetëm një mësimdhënës në dije, por edhe në vlera. Nuk jam ndaluar kurrë së mësuari në fushë të letërsisë, por pa e anashkaluar dhe botën shkencore. Mësuesi duhet ta kapërceja vazhdimisht vetveten dhe kjo arrihet, kur ai nuk e ndërpret vullnetin për ta njohur vazhdimisht lëndën së cilës i është përkushtuar si mësimdhënës.

Ish nxënësit e mi janë rritur e kanë krijuar familje, shumë prej tyre më kanë kapërcyer dhe janë të suksesshëm në profesionet e tyre. Po më vjen mirë, kur ata i kujtojnë ato vitet e shkollës. Njeriu bëhet i fuqishëm dhe i pathyeshëm nga dallgët e jetës, kur e vlerëson dhe i rikthehet pikënisjes së rrugëtimit të tij, që janë bankat e shkollës.

GM: Nisur nga përvoja juaj e gjatë në arsim, cili do të ishte një këndvështrim i përgjithshëm mbi aktualitetin arsimor sot dhe cilat janë disa nga sfidat kryesore që vëreni në sistemin tonë?

KM: Arsimi është një nga shtyllat më të rëndësishme të zhvillimit të një kombi. Në Shqipëri, ai ka kaluar nëpër transformime të shumta pas rënies së sistemit komunist, duke u përpjekur të përshtatet me standardet evropiane dhe me kërkesat e një shoqërie në ndryshim të vazhdueshëm. Megjithatë, gjendja e sotme e arsimit shqiptar mbetet e përzier: ka arritje të dukshme, por edhe probleme të thella që kërkojnë zgjidhje të qëndrueshme.

Në ditët e sotme, janë shtuar institucionet arsimore, sidomos ato private, ka hyrë dhe teknologjia në klasa dhe ka një hapje më të madhe ndaj botës. Megjithatë, kjo rritje sasiore nuk është shoqëruar gjithmonë me cilësi të lartë. Shpesh, diplomat nuk reflektojnë nivelin e vërtetë të përgatitjes dhe kjo krijon një hendek midis arsimit dhe tregut të punës.

Ndër dobësitë kryesore të sistemit arsimor mund të përmenden disa:

- mungesa e një reforme të qëndrueshme dhe afatgjatë.

- cilësia e mësimdhënies mbetet problematike në disa nivele, për shkak të trajnimit jo të mjaftueshëm të mësuesve dhe mungesës së motivimit të nxënësve dhe studentëve.

- lidhja e dobët midis universiteteve dhe kërkimit shkencor ka kufizuar zhvillimin e mendimit kritik dhe inovacionit.

Në këtë kontekst, sfidat që duhet të kapërcejmë janë të shumta. Një ndër më të rëndësishmet është përmirësimi i cilësisë së arsimit në të gjitha nivelet, duke investuar në formimin e mësuesve dhe në programe bashkëkohore. Po ashtu, është e domosdoshme të forcohet lidhja midis arsimit dhe tregut të punës, në mënyrë që të rinjtë të jenë të përgatitur realisht për jetën profesionale. Një sfidë tjetër është ndërtimi i një kulture meritokracie, ku vlerësohet puna dhe aftësia, jo lidhjet apo ndikimet. Po ashtu, duhet të promovohet kërkimi shkencor si bazë e zhvillimit të qëndrueshëm.


GM:  Në rolin tuaj si kryeredaktor i gazetës “Dëshnica”, cili është misioni kryesor që i keni vënë vetes në mbrojtje të trashëgimisë lokale dhe cilave rubrika apo përmbajtje u jepni përparësi për t'u dhënë zë vlerave historike e kulturore të kësaj krahine?

KM: Punën si gazetar e kam filluar që në vitet `80-të duke bashkëpunuar me gazetën lokale të atyre viteve të rrethit të Përmetit. Pas viteve 2000, kam bashkëpunuar me një numër të konsiderueshëm gazetash qendrore si: “Shekulli” dhe “Tirana Observër”, “Fjala” dhe “Telegraf”, gazeta “Sot” etj. Me gazetën “Dëshnica” kam bashkëpunuar që nga viti 2011 si zëvendëskryeredaktor dhe që prej vitit 2021 si kryeredaktor i saj. Kjo gazetë është organ i shoqatës “Dëshnica” e cila nuk është thjesht një pasqyrë e përditshmërisë; ajo është një arkiv i gjallë i kujtesës kolektive, një urë midis së shkuarës dhe së ardhmes, si dhe një zë që mbron dhe afirmon identitetin krahinor brenda mozaikut kombëtar. Në këto 23 vite të jetës së saj bashkëpunëtorët e gazetës kanë sjellë në dritë historinë e krahinës, e cila nuk është vetëm një rrëfim kronologjik ngjarjesh, por një ndërthurje përvojash njerëzore, sakrificash dhe arritjesh që kanë formësuar karakterin e komunitetit dëshnicar. Duke hulumtuar dokumente, gojëdhëna dhe burime të ndryshme, gazeta është bërë Zëri i së Vërtetës Historike, duke i dhënë zë një trashëgimie që rrezikon të harrohet.

Një nga fushat mbi të cilën bashkëpunëtorët e gazetës kanë hulumtuar vazhdimisht ka qenë evidentimi i vlerave etnografike dhe kulturore. Veshjet tradicionale, zakonet, ritet, mënyra e jetesës, të gjitha këto përbëjnë shpirtin e krahinës së Dëshnicës.  Të gjitha këto, nuk i kemi trajtuar si kuriozitete, por si elemente të gjalla të identitetit, që dëshmojnë për rrënjët dhe vazhdimësinë e krahinës sonë. Në këtë kuadër, njohja dhe përhapja e folklorit, këngëve, valleve, tregimeve popullore,  ka qenë një mision fisnik, sepse folklori është memoria më e sinqertë e shpirtit kolektiv.

Një dimension tjetër i rëndësishëm, i gazetës “Dëshnica”, ka qenë vlerësimi i krijimtarisë artistike dhe kulturore. Dëshnica ka poetët, shkrimtarët, piktorët dhe muzikantët e vet, të cilët, me veprën e tyre, i japin formë shpirtit të krahinës. Gazeta “Dëshnica” i ka prezantuar fort këta krijues, duke treguar jo vetëm veprën e tyre, por edhe lidhjen e thellë që ata kanë me vendlindjen. Në thelb të misionit të gazetës “Dëshnica” qëndron nxjerrja në pah e vlerave që përcaktojnë identitetin e krahinës sonë si: mikpritja, trimëria, urtësia, dashuria për vendlindjen dhe atdheun.

Një rol të rëndësishëm në faqet e gazetës ka zënë promovimi i figurave të shquara të krahinës, personalitete që kanë lënë gjurmë në histori, kulturë, shkencë apo jetë shoqërore. Duke i rikthyer këto figura në vëmendjen e publikut dëshnicar dhe më gjerë, kemi ndihmuar në krijimin e modeleve frymëzuese për brezat e rinj dhe në forcimin e ndjenjës së krenarisë për krahinën tonë.

GM: Krijimtaria juaj poetike duket se e ka shoqëruar rrugëtimin tuaj profesional prej vitesh. Si lindi nevoja e parë për t’i hedhur ndjenjat në vargje dhe cili ishte momenti kur e kuptuat se poezia do të ishte një mjet i natyrshëm komunikimi për ju?

KM: Unë  kam filluar të shkruaj poezi qysh në moshën 13-vjeçare, në pranverën e vitit 1964. Ato poezi që kisha krijuar ia dhashë mësuesit tim të letërsisë Anastas Qyra. Ishin krijime që kishin lindur si frymëzim nga poezitë që kisha mësuar në shkollë, por edhe frymëzim nga natyra. Më kujtohet që njëra nga poezitë titullohej “Çaj i malit”. Ishin tufat e çajit që i gjeje me shumicë aty në lartësitë e majave të malit Trebeshinë dhe që banorët e përdornin në stinën e dimrit. Krijova dhe në vitet më pas, gjersa në vitin 1972 kisha mbushur një fletore me poezi, të cilat ia dhashë për t`i parë poetit përmetar Ylli Hoxhaj. Nevoja për të shkruar poezi më ka shoqëruar gjatë gjithë jetës.

Lidhja midis poetit dhe poezisë është një nga marrëdhëniet më të thella dhe më të ndërlikuara që krijon shpirti njerëzor. Ajo nuk është thjesht një marrëdhënie krijuesit me veprën e tij, por një nevojë e brendshme për t`u shprehur dhe për të komunikuar nëpërmjet fjalës së bukur. Poezia lind aty ku fjala e zakonshme nuk mjafton më, aty ku mendimi dhe ndjenja kërkojnë një formë më të lartë, më të përpunuar, më estetike.

Qëllimi im ka qenë që të shkruaj poezi që të recitohen dhe të mirëpriten nga publiku, i cili kërkon të gjejë veten në vargjet e poezisë, të ndiejë se shqetësimet dhe ëndrrat e tij janë shprehur qartë dhe bukur. Me këtë synim vazhdoj të shkruaj ende poezi që lexuesi dhe publiku ta ndjejë se unë po flas në emër të tij. Suksesi i një poezie matet pikërisht në këtë trekëndësh: synimi i poetit për t’u dëgjuar, aftësia e tij për të përfaqësuar shpirtin e publikut dhe fuqia e artit për ta shndërruar emocionin në formë estetike. Në poezinë time jam munduar që t`i bashkoj këto tre elementë, që poezia të bëhet jo vetëm e recitueshme dhe e pëlqyer, por edhe e paharrueshme.

GM: Në vëllimet tuaja poetike vërehet një përkujdesje e veçantë për gjendjen shpirtërore të njeriut dhe raportin e tij me të tjerët. Ku e gjeni më shpesh frymëzimin: te vëzhgimi i jetës së përditshme apo në reflektimin e thellë mbi botën e brendshme?

KM: Nevoja e poetit për të komunikuar me shoqërinë në mënyrë estetike lind nga një ndjeshmëri e veçantë ndaj botës. Poeti e përjeton realitetin më thellë, më imtësisht dhe më dhimbshëm sesa të tjerët. Ai sheh atë që shpesh kalon pa u vënë re: një dridhje gjetheje, një heshtje e rënduar, një mall i pashprehur. Këto përjetime kërkojnë një gjuhë që tejkalon komunikimin e zakonshëm, kështu lind poezia si një mënyrë për të ndarë me të tjerët atë që mund të thuhet ndryshe.

Poezia ime lindi si nevojë që të komunikoja me lexuesin, jo vetëm në dhënien e tablove që paraqesin anën e jashtme të realitetit, por të depërtoja dhe të thosha disa fjalë për botën e tij shpirtërore. Një njeri vërtet mund të mos e ketë fytyrën e bukur të krahasueshme me të tjerët, por ai mund të ketë një botë shpirtërore të madhe dhe të bukur që e bëjnë atë të jetë njeriu më i dashur dhe i respektuar në shoqëri. Shoqëria modelin e saj nuk e kërkon te njerëzit e bukur fizikisht, por te njerëzit e bukur në shpirt, tek ata që nuk mendojnë vetëm për vete, por mundimin dhe sakrificat e tyre i bashkojnë me të tjerët, bëhen pjesë e shqetësimeve të tyre. Madje e udhëheqin shoqërinë me mendimet dhe veprimet e tyre.

Pikërisht, për të nxjerrë në dukje dhe për ta bërë vlerë për të gjithë shoqërinë botën e pasur shpirtërore të njeriut, nuk i jam drejtuar vetëm arsyes së tij, por edhe ndjenjave dhe përvojës së tij të brendshme. Synimi im ka qenë që me pak rreshta të kem me lexuesin një komunikim të ngjeshur, ku çdo fjalë të mbart peshë dhe kuptim të shumëfishtë. Poezia duhet ta ftojë lexuesin të bëhet pjesë e saj dhe ta zbulojë atë vetë nëpërmjet leximeve të vëmendshme. Poezia nuk është vetëm bashkëbisedim me bashkëkohësin tënd, por ajo merr vlera simbolike dhe universale dhe është një bashkëbisedim i përjetshëm gjithë kohor. Komunikimi i përditshëm lidhet me rrethana konkrete dhe kalimtare, kurse poezia prek përvoja që janë të përbashkëta për të gjithë njerëzit: dashurinë, dhimbjen, kohën, vdekjen, shpresën, etj. Një varg i shkruar shekuj më parë mund të tingëllojë i freskët edhe sot, sepse ndjenjat që ai shpreh nuk plaken. Poezia kap thelbin e përvojës njerëzore dhe e ruan atë përtej kohës.

Në vitet e para të krijimtarisë sime poetike përdorja strofën e rregullt, me ritëm dhe rimë. Kjo krijon një harmoni të jashtme, ritmi dhe rimat i japin muzikalitet dhe e bëjnë tërheqëse poezinë në të dëgjuar dhe lexuar. Më vonë përdora dhe vargun e lirë ku liria formale e strukturës së poezisë bënte që mendimi të shpreh më lirshëm, nuk kufizohej nga gjatësia e kufizuar e vargut në poezinë me strofa të rregullta. Poezia merr një ritëm të brendshëm, figuracioni hyn më natyrshëm në vargje duke i dhënë poezisë dendësi mendimi. Të dyja këto forma i kam përdorur në poezitë e mia dhe nuk mund të them se njëra formë është më e suksesshme se tjera. Në disa nga poezitë e mia jam munduar të japë tingujt dhe ngjyrat e natyrës, në disa të tjera të depërtojë në thellësi të shpirtit njerëzor, në misteret e botës së tij.


GM: Në universin tuaj krijues, shpesh ndeshemi me koncepte si: 'shpirti i trazuar' apo 'shpresa'. Si i gërshetoni këto kontraste në poezinë tuaj dhe sa e vështirë është të kthesh ndjesi kaq abstrakte në vargje që prekin lexuesin?

KM:  Në disa nga poezitë e mia jam munduar të depërtojë në thellësinë e qenies së njeriut, atje ku drita dhe hija përplasen pa pushim. Aty ku lind ajo që quajmë shpirt i trazuar, një gjendje që nuk është thjesht dhimbje, por një lëvizje e pandërprerë e ndërgjegjes, një kërkim i ethshëm për kuptim në një botë që shpesh duket e mbyllur. Në poezitë e mia shpesh: “Njeriut ia trazon shpirtin një dëshirë e parealizuar…” dhe vërtet, njeriu është krijesë e dëshirës. Ai nuk jeton vetëm me atë që ka, por me atë që i mungon. Në këtë mungesë lind trazimi. Kur rruga nuk ndriçohet, kur horizonti mbetet i paqartë, ai ndjen sikur ecën në një terr pa yje. Jo rastësisht, poezia e përfytyron këtë gjendje si errësim të rrugës drejt diellit: dielli këtu nuk është thjesht trup qiellor, por simbol i së vërtetës, i qartësisë, i shpëtimit shpirtëror. Por nuk është vetëm mungesa ajo që e trazon shpirtin. Janë edhe “gojët e liga”, janë hijet e të tjerëve që ndërhyjnë në udhëtimin e tij. Njeriu nuk është i izoluar; ai është i ekspozuar ndaj gjykimit, ndaj ligësisë, ndaj mashtrimit. “Syri gënjehet nga pamje mashtruese”  dhe kjo është një nga tragjeditë më të mëdha: kur njeriu humbet besimin jo vetëm tek bota, por edhe tek perceptimi i vet. Në këtë çast, realiteti bëhet i pasigurt, dhe shpirti fillon të lëngojë.

Në poezitë e mia shpesh është përdorur figura e heshtjes që “vjen rrotull si mizat mbi kufomën e prishur” Kjo është një pamje tronditëse. Ajo nuk është më një qetësi e shenjtë, por një prani e rëndë, kërcënuese, që paralajmëron shpërbërje. Heshtja, në këtë rast, nuk shëron, ajo e rëndon plagën. Shpirti, si “shpend i plagosur”, endet pa drejtim, pa siguri, pa shpresë për një vendprehje të denjë. Kjo është gjendja kufitare, ku njeriu ndjen se ekzistenca e tij është në rrezik, jo fizikisht, por shpirtërisht.

Në këtë gjendje të shqetësuar shpirtërore njeriut i lind shpresa. Në poezitë e mia shpresa është nxitje, qetësim shpirtëror, është thirrje: “Eja drejt meje se kam nxjerrë një xixëllonjë…” Shpresa nuk paraqitet si një dritë e madhe, verbuese, por si një xixëllonjë: e vogël, e brishtë, por e gjallë. Ajo nuk e zhduk menjëherë errësirën, por e sfidon atë me praninë e saj. Shpresa është forca që i kundërvihet mohimit, që ringjallet edhe mbi “barin e zverdhur”. Në këtë kuptim, shpresa është akt rebelimi kundër dëshpërimit. Ajo nuk është iluzion, por qëndresë. Ajo  thotë: “Unë e mbaj botën në këmbë”, duke marrë një dimension universal: pa shpresën, bota do të rrëzohej nën peshën e vet.

Në poezitë e mia shpresa është edhe një akt besimi. Njeriu ka nevojë të besojë, jo sepse gjithçka është e sigurt, por sepse gjithçka është e pasigurt. Dhe pikërisht në këtë pasiguri, besimi bëhet themeli mbi të cilin ndërtohet qëndrueshmëria shpirtërore. Kontrasti midis shpirtit të trazuar dhe shpresës nuk është një përballje mes dy forcash të ndara, por një marrëdhënie e thellë: shpresa lind nga trazimi. Njeriu mbetet kështu një qenie e dyfishtë: ai vuan, por edhe shpreson; rrëzohet, por edhe ringrihet. Dhe ndoshta madhështia e tij nuk qëndron në faktin se nuk bie, por në aftësinë për të kërkuar gjithmonë atë xixëllonjën e vogël, që edhe në errësirën më të thellë, guxon të ndriçojë.


GM: Poezitë tuaja mbartin një thirrje të fortë që njeriu 'të mos mposhtet'. Cili është mesazhi kryesor që dëshironi t'i përcillni lexuesit përmes këtij rrugëtimi lirik dhe sa besoni se mund të shërbejë vargu si mbështetje morale për njeriun e sotëm?

KM: Në poezitë e mia jepet bota shpirtërore e njeriut dhe ajo, jo gjithmonë është e plotësuar dhe e gëzuar, e mbushur me ndjenja besimi. Te njeriu gjen zhgënjim, ëndrra të vrara, pesimizëm. Njeriu gjendet në një botë të trazuar edhe në rrafshin global një pasiguri e përbashkët për të gjithë. Në këto kushte, te njeriu lind kriza e besimit, sepse janë lëkundur vlerat që e mbajnë në këmbë shoqërinë njerëzore. Njeriu përjeton gjendje të ndryshme shpirtërore dhe unë e kam parë atë si njeri:  “shpresë ngujuar”, “vrull penguar”, “besim prangosur”, “gëzim përlotur”, “guxim tulatur” etj. Njeriu që gjendet para një gjendjeje të vështirë shpirtërore ecën  “honeve të errëta”, “shpateve të thepisura”, “moçaleve që ndotin”, “rrugëve qorre”, duke krijuar një hapësirë të errët ku njeriu rrezikon të humbasë. Po ashtu, e keqja personifikohet në forma të ndryshme si: “qen i tërbuar”, “qyqe në çatinë e kujtesës”, duke i dhënë asaj një prani konkrete dhe kërcënuese.

Po nuk janë vetëm rrethanat e jashtme që e vendosin njeriun në një gjendje dëshpëruese. Shpesh herë i krijojmë ato edhe vetë kur: “dita vritet në dyer kafenesh” dhe “fati vendoset në lojëra bixhozi”. Në këto kushte, njeriu nuk duhet të bjerë në pesimizëm.  Njeriu gjithmonë e gjen një zgjidhje. Njeriu i vetmuar dhe i izoluar duhet të bëhet pjesë aktive e shoqërisë, kurse në muret e zemrës duhet të shkruaj emrin e atdheut, që të qëndrojë në këmbë ditëve të vështira.


GM: Në librin “Dyzet shkrimtarët e Dëshnicës”, ju bëni një lloj inventari kulturor të zonës suaj. Çfarë e bën krahinën e Dëshnicës kaq pjellore në fushën e letrave dhe sa i rëndësishëm është për ju dokumentimi e ruajtja e kësaj trashëgimie letrare krahinore?

KM: Krahina e Dëshnicës në pikëpamje gjeografike është krahina më e madhe e rrethit të Përmetit, kurse nga pikëpamja etnografike radhitet midis krahinave më të rëndësishme të vendit tonë. Në përbërje të saj janë 43 fshatra që fillojnë nga Bubësi në veri-perëndim të rrethit të Përmetit, (duke u kufizuar me rrethin e Tepelenës, Beratit dhe Skraparit), kurse në juglindje kufizohet me Piskovën apo krahinën e Cerjes. Dëshnica ka pasur dhe ka si kryeqendër qytetin e Këlcyrës. Në ditët e sotme, krahina e Dëshnicës dhe ajo e Malëshovës janë në të njëjtën njësi administrative si pjesë e Bashkisë së Këlcyrës. Një ndër vlerat më të spikatura të Dëshnicës është edhe letërsia e krijuar në shekullin e kaluar deri në ditët e sotme. Ajo njihet jo vetëm brenda vendit, por disa nga autorët e saj janë bërë të njohur edhe në hapësirat evropiane.

Nëse në rrafshin kombëtar vlera e shkrimtarëve është ajo e spikatur artistike ku nuk mund të hyjnë të gjithë ata që kanë shkruar libra, shkrimtarët në kuadrin e një krahine mund të hyjnë të gjithë duke shpalosur ato vlera që ata kanë krijuar. Ndaj analiza e krijuesve mbi bazë krahine është e bukur, sepse i përfshin të gjithë krijuesit.

Letërsia dëshnicare i ka fillesat e veta qysh në mesin e shekullit të kaluar me shkrimtarin e madh Kasëm Trebeshina dhe në vijim: Belul Arapi, Bujar Elmazi, Ylli Hoxhaj, Kujtim Halili, Zenel Anxhaku, Lumo Kolleshi, Sadik Murraj etj. Zhvillimin e saj të vrullshëm e ka sidomos pas vitit 2000, pra në fillim të këtij Mijëvjeçari. Ajo shënoi arritje si në anën sasiore ashtu edhe në atë cilësore. Krijuesit dëshnicarë kanë marrë pjesë në konkurset letrare që janë zhvilluar në të gjitha trojet shqiptare, duke u vlerësuar me çmime të ndryshme gjatë këtyre viteve. Po ambicia e tyre i ka kapërcyer edhe kufijtë e trojeve tona duke marrë pjesë në konkurse ndërkombëtare dhe përsëri poezia dëshnicare ka qenë e vlerësuar me çmime. Mund të themi se në ditët e sotme letërsia dëshnicare është bërë pjesë e qenësishme e letërsisë që zhvillohet në trojet tona. Dëshnica numëron 40 autorë me libra artistikë e studimorë për letërsinë, ku kryen e vendit e zë poezia. Me poetët e rinj pas viteve 2000 si: Edlira Xhani dhe Gëzim Voda, Skënder Lazaj dhe Myslim Xhaferaj, Bujar Bejkollari dhe Yllka Mërkuri, Vladimir Xhakollari dhe Krenar Brahimaj, Safet Xhani dhe Artur Vrekaj, Dashnor Selimi e shumë të tjerë deri sa arrin numri dyzet.

Letërsia dëshnicare i ka bërë njerëzit e krahinës Dëshnica të jenë më të dashur me njëri-tjetrin, më të bukur në shpirt, më të kthjellët në mendime. Në krijimtarinë e tyre artistike, shkrimtarët dhe artistët dëshnicarë ia kanë arritur me sukses që të bëhen zëdhënës të banorëve të krahinës sonë, që me krijimtarinë e tyre i kanë dhënë dhe i japin shumë edhe letërsisë në rrafshin kombëtar.


Në festivalin 'Në Gjurmët Naimiane', Përmet, më 25 maj 2015

GM: Duke u ndalur te studimi juaj i vitit 2008, “More Naim Shqipëria”, kuptohet që Naim Frashëri është pika juaj e referimit në letërsi. Po t’i referohemi bibliotekës suaj shpirtërore, cilët janë shkrimtarët dhe poetët e tjerë që ju kanë shoqëruar në çdo etapë të jetës?

KM: Naim Frashëri ka qenë dhe mbetet tek unë pikë referimi, sepse figura e tij qëndron në themelet e kulturës dhe vetëdijes sonë kombëtare si një dritë e pashuar, që ndriçon jo vetëm kohën në të cilën jetoi, por edhe brezat që erdhën më pas. Ai nuk ishte thjesht një poet, por një mendimtar i thellë, një edukator i shpirtit kombëtar dhe një zë i fuqishëm i identitetit shqiptar. Një nga lidhjet e mia shpirtërore me Naimin qëndron, sepse unë e kam të nevojshme dhe dua të shpreh edhe në mënyrë shkencore, por edhe artistikisht rrënjët e identitetit tonë kombëtar. Duke e lexuar dhe rilexuar Naimin shoh se poezia e tij është një himn për identitetin kombëtar shqiptar. Në një kohë kur ky identitet rrezikohej dhe vihej në dyshim, Naimi e ndërtoi atë mbi themele të forta shpirtërore dhe historike. Ai flet për lashtësinë e shqiptarëve në këto troje, duke i dhënë popullit të tij një ndjenjë krenarie dhe vazhdimësie historike. Për të, shqiptarët nuk janë një popull pa rrënjë, por një komb me histori të thellë të cilën e mbështet në dy shtyllat kryesore të identitet shqiptar: historinë dhe gjuhën. Historinë e shqiptarëve e kërkon te stërgjyshërit tanë pellazgë të cilët flisnin gjuhën tonë të bukur si ‘gjuhë perëndie’. Ai i këndoi gjuhës shqipe si një pasuri e çmuar dhe si një mjet i shenjtë për ruajtjen e identitetit. Gjuha tek Naimi nuk është vetëm komunikim, por është vetë shpirti i kombit. Duke e përdorur me finesë dhe ndjenjë, ai e ngre shqipen në një nivel të lartë artistik dhe e bën atë të denjë për të shprehur idetë më të bukura dhe më të thella.

Krahas Naim Frashërit, në bibliotekën time shpirtërore qëndrojnë një numër i madh poetësh që nga antikiteti deri në ditët e sotme. Nga Homeri deri te poetët e mëdhenj të shekullit XX: Esenini, Uitmani dhe Janis Ricos.

Një vend të rëndësishëm zënë poetët shqiptarë si: De Rada dhe Çajupi, Ndre Mjeda dhe Migjeni, Fan Noli dhe Lasgush Poradeci, Ismail Kadare dhe Dritëro Agolli, Fatos Arapi dhe Xhevahir Spahiu, Bardhyl Londo dhe Ali Prodimja dhe shumë të tjerë. Pas viteve 2000 numri i poetëve është shtuar shumë ku mund të përmend poetët  e talentuar: Zyhdi Dervishi e Agim Bajrami, Tyran Spahiu dhe Shqipe Hasani etj.


Me poetë në Gjakovë

GM: Në vështrimin tuaj përmbajtësor mbi letërsinë e sotme, ku e shihni forcën e saj dhe ku mendoni se qëndrojnë dobësitë e saj?

KM: Një nga vlerat më të dukshme të letërsisë bashkëkohore shqiptare është hapja e saj përtej kufijve kombëtarë. Letërsia nuk i drejtohet më vetëm trojeve shqiptare, por synon një komunikim më të gjerë, duke e parë njeriun si pjesë të pandarë të planetit Tokë. Kjo prirje e bën letërsinë më universale dhe më të ndjeshme ndaj shqetësimeve të përbashkëta njerëzore. Problemet globale si: konfliktet, ndryshimet klimatike apo pasiguritë sociale, trajtohen si probleme që prekin çdo shoqëri, përfshirë edhe atë shqiptare. Në këtë kuptim, temat si: paqja dhe siguria zënë një vend të rëndësishëm në krijimtarinë e sotme, duke reflektuar një vetëdije më të lartë qytetare dhe njerëzore të shkrimtarëve.

Nga ana tjetër, kjo letërsi shpesh vuan nga disa dobësi që lidhen kryesisht me cilësinë artistike dhe thellësinë tematike. Një problem i dukshëm është mungesa e kujdesit të disa autorëve për nivelin estetik të veprës. Shkrimi i shpejtë dhe dëshira për të botuar pa një përpunim të mjaftueshëm e dobësojnë forcën shprehëse të letërsisë. Në shumë raste, mungon një punë e thellë me figurën letrare, ritmin dhe strukturën, çka e bën tekstin të mbetet në sipërfaqe. Një nga çështjet më thelbësore mbetet pasuria gjuhësore. Ajo duhet të konsiderohet elementi parësor i krijimit, sepse është mjeti që i jep jetë mendimit dhe emocionit. Kur gjuha nuk është e përpunuar, e pasur dhe e saktë, vepra letrare e  humbet fuqinë e saj ndikuese dhe mbetet e zbehtë.