Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me mësuesin, poetin, studiuesin dhe publicistin Kujtim Mateli (2)

INTERVISTË ME MËSUESIN, POETIN, KRITIKUN LETRAR, STUDIUESIN DHE PUBLICISTIN KUJTIM MATELI (2)

Në vijim të kësaj interviste ekskluzive me studiuesin dhe publicistin e njohur Kujtim Mateli, hapim një diskutim të thelluar mbi çështjet themelore të albanologjisë, historisë së lashtë dhe identitetit të Epirit në burimet antike e në historiografinë moderne. Kjo pjesë e dytë e bisedës tejkalon prezantimin e thjeshtë kërkimor, duke u ndalur në debatet më të ndjeshme shkencore: nga kufijtë historikë të trojeve iliro-pellazge dhe vendndodhja e Dodonës, deri te interpretimet komplekse mbi të kaluarën e Epirit.
Përmes këtij dialogu, Mateli shtron argumente të detajuara mbështetur në autorët e antikitetit, gjeografinë historike dhe gjetjet arkeologjike, duke propozuar një rishikim kritik të tezave të pranuara gjerësisht në akademinë ndërkombëtare. Intervista zbërthen raporte të debatueshme si ai midis pellazgëve, ilirëve dhe helenëve, rolin e Dodonës si qendër shpirtërore, si dhe evoluimin e perceptimit për Epirin në hartografinë dhe enciklopeditë evropiane ndër shekuj.
Kjo pjesë e bisedës shërben si një urë lidhëse mes burimeve klasike dhe interpretimeve bashkëkohore, duke i ofruar lexuesit një panoramë të gjerë mbi një nga debatet më të rëndësishme të historisë së lashtë të Ballkanit.
GM: Një tjetër shtyllë e rëndësishme e punës suaj
studimore është albanologjia dhe çështja e kufijve historikë. Sa sfidues ka
qenë për ju trajtimi i temave të tilla kaq komplekse dhe cilat janë disa nga
gjetjet apo tezat kryesore që dëshironi të ndani me lexuesit tanë përmes këtyre
kërkimeve?

Këto dëshmi gjenden te autorët e antikitetit duke filluar
që nga shekulli i VI para Krishtit.
Straboni thotë: “në jug të Danubit janë vendosur Ilirët dhe
Thrakët dhe të përzier me ta janë dhe disa fise kelte, deri në kufijtë e
Helladës.” (Strabo, The gjeografia, Book VII, 1.1) Pra, paraardhësit e shqiptarëve,
ilirët, si kufi verior kanë rrjedhat e lumit Danub, kurse si kufi jugor deri në
kufijtë veriorë të Helladës.
Po
cili është kufiri verior i Helladës? Autorët e antikitetit e kanë vendosur me
gjirin e Ambraqisë (Arta e sotme).
Skylakis
Kariandensis, gjeograf dhe historian, shek VI-V para erës sonë jep kufirin verior
të Helladës: “Pas Molosisë vjen Ambraqia, qytet helen, tetëdhjetë stade larg detit.
Anës detit ka një mur dhe një liman shumë të bukur. Prej këtej fillon Hellada
pa ndërprerje, gjer në lumin Pene dhe gjer në Homoli, qytet i Magnetisë që
ndodhet anës lumit” (Skylakis
Kariandensis, Lundrimi, 33)
Efori jep edhe fiset
veriore të Helladës. Straboni shkruan: “Pas
epirotëve dhe ilirëve prej helenëve janë akarnanët, etolët, lokridasit dhe
ozolët... Efori thotë se fillimi i Helladës është Akarnania nga ana e perëndimit,
sepse kjo takon e para me fiset epirote”. (Straboni, “Gjeografia”, libri VIII, 1. 1,3)
Janë rreth dhjetë dëshmi të
autorëve të antikitetit, që e vendosin veriun e Helladës me Gjirin e Ambraqisë.
Që do të thotë se Epiri nuk u përkiste fiseve Helene, por atyre pellazge që në
kohën e Perandorisë romake u njohën si ilire për shkak të gjuhës së përbashkët
që ata flisnin.
Apiani,
shek I-II i erës sonë shkruan: “Helenët quajnë ilirë ata që banojnë mbi Maqedoninë dhe Thrakinë,
që nga kaonët dhe thesprotët deri tek lumi Ister”. (Apiani, Historia e
Romës, 4, 1. (Shek I-II i erës sonë)
Burimet që na vijnë nga
bota romake vërtetojnë se Hellada, edhe në kohën e perandorisë romake ruajti po
ato territore që kishte para pushtimit të saj. Shohim se kufijtë historikë të
trojeve shqiptare janë të përcaktuara qartë. Në veri lumi Danub, në jug Gjiri i
Ambaqisë. Brenda këtyre kufijve ka një pasuri të jashtëzakonshme arkeologjike,
etnografike dhe gjuhësore që flet për trashëgiminë materiale dhe shpirtërore të
shqiptarëve në këto troje, e cila në vend që të konsiderohet si pasuri e
shqiptarëve, po tjetërsohet si pasuri e të tjerëve.
Po mund të veçojmë edhe
vende ku ka një vlerësim shkencor të këtyre gjetjeve. Nga trualli i Kroacisë
kanë dalë vepra dinjitoze, si ajo e Aleksandër Stipçeviçit për ilirët, që
hedhin dritë me dëshmi arkeologjike për këtë pasuri të jashtëzakonshme.
Ndërsa disa nga këto vende e pranojnë këtë realitet historik, e pranojnë pasurinë kulturore ilire në vendet e tyre si një pasuri që u përket shqiptarëve, ka një agresivitet nga Akademia e Beogradit, që është në përputhje me qëllimet shoviniste të Serbisë politike ndaj shqiptarëve. Me të njëjtin agresivitet paraqitet dhe fqinji ynë jugor, Greqia. Megjithëse kufiri historik midis shqiptarëve dhe grekëve është i qartë, Akademia e Athinës e pretendon kufirin e saj historik në veri të Epirit, duke e përfshirë brenda territorit të saj këtë njësi gjeografike të banuar historikisht prej shqiptarëve. Këtu ndodhemi brenda një paradoksi se si institucionet shkencore janë vënë në shërbim të institucioneve politike. Ajo që duhet të bëjnë shqiptarët është që ta zbardhin këtë kufi historik me dëshmi dhe prova dhe t`ia paraqesin opinionit shkencor të mbarë botës dhe atij publik.

GM: Ju i keni kushtuar një pjesë të konsiderueshme të punës suaj studimore Dodonës, përmes një cikli librash që ngjajnë me një udhëtim të gjatë kërkimor. Çfarë ju shtyu t’i hyni kësaj 'sfide' për gjetjen e vendndodhjes së kësaj qendre kaq të rëndësishme të lashtësisë dhe sa kohë ju desh për të grumbulluar gjithë këtë lëndë dokumentare?
KM: Aty pas vitit 2000, u njoha me tempullin dhe orakullin e Dodonës, me
madhështinë e tyre në botën e antikitetit. Që nga fusha e betejës në Trojë,
Akil Pelindi iu drejtua me lutje tempullit të Dodonës, kurse Odiseja do të
vepronte sipas këshillave të orakullit, kur të kthehej në Itakë. Enea i Trojës,
para se të hidhej në Itali, erdhi në Dodonë dhe u këshillua me orakullin. Duke
u njohur me këtë madhështi të Dodonës, vendosa të shkruaj një libër. Rezultatet
e kërkimeve të mia më çuan në përfundime të ndryshme nga ato që njiheshin dhe
pranoheshin në botën akademike. Burimet e autorëve të antikitetit e vendosnin
Dodonën në veri të Epirit, në tokën e Molosisë, në kufijtë e Atintanisë ilire,
që do të thotë se Dodona ndodhej në kufirin midis Ilirisë dhe Epirit. Dodona e
Carakovistës, në jugperëndim të Janinës, ishte në mes të Epirit. Kërkimet e mia
të disa viteve, më dhanë mundësinë që në dhjetor të vitit 2011 të botoj librin
“Dodona ndodhet në Dëshnicë të Përmetit”. Libri ishte i ndërtuar në zbardhjen e
tri të vërtetave historike:
E para: Dodona nuk ndodhet në
jugperëndim të Janinës, në luginën e Carakovistës.
E dyta: Vendndodhja e Dodonës është
në Dëshnicë të Përmetit: qyteti dhe tempulli në perëndim të qytetit të sotëm të
Këlcyrës, në shpat të malit Trebeshinë, kurse orakulli përgjatë lumit Dëshnica.
E treta: Përkatësia etnike e
Dodonës është pellazgo-ilire dhe nuk ka lidhje me helenët.
Libri u mirëprit dhe u dhanë
vlerësime nga lexues dhe studiues. Prof. Neritan Ceka, e vlerësoi librin duke
thënë se tani: “…ne e kemi një pasuri të madhe në gjuhën shqipe, një
përmbledhje burimesh që me sa di unë, nuk ekziston as në gjuhët e tjera.
Asnjeri nuk ka bërë një përpjekje për të mbledhur gjithçka, pothuajse gjithçka
që ekziston për Dodonën në një libër të vetëm…”. (Teksti i plotë gjendet te
‘Dodona ndodhet në Dëshnicë të Përmetit II’ Tiranë 2016, faqe 10)
Shkrimtari Bardhyl Londo, e
vlerësoi vendndodhjen e Dodonës në Dëshnicë të Përmetit si të argumentuar mbi
dëshmi dhe fakte: “Është për t’u përshëndetur edhe metoda shkencore të cilën
ka ndjekur Kujtim Mateli. Pasi ka lexuar gjithë literaturën që është shkruar
për Dodonën dhe vendndodhjen e saj, studiuesi hulumton dhe krahason edhe
terrenin përkatës duke e ballafaquar atë me të dhënat që japin për Dodonën
autorët e lashtësisë. Është pikërisht ky ballafaqim që i jep autorit të librit
një nga argumentet më bindëse për të arritur në përfundimin se Dodona ndodhet
në Dëshnicë të Përmetit, se përshkrimi i autorëve të lashtësisë përputhet
plotësisht me Dëshnicën dhe nuk ka të bëjë fare as me Janinën, as me malin e
Tomorit.” (Teksti i plotë gjendet te ‘Dodona ndodhet në Dëshnicë të
Përmetit II’ Tiranë 2016, faqe 11)
M'u deshën dhe katër vite të tjera,
gjersa në vitin 2016, botova librin e dytë për Dodonën. Që Dodona nuk ishte në
luginën e Carakovistës, duhej të vinte e plotë, si nga burimet e autorëve të
antikitetit, ashtu dhe nga gjetjet arkeologjike të luginës së Carakovistës.
Duke i analizuar të gjitha gjetjet arkeologjike të zbuluara nga Karapanos,
Evangjelides dhe Dakaris, asnjëra prej tyre nuk e shënonte emrin e qytetit, kurse
hyjnia nderohej si Di Naio, një epitet (Naio) që nuk i përkiste qytetit të
Dodonës.
Pas botimit të librit të dytë,
kërkimet më çuan te burimet e perandorisë romake, që i përkasin shekullit të
IV-t pas Krishtit, që e vendosnin Dodonën në rrjedhat e lumit Aos (Vjosa e
sotme), një përputhje e plotë me autorët e antikitetit. Kështu fillova të
shkruaj librin e tretë që e botova në vitin 2020.
Tezat e mia mbi vendndodhjen e
Dodonës dhe përkatësinë e saj etnike, ishin përfundim i një pune më shumë se
20-vjeçare, pas leximit të më shumë se 2 mijë librave dhe dokumenteve arkivore,
të revistave shkencore dhe artikujve studimorë, pas një meditimi të gjatë mbi
materialin e grumbulluar dhe i konsultimeve të vazhdueshme me miqtë e mi
studiues, që më kanë mbështetur me shkrimet e tyre të botuara në gazeta dhe
revista, të cilët dua t`i falënderoj për kontributin e dhënë.

GM:
Në studimet tuaja, një vëmendje të veçantë i kushtoni “Dosjes Karapanos”. Pse
ishte i nevojshëm një rishikim i kësaj dosjeje dhe cilat ishin ato pika që ju
bënë të dyshonit apo të kërkonit një të vërtetë tjetër nga ajo që njihej deri
më tani?
KM: Libri “Dosja
Karapanos” është pjesë e librit të dytë “Dodona ndodhet në Dëshnicë të
Përmetit”. Që të vërtetoja se Dodona nuk
ndodhet në jugperëndim të Janinës, në
luginën e Carakovistës, studiova të dy librat e Karapanos. Në njërin janë
burimet e autorëve të antikitetit për Dodonën dhe përshkrimi i gjetjeve
arkeologjike, kurse tjera ka të grumbulluara në 63 Planche, të gjitha gjetjet
arkeologjike të Carakovistës në formë vizatimesh.
Karapanos i ka
sjellë në mënyrë selektive autorët e antikitetit duke mos përfshirë të dhënat e
tyre që e vendosnin Dodonën në veri të Epirit, në kufijtë e Atintanisë Ilire.
Vendndosja
e Dodonës në luginën e Carakovistës nuk erdhi si rezultat i dëshmive të
autorëve të antikitetit. Këtë e pranon vetë Karapanos, i cili e fillon studimin
e tij kështu:
“Tempulli i Dodonës, me gjithë famën e tij, deri më tani
ishte pothuajse i panjohur. Autorët grekë dhe latinë na japin informacione
shumë të paplota, të cilat nuk janë të mjaftueshme për të na dhënë një ide se
çfarë ai ishte, as për të na treguar vendin e saktë të vendndodhjes së tij.
Monumentet epigrafike ose figurative, që lidheshin me këtë tempull dhe që do të
kishin shërbyer për të kompensuar heshtjen e autorëve antikë ose për të
plotësuar informacionet e tyre, gjithashtu na mungojnë.”[Karapanos, Konstantin, “Dodone e ses ruins”. Paris 1878 p.1]
Pra, Karapanos nuk
gjeti ndonjë të dhënë nga autorët e antikitetit që ta vendoste Dodonën në mes
të Epirit, në Carakovistë.
Mundësia tjetër do
të ishte që gjetjet arkeologjike të luginës së Carakovistës të zbuluara nga
Karapanos të vërtetonin ekzistencën e Dodonës.
Të dhënat arkeologjike janë përmbledhur, nga Karapanos në 17 kategori,
por vetëm kategoria e katërt, e pestë dhe e gjashtë janë me mbishkrime. Kam
parë me kujdes analizën që Karapanos u ka bërë këtyre mbishkrimeve të këtyre
tri kategorive (4,5,6), por edhe të tre oponentëve të Karapanos që janë marrë
me gjetjet e luginës së Carakovistës dhe në asnjërën prej tyre nuk gjendet emri
i qytetit të Dodonës, kurse hyjnia që nderohej atje ishte Naios (Di Naios) që
do të thotë se ky qytet nuk ka lidhje me Dodonën që nderonte Dodonen ose
Dodoneos (Di Dodonen). Po me këtë vëmendje kam parë edhe arkeologët pas
Karapanos, Evangjelides dhe Dakaris dhe rezultatet e tyre ishin të njëjtat me
Karapanon: nuk u gjet ndonjë mbishkrim që të vërtetonte se qyteti i përkiste
Dodonës dhe Hyjnia ishte Naios.

GM:
Një nga tezat tuaja më interesante është lidhja e Dodonës me hyjninë e malit të
Tomorit. Si i keni gërshetuar të dhënat historike me ato gjeografike e mitologjike
për të mbërritur në këtë përfundim, dhe çfarë do të thotë ky zbulim për
trashëgiminë tonë shpirtërore?
KM: Mali i Tomorit ka pasur dhe ka vlerën e një institucioni
fetar. Nisur nga ky konstatim i ditëve të sotme, adhurimi i njerëzve për këtë mal
ka pika takimi, në mos është i njëjtë, me adhurimin e njeriut të kohëve para
dhe pas homerike, që kishte hyjnizuar jo vetëm male e maja malesh, por edhe
vende të veçanta që i konsideronte të shenjta. Krahas adhurimit për malin e
Tomorit, ka ardhur deri në ditët e sotme edhe adhurimi për lisin e shenjtë.
Adhurimi për malin Tomor dhe për lisin e shenjtë janë produkte të Dodonës
pellazge, me ndikim të fuqishëm tek njerëzit jo vetëm në planin shpirtëror, por
edhe mbi jetën politike, juridike, morale dhe ekonomike të shoqërisë.
1-Si arrita unë ta identifikojë hyjninë e malit Tomor që është i kohëve homerike?
Në kërkim të zbardhjes së këtij misteri ndesha së pari në dy
vargjet e mrekullueshme të Homerit te “Odisea” në analizën e studiuesit të
Dodonës Herbert William Parke.
“Asnjë shpend nuk ka kaluar në atë udhë, As pëllumbat timor që
sjellin ambrosia për Zeusin father”. [Homeri, Odisea, 12, 62]
Parke thotë se këto vargje për komentuesit e Homerit ishin një
puzzle. Po pse? Në botën helene, në mitet e saj për Zeusin, nuk njihej një
praktikë e tillë e ushqyerjes së Perëndisë nëpërmjet pëllumbave. Atëherë Parke
me të drejtë e gjen zanafillën e këtij miti tek origjina e Dodonës, zanafillë
që përmendej tek autorët e antikitetit. Pëllumbi e ndaloi druvarin Hell të priste
një lis duke e paralajmëruar se ishte lisi i Hyjnisë, i cili ende nuk ishte
njohur si i shenjtë. Një pëllumb ndaloi edhe një tjetër banor të Dodonës me
emrin Mardylas të priste një lis duke e paralajmëruar se ai ishte një lis i
shenjtë. Nëse do t`i vihej një përcaktor këtij pëllumbi, këtë do ta merrte nga
emri i vendit: pëllumbi dodonas (nga emri i qytetit ose i luginës), ose
pëllumbi tomar (nga emri i malit në të cilën ndodhej Dodona). Nëse pëllumbi do
të kishte ndonjërin prej këtyre përcaktorëve, nuk do të mbetej puzzle për
komentuesit e Homerit. Pëllumbi timor na thotë se Hyjnia kishte edhe një tjetër
seli, përtej kufijve të Dodonës. Po ku? Për autorët grekë, të fillimit të
antikitetit të mesëm, Dodona ka qenë skaji i njohjes së tyre. Njohjet shkonin
deri në Dodonë, për shkak të tempullit dhe orakullit që i kushtoheshin Hyjnisë
për të cilët thonë se ishin epiqendra e pellazgëve: Hesiodi (shek. VIII-VII
para Krishtit)
2-Cili ishte ky vend që mbante emrin Timor, që i kishin dhënë
emrin pëllumbit?
Në veri të Dodonës, një mal i tillë është vetëm mali i Tomorit
të Beratit, i cili adhurohet si mal i Zotit edhe në ditët tona. Po a e ka pasur
ky mal emrin Timor, prej të cilit kishte marrë dhe emrin pëllumbi që i shpinte
ushqimin Hyjnisë? Në librin “Burime tregimtare bizantine për historinë e
Shqipërisë” apo “ Dokumente të periudhës bizantine për historinë e Shqipërisë” shek.
VII-XV shohim që autorët e kohës së Bizantit e përmendin emrin e malit Tomor
pranë Beratit si:
.
Pra, në gjuhën shqipe emri i malit
ka qenë Tmor apo Timor, në një kohë kur mali i Dodonës quhej Tmar apo Tomar. Pra, pëllumbi timor e ka marrë emrin nga mali i Timorit (Tomori i sotëm)
3-Duke kërkuar origjinën e emrit: Baba Tomori
I marrin përsëri në analizë dy vargjet e Homerit të përkthyera
në anglisht nga Herbert William Parke. Tani në greqishten e vjetër dhe në
greqishten re: Homeri, “Odisea”, 12, 62-63

Mirëpo mali Tomor është në Iliri, që do të thotë se si Ilirët
dhe Epirotët e kanë pasur të përbashkët hyjninë e tyre dhe Hyjninë e Tomorit e
kanë quajtur Di Babai. Gjatë periudhës së krishterimit emri i hyjnisë doli nga
përdorimi dhe u harrua, ashtu siç u harrua edhe vendndodhja e Dodonës, por siç
duket emri i Hyjnisë u identifikua me malin. Shqiptarët deri në ditët e sotme e ka nderuar malin si
hyjni duke e quajtur: Baba Tomori, me
të njëjtin atribut si në kohët homerike.
Nga kjo analizë e shkurtër mund të ngrihet një hipotezë: Homeri nuk i ka përkitur etnisë helene, por një etnie tjetër, sepse Homeri njihte ushqyerjen e hyjnisë me anë të pëllumbave, e cila nuk njihej nga helenët.

GM: Botimi juaj i fundit “E vërteta për Dodonën dhe Epirin” duket se vendos një lloj 'pike mbi i' në këtë kërkim disavjeçar. Cili është mesazhi kryesor që dëshironi të përcillni në komunitetin e studiuesve dhe te publiku i gjerë përmes kësaj vepre përmbledhëse?
KM: Pas botimit të librit të
tretë për Dodonën në vitin 2020, ku në të tre librat kisha provuar se Dodona
nuk ndodhej në luginën e Carakovistës, por në Dëshnicë të Përmetit, më duhej
t`ju përgjigjesha pretendimeve greke që
e quajnë Epirin që prej 4000 mijë vitesh një territor me histori dhe qytetërim
helen. Materiali i grumbulluar deri atëherë dëshmonin se pretendimi helen ishte
i pa bazë nga ana shkencore. Kufiri i Helladës me Epirin ishte i përcaktuar
qartë, në antikitet, me Gjirin e Ambraqisë (Arta e sotme). Në Epir sipas
burimeve të autorëve të antikitetit, kishte vetëm një koloni Helene që ishte
ajo e Ambraqisë, që do të thotë se popullsia e Epirit ishte etnikisht e
ndryshme nga ajo Helene. Autorët e antikitetit dëshmojnë se fiset epirote ishin
pellazge. Dodona sipas autorëve të antikitetit ka qenë pellazge që nga
themelimi i saj dhe nuk ka pasur lidhje me helenët. Dodona e vërtetë në veri të
Epirit, në kufi me Ilirinë, e vendos atë si produkt i qytetërimit pellazgo-ilir.
Ndaj librin “E vërteta për Dodonën dhe Epirin” e ndërtova në vërtetimin e katër
tezave:
1-Dodona
nuk ndodhet në jugperëndim të Janinës, në luginën e Carakovistës.
2-Epiri
i përket qytetërimit pellazgo-ilir.
3-Dodona
ndodhet në Dëshnicë të Përmetit.
4-Përkatësia
etnike e Dodonës është pellazgo-ilire.
(Kundër
pretendimeve absurde për ta quajtur Dodonën helene)
Libri
është miratuar nga pesë recensentë, që mbajnë titullin: prof. dr., të cilët i
kanë dhënë mendimet e tyre me shkrim, që janë pasqyruar dhe në libër, të
cilët janë personalitete të rëndësishme
në Shqipëri dhe Kosovë.

GM:
Duke marrë parasysh se institucionet shkencore ndërkombëtare e identifikojnë
luginën e Carakovistës si vendndodhjen e Dodonës, mbi çfarë provash materiale
apo mospërputhjesh gjeografike bazohet pretendimi juaj se ky lokalizim është i
pasaktë?
KM:
Libri im i dytë
për Dodonën që i kam dhënë titullin “Dosja Karapanos” u është kushtuar burimeve
historike të autorëve të antikitetit dhe gjetjeve të luginës së Carakovistës të
zbuluara prej Karapanos me të cilat ai i dha luginës së Carakovistës emrin e
Dodonës. Atje nuk u gjet asnjë mbishkrim që të mbante emrin e qytetit të
Dodonës. Hyjnia nderohej me atributin Naio (Di Naios), kurse burimet historike
dëshmojnë se në Dodonë nderohej Di Dodonen. Që do të thotë se Carakovista nuk
ka qenë krahina e Dodonës. Atëherë për të vërtetuar se Carakovista nuk ishte
Dodona duhej të provohej nga:
a-studimi
i plotë i dëshmive historike të autorëve të antikitetit, sidomos ato që lidhen
me vendndodhjen e Dodonës,
b-analiza
e gjetjeve arkeologjike dhe epigrafike të luginës së Carakovistës, të zbuluara
nga Karapanos, Evangjelides dhe Dakaris.
Analiza
e këtyre gjetjeve tregon se në këtë qytet nuk gjendet asnjë dëshmi që të lidhet
me Dodonën. Përkundrazi, materialet epigrafike tregojnë se në këtë vend
nderohej hyjnia Di Naio, dhe jo Zeusi Dodonean. Përfundimisht, nëse ishte ose
jo Carakovista vendndodhja e Dodonës, duhet të testoheshin në terrenin konkret:
-burimet
historike
-topografia
-arkeologjia
-epigrafia
-kulti
fetar
1-
Burimet historike e vendosnin Dodonën në Veri të Epirit, në tokën e Molosisë,
në kufijtë e Atintanisë ilire, kurse Carakovista ndodhet në mes të Epirit.
2- Topografia që japin autorët e antikitetit nuk përputhet me luginën e
Carakovistës.
-Autorët
e antikitetit e vendosin Dodonën në shpat të malit Tomar, kurse siti
arkeologjik i luginës së Carakovistës, i pretenduar si Dodona, ndodhet në
krahun e kundërt të luginës në kodrat e Kozmirasë.
-
Autorët e antikitetit e vendosin orakullin ndanë lumit Dodon, kurse në luginën
e Carakovistës nuk ekziston lumi.
3-
Mundësia e tretë për ta shpallur Carakovistën
si vendndodhje të Dodonës mbetet që të ishin gjetjet arkeologjike dhe
ato monumentale. Nuk gjendet asnjë mbishkrim që ky qytet të mbajë emrin e
Dodonës. Buleterioni që ndodhet në këtë qytet të luginës së Carakovistës, por
edhe mbishkrimet treguan se ky qytet u përkiste Institucioneve Epirote dhe nuk
kishte lidhje me Dodonën
4. Gjetjet
epigrafike vërtetuan se nuk u gjet asnjë mbishkrim që të mbante emrin e qytetit
të Dodonës. Ato u përkasin vetëm dy shekujve (IV-II para Krishtit), kurse
burimet historike i japin Dodonës një jetëgjatësi rreth dy mijëvjeçare (para
shek. XII para Krishtit-shek.VI pas Krishtit) Pra, mungojnë rreth 18 shekuj,
çfarë e bën të paqëndrueshme pretendimin që Carakovista të jetë Dodona pellazge
që na japin autorët e antikitetit.
5-
Në Dodonë nderohej Di Dodonen, kurse në Carakovistë është nderuar Di Naio, një
epitet që i përkiste hyjnisë së këtij qyteti, ashtu siç e kishin të veçantë
hyjninë qytetet e tjera të Epirit dhe Ilirisë si:
në
Butrint-Di Soter,
në
Pasaron-Di Arios,
në
Bylis-Di Tropeo,
në
Mavrova-Di Megistos etj.
Në
Carakovistë ka vetëm një mbishkrim që i kushtohej Di Dodonen, i cili vinte nga
ishulli Zakthinos dhe që kishte një lidhje të veçantë se kishin qenë proksenë
të Molosëve për 30 breza që nga koha e Kasandrës së Trojës. Një mbishkrim i
vetëm tregon se kjo Hyjni (Di Dodonen) nderohet në një qytet tjetër dhe që
burimet historike na dëshmojnë se Di Dodonen nderohej në Dodonë. Që do të thotë
se Carakovista nuk është qyteti i Dodonës.
Analiza
e kombinuar e burimeve historike, e të dhënave topografike, e materialit
arkeologjik dhe dëshmive epigrafike çon në një përfundim të qartë: qyteti i
zbuluar në luginën e Carakovistës nuk mund të identifikohet me Dodonën. Kjo
përforcon tezën se vendndodhja e Dodonës duhet kërkuar në një hapësirë tjetër,
në veri të Epirit, në përputhje me përshkrimet e autorëve të antikitetit dhe me
të gjitha kriteret shkencore të analizës historike dhe arkeologjike.

GM:
Ju propozoni Dëshnicën e Përmetit si vendndodhjen autentike të Dodonës. Cilat
janë referencat specifike nga autorët e antikitetit dhe dokumentet e arkivave
romake që mbështesin kontekstin gjeografik të kësaj zone?
KM: Propozimi
im, për të përcaktuar si vendndodhje të Dodonës Dëshnicën e Përmetit, erdhi si
rezultat i autorëve të antikitetit si: Pseudo-Skylaksi që e vendos Dodonën në
lumin Aos (Vjosa e sotme) dhe të arkivave të Perandorisë Romake që e vendosin
malin Tomar të Dodonës si mal që ndante Atintaninë ilire nga Molosia epirote në
luginën e lumit Aos. Nisur nga këto të dhëna, përcaktimi i vendndodhjes së
Dodonës nuk paraqet vështirësi. Dëshnica ka plotësuar të gjitha dëshmitë që na
kanë dhënë autorët e antikitetit:
1- Mali i Trebeshinës është i vetmi mal që në ditët e
sotme ndan Mallakastrën dhe Tepelenën në të djathtë të Vjosës (në antikitet
territor i Atintanisë) me rrethin e Përmetit (territor i Molosisë). Në
antikitet: mali Tomar i Dodonës ndodhej në veri të Molosisë ose Epirit, si mal
që ndante Atintaninë ilire nga Molosia epirote, duke plotësuar kushtin që japin
autorët e antikitetit se Dodona ndodhej në kufijtë e Atintanisë ilire.
2- Plotëson topografinë që japin autorët e antikitetit:
qyteti dhe faltorja në shpat të malit, fusha Hellopia që shtrihej deri në
kufijtë e qytetit rrëzë malit dhe lumi Dodon që ndodhej në këtë njësi
gjeografike ndan të cilit ndodhej orakulli.
Këto të dhëna i plotëson krahina e Dëshnicës së Përmetit
që ka pasur dhe ka si qendër të saj qytetin e Këlcyrës: në shpat të malit
Trebeshinë, në perëndim të qytetit të sotëm të Këlcyrës gjendet qyteti antik me
rreth 400 struktura shtëpish dhe sipër tyre kalaja antike ku ndodhet faltorja e
Dodonës. Lumi Dëshnica (Dodon) ndan qytetin antik në shpat të malit dhe fushën
e Këlcyrës (Hellopia) me sipërfaqe (6 x1.5 km) më e madhja në rrethin e
Përmetit. Qyteti, fusha dhe lumi ndodhet në të njëjtën hapësirë gjeografike.
3- Qyteti antik në shpat të malit dhe sipër tij, kalaja
antike, përputhet me dëshmitë që japin autorët e antikitetit. Faltoret
ndërtoheshin në vende të lartësuara, sipër qendrave të banuara, në vende
dominuese, me qëllim që të shpalosej madhështia e tyre. Kësaj lartësie, 400
metra mbi qytetin e Këlcyrës, i përshtaten vargjet e Homerit: “ku dimri bën me borë dhe akuj” që
vërtetohet edhe nga dimrat e kohës së sotme, ku shpati i malit mbetet nën
dëborë edhe disa ditë të tjera, pasi ajo është shkrirë në luginë.
Në vitin 219 para Krishtit, Dodona u shkatërrua nga
Dorimahu i Etolisë, por u rindërtua nga epirotët dhe Filipi i V-të i
Maqedonisë. Faltorja e rindërtuar, u rrethua me mure mbrojtëse (kala) për të
qenë e sigurt nga pushtuesit e tjerë që kërkonin ta dëmtonin atë.
4- Gjetjet arkeologjike të gjetura rastësisht provojnë
ekzistencën e këtij qyteti dhe faltores sipër tij, në një periudhë kohore nga
eneoliti deri në periudhën e fundit të Perandorisë Romake:
-sëpatë prej guri të periudhës eneolitike,
-shpata të shekujve XIV-XIII para Krishtit,
-furra qeramike të Mijëvjeçarit të II para Krishtit,
-medaljoni i mbretit të Maqedonisë, Perseut,
-monedhë e periudhës së fundit të Perandorisë Romake,.
5- Ajo që nuk është provuar deri tani është kulti i
Hyjnisë që është nderuar në këtë qytet. Medaljoni i Perseut, i gjetur në kala,
nga njëra anë vërteton se brenda asaj kalaje ka qenë një faltore ku edhe
mbretërit dërgonin dhurata; nga ana tjetër e lidh këtë faltore me atë të
Dodonës, sepse një dhuratë si medaljoni i Perseut, jashtë territorit të
Maqedonisë, mund të bëhej vetëm në Dodonë.
Ky studim tregon se Dodona ndodhet në luginën e Vjosës, në degën e lumit Dëshnica që derdhet në Vjosë (Aos). Medaljoni i Perseut ka vlerë afërsisht të njëllojtë me gjetjen që do të mbante mbishkrimin me emrin e hyjnisë: Di Dodonen, sepse mbretërit i dërgonin dhuratat në faltoren më të rëndësishme të kohës së tyre që ishte Dodona. Pesë provat që kërkohen për të përcaktuar vendndodhjen e Dodonës, janë të vërtetuara plotësisht, prandaj unë nuk them: Dodona mund të jetë në Dëshnicë të Përmetit, por që nga viti 2011 kam deklaruar dhe deklaroj se Dodona ndodhet në Dëshnicë të Përmetit.

GM: Si i përgjigjeni qëndrimit të historiografisë greke për Epirin dhe në ç’mënyrë burimet antike e bëjnë dallimin e qartë midis etnisë pellazgo-ilire të epirotëve dhe asaj helene?
KM: Historiografia moderne greke e konsideron
Epirin si pjesë të botës helene. Për këtë, në vitin 1997 botoi një libër në
anglisht me pjesëmarrjen e historianëve grekë, por dhe të huaj, ku e pretendon
Epirin me histori dhe qytetërim helen 4000 mijë vjeçar.
Pretendimi i tyre është
ngritur mbi hipoteza të sajuara. Burimet e autorëve të antikitetit vërtetojnë
të kundërtën e pretendimit të tyre:
1- Helenët kanë ardhur në
trojet që banojnë sot, në territorin që
më parë mbahej nga pellazgët, e dëshmuar nga Herodoti, Thuqididi, Straboni dhe
të tjerë. Në kohën e Luftës së Trojës, sipas Homerit, helenët ishin një fis i
vogël në Thesali, të cilët nuk morën pjesë as në Luftën e Trojës. Thuqidi e
justifikon mospjesëmarrjen e helenëve në Luftën e Trojës, sepse ata nuk kishin
përvojë në punët e detit. Më pas helenët pushtuan territoret në jug të Thesalisë
dhe u dhanë emrin e tyre atyre territoreve.
2- Autorët e antikitetit
e kanë vendosur kufirin verior të Helladës me Gjirin e Ambraqisë, sipas një
vije që shkonte drejt lindjes deri në Magnezi, duke e lënë kufirin e Helladës
në jug të Epirit dhe Thesalisë. Epiri, Thesalia dhe Maqedonia nuk u pushtuan
nga helenët përgjatë gjithë antikitetit duke u banuar nga ajo popullsi e
mëparshme që autorët e antikitetit i quanin pellazge.
3- Autorët e
antikitetit, madje deri në kohën e Bizantit, kur u shkrua enciklopedia që mban
emrin: Suda, popullsia e Epirit është dëshmuar si pellazge.
4- Gjetjet arkeologjike
në luginën e Carakovistës (shekullit III para erës sonë) kanë vërtetuar se
njerëzit mbanin për mbiemra emrat e hyjnive pellazge si Larisien (hyjnesha
Larisa) dhe Dodonen ( hyjnia Di Dodonen).
Pra burimet historike
dhe gjetjet arkeologjike vërtetojnë për përkatësinë pellazge të popullsisë së
Epirit. Në kohën e pushtimit romak, Epiri u njoh si pjesë e Ilirisë, kjo për
arsyen, sepse epirotët dhe ilirët kishin një gjuhë të përbashkët.
Shtrohet një pyetje e
rëndësishme: si është e mundur që Greqia
e ka bindur botën shkencore dhe atë publike evropiane dhe më gjerë, që
Epiri i ka përkitur Helladës?
Shkaku qëndron te
Akademia e Shkencave të Shqipërisë. Akademikët e Shqipërisë ose nga padija, ose
nga arsye të tjera, e pretendojnë Epirin si ilir. Që do të thotë se ilirët e
kanë pushtuar Epirin në shekujt e pas Krishtit, kur ajo është njohur edhe si
ilire. Pra, ilirët kanë pushtuar një territor helen. Madje marrëzia e Akademisë
shqiptare ka shkuar edhe më tej. Disa prej tyre thonë se Epiri nuk ka qenë i
banuar nga ilirët, duke i hapur rrugën pretendimit helen ta quajnë Epirin si
territor të tyren pa pasur asnjë pengesë. Kur institucionet shkencore të
trojeve shqiptare heshtin para një provokimi në përmasa globale, zëri i një
individi është vështirë të dëgjohet. Megjithatë, për t`ju përgjigjur këtij
pretendimi absurd helen, kam shkruar librin “E vërteta për Dodonën dhe Epirin”
dhe pres të dëgjohet nga ata që e duan të Vërtetën.

GM:
Në argumentimin tuaj se Dodona është ekskluzivisht një themelim pellazg, cilat
cilësohen si elementet kryesore kulturore apo kultike që e lidhin këtë tempull
me këtë etni specifike, sipas dëshmive të autorëve antikë?
KM:
Përkatësinë pellazge të Dodonës e njohim nga Iliada e Homerit, kur Akili nga fusha e betejës i
drejtohej Hyjninisë dodonase:
“O Zeus, mbret dodonas e pellazgjik, që banon
larg,
që kujdesesh për Dodonën dimërkeqe, ku përreth
janë selët”.
Homeri (shek. XI-VIII, para
Krishtit), e përcakton Zeusin e Dodonës
si pellazg, pra nuk i ka dhënë përcaktor tjetër përveç atij pellazg, sepse
Dodona ishte qendra fetare më e madhe e Pellazgjisë, ku ndodhej tempulli dhe
orakulli më i famshëm i antikitetit.
Hesiodi, (shek. VII para
Krishtit) ka dhënë një dëshmi shumë të rëndësishme:
“Dodona dhe lisi ishin qendra e pellazgëve”. Hesiodi na dëshmon se Dodona dhe orakulli i saj
ishte qendra më e rëndësishme e pellazgëve. Si Homeri, ashtu dhe Hesiodi ia
atribuojnë Dodonën vetëm etnisë pellazge dhe askujt tjetër.
Herodoti (shek. V para Krishtit) i ka
dhënë Dodonës përkatësi pellazge. Madje helenët i veçon si etni që nuk kishte
lidhjet me pellazgët, por dëshmon se teologjia pellazge u mbart te helenët duke adoptuar edhe emrat e perëndive:
“Pellazgët kishin zakon t`u flijonin perëndive çdo gjë, sikurse e mësova
në Dodonë” Herodoti i quan banorët e Dodonës pellazgë. Më tej vazhdon:
“Më pas helenët i morën këto emra (emrat e
perëndive)nga pellazgët.
Efori (shek. IV para Krishtit) është
një tjetër autor i antikitetit, i cituar nga Straboni, që dëshmon se faltorja e
Dodonës ka qenë pellazge që nga koha e themelimit të saj:
“Faltorja e Dodonës ka qenë
ndërtim pellazgjik që në krye të herës”
Pra faltorja e Dodonës që nga koha e
themelimit të saj u ka përkitur pellazgëve dhe ka vazhduar përgjatë gjithë
antikitetit si faltore e pellazgëve.
Në fund të
shekullit të IV para Krishtit, në kohën kur në Epir sundonte Olimbia pas
vdekjes së vëllait të saj në Itali, Aleksandër Molosit, athinasit deshën të
ndërhynin në faltoren e Dodonës, por u ndaluan rreptësisht nga Olimbia duke
dërguar delegatët e saj në Athinë. Që do
të thotë se edhe në shekullin e katërt, helenët nuk kishin asnjë të drejtë në
Dodonë, përveçse si vizitorë të saj.
Pas sundimit të
Olimbisë, Epiri njohu një nga mbretërit e saj më të fuqishëm Pirron, që njihet
si Pirro i Epirit, i cili i doli zot jo vetëm Epirit, por sulmoi Romën,
Maqedoninë e deri në Spartë ku mbeti i vrarë.
Në vitin 2019
(para Krishtit), strategu i Etolisë, Dorimahu, e shkatërroi Dodonën. Nëqoftëse
Dodona do të kishte qenë Helene, Etolia Helene nuk do të kishte dërguar
ushtrinë e saj të shkatërronte Dodonën. Pas rreth 40 vjetësh (167 para
Krishtit) Epiri u pushtua nga romakët dhe të gjitha vendet e Ballkanit,
qeveriseshin vetëm nga romakët.
Kështu, gjatë perandorisë romake mundësia që helenët të ushtronin ndikim mbi Epirin ose Dodonën ka qenë e pamundur. Në fund të perandorisë romake, Perandori Teodosi I, e shkatërroi Dodonën dhe tempulli i Dodonës u kthye në qendër peshkopale. Jo vetëm zotërim helen të Dodonës nuk ka pasur, por edhe ndikimi helen ka munguar. Dodona ka qenë pellazge që në krye të themelimit të saj dhe po ai popull pellazg e më vonë i njohur edhe si ilir, e ruajti, e zhvilloi dhe e lartësoi mbi të gjithë tempujt dhe orakujt e tjerë të hapësirës ballkanike.
GM: Duke u bazuar në faktin se deri në shekullin XIX Epiri përshkruhej si pjesë e Shqipërisë, si shpjegohet ndryshimi i qasjes së enciklopedive evropiane më vonë dhe cili ka qenë roli i Gjirit të Ambrakisë si kufi ndarës natyror dhe historik?

Në literaturën enciklopedike dhe gjeografike evropiane të shekujve XVII-XIX,
Epiri identifikohej me atë që quhej “Shqipëria e Poshtme” (Bassa Albania). Ky
term përdorej për të dalluar jugun nga “Shqipëria e Sipërme” duke e konsideruar
Epirin si pjesë integrale të trojeve shqiptare. Ky përdorim nuk ishte i
rastësishëm. Ai reflektonte realitetin e njohur në Evropë se Epiri ishte një
vazhdimësi historike dhe etnografike e trevave shqiptare, sidomos në kuptimin e
kohës, kur termat “Epirus” dhe “Albania” përdoren shpesh si sinonime
funksionale në hartografi dhe historiografi.
Historianë dhe albanologë si Johann Georg von Hahn, një ndër themeluesit e
albanologjisë, e shihnin Epirin si pjesë të botës shqiptare, duke u mbështetur
në:
-vazhdimësinë e popullsisë,
-gjuhën dhe traditat etnografike.
Në veprën e tij, Hahn thekson lidhjen e fortë midis shqiptarëve dhe trevave
të Epirit, duke i konsideruar ata si pasardhës të popullsive të lashta të
rajonit.
2- Epiri në hartografinë evropiane
Hartografia evropiane është një dëshmi shumë e rëndësishme për mënyrën si
perceptohej Epiri. Që nga shekulli XV deri në shekullin XIX, shumë hartografë
të njohur evropianë e paraqesin Epirin si pjesë të Shqipërisë ose e emërtojnë
drejtpërdrejt “Shqipëria e Poshtme”. Nëse do të kërkojmë hartat e hartografëve
evropianë do të gjejmë dhjetëra harta që Epirin e përfshijnë brenda territorit
të Shqipërisë. Kjo tregon se për shumë gjeografë evropianë, Epiri nuk ishte një
entitet i ndarë nga Shqipëria, por si pjesa e saj jugore në kuptimin historik
dhe etnografik.
3-Epiri pas
Kongresit të Londrës (1913)
Pas vitit 1913, situata ndryshon rrënjësisht. Vendimet e Fuqive të Mëdha në
Konferencën e Ambasadorëve në Londër çuan në ndarjen e territoreve shqiptare
dhe në krijimin e kufijve të rinj politikë. Në enciklopeditë dhe botimet
evropiane të pas kësaj periudhe:
-Epiri nuk trajtohet më si pjesë e Shqipërisë, por ndahet në dy pjesë:
Epiri i Veriut (i lidhur me Shqipërinë) dhe Epiri i Jugut (i përfshirë në
Greqi).
Ky ndryshim nuk lidhej me një transformim të menjëhershëm etnografik, por
me vendime politike dhe diplomatike. Në këtë mënyrë, koncepti klasik i Epirit
si pjesë e “Shqipërisë së Poshtme” fillon të zbehet dhe zëvendësohet nga një
interpretim shtetëror.
4-Gjiri i
Ambrakisë si kufi historik
Një element i rëndësishëm në përcaktimin e Epirit është roli i Gjirit të
Ambrakisë. Që në antikitet, ky gji konsiderohej kufi natyror midis Epirit dhe
Helladës, i cili ruhet edhe gjatë
mesjetës. Në burimet mesjetare dhe më vonë, dallimi midis Epirit dhe Greqisë
mbetet i njëjtë, duke treguar një vazhdimësi historike dhe gjeografike që nga
antikiteti deri në shekullin XIX. Vetëm pas vitit 1913, me ndërhyrjen e
faktorëve politikë ndërkombëtarë, ky perceptim fillon të ndryshojë, duke e
ndarë Epirin sipas kufijve shtetërorë dhe duke krijuar një realitet të ri që
nuk përputhej me traditën historike të mëparshme.
5- Pretendimet helene për ta
konsideruar Epirin si pjesë të Greqisë
Në historiografinë bashkëkohore greke, Epiri trajtohet si pjesë e
vazhdimësisë historike helene, duke u mbështetur në:
-trashëgiminë e antikitetit (Molosët, Dodona),
-dhe elemente kulturore e fetare të mëvonshme.
Pretendimet helene të kohëve të sotme, janë ndërtuar mbi absurditete, të
cilat nuk kanë asnjë bazë shkencore, veçse pretendime shoviniste. Enciklopeditë
evropiane, duke u mbështetur te Thuqididi dhe autorë të tjerë të antikitetit, e
kanë konsideruar dhe e konsiderojnë Epirin e antikitetit si pjesë e ndarë nga
Hellada, që nuk ka lidhe etnike me helenët, por familjen mbretërore të Molosisë
që rridhte nga Akil Pelindi e konsiderojnë si helene. Që Akil Pelindi i përkiste etnisë pellazge
dhe nuk kishte asnjë lidhje me helenët, kjo është lehtësisht e provueshme dhe
duhet bërë nga shqiptarët që merren në fushë të historisë së antikitetit. Përsa
i përket Dodonës, ajo i përket botës pellazgo-ilire dhe provohet jo vetëm nga
burimet historike, por edhe pozicioni i saj gjeografik që është në kufirin
pellazgo-ilir dhe jo në mes të Epirit ku pretendohet deri më sot.





