Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me mësuesin, poetin, studiuesin dhe publicistin Kujtim Mateli (3)

54m më parë


INTERVISTË ME MËSUESIN, POETIN, KRITIKUN LETRAR, STUDIUESIN DHE PUBLICISTIN KUJTIM MATELI (3)

EKSKLUZIVE NGA GËZIM MARKU

Në këtë pjesë të tretë dhe përmbyllëse, dialogu me mësuesin, poetin, studiuesin dhe publicistin Kujtim Mateli ndalet te rrugëtimi i tij intelektual dhe debatet që kanë shoqëruar veprën e tij ndër vite. Biseda sjell në vëmendje angazhimin e tij në çështje që lidhen me historinë, identitetin kombëtar dhe interpretimin e trashëgimisë sonë kulturore.

Në qendër të këtij bashkëbisedimi qëndrojnë raportet me institucionet akademike brenda dhe jashtë vendit, si edhe sfidat me të cilat përballet albanologjia në përballje me interpretime dhe pretendime të ndryshme historiografike. Mateli ndalet te argumentet e tij mbi lashtësinë e shqiptarëve, çështjen e Dodonës antike dhe nevojën për një qasje më aktive institucionale në mbrojtjen e trashëgimisë historike e kulturore.

Përtej debatit shkencor, intervista shtrihet edhe drejt reflektimeve më të gjera mbi të ardhmen e kërkimeve historike dhe vendin e shqiptarëve në botën bashkëkohore. Në fund, biseda merr një dimension më njerëzor, ku dashuria për atdheun, përgjegjësia intelektuale dhe këmbëngulja në kërkimin e së vërtetës shfaqen si vlera që ai dëshiron t’ua përcjellë brezave të rinj.


Me anëtarë të Akademisë Shqiptaro-Amerikane të Shkencave dhe Arteve, në krye me kryetarin e ASHAS, Skënder Kodra

GM: Çfarë do të thotë për ju të qenit anëtar i Akademisë Shqiptaro-Amerikane të Shkencave dhe Arteve?

KM: Akademia Shqiptaro-Amerikane e Shkencave dhe Arteve, me seli në Nju Jork (New York), ka pasur një rol të rëndësishëm në ruajtjen dhe promovimin e identitetit kombëtar në një kontekst ndërkombëtar. Ky institucion ka krijuar hapësira të lira akademike, ku studiuesit e trojeve shqiptare kanë mundur të trajtojnë tema të ndjeshme historike e kulturore. Si anëtar i kësaj akademie, jam munduar të vendos në themel të studimeve të mia tema që lidhen ngushtë me identitetin tonë kombëtar, në zbardhjen e të vërtetave historike. Tema të tilla realizohen duke nxitur diskutime midis anëtarëve të Akademisë për të pasur një bashkëpunim të frytshëm. Njëri nga librat e mi është botuar nga Akademia Shqiptaro-Amerikane e Shkencave dhe Arteve dhe është mirëpritur jo vetëm nga anëtarët e kësaj akademie, por edhe nga lexuesit e shumtë që interesohen për temat historike.

GM: Gjatë rrugëtimit tuaj, a jeni ndier i 'sulmuar' apo i izoluar nga qarqet akademike tradicionale për shkak të tezave tuaja, dhe si u jeni përgjigjur kritikëve?

KM: Libri im i parë “Dodona ndodhet në Dëshnicë të Përmetit” (2011) u mirëprit nga lexues dhe studiues të shumtë, por edhe u kundërshtua. Kundërshtimi i parë më erdhi në prill të vitit 2012 nga Akademia e Shkencave të Shqipërisë, pikërisht nga nënkryetari i saj prof. Muzafer Korkurti:

“Siç përmenda më sipër rastin e tempullit të Dodonës, që disa thonë se është në mal të Tomorit apo në Këlcyrë. Jo. Dodona është atje ku thotë se e ka parë me sytë e tij Ismail Qemali, që është shënuar në albumin e Kristo Frashërit” (gazeta “Shqiptarja.com”, datë 19 prill 2012).

Sipas Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Dodona ndodhej në jugperëndim të Janinës, se e kishte parë me sytë e tij Ismail Qemali, disa vite më parë se të deklarohej nga Karapanos në vitin 1878. Por Dodonës kishte 15 shekuj që nuk i dihej vendndodhja dhe autorët e shekullit të XIX e kanë kërkuar në çdo hapësirë të Epirit për ta gjetur dhe secili kërkues ka përcaktuar vendndodhje të ndryshme. Kur të gjithë këta arkeologë, historianë dhe dijetarë nuk e shihnin Dodonën, sepse ajo ndodhej diku nën rrënoja, si e paska parë Ismail Qemali?!

Në nëntor të vitit 2012, gazeta “Shekulli”, atëherë më e madhja në vend, më mori një intervistë në lidhje me Dodonën. Menjëherë reaguan një numër i konsiderueshëm gazetash dhe portalesh greke. Unë reagimet e tyre i kam parë me kujdes, se me cilat prova e mbështesin tezën e vjetër se Dodona ndodhet në Carakovistë. Reagimi grek ishte publicistik si: me këtë sjellje ju shqiptarët po na shqetësoni ose po vazhduat kështu do ta keni të vështirë hyrjen në BE. Siç shihet nga kundërshtimet qoftë të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, qoftë ato të shtypit grek, nuk kishte asgjë që lidhej me atë që unë kisha argumentuar në lidhje me Dodonën, vendndodhjen e saj dhe përkatësinë etnike. Unë nuk duhej të sulmohesha nga Akademia e Shkencave të Shqipërisë, madje duhej të respektohesha prej tyre, sepse u dhashë një mundësi që të ngriheshin nga humnera ku kanë rënë, të ringriheshin duke kundërshtuar pretendimin grek për Dodonën dhe Epirin, madje edhe duke bërë gërmime të pjesshme ose të plota në shpat të malit Trebeshinë ku ndodhet kalaja antike dhe poshtë saj 400 rrënoja banesash. Mund të them se rrotull Këlcyrës ndodhen tri kala antike çfarë vërteton shkallën e lartë të qytetërimit që ka kjo zonë. Mirëpo që nga shekulli i kaluar e deri më sot, asnjë gërmim arkeologjik nuk është bërë në rrethin e Përmetit, kur në rrethet që kufizohen me të, janë kryer dhjetëra të tilla, të cilat vazhdojnë deri në ditët e sotme. Ky mosinteresim e ka një përgjigje, por le të merren institucionet qeverisëse për ta zbardhur atë.

Pavarësisht sulmeve që më kanë ardhur, unë kam vazhduar të punoj në zbardhjen e tezave të mia dhe mendoj se kam sjellë material të mjaftueshëm te librat e mi studimorë.


GM: Duke qenë se jeni pjesë e një akademie jashtë kufijve, si e shihni punën (ose atë që shpesh kritikohet si mungesë e saj) të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë? A mendoni se ky institucion po i përmbush pritshmëritë për mbrojtjen dhe promovimin e albanologjisë?

KM: Në këtë kontekst, roli  që ka Akademia e Shkencave e Shqipërisë mbetet themelor. Ky institucion ka qenë për dekada qendra kryesore e studimeve albanologjike, duke përfshirë historinë, gjuhësinë, arkeologjinë dhe etnologjinë. Përmes instituteve të saj, janë realizuar botime të rëndësishme, fjalorë, studime historike dhe kërkime arkeologjike që kanë ndërtuar bazat e dijes shkencore për shqiptarët.

Mirëpo pas vitit 1990, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, ka përsëritur vetveten, mund të them se ajo nuk u është përgjigjur sfidave të kohës.  Ajo ka mbetur një institucion i ngurtësuar, me ato teza që u formësuan para viteve 1990. Një institucion zhvillohet përmes debatit, kur tema të ndryshme madhore siç është origjina e shqiptarëve debatohen midis akademikëve. Akademia e pas viteve 1990, duhej ta kapërcente Akademinë e para viteve 1990, kjo për arsyen se akademikët ishin çliruar nga prangat e diktaturës që u diktonte një politikë të caktuar së cilës duhet t`i qëndronin pa kapërcyer kufizimet e saj. Mirëpo ndodhi e kundërta. Akademia e Shkencave e Shqipërisë u sulmua brutalisht nga Akademia e Athinës me botimin e saj antishkencor  “Epirus 4000 years of greek histori and civilization” (Epiri 4000 vjet histori dhe qytetërim grek), Athinë 1997.  Akademia e Shkencave e Shqipërisë, as sot nuk i ka dhënë një përgjigje Akademisë së Athinës edhe kur këtë e ka kërkuar akademik Kristo Frashëri.

Përse shqetësohej prof. Kristo Frashëri?

Profesor Kristo Frashëri, për këto shtrembërime që i bëhen historisë së vendit tonë është ndalur për t`i sqaruar në disa artikuj. Në artikullin “Shtrembërime të historisë së Epirit nga Akademia e Athinës” botuar tek “Gazeta Shqiptare” datë 07/08/2011, vë në dukje se disa botime gjoja shkencore nuk janë gjë tjetër veçse lakmi nacionaliste të fqinjit tonë jugor ndaj viseve shqiptare.

Kristo Frashëri:Prej tyre meriton të veçohet botimi me pretendime shkencore që ka dalë nga shtypi në Athinë kohët e fundit. Fjala është për trajtesën që Akademia e Athinës botoi kohët e vona në anglisht në format të madh prej 480 faqesh, nën drejtimin e përgjithshëm (general editor) të M. B. Sakellariut, me titull “Epirus 4000 years of greek histori and civilization” (Epiri 4000 vjet histori dhe qytetërim grek), Athinë 1997.

Botimi i përmendur, që tani kemi në tryezë, ndryshon nga moria e botimeve të mëparshme nga tri pikëpamje: trajton nga pikëpamja kohore në mënyrë integrale historinë e Epirit gjatë 4000 vjetëve; e dyta, në të kanë marrë pjesë autorë ndoshta më të shquarit e historiografisë greke të ditëve tona; e treta, nga pikëpamja e përgjegjësisë shkencore, politike e morale mban vulën e Akademisë së Athinës, e cila pavarësisht nga emri që mban, është Akademia e Shkencave jo e Athinës, por e Greqisë”.

Dhe më tej profesor Kristo Frashëri vazhdon: “Ne kemi pritur që me dobësitë e kësaj periudhe të merren historianët shqiptarë të specializuar në problemet e historisë së lashtë të Epirit. Arsyeja përse ata heshtin është puna e tyre”.

Vërtet, përse ata vazhdojnë të heshtin e nuk kanë folur deri më sot?!

Po çfarë përmban në thelb ky libër? Kanë vendosur hartën e Epirit (faqe 386 e librit të cituar) që qeveria greke ka pretenduar ta përfshinte brenda territorit të saj në Konferencën e Paqes, në Paris, mars 1919 dhe që kufiri sipas asaj harte që ata paraqesin vendoset kështu: Malet e Vetëtimës-ndan në mes malin e Trebeshinës- ndan përmes luginën e Dëshnicës (Përmet)- në juglindje të Skraparit e përfundon tek liqeni Pogradecit. Në këtë hapësirë Akademia e Athinës pretendon histori dhe qytetërim helen që prej 4 mijë vjetësh. A nuk është ky një provokim i rëndë dhe që domosdoshmërisht kërkonte një përgjigje nga institucionet tona shkencore? Megjithëse ky libër është botuar në vitin 1997, nuk e ka marrë ende një përgjigje. Të heshtësh do të thotë ta pranosh. Ky libër i Akademisë së Athinës, botuar në anglisht, është në tavolinat e punës së institucioneve akademike evropiane dhe të atyre botërore. Dhe të mendosh që institucionet qeverisëse të këtyre vendeve konsultohen me institucionet shkencore të vendeve të tyre, kuptohet se çfarë dëmi i vjen Shqipërisë, qoftë dhe me këtë libër. Por kur individë nga këto institucione marrin dhe përgjegjësi politike e bëhen presidentë, kryetarë qeverish e ministra të këtyre vendeve e deri në institucionet e BE, gjendja paraqitet edhe më keq.

Në përgjigje të pyetjes suaj, mund të them se Akademia e Shkencave të Shqipërisë, nuk lufton në mbrojtje të identitetit të kombit tonë. Kur na sulmojnë të tjerët, ajo qëndron në heshtje, edhe kur dikush si puna ime ngre teza të reja dhe argumenton me dëshmi të pakundërshtueshme, ajo përsëri hesht. Aq sa mundem e kam thënë dhe do ta them fjalën time për këtë deformim të historisë që është me pasoja të rënda jo vetëm për botën shkencore. Unë besoj te brezat që vijnë se do ta kenë guximin për ta thënë të Vërtetën.


GM: Nëse do t'ju kërkohej të shkruanit një fragment eseistik mbi kombin shqiptar, ku të përfshinit edhe disa nga emrat tanë më të shquar, cilat do të ishin ato radhë që do të përmblidhnin më mirë filozofinë tuaj mbi identitetin tonë kombëtar?

KM: Kombi shqiptar është ndërtuar dhe forcuar nëpër shekuj falë veprës dhe mendimit të figurave të shquara, të cilat jo vetëm kanë luftuar për liri, por kanë formësuar edhe identitetin shpirtëror e kulturor të tij. Disa prej këtyre figurave përfaqësojnë shtyllat themelore mbi të cilat qëndron vetëdija kombëtare shqiptare.

Ndër figurat më të rëndësishme që përfaqësojnë kombin shqiptar është Gjergj Kastrioti Skënderbeu, i cili u bë simbol i qëndresës dhe i bashkimit përballë pushtimit osman. Filozofia e tij mbështetej në mbrojtjen e lirisë dhe të identitetit, duke e parë kombin si një bashkësi që duhet të qëndrojë e bashkuar përballë rrezikut. Po ashtu, Ismail Qemali përfaqëson aktin themelor të krijimit të shtetit shqiptar. Me shpalljen e pavarësisë në vitin 1912, ai përcolli idenë se shqiptarët duhet të jenë zot të fatit të tyre dhe të ndërtojnë një shtet të bazuar mbi parimet e vetëvendosjes.

Në fushën e mendimit dhe kulturës, Naim Frashëri mbetet një nga figurat më të ndritura. Filozofia e tij ishte e përqendruar te dashuria për atdheun, gjuha dhe natyra, duke e parë kombin si një bashkim shpirtëror që ushqehet nga kultura dhe tradita. Ai e ngriti gjuhën shqipe në një simbol të identitetit kombëtar. Sami Frashëri theksoi rëndësinë e arsimit dhe të ndërgjegjësimit kombëtar, duke argumentuar se një komb nuk mund të mbijetojë pa dije dhe pa vetëdije për historinë e tij, kurse Pashko Vasa i orientoi shqiptarët të bashkoheshin rreth flamurit që mbante emrin shqiptaria.

Një tjetër figurë me ndikim të madh është Faik Konica, i cili solli një frymë kritike dhe evropiane në mendimin shqiptar. Filozofia e tij synonte përparimin kulturor dhe qytetërimin e shoqërisë shqiptare, duke e parë identitetin si një proces që duhet të zhvillohet vazhdimisht. Në të njëjtën linjë, Fan Noli përfaqëson ndërthurjen e kulturës, fesë dhe politikës, duke predikuar një shoqëri të drejtë dhe demokratike.

Këto ishin disa nga figurat kryesore që e formësuan dhe e bënë të njohur kombin tonë deri në prag të Luftës së Dytë Botërore. Ata kanë ndërtuar një filozofi të përbashkët: kombin si një bashkësi që mbështetet në liri, kulturë, gjuhë dhe vetëdije historike. Përmes veprës së tyre, ata kanë lënë një trashëgimi që vazhdon të udhëheqë shqiptarët në ruajtjen dhe zhvillimin e identitetit të tyre kombëtar.

GM: Dalja nga komunizmi më i egër në Evropë shpesh përdoret si shfajësim për faktin që nuk jemi ende 'demokratë të mëdhenj'. Pas gjithë këtyre viteve, si e shihni ju realitetin politik shqiptar dhe cilat janë tiparet kryesore të shoqërisë sonë postkomuniste?

KM: Fakti që Shqipëria doli nga diktatura më e egër në Evropë,  kjo e vërtetë historike, nuk mund të shërbejë si një shfajësim i përhershëm. Më shumë se tri dekada pas rënies së komunizmit, përgjegjësia për ecurinë demokratike bie mbi vetë shoqërinë shqiptare dhe elitat e saj politike. Pra, shpjegimi është i kuptueshëm, por jo i mjaftueshëm për të arsyetuar çdo dështim. Shoqëria postkomuniste shqiptare mbart disa tipare karakteristike:

-Një tranzicion i gjatë dhe shpesh i paqëndrueshëm drejt institucioneve demokratike.

-Një mungesë e theksuar e besimit tek shteti dhe ligji, pasojë e një historie të gjatë ku shteti shihej si mjet shtypjeje dhe jo si garant i të drejtave.

-Pluralizmi politik shpesh ka marrë formë konfliktuale, duke prodhuar polarizim të fortë dhe jo gjithmonë debat konstruktiv. Një tjetër tipar është emigracioni masiv, i cili, ndonëse ka sjellë përfitime ekonomike përmes remitancave, ka dobësuar kapitalin njerëzor brenda vendit.

Megjithatë, këto vitet e fundit ka një proces intensiv për ta sjellë legjislacionin shqiptar në përputhje me atë evropian, që do të shoqërohet jo vetëm me futjen e Shqipërisë në BE, por edhe me demokratizimin e shoqërisë shqiptare.


Në Shkup në festivalin poetik

GM: Duke qenë se keni studiuar gjatë gjeografinë historike dhe vazhdimësinë tonë etnike, si duhet parë, në këndvështrimin tuaj, bashkimi kombëtar: thjesht si një akt juridik-politik, apo si një proces i pashmangshëm i integrimit kulturor e shpirtëror që ka nisur tashmë përmes 'ndriçimit' të së vërtetës sonë historike?

KM: Plaga historike e kombit shqiptar lidhet me copëtimin e tij pas vendimeve të fuqive të mëdha, veçanërisht në Kongresin e Londrës. Si pasojë, shqiptarët jetojnë sot në disa shtete në Ballkan. Pas viteve 1990, sidomos dëshira e këtyre shteteve për t`u bërë pjesë e Bashkimit Evropian,  kjo ndarje e shqiptarëve nuk duhet parë si pengesë e pakapërcyeshme.

Rrugët e bashkëpunimit janë të shumta: forcimi i marrëdhënieve ekonomike, shkëmbimet kulturore, bashkëpunimi në arsim dhe shkencë, si dhe ndërtimi i një hapësire të përbashkët mediatike dhe shpirtërore me shqiptarët që jetojnë në Serbi, në Malin e Zi, në Maqedoninë e Veriut dhe në Greqi, në kohët e sotme janë të mundura dhe të realizueshme. Shqiptarët e Diasporës, ku bashkohen shqiptarët e të gjitha trevave shqiptare, mund të ndikojnë fuqishëm në këtë bashkim shpirtëror që në të ardhmen të kalohet në hapa të mëtejshëm.

Çështja e bashkimit të Shqipërisë me Kosovën, si dy shtete shqiptare, nga pikëpamja e së drejtës ndërkombëtare, parimi i vetëvendosjes së popujve, është një gjë e mundur, veçse kërkon vullnetin politik të dy shteteve dhe mirëkuptimin ndërkombëtar.  Në realitetin aktual, bashkëpunimi i ngushtë dhe integrimi funksional mes Shqipërisë dhe Kosovës mbetet rruga e vetme.


Në Prishtinë, në festivalin poetik “Esat Mekuli”, 17 dhjetor 2016

GM: Aktualiteti e gjen faktorin shqiptar në Ballkan më të fortë se kurrë ndonjëherë, por shpesh edhe të fragmentuar nga interesa lokale. Sa e pengon kjo ndarje e brendshme politike dhe administrative jetësimin e asaj që ju e konsideroni si trashëgimi të përbashkët pellazgo-ilire?

K.M: Ajo që realisht i bashkon shqiptarët sot është gjuha, kultura, historia e përbashkët dhe përvoja kolektive. Këta faktorë janë baza më e fortë për një integrim kulturor dhe shpirtëror.

Në planin politik, faktori shqiptar në Ballkan paraqitet i shpërndarë, por jo i dobët. Shqiptarët janë aktorë të rëndësishëm në disa shtete dhe mund të luajnë rol stabilizues në rajon. Rruga e së ardhmes duhet të kalojë përmes koordinimit më të mirë politik, ndërtimit të institucioneve të forta demokratike dhe orientimit të përbashkët drejt integrimit euro-atlantik. Vetëm përmes bashkëpunimit, dialogut dhe zhvillimit të qëndrueshëm, shqiptarët mund të kapërcejnë ndarjet historike dhe të ndërtojnë një të ardhme më të konsoliduar. Shqiptarët kanë një shtrat të përbashkët të lindjes, rritjes dhe qytetërimit të tyre, që i ka themelet te qytetërimi pellazgo-ilir, një nga qytetërimet jo vetëm më të vjetër, por që i dha shoqërisë njerëzore modele zhvillimi dhe bashkëjetese midis popujve.


GM: A mendoni se argumentet tuaja shkencore mbi Dodonën, Epirin dhe vazhdimësinë tonë etnike duhet të shërbejnë si një platformë apo bazë referuese në diplomacinë tonë shtetërore, për të forcuar pozitat e kombit shqiptar përballë pretendimeve historike të fqinjëve?

KM: Politika e jashtme e Shqipërisë, është ndërtuar mbi nevojat e momentit, mbi realitetin politik të ditës dhe mbi detyrimet ndërkombëtare që burojnë nga integrimi euro-atlantik. Kjo qasje pragmatike është e domosdoshme, por lind pyetja thelbësore: a mjafton një politikë e jashtme e ngritur vetëm mbi aktualitetin, pa pasur në themel identitetin kombëtar dhe trashëgiminë historike?

Ndryshe nga Shqipëria, kombet e tjera evropiane e kanë ndërtuar diplomacinë e tyre pikërisht mbi rrëfimet historike, mbi kulturën dhe mbi vazhdimësinë e tyre në kohë. Edhe Shqipëria duhet ta bëjë këtë, duke promovuar identitetin e saj si një realitet i lashtë dhe i pandërprerë në këto troje. Nuk bëhet fjalë për retorikë nacionaliste, por për një afirmim të bazuar në histori, gjuhë dhe kulturë.

Në këtë kontekst shtrohet edhe çështja e rolit të Shqipërisë si epiqendër e politikës së jashtme për shqiptarët jashtë kufijve shtetërorë. Shqiptarët në rajon: në Serbi, në Maqedoninë e Veriut, në Malin e Zi dhe në Greqi, përballen shpesh me rrëfime që i paraqesin si “të ardhur” në trojet e tyre. Ky është një deformim i së vërtetës historike, i cili, në mungesë të një reagimi të artikuluar diplomatik nga ana e Shqipërisë, rrezikon të konsolidohet në opinionin ndërkombëtar.

Ju më shtroni pyetjen se a mund të bëhet libri im “E vërteta për Dodonën dhe Epirin” dokument mbi të cilën Shqipëria duhet të promovojë identitetin e saj në politikën tonë të jashtme. Unë do të doja të realizohej një gjë e tillë, por politika e jashtme nuk mund të mbështetet drejtpërdrejt në një studim të vetëm, por duhet të referohet në një konsensus më të gjerë shkencor dhe në standardet ndërkombëtare të kërkimit. Institucionet akademike në Shqipëri dhe në trojet shqiptare heshtin ndaj të vërtetave historike, përsërisin dhe ripërsërisin në botimet e tyre një histori dhe identitetet të gjymtuar të shqiptarëve dhe kjo mund të jetë arsyeja pse politika shqiptare nuk i përfill këto botime dhe nuk e ndërton politikën e saj të jashtme  mbi historinë dhe identitetin tonë kombëtar. Qeveria shqiptare i ka të gjitha mundësitë që ta zbardh të Vërtetën dhe studimi im të shërbejë si bazë orientuese në politikën tonë të jashtme. Vetëm kështu Shqipëria mund të fitojë jo vetëm respekt ndërkombëtar, por edhe besimin e vetë shqiptarëve kudo që jetojnë.

GM: Duke parë angazhimin tuaj të gjithanshëm, cilat janë temat që ju interesojnë aktualisht për kërkim apo krijimtari? A keni projekte të reja në plan që pritet të shohin dritën e botimit së shpejti?

KM: Fushat e mia të krijimit dhe studimit kanë qenë deri tani: krijimtaria poetike, kritika letrare, publicistika, studime gjuhësore dhe studimet në fushë të historisë që lidhen me Dodonën dhe Epirin.

Kam gati një libër për botim në fushë të kritikës letrare ku do të përfshijë rreth 35 autorë. Janë shkrime që i kam bërë gjatë 15 viteve duke përfshirë autorë nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut, të cilin e kam titulluar: “Të pikturosh me fjalën”. Po ashtu, dëshiroj që vitin e ardhshëm, poezitë që kam shkruar këto vitet e fundit t`i përmbledh në një vëllim poetik. Pas botimit të librit “E vërteta për Dodonën dhe Epirin”, (2023) nga materiali i grumbulluar lind nevoja për ta ribotuar atë duke i shtuar një kapitull të ri, që mund ta realizoj brenda këtij viti. I gjithë kërkimi im shkencor është përqendruar te rrënjët e identitetit tonë kombëtar, të cilin do ta vazhdoj me botime të reja në këtë fushë.

GM: Si një njeri që ia ka kushtuar jetën arsimit, kulturës dhe ndriçimit të historisë sonë, cili do të ishte mesazhi apo këshilla juaj për lexuesit tanë dhe për shqiptarët në përgjithësi, në këtë kohë sfidash?

KM: Njeriu duhet të luftojë që të bëhet i suksesshëm në jetë. Duhet të luftojë me vështirësitë dhe të mos përkulet. Çdo sukses nuk vjen vetvetiu: ka brenda sakrificat, arritjet dhe dështimet. E rëndësishme është që pas çdo pengese dhe rrëzimi, të ringrihesh dhe të ecësh përpara. Qenia njerëzore ka brenda dy ndjenja të ndryshme që e luftojnë njëra-tjetrën: dashurinë dhe urrejtjen. Në rrugëtimin tënd braktise urrejtjen dhe merr me vete dashurinë. Duaj të tjerët, se edhe ata do të të duan më shumë. Në çdo rrethanë që të ndodhesh, mbaje të ndezur dashurinë për atdheun, se aty buron forca jote.

Njeriu dhe vetë shoqëria ka nevojë që të ushqehet me të Vërteta. Çdo gjë që del jashtë kuadrit të së Vërtetës, e dëmton shoqërinë, i krijon iluzione të kota, i rrit negativitetin duke e çuar në pretendime të padrejta.  Do ta këshilloja çdo njeri që të bëhet luftëtar i së Vërtetës, të luftojë për të, edhe kur e sheh se dëmtohen interesat e tij. Duke luftuar për të Vërtetën të ketë guximin të ballafaqohet me shtrembëruesit e saj. Opinioni shqiptar është i njëjtësuar se na është shtrembëruar historia, ashtu siç na u tjetërsuan trojet tona. Ajo dora misterioze që na tjetërsoi trojet, na tjetërsoi edhe historinë. Ky tjetërsim i historisë ka edhe mbështetësit e tij brenda trojeve shqiptare, të cilët na serviren edhe si modernë, se gjoja nuk duan probleme me fqinjët. Problemet me fqinjët nuk krijohen, kur thuaj të Vërtetën, siç është e vërteta që qytetërimi i parë në këto brigje të Mesdheut është qytetërimi i Dodonës, një qytetërim pellazgo-ilir që bota akademike vazhdon ta njohë si helen. Ne shqiptarët do ta njohim forcën dhe rëndësinë e vetes sonë, kur ta vendosim qytetërimin e Dodonës në themelet e identitetit tonë kombëtar.