Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me shkrimtarin, botuesin dhe gazetarin Rexhep Shahu (I)

1h më parë

INTERVISTË ME SHKRIMTARIN, BOTUESIN DHE GAZETARIN REXHEP SHAHU (I)

EKSKLUZIVE NGA GËZIM MARKU

Rexhep Shahu – gazetar, poet dhe botues – u lind në vitin 1960 në Bardhoc të Kukësit, afër Prizrenit, aty ku bashkohen dy Drinat (Drini i Bardhë e Drini i Zi), me malin e Pikëllimës në shpinë e atë të Pashtrikut përballë.

Shkollën e mesme teknike-mekanike e kreu në Durrës, ku u mëkua me detin dhe lau ëndrrat në të. Studimet e larta për letërsi i përfundoi në Shkodër.

Rexhep Shahu ka provuar gjithfarëlloj punësh e profesionesh: në fusha e male me bujq e blegtorë, kosëtarë e korrës gruri; ka jetuar me mineralkërkuesit, minatorët e vagonistët; ka punuar si motorist e xhenerik; si dhe ka shërbyer si sekretar në prokurori. Më pas ka qenë drejtues kulture, tregtar dhe themelues e drejtues i një kompanie ndërtimi.

Në fushën e medies dhe komunikimit, ka punuar si gazetar në Radio Kukësi, Radio Tirana, Top Albania Radio dhe në organe të shumta shtypi në Tiranë e Prishtinë. Ka shërbyer si zëdhënës në Qarkun e Kukësit, si dhe zëdhënës shtypi e këshilltar i ministrit për mediat dhe marrëdhëniet publike në Ministrinë e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit në Tiranë.

Ka drejtuar si kryeredaktor revistën kulturore “Dy Drina”, revistën për fëmijë “Kallz” (organe të Qendrës Kulturore “Dy Drina”), të përkohshmen “Gazeta e Kukësit”, si dhe për shtatë vite revistën kombëtare “Bujqësia Shqiptare”.

Prej më shumë se një dekade (që nga viti 2015), është botuesi dhe kryeredaktori i revistës letrare dy-mujore “illz”, si dhe drejton shtëpinë e tij botuese “Klubi i Poezisë” në Tiranë.

Deri në vitin 2025, Rexhep Shahu ka botuar 22 libra, nga të cilët 6 janë me poezi.

_______

CURRICULUM VITAE

Rexhep SHAHU

1. TË DHËNA PERSONALE

Datëlindja: 9 Qershor 1960

Vendlindja: Kukës, Shqipëri

Kombësia: Shqiptare

Shtetësia: Shqiptare

Gjendja civile: I martuar, tre fëmijë

2. PËRVOJA PROFESIONALE

2019 – në vazhdim: Botues, Kryeredaktor & Gazetar i pavarur

03/2018 – 06/2019: Këshilltar i Kryetarit të Bashkisë, Bashkia Kukës

09/2009 – 12/2014: Shef i Sektorit të Informacionit, Promocionit dhe Medias, Ministria e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, Tiranë

12/2005 – 09/2009: Zëdhënës shtypi / Këshilltar i Ministrit për Mediat dhe Marrëdhëniet Publike, Ministria e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, Tiranë

05/2002 – 12/2005: Zëdhënës shtypi, Këshilli i Qarkut Kukës

05/1996 – 05/2002: Gazetar, Radio Kukësi

03/1987 – 12/1995: Përgjegjës i Shtëpisë së Kulturës, Bardhoc, Kukës

03/1986 – 03/1987: Kryesekretar – Llogaritar, Prokuroria e Rrethit Kukës

09/1980 – 08/1983: Mekanik / Motorist-Xhenerik, Stacioni i Makinave Bujqësore, Kukës

3. EDUKIMI DHE TRAJNIMET

Arsimi:

1983 – 1990: Universiteti “Luigj Gurakuqi”, Shkodër – Fakulteti Filologjik, Dega Gjuhë-Letërsi

1976 – 1980: Shkolla e Mesme Teknike-Mekanike Bujqësore, Dega Motorist-Xhenerik, Durrës

Trajnime dhe kualifikime:

2007 – 2008: Trajnime për Komunikimin dhe Marrëdhëniet Publike (Itali, Bruksel etj.)

2006: Trajnim nga UNDP për Zëdhënësit e Ministrive të Shqipërisë

2003: Trajnim nga Departamenti i Administratës Publike (DAP) për Marrëdhëniet Publike, Tiranë

2002: Trajnime për Mediat dhe Komunikimin Masiv nga OSCE dhe SNV

2001 – 2002: Trajnime mbi Raportet Shkollë – Komunitet

2001: Trajnime për Mediat dhe Komunikimin nga MTOs

1999: Trajnime nga Radiotelevizioni Italian i Zvicrës (RSI)

1996: Trajnime të zgjeruara për Gazetar Radioje nga GTZ Gjermane (Kukës, Korçë, Shkodër, Gjirokastër, Tiranë)

1988 – 1990: Trajnim për Punonjës Biblioteke, Biblioteka Kombëtare, Tiranë

4. ANGAZHIME TË TJERA DHE ANËTARESI

Aktiviteti Botues dhe Media:

2016 – në vazhdim: Botues dhe Kryeredaktor i Revistës Letrare “illz”, Tiranë

2006 – 2013: Kryeredaktor i Revistës “Bujqësia Shqiptare”

1998 – 2005: Botues dhe Kryeredaktor i Revistës Kulturore “Dy Drina”

2000 – 2001: Botues dhe Kryeredaktor i Revistës për Fëmijë “Kallz”

2005: Kryeredaktor i “Gazetës së Kukësit”

Korrespondent dhe Bashkëpunëtor Media:

2000 – në vazhdim: Bashkëpunëtor i gazetës “Bota Sot”

2006 – në vazhdim: Bashkëpunëtor i gazetës “Tirana Observer” dhe gazetës “55”

1998 – 2005: Bashkëpunëtor i Agjencisë së Lajmeve Reuters

2001 – 2006: Korrespondent i Top Albania Radio

2003 – 2006: Bashkëpunëtor i revistës “Monitor”

2000 – 2007: Bashkëpunëtor i gazetës “Tema”

2006 – 2012: Bashkëpunëtor i gazetës “Republika”

1998 – 2004: Bashkëpunëtor i gazetës “Albania”

1998 – 1999: Korrespondent i Radio Tiranës

Bashkëpunëtor i gazetave “Pavarësia” dhe “Lajm”

Detyra Shoqërore dhe Publike:

2001 – 2005: Koordinator i Institutit për Demokraci dhe Ndërmjetësim (IDM)

2000 – 2005: Sekretar i Shoqatës së Gazetarëve të Qarkut Kukës

2001 – 2002: Facilitator pranë Qendrës "Karter"

1996 – 1999: President i Kompanisë së Ndërtimit "ALEN - r" sh.p.k.

1992 – 1996: Kryetar i Këshillit Komunal, Komuna Tërthore, Kukës

5. BOTIME DHE PUBLIKIME

Mali i Hënës – Vëllim poetik (Tiranë, 1998)

Bregu i Brengës – Vëllim poetik (Prizren, 2000)

Misioni për Paqen – Publicistikë (Tiranë, 2001)

Bllaca – Monografi (me bashkëautor, 2002)

Marsi i Minave – Publicistikë (Tiranë, 2006)

Lis i vetëm në fushë – Vëllim poetik (Tiranë, 2011)

Apologji për udhën e kombit – Publicistikë (Tiranë, 2012)

Qyteti i lutjeve – Vëllim poetik (Tiranë, 2014)

Bukën tonë të përditshme – Publicistikë (Tiranë, 2014)

Ismail Raka – Sytë e Lirisë – Monografi (Tiranë, 2014)

Kjo verë mërzie – Vëllim poetik (Tiranë, 2015)

Ku ishe ti hero – Publicistikë (Tiranë, 2016)

Shkrimtarët për Havzi Nelën - Shpirti i lirë i Lumës – Përgatitës (Tiranë, 2018)

Havzi Nela – Shtatë fletore (botimi i plotë) – Përgatitës (Tiranë, 2018)

Bisedë me Havzi Nelën – Eseistikë (Tiranë, 2019)

Faleminderit Doktor Alushani – Rrëfime (Tiranë, 2020)

Dita e gjashtë – Vëllim poetik (Tiranë, 2020)

Rrahman Zeqiraj – Një statujë kujtimesh – Monografi (Tiranë, 2020)

Një gjo a, një gjo s’a, pa ta s’a – Publicistikë (Tiranë, 2021)

Lufta ime për Kosovën – Publicistikë (Tiranë, 2023)

Qazim Bllaca – 31 vjet burg në Shqipëri – Publicistikë (Tiranë, 2025)

Shënime për libra – Eseistikë (Tiranë, 2025)


Në gjurmët e para, pas 50 vitesh, duke shkelur sërish bregun, me të njëjtën mahnitje të gjithmonshme për detin.

_______

Jeta e një njeriu nuk matet vetëm me vendet ku mbërrin, por edhe me rrugën që ka bërë për të arritur atje. Për shkrimtarin dhe publicistin Rexhep Shahu, ajo rrugë nisi në Bardhoc të Kukësit, aty ku bashkohen dy Drinat dhe ku varfëria e kohës përpiqej ta kufizonte jetën që në fëmijëri. 18 arnat e pantallonave të shkollës fillore janë një nga ato kujtime që nuk janë fshirë nga koha. As lotët e babait për kalin e këputur nga puna, as heshtja e nënës që fshinte sytë me cepat e mafesit.

Mes kësaj varfërie, libri dhe fjala u bënë për të një mundësi arratisjeje dhe një dritare drejt një bote tjetër. Leximi, recitimi dhe dashuria për poezinë do ta vendosnin që herët përballë një thirrjeje që nuk do ta braktiste më.

Adoleshenca e tij do të ishte një përplasje mes rrugës që i kishte caktuar sistemi dhe asaj që kërkonte shpirti i tij. I dërguar për të ndjekur shkollën teknike-mekanike në Shkozet të Durrësit, ai do të largohej dy herë prej saj. Herën e parë mbi karrocerinë e ftohtë të një Skode me qymyr, herën e dytë pas një pyetjeje të fortë të një mësuesi. Më pas do të vinin punët e rënda në tokat e reja, ushtrimi me parmendë në Luginën e Elmës, pluhuri i plugjeve dhe puna në miniera. Ndërsa nëna i qepte fshehurazi një hajmali në supin e xhaketës, ai vazhdonte të mbante gjallë bindjen se vendi i tij ishte diku tjetër.

Me ndihmën dhe besimin e mësuesit kujdestar Minella Llufi, i cili pa tek ai njeriun përtej profesionit që i ishte caktuar, Rexhep Shahu e përfundoi shkollën teknike. Por tashmë e dinte se mekanika nuk do të ishte destinacioni i tij. Arti dhe letërsia po bëheshin gjithnjë e më qartë udha e jetës së tij.

Pas tri vitesh punë si mekanik në SMT-në e Kukësit dhe pas punëve të rënda në galeritë e minierave, një dosje me 100 vjersha do t'i ndryshonte drejtimin e jetës. Takimi me Dritëro Agollin te Turizmi i Vjetër i Kukësit do t'i hapte rrugën drejt studimeve të larta për Gjuhë-Letërsi dhe do ta nxirrte nga ajo e ardhme e paracaktuar prej punëve fizike.

Në Shkodër, mes profesorëve të shquar dhe një tradite të pasur kulturore, ai nuk gjeti vetëm auditorët dhe librat. Gjeti konfirmimin e një thirrjeje që e kishte ndjekur që nga fëmijëria. Dhe diku në atë udhëtim do të dëgjonte fjalët që do t'i jepnin një emër asaj thirrjeje: “Ti je poet”.

Në pjesën e parë të intervistës për "Zemra Shqiptare", Rexhep Shahu kthehet pas në kujtimet e fëmijërisë, në varfërinë e Bardhocit dhe në vitet e vështira të adoleshencës, por edhe në përpjekjet për të ndjekur shkollimin, nga shkolla teknike-mekanike te studimet për Gjuhë-Letërsi në Shkodër. Ai rrëfen punët e rënda që e shoqëruan në vitet e para të jetës, takimet dhe mësuesit që i hapën rrugë dijes, si dhe momentet kur letërsia nga një pasion fëmijëror u shndërrua në thirrjen e tij të vërtetë.

_______


Foto në klasën e tretë fillore, në fshatin tim Bardhoc, Kukës, në vitin 1969. Unë jam i treti në këmbë nga e majta, pa veshje kombëtare lumjane. Në qendër të fotos është mësuesi im kujdestar, Qemal Shahu. Në foto janë edhe mësuesit Hebib Gjana, Hajrie Shahu dhe Istref Thaçi.

GM: Si e kujtoni fëmijërinë tuaj në Bardhoc, pranë vendtakimit të Drinave, mes këtij peizazhi mahnitës natyror?

RSH: Fëmijëria ime ka të fiksuar në fytyrë skamjen e mjerimin e kohës. 18 arna pati numëruar një mësuese në pantallonat e mia në shkollë. Kjo histori më ka shoqëruar gjithë jetën dhe më ka nxitë pakuptuar që të mësoj shumë, që të mos i shkojë kujt mendja te arnat e pantallonave të mia, por te përgjigjet e mia në mësime. Nëna më nxiste e më frymëzonte të mësoja. Mësoja vjersha përmendësh, recitoja me pasion para shkollës e para kooperativës. Recitoja në aktivitete në Kukës që fëmijë në fillore. Që fëmijë në klasën e parë, e mbaj mend veten me libër në dorë kur kullosja delet. Hutohesha duke lexue librin dhe humbisnin delet.

Delnin familjarët të lypnin delet e unë mbetesha me libër në dorë. E mbaj mend veten me libër në dorë në oborr, me libër në dorë në sofër, sa babai ma hiqte librin pak me qortim duke më thënë: ‘’Boll më me ato libra edhe tue ngrënë bukë në sofër’’.

Shokët e mi luanin me top, unë nuk kisha dëshirë.

Sa ishin tre dylimshat, ne ishim familje e pasur. Kishim tokën tonë nën ujë, merrnim prodhim edhe për komshijtë. Kur u hoqën tre dylimshat e na dhanë nga një dylim në të thatë, nuk prodhohej asgjë, as tallë për lopën.

Në fshatin tim shumica e burrave e djemve punonin në minierën e bakrit në Gjegjan, as gjysmë ore larg shtëpisë.

Babait tim nuk i jepnin leje të punonte në minierë se i duhej kooperativës. Ne ishim 6 fëmijë. Bukë misri e mykur e lyer me ujë e sheqer, ky ishte ushqimi ynë i përditshëm. Ose dy litra tamël e 4 litra ujë.

Edhe mua më ka rënë radha ta lus kryetarin e kooperativës t’i jepte leje babait tim që të punonte në minierë dhe nuk e harroj kurrë këtë lutje e atë kryetar. ‘’Pse nuk e le babën tim të punojë në minierë’’, kështu i jam drejtuar në oborrin e zyrave kryetarit të kooperativës.

Na ndodhi kështu: Na ngordhi kali, e këputi në kurriz një njeri që ia kërkoi babës kalin një ditë për punë. Baba qau, e pashë unë që i rrodhën lot e me dorën që fshiu lotët, më përkëdheli në fytyrë. Nuk e harroj kurrë. Brenda javës na ngordhi lopa. E pashë nënën disa herë të fshinte lotët me cepat e mafesit.

Këto u bënë ndoshta arsye e fortë që i dola para kryetarit të kooperativës për ta lutë që t’i jepte leje babës tim me punue në minierë, dhe i thashë pse s’i jep leje babës tim me shkue në punë në minierë. Thonin se kam qajtë me lot kur i kam folë kryetarit të kooperativës, por unë nuk i kujtoj lotët e mi, veç kujtoj lotët e babës për kalin e të nanës për lopën...

Një mbrëmje shkova me ble bukën te dyqani i bukës. Shitësja nuk më dha bukë. Arsyeja ishte se nuk kishte dalë atë ditë në punë nëna ime. Gratë e kooperativës atë ditë kishin dalë në bjeshkë me shkulë patate. Nëna ime nuk kishte dalë në punë se ishte shtatzënë.

Kur erdha nga dyqani i bukës, nëna ishte te kroi i fshatit me gratë e tjera në radhë me mbushë ujë. ‘’Pse nuk more bukë’’, më pyeti nëna. ‘’Se nuk ke dalë ti sot në punë’’, më tha shitësja, i thashë nënës dhe më u dridh buza. Nëna e kuptoi, më përqafoi dhe më tha: "Kemi miell e bën nana menjëherë bukë të ngrohtë..." Unë e dija se nuk kishim miell as për mijtë. As makarona nuk kishte as në shtëpi as në dyqan, për me i zie ose me i zbutë e me gatue petulla... Pasi shkuam në shtëpi dhe nëna po na thoshte se do ta pimë sonte krejt tamlin e lopës e do të flejmë gjumë pa bukë, thirri një zë. Dola unë e pas meje edhe nëna. Një vajzë e komshiut kishte sjellë një tepsi rrafsh me miell misri. Nëna e vajzës që solli miellin kishte qenë te kroi bashkë me nënën time dhe e kishte dëgjuar historinë. Ajo tepsi mielli më ka shoqëruar gjithë jetën dhe jam përpjekë t’i shpërblej gjatë jetës njerëzit e asaj familje.

Të nesërmen e asaj nate, nëna që ishte shtatzënë e nuk shkoi dot në punë me shkulë patate në bjeshkë tri orë larg, përfundoi në maternitet dhe lindi një djalë të vdekur...


Në këmbë të malit të Pikëllimës, në fshatin tim Bardhoc, në oborrin e shkollës, duke bërë koncert, mars 1974. Unë, me çifteli në dorë dhe kapuç në kokë, i pari djathtas, nxënës i klasës së 7-të. Kjo foto doli në kopertinën e revistës Pionieri në atë vit.

Gjatë gjithë viteve të shkollës kam punuar në pushimet verore duke mbledhë kallëza gruri ose duke u çue ujë me gjym e tas grave të kooperativës aty ku punonin. Kujtoj sot disa gra se si e linin drapërin në tokë, uleshin rrafsh në tokë dhe e pinin ujin me shpejtësi, pa marrë frymë, një tas, dy e tre tasa.

Shkoja me prindërit me pre dushk a me mbledhë e me vu dushk. Ndoshta nga punët më të rënda në jetë. Më hynin në qafë, në trup lapat e gjethit e ndjehesha shumë keq, isha gjithë djersë. Baba sa kishte kalin, e merrte nënën në vithe të kalit, mua në prehër e shkonim kollaj në bjeshkë. Ishin nga çastet më të ëmbla që kam shijue në jetë kur ishim të tre mbi kalë. Isha fëmija i parë i familjes.

Në verën e klasës së pestë për me hy në të gjashtën, kam punuar në fermën e Kukësit në brigadën e vreshtarisë me brigadier Myrteza Axhamin. E kujtoj se ai brigadier që çalonte, më donte, kujdesej për mua, më pyeste shpesh: "A u lodhe?". E kujtoj sepse atë verë kam marrë rrogën e parë në jetën time në shtet. Kam marrë 840 lekë. Kur shkova në shtëpi pasdite, e gjeta babën në oborr ku po rregullonte një bisht lopate.

"Kam marrë rrogën Lalë", i thashë dhe ia zgjata 840 lekë.

U përlot, hoqi kapelen nga koka e tij e ma vuri mua në kokë. Më mori në prehër. Më tha që t’i mbaja unë lekët t’i kisha për autobus, të blija bukë gruri ndonjë ditë...

Por unë mbajta 40 lekë, 800 lekë ia lashë në dorë.


Një grup nga klasa A e Shkollës së Mesme Mekanike Bujqësore në Shkozet të Durrësit, 1976–1980.

Nga e majta në të djathtë, në rreshtin e parë, në këmbë: Vjollca Spahiu, Azem Doci, Nevruz Zhuka, Ajet Kashari, Fran Miri, Rexhep Shahu, Arben Faja, Edmond Gjika, Natasha Shtembari, Shkurte Rukaj, Violeta Lugja, Ndue Jaku.

Në rreshtin e poshtëm, ulur, nga e majta: Esmeralda Oxhaku, Ramazan Disha, Engjellushe Reva, e përkulur, Rita Dobrani, Gëzim Hoxha, Fotini Cimboku, Arben Bacellari, Zamira Çobani dhe Spiro Misha.

GM: Ju keni kryer shkollën e mesme teknike-mekanike. Si vendosët të ndiqnit këtë drejtim dhe cilat kujtime ruani nga vitet e adoleshencës në Durrës?

RSH: Kam mbaruar 8 vjet të shkollës 8-vjeçare me të gjitha notat 10. Kur erdhi koha për shkollë të mesme, vendoste këshilli i bashkuar për degët. Meqenëse isha me ato rezultate, kisha fatin të merrja shkollën më të mirë që do të vinte. Shkolla më e mirë erdhi ajo për mekanik në shkollën e mesme mekanike në Shkozet të Durrësit; të tjerat ishin shkolla minierash e gjeologjie në qytetin e Kukësit. Xhaxhai im, që kujdesej shumë për mua, vendosi që të shkoja në Durrës, në konvikt, se atje do të rritesha më mirë, siç thoshte ai. Qytet i madh, fat i madh, thoshte ai. Kështu shkova në Durrës në shkollë mekanike dhe u bëra motorist-xhenerik me kategorinë maksimale.

Në shkollë në Durrës shkova pa dëshirë, nuk doja të bëhesha mekanik, doja të shkoja në shkollë arti. Pas një jave në shkollë, ika. Hypa mbi një Skoda të ngarkuar me qymyr në Shkozet e deri në Kukës. Isha bërë si gurët e qymyrit në 10 orë udhëtim në karroceri mbi qymyr. Shkova në shtëpi dhe qaja gjithë kohën. Fillova punë në kooperativë si bujk. Xhaxhai im Rasimi, që shpresonte shumë tek unë e më ka mbështetë gjithë jetën, ndikoi që të më çonin në punë të rënda, të më mërzitej puna e të kërkoja të shkoja në shkollë. Më çonin me çelë tokë të re në mal me shkulë cungje. Lodhesha për vdekje. Më çonin punëtor traktori me hyp në plugje dhe më mbylleshin sytë nga pluhuri e rrezikoja të rrëzohesha nga plugjet. Më çonin me kositë bar, që ishte punë shumë e rëndë. Çdo natë qaja në vetmi.

Kur erdhi koha për shkollë vitin tjetër, përsëri me ndikimin e xhaxhait tim këshilli më jep shkollën më të mirë. Ishte e njëjta shkollë, mekanikja e Shkozetit nga ku unë kisha ikë para një viti.

U mor vendimi dhe xhaxhai më mori një ditë në Kukës me ble tesha për shkollë. Më bleu një xhaketë të zezë kadife me krahë më të shkurtër se sa më duheshin mua. Por nuk kishte xhaketë tjetër dhe ai më tha: "I ka krahët pak të shkurtër, por nuk është e keqe".

Lokja më dha një triko të vetën të hapur përpara me kopsa deri në fund, që mund ta përdorja si punë xhakete.

Shkova në shkollë. Një mësues historie më mbante mend dhe më pyeti pse kisha ikur nga shkolla një vit më parë. Aq u desh dhe të nesërmen ika përsëri nga shkolla e shkova në shtëpi. Nuk gjeta përkrahje e ngrohtësi tek asnjë njeri në familje. Xhaxhai nuk më foli fare. As nëna nuk më fliste ngrohtë. Rrija gjithë kohën në shtëpi. Nëna kishte shkuar në hoxhallarë të ndryshëm që fshehtas shkruanin hajmalia.

Kur erdhi në darkë një natë, xhaxhai tha në oborr ku ishin të gjithë, se ka ardhë telegram prej shkollës së Durrësit se Rexhepi ka ikë pa leje prej shkolle dhe duhet të kthehet urgjent në shkollë.

Unë të nesërmen dola në kooperativë dhe i kërkova punë brigadierit. Ai më tha: "Ne të dimë se je në shkollë në Durrës. Nuk ka nxjerrë shkolla jonë nxënës më të mirë se ti dhe ti nuk rri në shkollë…".

Më tha që nesër të merrja një pendë qe e një parmendë e të plugoja me të tjerët. Shkova nesër me plugue me të tjerët. E ngula thellë parmendën dhe ajo u thye, nuk dija ta mbaja në thellësinë që duhej. Të tjerët më panë me sy jo të mirë. "Nuk është punë për fëmijë kjo", tha një bujk i vjetër. "Ti je fëmijë për shkollë, je i vogël për me mbajtë parmendë mor djalë", ia priti një tjetër.

Dola në rreth të arës te Lugji i Elmës dhe po rrija, po më dridhej mjekra veç nuk po ia shkrehja të qarës.

Vjen njëri nga bujqit dhe ulet me mua. E shihja tek dridhte cigare me lapë kollomoqi si baba im se nuk kishte letra cigareje. M’u kujtua një rast, kur recitova njëherë kur kishte mbledhje asambleje kooperativa. Ky më mori hopa dhe më hypi në qafën e tij kalistrup. Më çoi ku ishin prindërit e mi nga fundi i grumbullit të njerëzve dhe u tha: "Me e pasë unë këtë djalë, nuk e lë me i ra këmbët në tokë".

Ndërsa po kujtoja atë skenë e këto fjalë, ky më tha: "Ti Rexhep nuk ke takat për parmendë, por duket nuk ke as mend për shkollë se me kanë nuk të kishin përzanë prej shkolle".

Kujtoj se më rrodhën lotët rrëke menjëherë e nuk po ndaleshin. Nuk më kishte përzanë kërkush prej shkolle, kisha ikë vetë.

Atë natë sa shkova në shtëpi, i thashë nënës: "Nesër do të shkoj në shkollë". Nëna qau, më përqafoi e nuk më lëshonte. Erdhi xhaxhai, foli me babën dhe i tha nënës: "Bëje djalin gati se do ta përcjell unë në Kukës". Nëna kishte futë një hajmali në supin e xhaketës që më kishte blerë xhaxhai, hajmali që rastësisht e kemi gjetë pas dy vjetëve. Ajo besoi se hajmalitë më kishin mbushë mendjen me u kthye në shkollë.

Të nesërmen në orën 7 të mëngjesit, xhaxhai foli me shoferin e autobusit Kolën, që po nisej për Tiranë. Një autobus në ditë shkonte nga Kukësi në Tiranë me pasagjerë e një kthehej.

I tha që nuk kemi biletë, por djalin due me ma çue sonte në Tiranë. Mbërrita në Tiranë i ulur mbi valixhen time të drujtë në korridor të autobusit dhe me tren shkova në Durrës atë natë. Kujdestari Ali Masha më sistemoi në konvikt.

Të nesërmen më takoi në oborr të shkollës mësuesi im kujdestar. Më tha: "Unë jam Minella Llufi, jam mësues i matematikës. Jam mësuesi yt kujdestar. Unë bëra telegram në familjen tënde. Mendova që ke ikë se ke patur arsye. Unë të kam zgjedhë për në klasën time se ti i ke të gjitha notat 10". Ai më foli aq ngrohtë sa m’u çel goja e i thashë: "Unë kam ikë se dua të shkoj në shkollë arti". Ma hodhi dorën në qafë e më afroi nga vetja. Më tha me një zë të ngrohtë: "Ti i ke notat e mira, ti mëson. Mëso e mbaroje këtë shkollë që të jep profesion të mirë. Nuk i dihet jetës. Unë e kuptoj që ti nuk don të bëhesh inxhinier mekanik. Po kur e ke këtë shkollë, edhe në burg po të përfundosh, mund të punosh si mekanik". Po më fliste si të isha i rritur, ngadalë, ngrohtë. Nuk i harrova kurrë këto fjalë, të thëna në një ditë të veçantë nga mësuesi im kujdestar që më ka rritë në Durrës, më ka marrë në shtëpinë e tij dhe me gjithë të shoqen Lumen, më trajtonin si fëmijët e tyre. Ai, që të më ndihmonte, në fund të shkollës më tha: "Ti je nxënës i 8. Po njërën nga lëndët e mia, algjebrën ose gjeometrinë do ta nxjerr 7 që të mos i plotësosh kriteret për të shkuar në universitet për inxhinieri mekanike…".

Çdo verë të shkollës së mesme kam punuar në gjeologji ose në galeri. Punët më të rënda në jetë që shërbyen edhe si nxitjet më të mëdha që të mësoja, pasi mendoja se nuk mund të jetoja duke bërë ato punë shumë të rënda. Turni i tretë në gjeologji nga ora 11 e natës deri në 7 të mëngjesit nuk harrohet kurrë. Shembjet në galeri më tronditin edhe sot në gjumë. Më dhëmbin edhe sot dhimbjet që ndjeja kur ngrija me krahë e me levë vagonin me bakër kur më dilte nga shinat…

GM: Nga një formim teknik kaluat te dega Gjuhë-Letërsi. Si ndodhi kjo kthesë dhe çfarë ju shtyu të zgjidhnit letërsinë si drejtim studimi?

RSH: Pas shkollës së mesme mekanike punova tre vjet motorist-xhenerik në SMT Kukës - Stacioni i Makinave e Traktorëve. Nuk e kisha pasion atë punë.

Ndërsa punoja mekanik gjatë atyre tre vjetëve, shkruaja vjersha, botoja ndonjë shkrim, portret a reportazh te gazeta e Kukësit.

Vjen një rast në Kukës Dritëro Agolli, kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë. Shkrimtarët e Kukësit po hanin një darkë me të te Turizmi i Vjetër. Në atë darkë më kishte ftuar edhe mua si talent i ri Pjetër Marku, kryetar i shkrimtarëve të Kukësit. Më kishte porositë që të merrja vjershat me vete. Kisha 100 vjersha të shtypura në makinë shkrimi.

Aty në darkë Pjetri i tha në një moment Dritëroit, kur po prezantonte të pranishmit, që kemi këtë djalin e ri këtu, Rexhep Shahun, që mendojmë se është talent, por ka tre vjet që nuk po e çojnë në shkollë të lartë për gjuhë-letërsi ngaqë ka mbaruar shkollë të mesme mekanike. E ka mbi 8 notën mesatare.

"Ku i ke vjershat?", më pyeti Dritëroi, që nuk bëri bisedë me mua të më pyeste si e pse.

Ia tregova tufën e vjershave të futura në një dosje.

"M’i jep mua", më tha dhe zgjati dorën e i mori. I vuri mbi çantën e tij të zezë që e kishte anash vetes ku qe i ulur. Një vend e kishte zënë çanta e Dritëroit.

Pas dy muajve erdhi shkresa rekomanduese në Komitetin Ekzekutiv të Kukësit që të shkoja në shkollë për gjuhë-letërsi si kontingjent apo për llogari të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë. Njoftimin ma dha një ditë në mes të sheshit para Komitetit Ekzekutiv një inspektor që më kishte ngopë tre vjet me lugë bosh. Kështu më çoi në shkollë të lartë për gjuhë-letërsi Dritëro Agolli, të cilin do ta falënderoj edhe kur të jem në varr. Se ai më krijoi mundësinë dhe më shpëtoi nga punët e rënda fizike që nuk do t’i përballoja dot në jetë. Dita që kam parë emrin në listat e shpallura te 6-katëshi për studentët që do të shkonin në shkollat e larta është nga ditët më të mrekullueshme të jetës.

GM: Mund të ndani me ne disa kujtime nga jeta studentore në Universitetin ‘Luigj Gurakuqi’ në Shkodër?

RSH: Shkodra është magji dhe unë do të jem gjithmonë një student i përjetshëm Shkodre. Kam shkuar në fakultet tre vjet me vonesë, isha më i rritur se të tjerët. Gjatë viteve që punova, unë i kisha lexuar tekstet mësimore të fakultetit dhe gjithë librat e rekomanduara për lëndët e letërsisë. Një i afërm i imi ishte student letërsie në Tiranë dhe atij ia kisha marrë gjithë librat e fakultetit që ishin në atë kohë, dhe listën e librave të rekomanduara për lexim. Kjo më dha lehtësi të madhe në shkollë dhe ndoshta nga ky shkak pedagogët më mbanin afër, më merrnin në kafe, më trajtonin shpesh si shok të tyre.


Në Shkodër, në lulishten përballë Hotel Rozafës, me Mëhill Tanushin dhe me librin Mrizi i Zanave në dorë.

Në lulishte përballë hotel Rozafës një mbrëmje kam blerë librin "Mrizi i Zanave", botim i vjetër. Nuk e kisha parë kurrë si libër. Personi që e kishte e ma shiti një mijë lekë, më tha se kishte studiuar 7 vjet në Bashkimin Sovjetik…

Në Shkodër jam ndjerë me fat që kam qenë student i Fadil Krajës, që dridhej e hynte në këmishën e personazheve kur na shpjegonte letërsi antike, që më ka marrë me vete pothuaj në gjithë ditët e provave kur përgatiteshin për skenë dramat e tij në teatrin "Migjeni".


Profesori im, shkrimtari Fadil Kraja, që na jepte Letërsinë Antike në fakultet. Më deshti dhe më përkrahu kur nuk më donin e nuk më përkrahnin.

Më merrte gjithmonë me vete në provat e dramave të tij në Teatrin Migjeni dhe e shihja se si dridhej, ulej e ngrihej, fluturonte e palosej në ulëse, sipas lojës së aktorëve.

Ai nuk ishte thjesht mësues i Letërsisë Antike; bëhej një personazh i mahnitshëm dhe na fliste si i tillë, me shpirt.

Jam me fat që më ka trajtuar si mik të afërt, jo thjesht si student, profesor Safet Hoxha i gramatikës historike. Unë nuk isha student i mirë në gjuhë, por ai më donte si mik. Para tij përuleshin me nderim gjithë profesorët e Shkodrës që nga Jup Kastrati, Vili Kamsi etj.


Me profesorin Safet Hoxha, profesor i Gramatikës Historike në Universitetin e Shkodrës, në vitin 1984. E nderonin të gjithë. Një nga miqtë e mi më të çmuar në jetë.

Profesor Safeti më ka bindë më shumë se gjithkush në jetë që të shkruaj poezi. Ai më thoshte: "Ti Rexhep je poet". Profesor Neki Lezha më ka dashtë. Vili Kamsi i bibliotekës së universitetit më trajtonte me shumë dashuri e vëmendje dhe kjo gjë më jepte vetëvlerësim. Më vinte shpesh te tavolina ku ulesha dhe kujtoja se isha i rëndësishëm derisa më kishte në vëmendje ai njeri. Kudo ku më shihte në udhë a korridor, ndalej e më fliste me atë të folurën e tij të lehtë, të butë, të parfumtë. Unë kam qenë student i mirë, për shumë lëndë unë synoja notën 10, unë nuk kam njohur kurrë në jetë frikën e notës 4 apo rrezikun me ngelë në klasë.

Vetëm në rusisht kam marrë notë kaluese me hatër.


Shkodër, janar 1983. Nga e majta në të djathtë: Rexhep Shahu, student i vitit të parë, Nikoll Frroku, Azem Kovaçi dhe Bislim Nerguti, të cilët erdhën në universitet për sezonin e provimeve të korrespondencës.


Në Shkodër, 1985, me shokun më të afërt të fakultetit, Agron Çokun, i cili më vonë u bë deputet