Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me këngëtaren e mirënjohur Anjeza Ndoj

INTERVISTË ME KËNGËTAREN E MIRËNJOHUR ANJEZA NDOJ

Anjeza
Ndoj është një ndër zërat më të dashur të muzikës popullore shqiptare - një
artiste që prej vitesh ka fituar zemrat e publikut përmes interpretimit
autentik, emocioneve të forta dhe lidhjes së pandarë me traditën e Veriut.
E
lindur dhe e rritur në Fushë-Arrëz, një trevë e njohur për kulturën, mikpritjen
dhe pasurinë e saj folklorike, ajo u rrit mes tingujve të muzikës. Dashuria për
këngën i lindi që në vegjeli, brenda një familjeje ku arti ishte pjesë e jetës
së përditshme. Tingujt e fizarmonikës së babait, këngët familjare dhe mjedisi
artistik i vendlindjes u bënë themeli i këtij rrugëtimi.
Që
në moshë të vogël, Anjeza nisi të këndonte në aktivitete familjare e më pas në
skena të ndryshme, duke krijuar gradualisht një lidhje të veçantë me publikun.
Vitet e rinisë në Tiranë, përfundimi i studimeve të larta në psikologji dhe përvoja
e fituar ndër vite plotësuan formimin e saj, por muzika mbeti gjithmonë pasioni
i saj i madh.
Rrugëtimi
i saj artistik është pasuruar me projekte e bashkëpunime të shumta që kanë lënë
gjurmë te publiku shqiptar. Një vend të veçantë zë kënga "Vendet e
mia", një dedikim i ndjerë për Pukën dhe bukuritë e saj, e cila u shndërrua
në një simbol të dashurisë për rrënjët dhe origjinën.
Përmes
repertorit të saj, ajo sjell këngë që flasin për dashurinë, traditën, familjen
dhe krenarinë kombëtare. Artistja beson se kënga nuk është vetëm argëtim, por
edhe një mënyrë për të ruajtur kujtesën, identitetin dhe vlerat që trashëgohen
brez pas brezi.
Prej
vitesh, Anjeza jeton në Michigan, SHBA, por mbetet e lidhur fort me atdheun dhe
me publikun shqiptar kudo në botë. Përmes koncerteve dhe angazhimeve të saj
artistike, ajo vazhdon t’u sjellë bashkatdhetarëve muzikën tradicionale dhe
emocionin e këngës me taban kombëtar.
Për
kontributin në ruajtjen dhe promovimin e vlerave kulturore, Anjeza Ndoj është
vlerësuar me titullin "Qytetare Nderi" e Pukës - një dëshmi e lidhjes
së saj të fortë me vendlindjen dhe e respektit të fituar përmes artit.
Në
këtë intervistë ekskluzive për Zemra Shqiptare, Anjeza Ndoj rrëfen me
sinqeritet kujtimet e fëmijërisë, ndikimin e familjes — veçanërisht të babait
muzikant — si dhe fillimet në rrugën e këngës e emocionet e skenës. Ajo flet për
lidhjen e veçantë me Fushë-Arrëzin e Pukën, për këngën "Vendet e
mia", si dhe për rrugëtimin e saj muzikor mes traditës, familjes dhe
diasporës.
Gjithashtu,
ajo ndan mendimet e saj mbi sfidat e muzikës në kohët moderne, rolin e artistëve
në ruajtjen e trashëgimisë folklorike dhe përgjegjësinë ndaj brezave të rinj,
duke theksuar se kënga, gjuha dhe traditat tona janë një pasuri që duhet
ruajtur dhe përcjellë me dashuri.
GM: Anjeza, sot jeni një
këngëtare shumë e dashur në mbarë trevat shqiptare, por le të kthehemi pak pas
në kohë, tek Anjeza e vogël. Çfarë kujtimesh ruani me më shumë mall nga
fëmijëria juaj?

Nga
fëmijëria ime, si besoj edhe brezi im në përgjithësi, ruaj kujtime shumë të
çmuara. Kemi pasur fatin të shijojmë natyrën, pafajësinë, lirinë dhe dashurinë
për njëri-tjetrin. Ishte një kohë kur lumturia gjendej te gjërat më të
thjeshta.
Megjithatë,
nëse do të veçoja një kujtim të veçantë, do të ishin mbrëmjet kur babai im i
binte fizarmonikës dhe unë këndoja pranë tij. Ato çaste mbeten ndër kujtimet më
të bukura të jetës sime dhe, ndoshta pa e kuptuar atëherë, aty lindi edhe
dashuria ime për muzikën.
Nuk
kishim rrjete sociale apo teknologjinë e sotme, por kishim kënaqësi, afërsi dhe
ngrohtësi familjare që, për fat të keq, nuk përsëriten më.
GM: Si lindi pasioni
juaj për muzikën? A ishte një shkëndijë e momentit, apo diçka që nisi të rritej
gradualisht bashkë me ju gjatë fëmijërisë?
AN:
Pasioni për muzikën lindi bashkë me mua. Në familjen tonë muzika ishte
gjithmonë e pranishme. Babai na argëtonte shpesh duke i rënë fizarmonikës dhe,
pa e kuptuar, muzika na injektohej në damarë.
Edhe
familjarët e mi kanë qenë të lidhur me muzikën. Vëllai im më i vogël ka një zë
të mrekullueshëm, ndërsa mami më këndonte gjithmonë kur isha e vogël. Ajo ka
një zë brilant dhe unë vazhdoj të shpresoj që një ditë ta kem pranë në një
duet. Do të ishte një nga emocionet më të bukura për mua.
Ja
pra, kështu lindi dhe u rrit pasioni im për muzikën – natyrshëm, mes tingujve,
dashurisë dhe atmosferës së ngrohtë familjare.
GM: Cilat janë disa nga
kujtimet më të bukura që lidhen me këngët e fëmijërisë suaj dhe a ka ndonjë
këngëtar që ka ndikuar veçanërisht në formimin tuaj?
AN:
Kur isha e vogël, dëgjonim shumë radio. Gjyshja ime kishte një dashuri të
veçantë për muzikën popullore dhe shpesh e dëgjonim bashkë. Unë i përvetësoja
pothuajse të gjitha këngët, duke i regjistruar në kujtesën time, aq sa shumë
prej tyre i mbaj mend edhe sot.
Jam
rritur me ato melodi dhe me ata interpretues, ndaj i kam shumë për zemër. Besoj
se pikërisht muzika popullore, me pasurinë dhe shpirtin e saj, ka ndikuar në
formimin tim artistik dhe më ka dhënë një ndjeshmëri të veçantë për këngën
shqiptare.
GM: Duke kujtuar
Fushë-Arrëzin dhe aktivizimin tuaj në grupet artistike-kulturore për fëmijë,
çfarë roli luajtën ato fillime në marrëdhënien tuaj të parë me skenën dhe
publikun?
AN:
Ato fillime kanë luajtur një rol shumë të rëndësishëm në rrugëtimin tim
artistik. Më ndihmuan të largoja emocionet e para që të jep skena, të krijoja
një lidhje të natyrshme me publikun dhe të ndihesha e sigurt përballë tij.
Që
në atë moshë kuptova se energjia dhe dashuria që të fal publiku janë magjike. Është
një ndjenjë që nuk përshkruhet lehtë me fjalë dhe që vazhdon të më shoqërojë
edhe sot, sa herë ngjitem në skenë.
GM: Si e mbani mend
Tiranën dhe jetën studentore në atë periudhë kur sapo kishit nisur të bëheshit
një emër i njohur në skenën muzikore?
AN:
Në Tiranë kam ardhur që në moshën 13-vjeçare. Këtu vazhdova studimet në
shkollën e mesme dhe më pas ato të larta. Edhe pse muzika ishte gjithmonë pjesë
e jetës sime, kënga nisi të merrte formë më seriozisht mes shoqërisë.
Mblidheshim
pothuajse çdo mbrëmje dhe këndonim bashkë. Ishin çaste të bukura, plot
entuziazëm dhe pasion. Me mua ishin edhe dy vajza, baballarët e të cilave ishin
muzikantë, por ato zgjodhën të mos e vazhdonin më tej këtë rrugë. Për mua,
përkundrazi, ajo dashuri për këngën vetëm sa u rrit dhe u bë pjesë e pandashme
e jetës sime.
GM: Kur e ndjetë për
herë të parë se po bëheshit një emër i njohur në skenën muzikore shqiptare dhe
cili ishte suksesi juaj i parë?

Më
pas u bashkova me grupin Aurora, që në atë kohë ishte një ndër grupet më të
suksesshme. Aty realizuam edhe klipin tonë të parë me katër vajza: Anjeza Ndoj,
Aurora Ndoj, Dafina Koçi (ndjesë pastë, pasi është ndarë nga jeta) dhe Artushi.
Ai klip pati një sukses të madh.
Më
pas pasuan këngë dhe klipe të tjera, të cilat, për fatin tim, u pritën shumë
mirë nga publiku. Sidomos kënga "Vendet e mia" është ylli i suksesit
të karrierës sime. Ajo këngë mbetet dashuria ime më e madhe.
GM: Sa ka ndikuar
atmosfera kulturore e vendlindjes në formësimin e identitetit tuaj muzikor dhe
a ka diçka që keni marrë nga Fushë-Arrëzi që ju shoqëron gjithmonë?
AN:
Atmosfera e vendlindjes ka pasur një ndikim shumë të madh dhe frymëzues tek
unë. Pikërisht aty lindi dashuria ime e parë për këngën dhe aty u ushqye
pasioni që edhe sot e kam të injektuar në shpirt.
Fushë-Arrëzi
më ka dhuruar kujtimet më të bukura, ndjeshmërinë për muzikën dhe atë lidhje të
veçantë me këngën, e cila do të më shoqërojë përgjithmonë.
GM: Ju keni pasur fatin
të keni një baba muzikant. Cila është këshilla më e vlefshme që ai ju ka dhënë?
AN:
Këshilla më e vlefshme që më ka dhënë babai im ka qenë: "Bëhu vetvetja, mos kopjo zëra dhe stile të
të tjerëve, por krijo artisten Anjeza."
Kjo
këshillë më ka shoqëruar gjithmonë gjatë rrugëtimit tim artistik, sepse më ka
mësuar se një këngëtar duhet të ketë identitetin e tij dhe të sjellë diçka të
veçantë për publikun.
GM: Cila është kënga
juaj e parë e incizuar dhe si e përjetuat hapin e parë drejt profesionalizmit?
AN:
Këngët e para të incizuara kanë qenë pjesë e një albumi live me produksionin
Albanota në Zvicër. Ai album pati një super sukses.
Albumi
u realizua live, me muzikantë në restorantin ku punonim dhe, për mua, ishte një
përvojë shumë e rëndësishme. Më frymëzoi shumë dhe më bëri të kuptoj edhe më
tepër përgjegjësinë që ka një artist për të dhënë më të mirën e tij dhe për të
punuar gjithmonë me profesionalizëm.
GM: Ju keni një
aktivitet shumë intensiv, si në skenat e koncerteve ashtu edhe në gëzimet e
shumta familjare; çfarë emocionesh ju fal ky kontakt i drejtpërdrejtë me publikun
dhe çfarë e bën këtë përvojë kaq të veçantë për ju si artiste?

Kënaqësia
më e madhe për mua është kur shoh njerëzit të buzëqeshin dhe të shijojnë
atmosferën që krijojmë së bashku. Por, ndoshta momenti më i bukur është kur
ulemi në sofër dhe këndojmë këngë tradicionale. Aty ndihet shpirti i vërtetë i
muzikës dhe i gëzimit. S’ka më bukur.
GM: Ju keni përfunduar
studimet e larta në psikologji, ndaj lind pyetja: çfarë ju tërhoqi drejt kësaj
fushe dhe a keni pasur ndonjë moment dyshimi mes profesionit të psikologes dhe
karrierës si artiste?
AN:
Siç e kam thënë edhe më parë, muzika është pasioni im i përjetshëm. Por, të
jesh e formuar dhe e arsimuar ka qenë një nga qëllimet e mia që në fëmijëri.
Gjithmonë kam besuar se arsimi dhe dija janë pjesë shumë e rëndësishme e
formimit të një njeriu.
Studimet
në psikologji më kanë ndihmuar shumë dhe kanë ndikuar në formimin tim personal
e profesional. Për një artiste, të kesh një formim të tillë është një plus i
madh, sepse të ndihmon të kuptosh më mirë njerëzit, emocionet dhe botën që të
rrethon.
GM: Temat e dashurisë,
vendlindjes dhe krenarisë kombëtare janë shtyllat e repertorit tuaj. Cilat nga
këngët tuaja ju prekin më shumë personalisht kur i interpretuar?
AN:
Siç e thatë edhe ju, kam këngë me tema të ndryshme, por këngët që lidhen me
vendlindjen dhe traditën mbeten gjithmonë dashuri të pastra për mua. Ato kanë
një lidhje të veçantë me shpirtin tim, sepse aty janë kujtimet, rrënjët dhe
emocionet që më kanë shoqëruar që në fillim të rrugëtimit tim.
Kur
i interpretoj këto këngë, ndjej një afërsi të veçantë, sepse nuk janë thjesht
këngë, por janë pjesë e identitetit tim.
GM: Në një epokë ku
muzika popullore po modernizohet me ritme komerciale, sa e vështirë është të
mbetesh besnike ndaj stilit autentik të muzikes popullore dhe folklorit të
pastër?
AN:
Për sa kohë që publiku i do këngët e bukura të traditës, nuk është aspak e
vështirë të mbetesh besnike ndaj tyre. Muzika popullore dhe folklori kanë një
vlerë të veçantë, sepse mbartin historinë, shpirtin dhe identitetin tonë.
Megjithatë,
edhe modernizimi është i bukur dhe i domosdoshëm. Brezat e rinj kanë nevojë t’i
njohin këto këngë edhe në një version që përshtatet me kohën moderne, në mënyrë
që tradita të vazhdojë të jetojë dhe të përcillet më tej.
GM: Për ne shqiptarët,
Amerika është një mike e madhe e kombit tonë. Si ishin fillimet tuaja në
Miçigan dhe çfarë përfaqëson Amerika për ju?

Natën
e parë që kam ardhur në Amerikë kam performuar në një koncert me rreth 1000
veta, pikërisht në natën e Vitit të Ri. Ajo pritje dhe ajo dashuri që mora nga
publiku më dhanë një mbështetje të madhe dhe më bënë të ndihesha se Amerika më
mori me të mirë që në fillim.
Sot
Amerika për mua është streha e familjes sime, vendi që më jep siguri dhe ku po
rris fëmijët e mi. Është bërë një pjesë shumë e rëndësishme e jetës sime dhe
një vend ku kam ndërtuar kujtime e një kapitull të ri të jetës.
GM: Përtej anës argëtuese,
cili është mesazhi që përpiqeni të përcillni përmes këngës suaj?
AN:
Të duash vendin ku ke lindur, të mos harrosh kurrë nga vjen dhe të kujtosh
gjithmonë se ku janë rrënjët e tua. Ky është një nga mesazhet më të rëndësishme
që përpiqem të përcjell përmes këngës sime.
Besoj
se njeriu mund të ecë përpara, të krijojë dhe të ndërtojë jetën e tij kudo që
të jetë, por lidhja me vendlindjen, traditën dhe rrënjët mbetet gjithmonë e
shenjtë.

GM: Interpretimi juaj i
mrekullueshëm i këngës 'Vendet e mia' e ka kthyer atë në një himn për
vendlindjen tuaj. Teksa ajo 'fluturon' nga Fushë-Arrëzi në Berishë, nga Ukthi
në Koman, duke përshkruar gjithë qiellin e kaltër pukjan, mund të na tregoni
pak nga prapaskena: si lindi kjo këngë dhe çfarë emocionesh ju zgjon sa herë e
këndoni?
AN:
Kënga "Vendet e mia", siç e thashë edhe më parë, është dashuria ime
më e madhe. Ajo lindi nga dashuria për vendlindjen dhe nga vlerat e
jashtëzakonshme që ka Puka.
Shumë
këngëtarë kishin bërë këngë për vendlindjet e tyre, por Puka ende nuk e kishte
një këngë që ta përfaqësonte denjësisht. Asnjë këngëtar nuk ishte kujtuar për
Pukën në atë mënyrë, që nga koha e festivaleve folklorike, dhe jam shumë e
lumtur që pata mundësinë ta realizoja këtë këngë.
Ideja
ishte e imja që të përmendja çdo vend, sepse çdo cep i Pukës është një thesar,
një diamant më vete. Doja që përmes këngës të sillja sa më shumë nga bukuritë,
historinë dhe shpirtin e kësaj treve.
Më
pas, penda e artë e Gjovalin Dushajt i dha një tjetër dimension këngës dhe ajo
u bë një super hit. Pas "Vendeve të mia" pasuan edhe këngë të tjera
për Pukën dhe, falë Zotit, edhe këngëtarë të tjerë e panë se çfarë magjie ka
kjo trevë dhe filluan t’i kushtonin këngë.
Kjo
këngë më jep një emocion të veçantë. E ndjej me shpirt sa herë e këndoj dhe sa
herë e dëgjoj, sepse për mua nuk është thjesht një këngë, por është një pjesë e
zemrës sime.
GM: Sot, kur muzika po
ndryshon me hapa kaq të shpejtë, a mendoni se ekziston rreziku që tradita e
këngës popullore veriore të zbehet, dhe cili besoni se është roli i artistëve
si ju në ruajtjen e këtij thesari deri diku të paprekur?
AN:
Kënga e traditës, jam e sigurt, do të vazhdojë të jetojë sado të ndryshojë dhe
të emancipohet shoqëria. Ajo është pjesë e ADN-së sonë, është diçka që e kemi
brenda vetes dhe që nuk mund ta harrojmë.
Sigurisht,
këngëtarët kanë një rol shumë të madh në këtë drejtim. Ne kemi një përgjegjësi
të rëndësishme për ta ruajtur, për ta interpretuar me dashuri dhe për t’ua
përcjellë brezave të rinj këto vlera të çmuara të kulturës sonë.
GM: Ju keni shkruar
poezi dhe tregime të shkurtra gjatë periudhës së studimeve. Sa e pranishme
mbetet letërsia në jetën tuaj sot dhe cilët janë shkrimtarët tuaj të preferuar?
AN:
Kam shkruar dhe jam aktivizuar në revistat e kohës, madje kam fituar edhe çmime
për krijimet e mia. Poezia mbetet një tjetër pasion i shpirtit tim dhe një
mënyrë e veçantë për të shprehur emocionet dhe mendimet.
Madje,
e kam ëndërr që një ditë të botoj një përmbledhje me krijimet e mia. Thjesht
ende nuk jam bërë mbarë, por besoj se do ta realizoj këtë dëshirë.
Sa
u përket shkrimtarëve të mi të preferuar, në letërsinë shqiptare do të veçoja
At Gjergj Fishtën, Migjenin, Lasgush Poradecin, Ismail Kadarenë dhe Dritëro
Agollin. Ndër autorët e huaj më kanë pëlqyer dhe më kanë frymëzuar Shekspiri,
Tolstoi, Viktor Hygo, Dikensi, Omar Khajami etj.

GM: Ju mbani titullin
"Qytetare Nderi" e Pukës. Çfarë peshe dhe përgjegjësie ka ky titull
për ju si artiste që përfaqëson atë trevë?
AN:
Është një vlerësim i madh, është dashuria e vendit tënd që të frymëzon dhe të
bën edhe më të përgjegjshme.
Ky
titull më jep një detyrim moral për të ruajtur me fanatizëm vlerat e folkut
tonë dhe për të mos u ndalur në përçimin e traditave, kulturës dhe vlerave që
kemi si komunitet. Është një nder, por njëkohësisht edhe një përgjegjësi për të
vazhduar ta përfaqësoj me dashuri vendin tim.
GM: Muzika juaj ka
rrënjë të thella në traditën e Veriut. Çfarë mendoni se e bën këngën veriore
kaq të veçantë dhe të dashur për shqiptarët kudo, pavarësisht krahinës?
AN:
Kënga e Veriut ka jehonë, ka karakter, ka alegri dhe krijon atmosferë. Kjo
është e veçanta e saj. Ajo nuk është vetëm muzikë, por mbart shpirtin,
emocionin, historinë dhe traditat e një treve të tërë.
Me
këto këngë jemi rritur që bebe. Ato janë pjesë e jona, janë në damarët tanë dhe
ushqejnë shpirtin, dashurinë dhe pasionin për t’i ruajtur e për t’ua përcjellë
brezave të tjerë. Pikërisht kjo lidhje e fortë me rrënjët është ajo që i bën
këto këngë të bashkojnë të gjithë shqiptarët.
GM: Si do ta
përkufizonit sot profesionin e këngëtarit dhe çfarë do të thotë për ju të jeni
artiste në këtë fushë?
AN:
Këngëtari është një artist që përcjell emocione, mesazhe dhe vlera artistike
tek publiku. Përmes këngës, një artist ka mundësinë të prekë zemrat e njerëzve
dhe të lërë diçka të bukur pas vetes.
Të
jesh artiste në këtë fushë është vërtet bukur, sidomos kur vlerësohesh dhe kur
ndjen dashurinë e publikut. Ky është shpërblimi më i madh për çdo artist.
GM: Karriera juaj
numëron shumë bashkëpunime të suksesshme me emra të rëndësishëm të muzikës
sonë. Cilat nga këto projekte i vlerësoni si më të veçantat?
AN:
Të gjitha bashkëpunimet e mia i vlerësoj, sepse secili prej tyre ka vlerën dhe
historinë e vet. Çdo bashkëpunim ka sjellë një emocion të veçantë dhe është
pritur bukur nga publiku.
Për
mua, çdo artist me të cilin kam ndarë një projekt ka lënë diçka të veçantë në
rrugëtimin tim muzikor.
GM: Jeta e një artisteje
është e mbushur me udhëtime, netë të vona dhe angazhime intensive. Si ia dilni
të krijoni një "ishull" qetësie për familjen tuaj dhe të ruani atë
ekuilibër delikat mes dritave të skenës dhe jetës private?
AN:
Fati im më i madh është që kam pasur gjithmonë mbështetjen e familjes. Familja
ime është oazi im i qetësisë, forca dhe frymëzimi më i madh.
Pavarësisht
angazhimeve, udhëtimeve dhe ritmit të jetës artistike, është pikërisht familja
ajo ku gjej qetësinë dhe energjinë për të vazhduar përpara. Zot, faleminderit
për këtë bekim.
GM: Muzika kërkon shumë
energji - ku e rigjeni ju atë dhe cili është pasioni që ju ndihmon të shkëputeni
nga rutina?
AN:
Më mjafton një gjumë i mirë dhe një përqafim i fëmijëve të mi që të rigjej
energjinë dhe forcën. Ato janë burimi im më i madh i motivimit dhe më japin
gjithmonë një ndjesi të veçantë qetësie dhe lumturie.
Një
tjetër pasion imi është edhe gatimi, i cili më ndihmon të shkëputem nga rutina
dhe të kaloj momente të bukura larg angazhimeve të përditshme.
GM: Përtej trendeve të
momentit, cilët janë ata artistë të muzikës sonë që ju i shihni si pasuri
kombëtare dhe që ju kanë frymëzuar në rrugëtimin tuaj?
AN:
Vlerësoj të gjithë ata artistë që kanë lënë gjurmë dhe kanë krijuar një vend të
veçantë në muzikën dhe folklorin tonë. Secili prej tyre ka sjellë diçka të
çmuar dhe ka kontribuar në pasurimin e trashëgimisë sonë muzikore.
Për
mua, të gjithë këta artistë janë frymëzim, sepse përmes punës dhe pasionit të
tyre kanë ruajtur dhe përcjellë vlerat e këngës shqiptare.
GM: Nëse do të bënit një
"radiografi" të skenës sonë muzikore, çfarë ju pëlqen më shumë te kjo
epokë e re dhe çfarë ju shqetëson në rrugëtimin që po ndjek muzika sot?

Ajo
që më shqetëson është vulgarizmi në disa prurje muzikore, përdorimi i fjalëve
dhe teksteve jo të përshtatshme, pa një mesazh të vërtetë artistik. Gjithashtu,
më duket shqetësuese edhe kalimi nga vlerësimi i këngës si art, tek përqendrimi
më shumë te pamja dhe imazhi.
Për
mua, kënga duhet të mbetet gjithmonë emocion, mesazh dhe vlerë artistike.
GM: Cilat kanë qenë
momentet më të veçanta dhe më të bukura në rrugëtimin tuaj profesional deri
tani?
AN:
Ka shumë momente të bukura në rrugëtimin tim dhe është e vështirë të veçoj
vetëm disa prej tyre, sepse secili ka emocionin dhe kujtimin e vet.
Por,
ato që më prekin më shumë janë ditëlindjet dhe pagëzimet e fëmijëve. Nuk e di,
kanë një emocion të veçantë, sepse në ato momente këndon për jetën, për
dashurinë më të madhe në botë dhe për gëzime që mbeten gjatë në zemër.

GM: Çfarë ju mungon më
shumë nga Fushë-Arrëzi dhe Puka në përgjithësi? Le të shërbejë kjo ‘mungesë’ si
një ftesë e hapur për të gjithë ata që ende nuk e kanë vizituar këtë krahinë
mahnitëse, me natyrë përrallore dhe njerëz të qetë e të mirë.
AN:
Më mungon shumë natyra e mrekullueshme e Pukës, uji kristal, ajri i pastër dhe
ajo qetësi që vetëm ai vend di ta ofrojë. Më mungon dashamirësia e pukjanëve,
ngrohtësia dhe mikpritja e tyre, ajo ndjenjë e veçantë që të bën të ndihesh
gjithmonë si në shtëpinë tënde.
Më
mungojnë edhe gatimet tradicionale, shijet e fëmijërisë dhe ato momente të
bukura që lidhen me kujtimet e mia në atë trevë. Puka ka diçka të veçantë, një
bukuri dhe një shpirt që vështirë të përshkruhen vetëm me fjalë.
Natyra,
njerëzit dhe traditat e saj janë pasuri që duhen njohur e vlerësuar. Kushdo që
ende nuk e ka vizituar Pukën, do ta ftoja ta zbulojë këtë krahinë të
mrekullueshme, sepse aty gjen jo vetëm bukuri natyrore, por edhe zemrën e
njerëzve të saj.
GM: Muzika është një
proces që nuk ndalet kurrë. A ka trokitur frymëzimi për ndonjë projekt të ri
kohët e fundit dhe çfarë mund të na zbuloni rreth tij?
AN:
Kam shumë projekte që pres t’i realizoj dhe secili prej tyre ka emocionin dhe
bukurinë e vet. Muzika është një rrugëtim që nuk ndalet kurrë dhe gjithmonë ka
ide e frymëzime të reja që presin të marrin jetë.
Për
momentin dua t’i lë disa gjëra surprizë për publikun. Shpresoj që shumë shpejt
t’i ndaj me ta dhe të sjell këngë që do të priten me të njëjtën dashuri dhe
mbështetje si gjithmonë.
GM: Cili është mesazhi
juaj për të rinjtë që duan të ndjekin rrugën e muzikës - një rrugë sa e bukur,
aq edhe sfiduese?
AN:
Këndoni me shpirt, këndoni bukur dhe gjithmonë përpiquni të sillni mesazhe dhe
vlera artistike. Muzika nuk është vetëm zë dhe interpretim, por është emocion,
përkushtim dhe përgjegjësi ndaj publikut.
Besoj
se një artist duhet të punojë shumë, të ruajë identitetin e tij dhe të sjellë
diçka të veçantë, sepse vetëm kështu mund të lërë gjurmë në zemrat e njerëzve.
GM: Për ta përmbyllur,
duke ju falënderuar për kohën që ndatë me ne, cili është mesazhi që do të
dëshironit t’u përcillnit shqiptarëve, e veçanërisht atyre në mërgatë?
AN:
Këndoni shqip, dëgjoni shqip dhe festoni shqip. Jemi një popull me vlera dhe me
një trashëgimi shumë të veçantë, që duhet ta ruajmë me dashuri.
Është
detyrë e jona që t’ua përcjellim brezave të ardhshëm ato vlera dhe tradita që
të parët tanë na i lanë amanet. Gjuha, kënga, kultura dhe rrënjët tona janë
pasuria më e madhe që kemi.
Ju
dua shumë.





