Frank Shkreli: Maj 1919 – Një ambasador amerikan mbrojtës i të drejtave të shqiptarëve në Konferencën e Paqes në Paris
MAJ, 1919 - NJË AMBASADOR AMERIKAN MBROJTËS I TË DREJTAVE TË SHQIPTARËVE NË KONFERENCËN E PAQËS NË PARIS
(Në
kuadër të 250-vjetorit të Shteteve të Bashkuara)

Në Maj të vitit 1919, në sallat ku
vendosej fati i kombeve pas Luftës së (I) Botërore, një zë i arsyes u ngrit në
mbrojtje të Shqipërisë dhe të shqiptarëve nën Malin e Zi. Ai ishte Kolonel
Sherman Miles, i dërguar i posaçëm ushtarak amerikan në Ballkan. Në memorandume
drejtuar Komisionit Amerikan në Konferencën e Paqës në Paris dhe Sekretarit të
Përgjithshëm të Komisionit Negociues të Paqës ka paraqitur me shkkrim një
analizë të kthjellët dhe të guximshme mbi realitetin e vështirë të shqiptarëve
në Ballkan fillim shekullin e kaluar.
Pretendimet e fqinjëve synonin ndarjen
e territoreve shqiptare, duke shpërfillur kështu realitetin etnik dhe vullnetin
e popullsisë shqiptare në trojet shekullore iliro-arbërore. Ishte një kohë kur
Shqipëria rrezikonte të zhdukej si shtet nga harta politike e Evropës. Zyrtari
ushtarak amerikan në Ballkan, Sherman Miles pas vizitave të tija në rajon -- me
memorandumet e tija mbi gjendjen në terren-- drejtuar Konferencës së Paqës në
Paris në maj të 1919, ka hedhur poshtë pretendimet territoriale të fqinjëve të
Shqipërisë ndaj trojeve shqiptare, me një argument të thjeshtë, por të
pakundërshtueshëm: realiteti etnik në terren nuk mund të injorohej nga
Konfrenca e Parisit. Në këtë kontekst, shtetet fqinje të Shqipërisë – Serbia,
Greqia dhe Italia – paraqitën pretendime territoriale që synonin ndarjen e
trojeve shqiptare midis tyre. Përballë këtyre planeve, ushtaraku amerikan Miles
paraqiti një analizë të thellë dhe të argumentuar mbi realitetin etnik dhe
politik të shqiptarëve në rajon. Thelbi i argumentit të tij ishte i qartë:
shumë nga territoret shqiptare të pretenduara nga fqinjët ishin të banuara
në shumicë nga shqiptarët autoktonë.
"Shumica e popullsisë në këto
rajone është shqiptare dhe nuk mund të trajtohet si një pakicë e shpërfillshme
në vendimet territoriale", shkruante ai. Ky konstatim i atasheut ushtarak
amerikan Miles, i mbështetur në të dhëna konkrete të terrenit, vinte në
pikëpyetje planet e fuqive të mëdha evropiane të asaj kohe për ndarjen e
Shqipërisë midis shteteve fqinje. Për përfaqsuesin amerikan, Sherman Miles
drejtësia nuk ishte një nocion abstrakt diplomatik, por një detyrim që buronte
nga vetë faktet, siç i kishte vërejtur ai ato në në vizitat e tija në rajonin e
Ballkanit.
Koloneli Miles paralajmëroi gjithashtu
për pasojat e rënda të një vendimi të padrejtë nga evropianët për copëtimin e
trojeve shqiptare, në favor të armiqëve shekullorë të Kombit shqiptar. Ishte
një parashikim profetik, po të kemi parasysh konfliktet dhe luftërat në
ish-Jugosllavi, fund shekullin e kaluar: "Çdo zgjidhje që nuk merr
parasysh karakterin kombëtar të popullsisë do të mbjellë farat e konflikteve të
ardhshme në Ballkan." Këto fjalë tingëllojnë aq profetike edhe sot.
Historia e shekullit XX në Ballkan ka treguar se kufijtë e imponuar pa
respektuar përbërjen etnike dhe vullnetin e popujve autoktonë, shpesh janë bërë
burim tensioni dhe konfliktesh, pa mbarim. Memorandumi i përfaqsuesit amerikan
në Ballkan, Sherman Miles, paraqitur Konferencës së Paqës në Paris (Maj, 1919)
ishte në përputhje të plotë me vizionin e Presidentit amerikan Woodrow Wilson,
i cili kishte shpallur parimin e vetëvendosjes së popujve, si themel të rendit
të ri botëror. Në këtë kuptim, mbrojtja e territorit të Shqipërisë dhe
shqiptarëve nuk ishte thjesht një çështje rajonale, por një provë për
besueshmërinë e këtij parimi të Shteteve të Bashkuara në fillim të shekullit
XX.
Në thelb, dokumentet e atasheut
ushtarak amerikan në Ballkan, paraqitur Konferencës së Paqës në Paris, përbënin
një thirrje drejtuar ndërgjegjese së diplomacisë ndërkombëtare të asaj kohe, që
të vendoste drejtësinë, mbi interesat afatshkurtra të fuqive të mëdha
evropiane. Por edhe ndonëse, jo vendimtar i vetëm në këto përpjekje, me
përvojën e tij në terren, Koloneli amerikan Miles me memorandumet e tija,
ndikoi në krijimin e një klime më të favorshme, të pakën, për ruajtjen e
kufijve të shtetit shqiptar nga ndarje të mëtejshme të tokave shqiptare.
Në një kohë kur vendimet merreshin bazuar në interesat e fuqive të mëdha,
Memorandumi i ambasadorit amerikan Sherman Miles përfaqësonte një përpjekje
serioze amerikane për të vendosur drejtësinë dhe faktet mbi politikën e forcës.
Sot, kur rikthehemi te këto dokumente, na kujton se historia nuk është vetëm
produkt i fuqisë, por edhe i argumentit dhe arsyes. Në një epokë kur Shqipëria
ishte e pambrojtur, një memorandum i shkruar me ndershmëri intelektuale nga një
zyrtar i lartë amerikan, u bë pjesë e mbrojtjes së saj. Dhe ndoshta ky është
mësimi më i madh: se edhe në tryezat ku zakonisht dominojnë interesat e
shteteve më të forta, e vërteta – kur artikulohet qartë dhe me guxim – mund të
bëhet forcë për mirë. Lidhur me Shqipërinë e asja kohe, Kolonel
Miles përshkroi, shkurtimisht, formën e saj fisnore të qeverisjes dhe
vështirësitë e mëdha që kishte për të qenë në gjendje të ruante rendin brenda
kufijve të saj, përveç nëse do të merrte mbrojtjen ose ndihmën e ndonjë fuqie
të madhe të jashtme. Ai mendonte se Shqipëria duhej të ishte një shtet i
pavarur, por të ishte nën mandatin e Anglisë ose të Shteteve të Bashkuara.
Sot, më shumë se një shekull më vonë,
memorandumet e Sherman Miles mbeten bazë dhe një dëshmi historike e rëndësishme
në vazhdimësinë e politikës amerikane në mbrojtje të çështjes shqiptare nga
Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Dëshmia e kolonelit Miles tregon se edhe në
momentet më të vështira, zëra të arsyes dhe drejtësisë nga përfaqsues të
Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Washington dhe në terren, kanë ekzistuar
ç'prej atëherë dhe kanë ndikuar, në vazhdimësi dhe pozitivisht, në rrjedhën e
historisë së Kombit shqiptar dhe mbështetjen e të drejtave të shqiptarëve nga
Shtetet e Bashkuara gjatë gjithë shekullit XX e deri në ditët e sotëme.

"Do të rekomandoja gjithashtu me fuqishëm që kufiri politik midis Malit të Zi dhe Shqipërisë të përcaktohet me kujdes, bazuar në praninë e kombësisë (shqiptare), duke e ndryshuar ku është e nevojshme, bazuar në parimet dhe arsyet që imponoinë konsideratat gjeografike në terren..." (Lieutenant Colonel Sherman Miles to the Secretary General of the Commission to Negotiate Peace (Grew) Report No. 23 -- Paris, May 19, 1919. Subject: Political conditions in Montenegro. Historical Documents - Office of the Historian











