Enver Bytyçi: Novi Sadi dhe Ohri rikthejnë Versajën, ndërkaq Edi Rama pro Jugosllavisë së Re!
Novi Sadi dhe Ohri rikthejnë Versajën, ndërkaq Edi Rama pro Jugosllavisë së Re!
Nga
Enver Bytyçi
Vuçiq
foli në telefon para tri ditësh me Edi Ramën dhe Zoran Zaevin. Temë i bisedës
ishte samiti i radhës për krijimin e asaj që quhet “Minishengeni Ballkanik”!
Ndërsa sot në mbrëmje do të bëhen bashkë në Ohër të tre minishengenistët
ballkanikë, të porositur nga Moska dhe filorusët evropianë. Pse mini e jo
ballkanik? Sepse vendet, të cilat janë përzgjedh ta themelojnë këtë lloj
Jugosllavie të Re, janë Serbia, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut. Janë
përjashtuar Kosova, Mali i Zi dhe Bosnjë-Hercegovina. A është kjo rastësi? Jo,
pavarësisht retorikës së Edi Ramës se “Minishengeni ballkanik është i hapur për
të gjitha vendet”! Kur e quaj këtë retorikë kam parasysh se Ramën nuk e
shqetëson fakti që Kosova izolohet vazhdimisht për shkak të destruktivitetit
serb dhe aleancës së kryeministrit shqiptar me këtë lloj destruktiviteti.
Sot
dy vëllezërit siamezë, Sandri i Beogradit dhe Edi i Tiranës, kanë udhëtuar
drejt Ohrit. Po ashtu gjysmë-vëllau i tyre, Zaev. Të tre këta do të vijojnë
bisedimet e Novi Sadit për formatimin e zonës gjysmë ballkanike me objektiva
dhe synime ruso-serbe. Ndër këto objektiva bën pjesë edhe strategjia serbe e
krijimit të një Jugosllavie të Re, pjesë e së cilës të ishte jo vetëm Kosova
ende e panjohur ndërkombëtarisht në OKB, por edhe Shqipëria e Edi Ramës.
Ndërkaq kryeqendra e kësaj Jugosllavie do të ishte sërishmi Beogradi.
Në
një fjalim të Enver Hoxhës në fund të Luftës së Dytë Botërore thuhet
shprehimisht: “Te Titua ne shifnim mikun e madh të popullit Shqiptar, në luftë
dhe në paqe, ashtu si shihnim në popujt e Jugosllavisë miqtë dhe vëllezërit e
popullit t’onë, me të cilët po shkonim krah për krah në luftën kundër fashizmit
dhe do të shkonim krah për krah në rindërtimin e vendeve t’ona”. Qëmtova këtë
dëshmi për të qartësuar dilemën, nëse Edi Rama sheh te njëjtën gjë te
Aleksandër Vuçiq dhe populli serb?! A po përsërit ai të njëjtën histori në
marrëdhëniet shqiptaro-serbe?! A dëshiron kryeministri i Shqipërisë që në
maskën e integrimit dhe kërkesës për fqinjësi të mirë të realizojë programin e
Partisë Komuniste dhe diktatorit Hoxha të periudhës 1941-1948?!
Edi
Rama dhe Aleksandër Vuçiq u bënë në vitin 2015-2016 nismëtarë të krijimit të
një zone Shengen në të gjithë Ballkanin Perendimor, të cilën Vuçiq e pati
emërtuar si Jugosllavia e Re me një ndryshim, minus Sllobenia e Kroacia dhe
plus Shqipëria. Më pas ata u morën me një projekt më specifik, atë të
ndryshimit të kufijve në Ballkan, duke nisur nga ndarja e Kosovës. Në të dy
këto iniciativa Vuçiq u mbështet fuqishëm nga Rama. Por të dyja ato iniciativa dështuan
me sukses. Pas kësaj gjatë takimit Vuçiq-Rama në Nju Jork gjatë Asamblesë së
Përgjithshme të OKB-së lindi ideja e “Minishengenit”, ide që josh në pamje të
parë, por në fakt fsheh përpjekjet e Beogradit e të Edi Ramës për ta shndërruar
rishtas Serbinë në vend lider në rajon.
Kjo
iniciativë erdhi në momentin kur Macron po rishkruante në stilin e Versajës një
projekt të ri për këto vende, ende jo anëtare të BE-së. Ky projekt u garanton
vendeve “kandidate” për ta krijuar Jugosllavinë e Re të Vuçiq dhe Ramës,
përkatësisht Serbisë, Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë, Malit të Zi dhe
Bosnjë-Hercegovinës, një status special në raportet me Bashkimin Europian, por
jo anëtarësimin e këtyre vendeve në Union. Macron përmend modelin norvegjez.
D.m.th një rajon “neutral” ose siç konsiderohej Jugosllavia e Titos, “të
paangazhuar”, por që do të duhej të ishte i hapur me Bashkimin Europian. Dhe më
tej, duket se projekti Macron parashikon një rajon me ndikim 50:50 për qind të
Perendimit dhe të Lindjes ruse.
Projekti
Macron rikthen në vëmendje vendimet e Versajës, kur me iniciativë të Francës u
krijua fillimisht Mbretëria Serbo-Kroate-Sllovene dhe më pas Jugosllavia e Parë
si dhe vendimet e Konfetencës së Jaltës, kur u konfirmua Jugosllavia e Dytë si
dhe prezenca me 50:50 për qind në të e Bashkimit Sovjektik dhe e Fuqive
Perendimore. Nuk ka asnjë dyshim se vendimet e Versajës dhe Jaltës ishin në
favor të Francës e të boshtit Paris-Moskë. Të tilla ishin ato vendime edhe
lidhur me Norvegjinë, për shkak të presionit rus.
Edi
Rama, ndonëse kundërshton votën e Macron kundër Shqipërisë, vihet në funksion
të projektit të tij, projekt i cili provokon gjeopolitikën e rajonit tonë.
Mini-shëngeni ballkanik ose Mini-Jugosllavia e Re janë iniciativa
antieuropiane, antiamerikane dhe për pasojë antishqiptare. Samiti i Ohrit dhe
çdo përpjekje tjetër për formatimin e këtij projekti duhen parë si opsion
antishqiptar në funksion të prezencës ruse dhe lidershipit serb në rajonin
tonë. Pikërisht këtë do të duhej ta evitonte qeveria e Tiranës. Por ajo është
investuar në të kundërtën, në krah të Serbisë dhe kundër interesave të
Shqipërisë e sidomos të Kosovës, shtetësisë dhe pavarësinë e saj.














