Eduard M. Dilo: Bardhi ynë i shenjtë – Një jetë virtyti, dashurie dhe dinjiteti

1h më parë


Bardhyl M . Dilo  (17-4-1954 — 28-4-2026)

Bardhi ynë i shenjtë – Një jetë virtyti, dashurie dhe dinjiteti

Nga Eduard M. Dilo

Ikën gjithkush nga kjo jetë kalimtare pa marrë me vete asgjë. Pas lë kujtime, dashuri, mall, lot dhe dhimbje në zemrat e atyre që e deshën dhe që i deshi.

Sot, në 40-ditshin e ndarjes nga jeta, kujtojmë me dhimbje, dashuri, respekt, mall dhe mirënjohje vëllanë tonë të shenjtë Bardhyl, një njeri me virtyte dhe cilësi të larta njerëzore.

Sipas Aristotelit, njeriu me virtyte ka të harmonizuar në qenien e vet virtytin intelektual dhe atë moral.

Këto dy dukuri ishin të mbrujtura në mënyrë ideale( në të mesmen e artë -na mëson Aristoteli) te vëllai ynë i shtrenjtë, te shenjtori ynë Bardhyl.

Prandaj ai dallonte kudo: në familje, në shkollë, në shoqëri, në punë dhe në krijimtari.

Ne qoftë se do shprehem me vlerësimin që i ka bërë familjes Dilo, poeti dhe studiuesi Agim Shehu, Bardhi është filizi i shëndetshëm i asaj peme gjigande që furtunat e kohës e përzhitën, por nuk mundën ta përkulnin.

Bardhi ishte fëmija i tretë ndër pesë fëmijët e Margarit Dilo dhe Viktoria (Xhamballo) Dilo.

Ndër pesë fëmijët, babai i tyre, Margariti – një njeri i paisur me kulturë të gjerë perëndimore, (kishte mbaruar Institutin Amerikan të Fullcit në Tiranë dhe Universitetin për Matematikë në Athine), vuri re se Bardhi kishte cilësi të veçanta në sjelljen e tij virtuoze dhe në karakterin e tij këmbëngulës për t'i përsosur këto virtue.

"Ky djalë", thoshte ai, "në kushte normale do të ngjiste maja dhe do t'i jepte shumë njerëzimit."

Por "rrufetë e kohës" nuk lejuan që lastari i shëndetshëm i pemës Dilo të zhvillohej. Shokët dhe shoqet e shkollës së mesme deshën që ta kishin pranë në auditorët e universitetit ..., por Bardhit i ishte mohuar kjo e drejtë.

Profesorët e tij shprehnin konsiderata të larta për ish-nxënësin e tyre të shquar, jo vetëm në mësime e sport, por edhe në fushën e artit e të studimeve. Ai pikturonte bukur dhe provonte të krijonte skulptura përmes gdhendjeve në gur.

Përherë i gatshëm për të ndihmuar të tjerët, fitoi respektin dhe dashurinë e të gjithë atyre që e njohën.

Pas përfundimit të shkollimit dhe specializimeve profesionale, punoi me përkushtim dhe profesionalizëm si kipist në Azotikun e Fierit, ku u vlerësua për korrektësinë dhe aftësitë e tij.

Më vonë, me ndryshimet politike që ndodhën në vendin tonë, mori së bashku me familjen rrugën e emigrimit dhe u vendos në Athinë. Edhe atje vazhdoi të dallohej për korrektësi, punë dhe dinjitet.

Jeta nuk qe e lehtë për të. Punoi me mish e me shpirt për familjen, duke sakrifikuar për gjithçka.

Ëndërrën që kishte në jetë për të vazhduar studimet e larta, e realizoi në fëmijët e Tij: Dy vajzat i studioi në Universitet dhe studime pasuniversitare.

Vitet e fundit u përball me probleme të rënda shëndetësore, por asnjëherë nuk u ankua, nuk u dekurajua dhe nuk u dorëzua. Me kurajë dhe shpresë përpiqej të jetonte çdo ditë, duke besuar se gjithçka do të përmirësohej.

Fjalët e tij të zakonshme ishin:

"Jam mirë, do të bëhem mirë."

Ai e donte jetën dhe dëshironte ta jetonte sa më gjatë.

Në këtë përballje të vështirë nuk ishte kurrë vetëm. Dy vëllezërit e mëdhenj iu gjendën pranë në çdo kohë, duke mos kursyer asgjë. Kujdesi, dashuria dhe përkushtimi ndaj tij nuk munguan asnjëherë.

Që kur ishim te vegjël, u rritëm në një mjedis familjar ku dashuria vëllazërore dhe dashuria për motrën ishte gjithmonë shtylla themelore. Kemi qenë gjithmonë shumë të lidhur. Ashtu u rritëm, ashtu u edukuam, ashtu na e lanë amanet prindërit tanë: të duam dhe të qëndrojmë pranë njëri-tjetrit në çdo rrethanë.

Babai na la herët, por u rritëm nën kujdesin e nënës, hallës dhe të afërmve tanë. Kaluam vështirësi, punuam që të vegjël për të siguruar jetesën, u ngjitëm maleve për të mbledhur bimë medicinale dhe mbijetuam me të ardhurat që siguronim prej tyre. Ndamë bashkë çdo hall e çdo gëzim.

Nuk u ndamë kurrë në vështirësi. Dhimbja e njërit ishte dhimbja e të gjithëve.

Bardhi ishte gjithmonë i pakursyer, i palodhur dhe i gatshëm të ndihmonte. Shquhej për shkathtësi, korrektësi, sinqeritet, ndershmëri dhe dashuri për njerëzit. Në dukje serioz, por me zemër të ngrohtë dhe humor të hollë, dinte të sillte buzëqeshje edhe në çastet më të vështira.

Më 28 prill 2026, vetëm pak ditë pasi kishte mbushur 72 vjeç, Bardhi mbylli sytë përgjithmonë në Athinë.

Vdekja e ndau nga ne, nga familja, të afërmit dhe shoqëria, Bardhin tonë të shtrenjtë. Ndarja e tij nga jeta ndodhi qetësisht, por la një boshllëk të madh në zemrat tona.

Trupi i tij prehet në Fier, ku kaloi pjesën më të madhe të jetës. Aty, më 1 maj 2026, iu dha lamtumira e fundit mes familjarëve, miqve dhe dashamirësve të shumtë që erdhën për ta nderuar dhe për të ndarë dhimbjen me ne.

Shpirti i tij, shpirti i Bardhit tonë, i Bardhit të të gjithë njerëzve të mirë, në formën e një engjëlli kujdeset për ne.

Nuk mund të lë pa përmendur dedikimin kushtuar atij:

BARDHIT

-

Ty,

Që jeta të dhuroi

Kurorën

Me gjemba shumë...

Krahë thyera Shqiponjë

Fluturove në furtunë.

-

Ma jep krahun, vëllai im,

Bashkë ngjitemi në male.

Ti,

Shenjt i zbritur në tokë,

O ikonë legjendare.

Lamtumirë, Bardhi ynë!

Dhimbja për ty do të pushojë vetëm kur të vijmë pranë teje.

Kanë kaluar 40 ditë, por mungesa e tij ndihet çdo ditë. Mëngjeset vijnë si më parë, por nuk janë më të njejtë . Bardhi ynë I shenjtë mungon në radhët tona. Është këputur një hallkë e zinxhirit të vëllazërisë.

Ne dhe motra kemi sot një vëlla më pak; kemi humbur një pjesë të zemrës sonë.

Sytë lotojnë sa herë kujtojmë ditët e fëmijërisë, jetesën në Sheper, në Fier, bisedat, punët, sakrificat dhe çastet e bukura që ndamë bashkë.

Kujtojmë dashurinë e tij për familjen, përkushtimin në punë dhe shpresën që nuk e humbi kurrë, edhe kur sëmundja e rëndonte çdo ditë.

Nga pema jonë me pesë lastarë Bardhi ynë i shenjtë u largua nga radhet tona, por kujtimi i tij do të mbetet përherë i gjallë.

Besojmë se atje ku prehet tani, Bardhi ka gjetur qetësinë dhe paqen që i munguan në vitet e fundit të jetës.

I dashur vëlla, mungesa jote është e madhe dhe dhimbja e ndarjes nuk shuhet. Por bashkë me dhimbjen jeton edhe mirënjohja që patëm fatin të të kishim mes nesh.

Do të kujtojmë gjithmonë mirësinë tënde, punën tënde, buzëqeshjen, humorin dhe dashurinë që na fale.

Përherë i paharruar do të mbetesh në zemrat tona.

Kujtimi i njerëzve të dashur jeton përmes dashurisë, respektit dhe fjalëve që u kushtojmë. Bardhi ynë ka lënë pas jo vetëm mall e dhimbje, por edhe një trashëgimi mirësie, dinjiteti, dashurie prindërore dhe vëllazërore.

Pushofsh në paqe, Bardhi ynë i dashur.

Dritë pastë shpirti yt në përjetësi.