Don Anton Uka: Kriza e bashkëjetesës mes Gjergjit dhe Bajramit

Gjergji apo Bajrami?
Kriza e bashkëjetesës mes Gjergjit dhe Bajramit
Nga
Don Anton UKA
Nuk
është problemi te Bajrami.
As
te besimi i shqiptarëve.
As
te myslimanët shqiptarë, të cilët janë pjesë e pandashme e kombit tonë.
Problemi
fillon atëherë kur një simbol fetar përdoret me vetëdije si instrument
psikologjik për ta nënshtruar simbolin dhe identitetin kombëtar. Dhe pikërisht
këtu qëndron tendenca provokuese e vendosjes së pankartës mbi bustin e Gjergj
Kastriotit në Prizren.
Psikologjia
e këtij veprimi është e qartë: nuk synon urimin, por dominimin simbolik. Nuk
synon harmoninë, por testimin e kufijve të durimit kombëtar. Sepse askush nuk
vendos rastësisht një mbulesë pikërisht mbi fytyrën e figurës më emblematike të
historisë shqiptare - aq më pak një institucion zyrtar që duhet të ketë
përgjegjësi dhe vetëdije për peshën simbolike të veprimeve të tij.
Në
filozofinë e kombeve, heronjtë kombëtarë janë themeli i identitetit kolektiv,
ndërsa fetë janë çështje të ndërgjegjes personale dhe shpirtërore. Shqiptarët
kanë bashkëjetuar për shekuj me fe të ndryshme pikërisht sepse mbi të gjitha
kanë vendosur kombin dhe shqiptarinë.
Gjergj
Kastrioti nuk është thjesht figurë historike. Ai është simbol i ekzistencës
shqiptare. Është simbol i rezistencës, identitetit dhe mbijetesës sonë
historike. Edhe pse i qëndroi besnik fesë që e formësoi shpirtërisht dhe
kulturorisht, ai nuk luftoi kundër shqiptarëve të besimeve të tjera, por për
mbijetesën dhe lirinë e kombit të tij.
Pa
Gjergj Kastriotin dhe frymën që ai përfaqëson, historia e shqiptarëve do të
kishte marrë tjetër drejtim; dhe ndoshta sot nuk do ta kishim as lirinë, as
vetëdijen kombëtare, për të shkruar shqip edhe urimin më të thjeshtë: “Urime
Bajramin”.
Prandaj
shtrohet pyetja thelbësore: Çfarë është më e domosdoshme për shqiptarët si komb
- një festë fetare që vjen e kalon çdo vit, apo figura historike që përfaqëson
vetë qenien tonë kombëtare?
Bajrami
respektohet.
Besimi
respektohet.
Myslimanët
shqiptarë respektohen.
Por
askush nuk ka të drejtë ta vendosë identitetin fetar mbi identitetin kombëtar,
e aq më pak ta mbulojë fizikisht figurën më të rëndësishme të historisë
shqiptare.
Kjo
nuk është harmoni fetare.
Kjo
është arrogancë simbolike.
Kjo
është një patologji ideologjike e importuar dhe jo traditë shqiptare.
Shqiptarët
nuk kanë nevojë të zgjedhin mes fesë dhe kombit. Por kushdo që përpiqet ta
vendosë fenë përballë kombit, nuk po i shërben Zotit, por përçarjes.
Skënderbeu
nuk e pengon askënd të falet. Përkundrazi, ai qëndron mbi ata si ndërgjegje
historike e këtij kombi. Dhe pikërisht kjo duket se i pengon ata që duan ta
zëvendësojnë identitetin kombëtar me identitete ideologjike të importuara.
Atëherë
pse dikush ndjen nevojën ta mbulojë Skënderbeun?
Ndoshta
për faktin se figurat e mëdha nuk mund të mposhten me argumente, prandaj
tentohet të zbehen përmes simbolikave dhe provokimeve. Por ata sikur harrojnë
se Gjergj Kastriotin nuk arritën ta mbulonin as atëherë kur qëndronte në
oborret e perandorëve pushtues, sepse vetëdija e tij për origjinën, kombin dhe
misionin e tij ishte më e fortë se çdo perandori. Nuk mundën ta mbulojnë për
pesë shekuj pushtues, ideologji e sundime të huaja - dhe nuk do të mund ta
mbulojnë kurrë as sot.
https://www.facebook.com/profile.php?id=100003448014557



