BDSH: Stop despotizmit të VMRO-së!
02.07.2009, 08:27 PM (GMT+1)

Shteteve të Bashkuara të Amerikës
(përmes Ambasadës)
Shteteve të Bashkimit Evropian
(përmes zyrës së tyre në Shkup)
Shteteve anëtare të OSBE-së
(përmes zyrës së tyre në Shkup)
Stop despotizmit të VMRO-së!
Si shpërblim për argatllëkun e BDI-së në qeverisjen antishqiptare të Shkupit, diktatura e VMRO-së bëri sulmin më brutal që mbahet mend në ndërhyrjet politike kundër institucioneve akademike: shkarkoi të gjithë anëtarët e Senatit të Universitetit Shtetëror të Tetovës.
Shkarkimi nga detyra e gjithë strukturës udhëheqëse të Universitetit paraqet metodën despotike të ndërhyrjes së politikës në botën akademike, ndërhyrje që do t’ua kishin lakmi diktatorët e regjimeve të mëparshme komuniste.
Universiteti, me gjitha të metat e veta që i ka të trashëguara nga ndërhyrjet brutale të regjimeve politike, duhet të aspirojë që të bëhet parlament i mendjes dhe dijes, e jo instrument i partive politike.
Për Bashkimin Demokratik Shqiptar ndërhyrjet e pushtetit antishqiptar në autonominë e Universitetit të Tetovës janë indikatorë që dëshmojë se rruga e Maqedonisë drejtë strukturave dhe vlerave euro-atlantike është ende shumë larg.
Në këtë situatë plot rreziqe për paqen dhe sigurinë e vendit dhe rajonit alarmojmë institucionet ndërkombëtare, sidomos SHBA-të dhe shtetet e BE-së që të ndërhyjnë energjikisht dhe t’i imponojnë Qeverisë së Shkupit të heqë dorë nga dhuna dhe terrori shtetëror mbi institucionet shqiptare.
Bashkimi Demokratik Shqiptar
2 korrik 2009
Tetovë
Lajme të tjera
Lajme Popullore















