Basri Beka: Milazim Krasniqi më bën të ndihem më shumë shqiptar dhe më shumë katolik
Milazim Krasniqi më bën të ndihem më shumë shqiptar dhe më shumë katolik

Edhe
pse sot çështja kryesore është verdikti i Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj
krerëve të UÇK-së, megjithatë nuk duhet lejuar që këtë fatkeqësi e këtë vakuum
të lihet pa përgjigje për ideologët dhe axhitatorët e Islamit politik.
Milazim
Krasniqi përpiqet ta paraqesë kombin shqiptar si produkt dhe meritë të shumicës
myslimane, jo si kulturë, gjuhë e histori të përbashkët. Ai akuzon lëvizjet
iluministe se flasin për etninë arbnore dhe se gjoja ajo “u shkri” në kombin
shqiptar, duke e nxjerrë vetë kombin si një konstrukt artificial, pa histori e
pa traditë. Me këtë ai tregon jo vetëm injorancë historike, por edhe një qasje
ideologjike që synon ta zvogëlojë identitetin shqiptar në një shtresë fetare.
Ai
harron se Evropa e mesjetës ishte e fragmentuar dhe e qeverisur me principata e
mbretëri të vogla, të cilat i ndanin etnitë në njësi të shumta që luftonin për
pushtetin e sunduesit. Deri në Marrëveshjen e Vestfalisë (1648) nuk ekzistonin
as shtete e as mbretëri sovranë në kuptimin modern; shumë prej tyre i
nënshtroheshin ende vullnetit të Romës ose strukturave të tjera mbi-shtetërore.
Në këtë kontekst, arbërit (shqiptarët) jetonin në principata e njësi të tilla,
por ruajtën gjuhën, zakonet, kanunin dhe vetëdijen etnike. Etnia arbnore nuk u
shkri magjikisht; ajo vazhdoi dhe u zhvillua si vazhdimësi historike, kulturore
e gjuhësore. Fakti që “shqiptar” u konsolidua si vetëemërtim në traditën
shqiptare, jashtë një kategorie administrative osmane, tregon se identifikimi
shqiptar nuk mund të shpjegohet thjesht përmes përkatësisë fetare apo
administrimit osman. Ai duhet parë në vazhdimësinë e gjuhës, kulturës, kujtesës
historike dhe vetëidentifikimit. Burime bizantine dëshmojnë Arbanon e Arbanitai
shumë më herët. Kalimi nga Arbër në Shqiptar është evolucion i brendshëm, jo
shpikje e vonë e as produkt osman.
Krasniqi
vazhdon me sharlatanizmin e tij duke thënë se “rilindasit e kanë zgjedhur këtë
në mënyrën më gjeniale të mundshme: brenda kombit shqiptar kanë hyrë të gjitha
rajonet e mundshme, të gjitha rajonet shqiptare, të gjitha besimet fetare, dhe
kontributet e myslimanëve kanë qenë vendimtare sepse kanë qenë shumicë
absolute”. Këtu ai gabon rëndë. Është e vërtetë se:
•
ishin shqiptarët që nuk ndërruan fenë dhe mbetën shqiptarë;
•
ishin shqiptarët që ndërruan fenë, por mbetën shqiptarë;
•
ishin shqiptarët që ndërruan fenë dhe kombësinë, por vazhduan të flisnin shqip
– këta të fundit nuk ndiheshin shqiptarë dhe ishin pakicë.
Prandaj
konkluzioni se shumica myslimane ka qenë “vendimtare” në formimin e kombit, në
kuptimin që ai pretendon, nuk qëndron. Shumica absolute ishin shqiptarë që
jetonin me Kanunin e Lekë Dukagjinit, Kanunin e Skënderbeut, kanunin e Labërisë
dhe me kanunin e lirisë. Të tentosh të vendosësh fenë islame në qendër të
formimit të kombit shqiptar është e pavërtetë absolute, dashakeqe dhe në thelb
mision antikombëtar.
Është
e vërtetë se ortodoksët e nisën Rilindjen, protestantët dhanë kontribut të
jashtëzakonshëm (Konstandin Kristoforidhi, motrat Qiriazi etj.), bektashinjtë
po ashtu. Është po aq e vërtetë se shumë shqiptarë myslimanë nominalë kishin
vetëdije kombëtare, dinin se nga ishin dhe çfarë ishin, dhe ruanin kujtesën për
historinë e për besimin e krishterë që kishin para se t’u imponohej islami nga
terrori osman. Prandaj ruajtën harmoninë fetare. Sot ndodh e njëjta gjë: edhe
shqiptarët myslimanë nominalë, bashkë me katolikët, tarikatet e bektashinjtë,
thonë “stop” humbjes së gjuhës e identitetit, sepse kombi shqiptar është
ndërtuar mbi gjuhën, kulturën e historinë e përbashkët – jo mbi një projekt
fetar.
Kombi
shqiptar ka ditur të reagojë sa herë që një hegjemoni fetare është përpjekur ta
tjetërsojë. Ai ka ndryshuar fenë, por nuk e ka ndryshuar identitetin kombëtar.
Sot,
historia po përballet me një përpjekje të ngjashme. Prandaj duhet të kujtojmë
se feja mund të ndryshojë, ndërsa gjuha, kultura, historia dhe identiteti
kombëtar janë vazhdimësia që na bashkon.
Të
quash katolikët shqiptarë “shizofrenë” është çmenduri, tradhti dhe fyerje për
krejt komunitetin shqiptar, pa marrë parasysh fenë. Katolikët e mbajtën
pishtarin e lirisë 500 vjet nën terrorin osman; rezistuan presionit serb nga
fillimi i shekullit XX deri në rënien e Rankoviqit. Kur kjo akuzë vjen nga një
person që akuzon jezuitët e françeskanët pa baza e pa fakte, ndërsa hesht për
tradhtarët myslimanë si Ballaban Pasha, Mahmut Pashë Gjinolli, Haxhi Qamili e
deri në ditët e sotme si Hysri Selimi. Njësia e shqiptarëve është e qartë: kjo
nuk është kritikë historike, por fyerje e qëllimshme dhe selektive.


