Asllan Dibrani – Luani: Xhamia e Ibrit dhe rrëshqitja e shtetit laik

XHAMIA E IBRIT DHE RRËSHQITJA E SHTETIT LAIK

I nderuari Albin Kurti,
Me vështirësi po e filloj këtë shkrim. Jo pse nuk kam
ç’të them, por sepse e kam të rëndë ta them. Më duhet ta kthej shpinën pas
shumë vitesh respekti, mbështetjeje, mbrojtjeje dhe besimi se në ty po
ndërtohej një figurë politike që do ta mbronte boshtin kombëtar të Kosovës me
dinjitet, kthjelltësi dhe vizion.
Po e them me dhimbje, jo me lehtësi: kam përshtypjen
se ke hyrë në një kthesë që nuk të ka hije. Jo sepse po merresh me
trashëgiminë, por sepse po jep shenja se po lejon të lakohet rruga primare kombëtare
përballë një klime ku islamizmi politik po kërkon hapësirë, peshë dhe
legjitimitet.
Xhamia e Ibrit nuk është vetëm restaurim
Esenca e këtij shqetësimi është rindërtimi i
Xhamisë së Ibrit në Mitrovicë. Kjo nuk është më vetëm çështje guri, muri a
çatie. Kjo është bërë çështje mesazhi politik. Sepse kur një qeveri vendos ta
kthejë një akt të tillë në ngjarje me jehonë publike, ai nuk lexohet më vetëm
si restaurim objekti, por si sinjal. Dhe në Kosovë, sinjalet që lidhen me fenë,
identitetin dhe shtetin nuk janë kurrë të pafajshme. Më 2 maj 2026 u nënshkrua
marrëveshja për hartimin dhe zbatimin e projektit të rekonstruktimit të Xhamisë
së Ibrit, e ndërtuar më 1777 dhe e djegur më 2 maj 1999.
Marrëveshja me Bashkësinë Islame dhe prania e Naim
Tërnavës
Këtu qëndron edhe më fort thelbi i problemit. Nuk kemi
të bëjmë vetëm me një rindërtim. Kemi të bëjmë edhe me një memorandum
bashkëpunimi për “forcimin e ruajtjes dhe promovimit të trashëgimisë kulturore
islame”, të bërë publik po atë ditë, në prani të myftiut Naim Tërnava. Kjo
është pikërisht ajo pjesë që e zhvendos çështjen nga administrimi i
trashëgimisë te pesha politike e saj. Sepse kur një kryeministër del në një
skenë të tillë, bashkë me kreun e Bashkësisë Islame, dhe i jep gjithë kësaj një
ton solemn institucional, krijohet përshtypja se shteti po afrohet simbolikisht
me një identitet të veçantë fetar, në vend që të ruajë distancën e vet
kushtetuese.
Po e them troç: këtu fillon rrëshqitja.
Kosova është republikë qytetare, jo shtet fetar
Kosova, sipas Kushtetutës së saj, është shtet laik
dhe neutral në çështjet e besimeve fetare. Po ashtu, ajo siguron ruajtjen
dhe mbrojtjen e trashëgimisë së vet kulturore dhe fetare. Kjo do të thotë se
shteti ka detyrim të mbrojë trashëgiminë, por pa e shndërruar veten në zëdhënës
të një identiteti fetar të veçantë. Kjo është vija e ekuilibrit. Kjo është
madhështia e republikës. Kjo është mbrojtja e bashkëjetesës sonë.
Shqiptarët kanë mbijetuar si komb jo duke e ndërtuar
shtetin mbi fenë, por duke u ngritur mbi ndarjet fetare. Identiteti ynë i
vërtetë ka qenë kombëtar. Pikërisht kjo na ka mbajtur gjallë. Prandaj
shqetësimi nuk është kundër fesë si ndërgjegje personale. Shqetësimi është
kundër përdorimit politik të saj.
Kur shteti bën sy me minaren
Kur shteti fillon të privilegjojë një trashëgimi të
caktuar fetare me zhurmë politike, ndërsa nuk e ruan të njëjtën frymë ekuilibri
në qasjen publike, atëherë nuk kemi më vetëm kujdes kulturor. Kemi
instrumentalizim.
Mitrovica nuk ka nevojë për zhurmë protokolli. Ka
nevojë për siguri, zhvillim, ekonomi, dinjitet qytetar dhe kthim të shpresës.
Një shoqëri që po zbrazet për bukën e gojës nuk mbahet me ceremonira simbolike.
Ajo mbahet me drejtësi, me vizion dhe me punë.
Naim Tërnava nuk duhet të duket më i përfaqësuar se
vetë fryma republikane
Po e them me keqardhje: me këtë qasje krijohet
përshtypja se Naim Tërnava po del më i përfaqësuar në këtë histori sesa vetë
karakteri laik i shtetit. Kjo është e rëndë. Sepse kryeministri i një
republike laike nuk duhet të japë kurrë ndjesinë se po e ngroh politikisht një
bosht fetar, sado e paketuar të jetë kjo si trashëgimi, kulturë apo restaurim.
Nuk të ka hije të përulesh pranë njerëzve e rrymave që
e shohin identitetin kombëtar shqiptar si diçka që mund të zbehet përballë
identitetit fetar. Nuk të ka hije të afrohesh me mendësi që shkollat,
universitetet, institucionet e madje edhe çerdhet i shohin si terren ndikimi
ideologjik. Nuk të ka hije të krijosh përshtypjen se rruga kombëtare mund të
lakohet për një grusht vota.
Kjo nuk është vetëm gabim, por sinjal i rrezikshëm
Gjatë luftës, Serbia është përpjekur ta paraqesë
çështjen e Kosovës si konflikt fetar dhe jo si luftë çlirimtare. Pikërisht për
këtë arsye, shteti i Kosovës duhet të jetë dyfish i kujdesshëm që të mos japë
sinjale që ushqejnë zhvendosjen e identitetit tonë nga boshti kombëtar drejt
një leximi fetar. Rindërtimi i Xhamisë së Ibrit, i shoqëruar me marrëveshje e
memorandume të tilla, në prani të kreut të Bashkësisë Islame, nuk lexohet më
vetëm si restaurim. Lexohet edhe si pozicionim. Dhe ky pozicionim ngjall shqetësim
të ligjshëm.
Zhgënjimi im vjen pikërisht sepse kam pritur më shumë
prej teje
Po të drejtohem kështu jo si armik, por si njeri që
për vite ka besuar se te ti kishte më shumë shtet sesa improvizim, më shumë
komb sesa kalkulim, më shumë vetëdije sesa tundim. Pikërisht prandaj kjo kthesë
dhemb. Sepse vjen nga një figurë prej së cilës është pritur që të ruajë
busullën kur të tjerët humbin orientimin.
Fjala e fundit
Xhamia e Ibrit nuk është më
vetëm objekt restaurimi. Me mënyrën si u vendos në qendër të skenës publike,
bashkë me marrëveshjen me Bashkësinë Islame, me memorandumin për
trashëgiminë kulturore islame dhe me praninë e Naim Tërnavës, ajo
është kthyer në provë politike për karakterin laik të republikës. Faktet
publike për këto marrëveshje dhe për rolin e Tërnavës në ceremoni janë bërë të
ditura nga media dhe Zyra e Kryeministrit.
Dhe në këtë provë, shqetësimi është i thellë.


