Alma Lama: A i duhet xhandarmëria Kosovës?!
A i duhet xhandarmëria Kosovës?!

Kryeministri
i Kosovës në detyrë, Albin Kurti paralajmëroi mbrëmë në një intervistë
televizive se kishte ndërmend të krijonte xhandarmërinë, një njësi
policore-ushtarake sipas modelit të karabinierëve italianë apo xhandarmërisë
franceze. Ai nuk artikuloi arsyeshmërinë e krijimit të një force të tillë;
vetëm përmendi se këto forca do të dërgohen për të kontrolluar kufirin. Të
nesërmen, ministri i Brendshëm njoftoi publikun se ka krijuar grupin punues për
t’u marrë me këtë çështje, duke harruar se është vetëm ministër në detyrë dhe
se themelimi i një njësie të tillë policore apo ushtarake është një çështje e
madhe dhe serioze, dhe se këtë kompetencë nuk e ka aktualisht qeveria në
detyrë, pasi Kosova po shkon në zgjedhje më 7 qershor.
Por
përveç ligjshmërisë, që nuk e ka, le të trajtojmë me radhë edhe qëllimin dhe
arsyeshmërinë e propozimit, për të cilën KM në detyrë nuk dha ndonjë shpjegim.
Së
pari, çfarë është xhandarmëria, cili ishte konteksti historik kur u krijua dhe
si funksionon sot?
Në
Francë, Xhandarmëria Nacionale është një nga dy forcat kombëtare të zbatimit të
ligjit, së bashku me Policinë Nacionale.
Xhandarmëria
është një degë e Forcave të Armatosura Franceze, e vendosur nën juridiksionin e
Ministrisë së Brendshme, me detyra shtesë nga Ministria e Forcave të
Armatosura. Përgjegjësitë e saj përfshijnë policimin e qyteteve të vogla,
periferive dhe zonave rurale, kontrollin e turmave dhe trazirave, si dhe
hetimin penal, duke përfshirë krimin kibernetik. Në të kundërt, Policia Nacionale
është një agjenci civile e zbatimit të ligjit që është përgjegjëse për
policimin e qyteteve dhe qytezave më të mëdha. Për shkak të statusit të saj
ushtarak, Xhandarmëria gjithashtu përmbush një sërë misionesh ushtarake dhe
mbrojtëse.
Xhandarmëria
Nacionale është trashëgimtare e policisë, krijimi i së cilës daton që nga Lufta
Njëqindvjeçare (1337–1457). Përgjatë historisë ka ndryshuar shpesh emrin dhe
misionin, por është përdorur edhe për shtypjen dhe menaxhimin e trazirave, si
dhe për ekspansionin në vendet koloniale.
Përsa
i përket Karabinierëve italianë, që i përmendi Kurti, origjina e tyre daton që
nga viti 1814, kur Viktor Emanueli I, Mbret i Piemontit dhe Sardenjës, themeloi
Korpusin Mbretëror të Karabinierëve, me detyrë ruajtjen e rendit publik. Në vitin
1922 u vendos që karabinierët do të angazhoheshin përgjithmonë edhe në detyra
policore dhe të sigurisë publike, një veprim që shpejt i bëri ata trupën
ushtarake më të njohur dhe më të respektuar midis qytetarëve.
Që
nga viti 2000, karabinierët nuk kanë qenë më një degë e ushtrisë, por një forcë
e armatosur autonome.
Modele
të ngjashme me Francën dhe Italinë kanë edhe Spanja, Portugalia dhe disa vende
të Afrikës, kryesisht ish-kolonitë franceze.
Karabinierët
italianë dhe xhandarmëria franceze kanë qenë të pranishëm në Kosovë që pas
luftës, në kuadër të KFOR-it, dhe janë marrë me kontrollin e territorit,
menaxhimin e trazirave dhe ruajtjen e paqes në Kosovë. Ndërsa KFOR-i, që
përbëhet nga forca ushtarake të vendeve të ndryshme të NATO-s, misionin parësor
e ka ruajtjen e territorit të Kosovës nga agresorë të jashtëm.
Propozimi
i një force hibride policore-ushtarake për Kosovën, sipas modeleve të mësipërme
duket paksa i çuditshëm. Së pari sepse institucionet e Kosovës janë themeluar
pas luftës sipas modeleve më bashkëkohore dhe funksionale, dhe atëherë nuk
është vlerësuar se është e nevojshme një forcë e tillë. UNMIK-u së bashku me
institucionet vendore janë dakorduar për karakterin e policisë së Kosovës, për
llojet e njësive dhe për trajnimet e tyre profesionale, ku përfshihet edhe
policia kufitare, si dhe njësitë e specializuara për operacione më të vështira.
Ndërsa pas shpalljes së Pavarësisë u krijua edhe FSK-ja, që tashmë është
ushtria e Kosovës.
Nëse
Kurti e ka bërë këtë propozim për të sfiduar NATO-n, duke krijuar një forcë
policore-ushtarake për të dërguar në veri të Kosovës pa miratimin e KFOR-it, i
ka bërë llogaritë gabim. Siç e dimë, FSK-ja nuk mund të shkojë në atë pjesë dhe
për çdo lëvizje i duhet leja e KFOR-it sipas marrëveshjes aktuale me Qeverinë e
Kosovës. Ndërrimi i emrit të një force tjetër me karakteristika të ngjashme
ushtarake, do të kishte të njëjtin fat. Në Veri tani për tani është prezente
Policia e Kosovës dhe Njësitet Speciale të policisë, kur është e nevojshme.
Në
të vërtetë, propozimi i tij tingëllon mjaft i çuditshëm, në një kohë kur krejt
Evropa po armatoset, dhe përgatitet për luftë, duke mos përjashtuar një
konfrontim ushtarak me Rusinë, gjatë kësaj dekade. Gjermania, Polonia dhe
vendet e Balltikut janë nën alarm dhe kanë rritur ndjeshëm buxhetet e
mbrojtjes. BE-ja po ashtu ka ndarë qindra miliardë për mbrojtjen, ndërsa një
tërheqje ushtarake e SHBA-së nga Evropa nuk duket më e pamundur. Tashmë po flitet edhe për një NATO pa
SHBA-në, që do të thotë pa superfuqinë ushtarake që përbën 80% të fuqisë së
aleancës. Kjo do të ishte katastrofale në radhë të parë për Kosovën, siguria e
së cilës varet drejtpërdrejt prej saj.
Edhe
Serbia është armatosur deri në dhëmbë dhe përditë po blen teknologji të
avancuar ushtarake, duke pritur ndoshta momentin e përshtatshëm gjeopolitik për
të sulmuar Kosovën, nga e cila nuk ka hequr dorë asnjëherë. Serbia shpenzon në
buxhetin ushtarak vjetor më shumë se të gjitha vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor
të marra së bashku, rreth 2.8 miliardë dollarë.
Në
kushte të tilla, është e logjikshme dhe urgjente që Qeveria e Kosovës të marrë
masa për rritjen e buxhetit të ushtrisë dhe armatimit, që të bëjë realitet
shërbimin e detyrueshëm ushtarak, që gjithashtu ka kosto të lartë buxhetore,
dhe të përgatitet për çdo lloj skenari të mundshëm agresioni.
Nuk
është koha e aventurave dhe krijimit të institucioneve të reja pa nevojë
imediate, por është koha e forcimit të institucioneve ekzistuese, sidomos
FSK-së, dhe rritjes së bashkëpunimit e aleancave me vendet e NATO-s. Është koha
për sjellje serioze, jo bllokada që pengojnë procesin e anëtarësimit të Kosovës
në NATO apo që japin sinjale armiqve të Kosovës se kjo e fundit është e brishtë
dhe e pambrojtur.
Por
nëse zoti Kurti ka një tjetër qëllim, që është ai i krijimit të një force
ushtarake dhe policore për të mbrojtur pushtetin e tij, të cilin ka treguar me
veprime se nuk ka ndërmend ta lëshojë në mënyrë demokratike, apo për të
frikësuar kundërshtarët politikë, apo për më keq një lloj Garde Revolucionare,
atëherë ka kuptim propozimi i tij.
Megjithatë,
një ndërmarrje e tillë as nuk i duhet Kosovës dhe as mund të kalojë,
pavarësisht se tendencat autokratike i ka kohë që i manifeston ndaj të gjitha
institucioneve të pavarura si mediat, prokuroria dhe gjykatat.
Në
fund, duhet thënë se strukturat policore dhe ushtarake të shtetit të Kosovës
ekzistojnë, janë moderne dhe efikase. Atyre u duhet mbështetje politike dhe më
shumë buxhet për të përmbushur misionin e tyre, në përputhje me standardet
demokratike të sundimit të ligjit.
(Autorja është Doktore e Shkencave në Marrëdhënie
Ndërkombëtare të BE-së)




