Albert Zholi: ''Syri i Kaltër'' dhe dashuria me vajzën me sy të kaltër

2h më parë

"Syri i Kaltër" dhe dashuria me vajzën me sy të kaltër

Nga Albert Z. ZHOLI

Në jug të Shqipërisë, pranë Syrit të Kaltër, natyra ka krijuar një nga mrekullitë më mahnitëse: një burim të thellë, me ujë të kristaltë dhe një kaltërsi që të mbërthen që në shikimin e parë. Vizitorë nga e gjithë bota ndalen këtu për të soditur këtë fenomen të rrallë, ku uji duket sikur buron nga vetë zemra e tokës. Por përtej bukurisë natyrore, ky vend mbart edhe legjenda të vjetra që i japin një dimension tjetër, pothuaj mistik. Banorët e zonës tregojnë se kjo kaltërsi nuk është thjesht një mrekulli natyrore...Ndaj për të tregojnë dy legjenda...

Legjenda e parë e Syrit të Kaltër

Në një ditë të ngrohtë pranvere, pranë burimit të kristaltë që sot njihet si Syrit i Kaltër, kishin pushuar udhëtarë të shumtë. Uji i ftohtë gurgullonte qetë, ndërsa hijet e pemëve i mbronin nga dielli. Burrat ndanin bukën, gratë qeshnin lehtë, dhe kuajt ishin lidhur pak më tej, duke freskuar trupat në erën e lagësht që vinte nga burimi. Mes tyre ishte një vajzë që të gjithë e shikonin me bisht të syrit. Nuk ishte thjesht bukuria e saj ajo që i tërhiqte - por sytë. Të thellë, të kthjellët, të kaltër si vetë burimi, sikur brenda tyre fshihej një botë e tërë. Askush nuk guxonte t'i fliste. Por një djalë, që prej kohësh nuk ia ndante shikimin, ndiente se diçka e fortë e thërriste drejt saj. Kur vajza u ngrit të largohej, ai nuk duroi më. U shkëput nga vendi dhe vrapoi pas saj.

- Nuk kam parë kurrë sy si të tutë, - i tha me frymë të prerë. -Sy që të mbërthejnë e nuk të lënë të ikësh...Vajza u ndal. E pa drejt në sy. Në atë çast, thuhet se djalit iu duk sikur u zhyt në një thellësi pa fund, si në vetë burimin. Nuk dëgjoi më zhurma, nuk pa më njerëz — vetëm atë kaltërsi që e thërriste. Vajza uli paksa shikimin, sikur po ruante një sekret të vjetër.

- Sytë e mi... ia kam dhuruar dikujt tjetër, -tha ajo qetë.

Pastaj u kthye dhe u largua pa parë pas. Djali mbeti i ngrirë në vend. Për disa çaste nuk lëvizi, sikur koha kishte ndalur. Kur u kthye te të pranishmit, fytyra e tij ishte e zbehur, por sytë i shkëlqenin çuditshëm.

-A e patë? - tha ai me një zë që dridhej lehtë. -Ky burim... ky burim ngjan me sytë e vajzës që sapo iku...Të gjithë u kthyen nga uji. Thellësia e tij e kaltër dukej e gjallë, si një sy që shikonte nga brenda tokës. Dhe ... se nëse e sheh gjatë në atë ujë, mund të ndjesh të njëjtën magji që pushtoi djalin — një thirrje të heshtur që nuk të lë të largohesh. Djali qëndroi gjatë duke parë ujin që buronte pa pushim. Në atë kaltërsi të thellë, ai betohej se shihte sytë e saj — të gjallë, të bukur, të paarritshëm. Njerëzit u mblodhën rreth tij dhe nisën të shikonin edhe ata. Sa më shumë e vështronin, aq më shumë bindeshin se ai burim nuk ishte si të tjerët. Kishte diçka të pazakontë, një bukuri që të mbërthente.

-E drejtë...Është si sy... - tha dikush me zë të ulët.
-Po, po!  Si sytë e asaj vajze... - shtoi një tjetër. Dhe kështu, nga goja në gojë, nga brezi në brez, mbeti fjala e djalit dhe kujtimi i vajzës së panjohur. Që nga ajo ditë, njerëzit nisën ta quajnë "Syri i Kaltër", duke besuar se bukuria e atij burimi ishte veç një kujtim i syve të një vajze që askush nuk e pa më kurrë. Dhe që nga ajo ditë, njerëzit besojnë se Syrit i Kaltër nuk është thjesht një burim uji... por një pasqyrim i atyre syve që mund të të marrin shpirtin dhe të të mbajnë përgjithmonë aty mbërthyer si statujë.

Legjenda e dytë e Syrit të Kaltër (version epik)

Në kohë të lashta, kur malet flisnin me erën dhe lumenjtë kishin shpirt, në jug të vendit sundonte një krijesë e tmerrshme - një kuçedër me një sy të vetëm, të madh e të kaltër si qielli i stuhishëm. Ai sy nuk ishte thjesht shikim... ishte mallkim. Ishte shkatërrim, varfëri, frikë. Kudo që kuçedra kthente syrin, jeta thahej. Ujërat zhdukeshin, toka plasaritej, dhe njerëzit largoheshin nga frika. Fshatrat u zbrazën, këngët pushuan, dhe vendi mbeti nën hijen e një heshtjeje të rëndë. Por në ato anë jetonte një Trim, i rritur me legjendat e të parëve dhe me besimin se e keqja nuk është e përjetshme. Para se të nisej për betejë, ai u ngjit në mal dhe thirri zanat e pyjeve.

- Nëse bie, le të bie për tokën time. Nëse fitoj, le të kthehet jeta në këto zona, — tha ai.

Zanat, të padukshme për syrin e njeriut, i dhanë forcë dhe bekim. Beteja që pasoi ishte si përplasja e vetë natyrës. Kuçedra hungërinte, toka dridhej, qielli u errësua. Syri i saj i kaltër lëshonte një dritë të ftohtë që të ngrinte gjakun. Por Trimi nuk u tërhoq. Me një britmë që çau malin, ai u hodh drejt krijesës dhe, me një goditje të fundit, i qëlloi drejt në sy. Aty ku ishte pika e dobët. Kuçedra e befasuar, lëshoi një ulërimë që u dëgjua në shtatë male... dhe ra. Ajo se priste që një Trim i vetëm ta godiste për vdekje. E nënvleftësoi. Në atë çast, nga syri i saj filluan të rridhnin lot — fillimisht të ngadaltë, pastaj të furishëm, derisa shpërthyen në një burim të pashtershëm. Ujëëë, jetë. Uji ishte i kaltër, i thellë, i gjallë... sikur mbante ende brenda fuqinë e asaj krijese. Pra ai ujë i jepte fuqi Syrit të kuçedrës. Trimi u zhduk pa lënë gjurmë. Disa thonë se pasi vrau kuçedrën  zanat e morën me vete Trimin. Të tjerë besojnë se ai u bë njësh me tokën që shpëtoi. Por burimi mbeti. Aty i përjetshëm. Dhe njerëzit, kur u kthyen, e panë me frikë dhe adhurim atë ujë që buronte nga një sy i ngrirë në pafundësi. Ai ujë nga Syri solli jetë, begati, gjallëri, hare, gëzim. Jeta e fshatrave përreth u bë e bukur.  Që atëherë, vendi u quajt:

"Syri i Kaltër", një kujtim i betejës mes së mirës dhe së keqes, ku edhe sot, nëse e vështron gjatë, duket sikur diçka të shikon nga thellësia me kureshtje.