Albert Zholi: "Puthja ka emrin tënd", një mozaik poetik i shpirtit njerëzor

3h më parë

"Puthja ka emrin tënd", një mozaik poetik i shpirtit njerëzor

Nga Albert Z. ZHOLI

Në letërsinë bashkëkohore shqiptare, vëllimi poetik "Puthja ka emrin tënd" i poetit Tomorr Balla vjen si një dëshmi e fuqisë krijuese të një autori që e njeh mirë fjalën artistike dhe e përdor atë me finesë, ndjenjë dhe kulturë poetike. Me rreth njëqind poezi, ky libër shpalos një univers të pasur emocionesh, kujtimesh, portretesh njerëzore, dashurie, malli, emigracioni, problematikash sociale dhe vlerash kombëtare. Tomorr Balla është një poet që pas viteve '90 ka krijuar profilin e tij të veçantë në poezinë shqiptare. Ai shquhet për stilin origjinal, figuracionin e pasur dhe përdorimin e mjeteve të shumta shprehëse artistike. Poezia e tij nuk mbështetet vetëm te rrëfimi emocional, por ndërton imazhe të fuqishme poetike, ku metafora, simboli dhe personifikimi krijojnë një atmosferë të veçantë estetike.

Një nga kulmet artistike të këtij vëllimi është poema "Bilbilat ia marrin këngës", kushtuar korifenjve të këngës polifonike labe dhe rapsodëve popullorë të Vlorës. Në këtë poemë, autori ka skalitur me daltën e fjalës poetike figurat e këtyre artistëve të mëdhenj të kulturës popullore shqiptare. Poezia shndërrohet në një peizazh të gjallë artistik, ku kënga, natyra dhe jeta njerëzore shkrihen në një të vetme. Vargje si: "Ëndërr me qerpikë baroti", "ujëvarë në cicërimë loti" apo "gërshetat thurur me këngë", dëshmojnë për një imagjinatë të pasur dhe një mjeshtëri të rrallë figurative.

Këtu kënga polifonike nuk është thjesht art, por identitet, histori dhe frymë e një populli. Po aq mbresëlënëse është edhe poezia që i ka dhënë titullin librit, "Puthja ka emrin tënd". Kjo lirikë e hollë dashurie ndërtohet mbi një sistem metaforash të rafinuara, ku dashuria paraqitet si një ndjenjë hyjnore dhe universale. Fjala bëhet "varkë e kaltër", përqafimi mbart "cicërima ëndrre", ndërsa puthja fiton identitet njerëzor e shpirtëror. Poeti arrin të krijojë një atmosferë romantike, ku ndjenja ngrihet mbi realitetin dhe merr përmasa simbolike. Dashuria në këtë poezi nuk është thjesht marrëdhënie mes dy njerëzve, por një gjendje e bukur ekzistence. Një tjetër dimension i rëndësishëm i librit është trajtimi i plagës së emigracionit. Poezia "Emigracion" sjell një botë të mbushur me vetmi, mall dhe pasiguri. Me pak vargje, poeti arrin të japë dramën e refugjatit modern, i cili mbetet mes dy botëve: as i ikur plotësisht dhe as i kthyer. Figura e "mbrëmjes refugjati si epitaf gdhendur mbi qivur" është ndër imazhet më të forta të këtij cikli poetik. Këtu autori prek një problem social që ka lënë gjurmë të thella në shoqërinë shqiptare, duke e trajtuar me ndjeshmëri dhe vërtetësi artistike. Vlera e këtij libri qëndron edhe te larmia tematike. Në faqet e tij gjejmë portrete aktorësh, këngëtarësh, artistësh e njerëzish të zakonshëm, të cilët poeti i përjetëson përmes vargut. Krahas tyre, ai trajton hallet dhe shqetësimet e kohës sonë, duke i dhënë poezisë një dimension qytetar dhe human. Ndërkohë, lirikat e dashurisë përshkohen nga një ndjenjë e pastër dhe e sinqertë, që prek lexuesin me natyrshmërinë e saj. "Puthja ka emrin tënd" është një libër që lexohet me kënaqësi dhe mbetet gjatë në kujtesë. Ai dëshmon se Tomorr Balla është një poet me individualitet të spikatur krijues, i aftë të ndërthurë traditën me modernitetin, emocionin me mendimin dhe figurën artistike me mesazhin njerëzor. Ky vëllim përbën një kontribut të vyer në poezinë bashkëkohore shqiptare dhe konfirmon autorin si një nga zërat premtues të saj.